BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w98 15/11 f. 21-24
  • Cilët ishin Makabenjtë?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Cilët ishin Makabenjtë?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Vala e tërbuar e helenizmit
  • Korruptimi i priftërinjve
  • Antioku ndërmerr veprime
  • Makabenjtë reagojnë
  • Rifitimi i tempullit
  • Politika mbi përshpirtshmërinë
  • Hasmonenjtë dhe trashëgimia e tyre
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2001
  • Dy mbretër në konflikt
    Kushtoju vëmendje profecive të Danielit!
  • Drita i jep fund një epoke errësire
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
  • Sulmet ndaj Biblës
    Zgjohuni!—2011
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
w98 15/11 f. 21-24

Cilët ishin Makabenjtë?

PËR shumë njerëz, periudha e makabenjve është si një kuti e zezë për kohën mes përfundimit të librave të fundit të Shkrimeve Hebraike dhe ardhjes së Jezu Krishtit. Ashtu si disa hollësi zbulohen kur pas një përplasjeje studiohet kutia e zezë e aeroplanit, po kështu, njëfarë mendjehollësie mund të fitohet nga një shqyrtim i kujdesshëm i epokës makabease, një epokë tranzicioni dhe transformimi për kombin hebre.

Kush ishin makabenjtë? Si ndikuan ata në judaizëm përpara ardhjes së Mesisë së parathënë?—Danieli 9:25, 26.

Vala e tërbuar e helenizmit

Aleksandri i Madh pushtoi territore që nga Greqia deri në Indi (336-323 p.e.s.). Mbretëria e tij me shtrirje të madhe ishte një faktor që i kontribuoi përhapjes së helenizmit: gjuhës dhe kulturës së Greqisë. Zyrtarët dhe trupat ushtarake të Aleksandrit u martuan me gra të vendeve të tjera, duke shkaktuar një shkrirje të kulturës greke dhe të huaj. Pas vdekjes së Aleksandrit, mbretëria u nda mes gjeneralëve të tij. Në fillim të shekullit të dytë p. e. s., Antioku III i dinastisë greke të Seleukut në Siri, ia zhvati Izraelin kontrollit të Ptolemenjve grekë të Egjiptit. Si u ndikuan hebrenjtë në Izrael nga sundimi helenistik?

Një historian shkruan: «Përderisa hebrenjtë nuk mund ta shmangnin kontaktin me fqinjët e tyre të helenizuar dhe kishin gjithnjë e më pak kontakt me vëllezërit e tyre që ndodheshin jashtë, përvetësimi i kulturës greke dhe i mënyrës greke të të menduarit ishte i pashmangshëm. . . . Në periudhën helenistike, edhe sikur vetëm frymë të merrje, e kishe përvetësuar kulturën greke!» Hebrenjtë vunë emra grekë. Në shkallë të ndryshme, ata adoptuan zakonet dhe veshjet greke. Fuqia dinake e asimilimit ishte në rritje.

Korruptimi i priftërinjve

Hebrenjtë që ishin më të prekshëm nga ndikimi helenist qenë priftërinjtë. Për shumë prej tyre, të pranoje helenizmin do të thoshte të lejoje që judaizmi të ecte me hapin e kohës. Një hebre i tillë ishte Jasoni (në hebraisht Josia), vëllai i kryepriftit Onia III. Ndërkohë që Onia ndodhej larg, në Antioki, Jasoni u ofroi një rryshfet autoriteteve greke. Pse? Për t’i shtyrë që në vend të Onisë të emëronin atë si kryeprift. Sundimtari grek Seleukaj, Antioku Epifan (175-164 p.e.s.), e pranoi menjëherë ofertën. Më parë, sundimtarët grekë nuk kishin ndërhyrë në kryepriftërinë hebraike, por Antiokut i nevojiteshin fonde për fushatat ushtarake. Gjithashtu, atij i pëlqente të kishte një udhëheqës hebre, i cili do ta përkrahte më aktivisht helenizimin. Me kërkesën e Jasonit, Antioku i dha Jerusalemit statusin e një qyteti grek (polis). Si shkëmbim, Jasoni ndërtoi një palestër ku hebrenjtë e rinj, e madje edhe priftërinjtë, bënin gara sportive.

Pabesia sjell pabesi. Tre vjet më vonë, Menelau, i cili mund të mos ketë qenë nga linja priftërore, ofroi një rryshfet më të madh dhe kështu Jasoni iku. Për të paguar Antiokun, Menelau mori shuma të mëdha parash nga thesari i tempullit. Meqenëse Onia III (që ndodhej në mërgim në Antioki) foli hapur kundër këtij veprimi, Menelau organizoi vrasjen e tij.

Kur u hap fjala se Antioku kishte vdekur, Jasoni u kthye në Jerusalem me një mijë burra dhe u përpoq t’ia hiqte Menelaut kryepriftërinë nga dora. Por Antioku nuk kishte vdekur. Kur dëgjoi për veprimin e Jasonit dhe për trazirat e krijuara mes hebrenjve, të cilët kundërshtonin hapur politikat e tij helenizuese, Antioku reagoi me tërbim.

Antioku ndërmerr veprime

Në librin e tij Makabenjtë, Moshe Përlmen shkruan: «Megjithëse dokumentet nuk janë të qarta, duket se Antioku ka arritur në përfundimin se t’u lejoje hebrenjve lirinë e veprimit fetar do të ishte gabim politik. Sipas tij, rebelimi i fundit në Jerusalem nuk kishte plasur për arsye thjesht fetare, por për shkak të një fryme mbizotëruese pro egjiptiane në Judë dhe këto ndjenja politike ishin shprehur në mënyrë të rrezikshme pikërisht sepse hebrenjtë, vetëm ata nga gjithë populli i tij, kishin kërkuar dhe u ishte lejuar një masë e madhe separatizmi fetar. . . . Kjo, vendosi ai, duhej ndaluar.»

Burri i shtetit dhe studiuesi izraelit Aba Eban bëri këtë përmbledhje: «Gjatë vitit 168 dhe 167 [p.e.s.], pasuan me shpejtësi njëri-tjetrin masakrimi i hebrenjve, plaçkitja e tempullit dhe ndalimi i praktikimit të fesë judaike. Rrethprerja u bë e dënueshme me vdekje, ashtu siç ishte edhe respektimi i sabatit. Fyerja më e madhe ndodhi në dhjetor të vitit 167, kur me urdhër të Antiokut, Zeusit iu ngrit një altar brenda tempullit dhe hebrenjve iu kërkua t’i flijonin perëndisë së grekëve mish derri, i cili sipas ligjit hebraik ishte sigurisht i papastër.» Gjatë kësaj periudhe, Menelau dhe hebrenj të tjerë të helenizuar vazhduan të qëndronin në pozitat e tyre, duke shërbyer në një tempull tashmë të ndotur.

Megjithëse shumë hebrenj e pranuan helenizmin, një grup i ri i vetëquajtur hasidimë, njerëz të përshpirtshëm, inkurajuan për një bindje më të prerë ndaj Ligjit të Moisiut. Tani, të pështirosur nga priftërinjtë e helenizuar, njerëzit e thjeshtë morën gjithnjë e më shumë anën e hasidimëve. Ndërsa hebrenjtë në mbarë vendin i detyronin që ose të vepronin në përputhje me zakonet dhe flijimet pagane, ose të vdisnin, nisi një periudhë martirizimi. Librat apokrifë të Makabenjve përmbajnë tregime të shumta për burra, gra dhe fëmijë që preferuan më mirë vdekjen sesa kompromisin.

Makabenjtë reagojnë

Veprimet ekstreme të Antiokut i shtynë shumë hebrenj që të luftonin për fenë e tyre. Në Modin, në veriperëndim të Jerusalemit, pranë qytetit të sotëm të Lodit, një prift që quhej Matatia u thirr në qendrën e qytetit. Meqenëse Matatia respektohej nga popullsia e vendit, përfaqësuesi i mbretit u përpoq ta bindte që të merrte pjesë në një flijim pagan, që kështu të shpëtonte jetën e vet dhe të jepte shembullin për pjesën tjetër të popullsisë. Kur Matatia refuzoi, doli përpara një hebre tjetër, i cili qe gati të bënte kompromis. I mbushur me indinjatë, Matatia rrëmbeu një armë dhe e vrau. Të shtangur nga reagimi i dhunshëm i këtij plaku, ushtarët grekë reaguan me ngadalësi. Brenda disa sekondash, Matatia vrau edhe zyrtarin grek. Pesë bijtë e Matatias dhe banorët e qytetit i mposhtën trupat greke përpara se ato të mund të mbroheshin.

Matatia thirri: ‘Secili që ka zell për Ligjin, le të vijë pas meje.’ Për t’u shpëtuar masave ndëshkimore, ai dhe bijtë e tij ikën në rajonin malor. Ndërsa përhapej fjala mbi veprimet e tyre, hebrenjtë (përfshirë edhe shumë hasidimë) u bashkuan me ta.

Matatia e caktoi birin e tij Juda që të kryesonte operacionet ushtarake. Ndoshta për shkak të mjeshtërisë ushtarake të tij, Juda u quajt Makabe, domethënë «çekiç». Matatia dhe bijtë e tij u quajtën asmoneas, emër që vjen nga qyteti Heshmon ose nga një stërgjysh që quhej kështu. (Jozueu 15:27) Meqenëse Juda Makabeu u bë figura e shquar gjatë rebelimit, me kalimin e kohës e gjithë familja u quajt Makabenjtë.

Rifitimi i tempullit

Gjatë vitit të parë të revoltës, Matatia dhe djemtë e tij patën mundësi të organizonin një ushtri të vogël. Disa herë, trupat greke i sulmuan në sabat grupet e luftëtarëve hasidimë. Megjithëse kishin mundësi të mbroheshin, hasidimët nuk e dhunuan sabatin. Prandaj, rezultati qenë kasaphanat në masë. Matatia, që tani konsiderohej si autoritet fetar, nxori një vendim që i lejonte hebrenjtë të mbroheshin në sabat. Ky vendim jo vetëm që i dha një gjallëri të re rebelimit, por përcaktoi në judaizëm edhe një zakon, sipas të cilit krerëve fetarë u lejohej t’ia përshtatnin ligjet judaike rrethanave të ndryshuara. Talmudi e pasqyron këtë prirje në deklaratën e mëvonshme: «Le të përdhosin një sabat, që të shenjtërojnë shumë sabate.»—Yoma 85b.

Pas vdekjes së babait të tij të moshuar, Juda Makabeu u bë udhëheqësi i padiskutueshëm i revoltës. Meqenëse e kuptoi se në fushë të hapur nuk i mundte dot armiqtë e tij, shpiku metoda të reja si luftërat guerrile të kohëve moderne. Ai i goditi forcat e Antiokut në zona ku ata nuk mund t’i përdornin metodat e tyre të zakonshme të mbrojtjes. Kështu, nga njëra betejë në tjetrën, Juda ia doli të mundte forca tepër më të mëdha sesa e tija.

Të ndodhur përballë rivaliteteve brendapërbrenda dhe fuqisë në rritje të Romës, sundimtarët e Perandorisë së Seleukajve u morën më pak me zbatimin e dekreteve kundër hebrenjve. Kjo gjë hapi rrugën që Juda ta shtrinte sulmin e tij deri te portat e Jerusalemit. Në dhjetor të vitit 165 p.e.s. (ose ndoshta në vitin 164 p.e.s.), ai dhe trupat e tij pushtuan tempullin, pastruan enët e tij dhe e ridedikuan pas plot tre vjetësh nga përdhosja e tij. Hebrenjtë e përkujtojnë çdo vit këtë ngjarje gjatë hanukahut, festës së dedikimit.

Politika mbi përshpirtshmërinë

Synimet e revoltës ishin arritur. Ndalimet e vendosura kundër praktikimit të judaizmit ishin hequr. Adhurimi dhe flijimet në tempull ishin rivendosur. Tani, të kënaqur, hasidimët lanë ushtrinë e Juda Makabeut dhe u kthyen në shtëpitë e tyre. Por Juda kishte ide të tjera. Ai kishte një ushtri të stërvitur mirë, kështu që pse të mos e përdorte për të themeluar një shtet të pavarur judaik? Tani, shkaqet fetare që i dhanë nisje revoltës u zëvendësuan nga nxitje politike. Kështu që beteja vazhdoi.

Meqenëse kërkonte mbështetje në betejën kundër zotërimit të Seleukajve, Juda Makabeu bëri një traktat me Romën. Megjithëse ai vetë u vra në betejë në vitin 160 p.e.s., betejën e vazhduan vëllezërit e tij. Vëllai i Judës, Jonatani, i manovroi punët në një mënyrë të tillë që sundimtarët Seleukaj ranë dakord për emërimin e tij si kryeprift dhe sundimtar në Judë, ndonëse ajo ishte ende nën sovranitetin e tyre. Kur si rezultat i një komploti sirian, Jonatani u mashtrua, u kap dhe u vra, pushtetin e mori vëllai i tij, Simoni, i fundit nga vëllezërit makabenj. Nën sundimin e Simonit u hoqën gjurmët e fundit të zotërimit të Seleukajve (në vitin 141 p.e.s.). Simoni rinovoi aleancën me Romën dhe udhëheqja judaike e pranoi atë si sundimtar dhe kryeprift. Kështu, në duart e makabenjve u vendos një dinasti e pavarur asmoneane.

Makabenjtë e rivendosën adhurimin në tempull përpara ardhjes së Mesisë. (Krahaso Gjonin 1:41, 42; 2:13-17.) Por ashtu si besimi te priftëria humbi për shkak të veprimeve të priftërinjve të helenizuar, ky besim u trondit edhe më shumë nën hasmoneanët. Në fakt, sundimi nga priftërinjtë që e kishin mendjen te politika, në vend të sundimit nga një mbret i linjës së Davidit besimplotë, nuk i solli bekime të vërteta popullit hebre.—2. Samuelit 7:16; Psalmi 89:3, 4, 35, 36.

[Figura në faqen 21]

Matatia, babai i Juda Makabeut, thirri: ‘Secili që ka zell për Ligjin, le të vijë pas meje.’

[Burimi]

Thirrja e Matatias drejtuar refugjatëve hebrenj/The Doré Bible Illustrations/Dover Publications

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo