Ata bënë vullnetin e Jehovait
Pavli dëshmon me guxim para funksionarëve të lartë
KONTRASTI midis atyre dy burrave nuk mund të ishte më i dukshëm. Njëri kishte një kurorë, ndërsa tjetri zinxhirë. Njëri ishte mbret, tjetri i burgosur. Pas dy vjetësh në burg, tani, apostulli Pavël qëndronte përpara sundimtarit të judenjve, Herod Agripës II. Mbreti dhe bashkëshortja e tij, Bernika, kishin ardhur ‘me shumë pompozitet dhe kishin hyrë në sallën e auditorit së bashku me komandantët ushtarakë dhe me parinë e qytetit’. (Veprat 25:23, BR) Një vepër referimi thotë: «Ka shumë mundësi që të ishin të pranishëm disa qindra njerëz.»
Takimi ishte organizuar nga Festi, guvernatori i sapoemëruar. Feliksi, guvernatori që kishte mbajtur postin para tij, kishte qenë i kënaqur ta linte Pavlin të lëngonte në burg. Por Festi e vuri në dyshim vlefshmërinë e akuzave të ngritura kundër Pavlit. Pra, Pavli kishte këmbëngulur kaq shumë në pafajësinë e tij, saqë kishte kërkuar që çështja t’i paraqitej Cezarit. Çështja e Pavlit ngjalli kureshtjen e Mbretit Agripa. «Edhe unë do të doja ta dëgjoja këtë njeri»,—tha ai. Festi mori menjëherë masat për këtë, ndoshta duke pyetur veten se çfarë do të mendonte mbreti për këtë të burgosur të pazakontë.—Veprat 24:27–25:22, BR.
Ditën tjetër, Pavli e pa veten përballë një turme të madhe funksionarësh të lartë. «E konsideroj veten të lumtur që më duhet të mbrohem para teje, në këtë ditë,—i tha ai Agripës,—veçanërisht sepse ti je ekspert në të gjitha zakonet dhe mosmarrëveshjet midis judenjve. Prandaj të lutem të më dëgjosh me durim.»—Veprat 26:2, 3, BR.
Mbrojtja e guximshme e Pavlit
Së pari, Pavli i foli Agripës për të kaluarën e tij si persekutues i të krishterëve. «Përpiqesha t’i detyroja që të bënin një mohim publik,—tha ai.—Arrita deri në atë pikë sa i persekutoja edhe në qytetet e jashtme.» Pavli vazhdoi, duke treguar se si pati një vizion të mahnitshëm, në të cilin Jezui i ringjallur e kishte pyetur: «Përse po më persekuton? Është e rëndë për ty të vazhdosh të godasësh me shkelm kundër hostenëve.»a—Veprat 26:4-14, BR.
Më pas, Jezui e kishte ngarkuar Saulin që t’u dëshmonte njerëzve nga të gjitha kombet ‘si gjërat që kishte parë, ashtu edhe gjërat që ai do ta bënte të shihte në lidhje me të’. Pavli tregoi se u përpoq me zell që ta përmbushte këtë caktim. Megjithatë, «për shkak të këtyre gjërave,—i tha ai Agripës,—judenjtë më kapën në tempull dhe u përpoqën të më vrisnin». Duke i bërë thirrje interesit të Agripës ndaj judaizmit, Pavli theksoi se dëshmia e tij, në të vërtetë, nuk përfshinte asgjë tjetër «përveç gjërave që si profetët, ashtu edhe Moisiu pohuan se do të ndodhnin» në lidhje me vdekjen dhe ringjalljen e Mesisë.—Veprat 26:15-23, BR.
Festi e ndërpreu. «Studimi i shumtë po të çon në çmenduri!»—thirri ai. Pavli ia ktheu: «Unë nuk po çmendem, shkëlqesia juaj Fest, por jam duke shprehur fjalë të së vërtetës dhe të mendjes së shëndoshë.» Pastaj, Pavli tha për Agripën: «Mbreti, të cilit po i flas me liri fjale i njeh mirë këto gjëra, sepse unë jam i bindur se as edhe një prej këtyre gjërave nuk i shpëtoi vëmendjes së tij, sepse kjo gjë nuk është bërë në një qoshe.»—Veprat 26:24-26, BR.
Pastaj, Pavli iu drejtua drejtpërdrejt Agripës. «A i beson profetët ti mbreti Agripa?» Pyetja, pa dyshim e vuri në pozitë Agripën. Në fund të fundit, ai kishte një reputacion, të cilin duhej ta ruante dhe rënia dakort me Pavlin do të thoshte pajtim me atë që Festi e quajti «çmenduri». Ndoshta duke e nuhatur ngurrimin e Agripës, Pavli iu përgjigj vetë pyetjes së tij. «Unë e di që ti i beson»,—tha ai. Pas kësaj Agripa foli, por në mënyrë të tërthortë. «Brenda pak kohe,—i tha ai Pavlit,—do të më kishe bindur të bëhesha i krishterë.»—Veprat 26:27, 28, BR.
Me mjeshtëri, Pavli e përdori pohimin jo të qartë të Agripës për të nxjerrë në pah një pikë të rëndësishme. «Unë do të doja përpara Perëndisë,—tha ai,—që, qoftë për një kohë të shkurtër apo qoftë për një kohë të gjatë, jo vetëm ti, por edhe të gjithë ata që po më dëgjojnë sot, të bëheshin njerëz si unë, me përjashtim të këtyre prangave.»—Veprat 26:29, BR.
Agripa dhe Festi nuk panë asgjë te Pavli që të meritonte vdekjen ose burgosjen. Megjithatë, kërkesa e tij për t’ia paraqitur çështjen Cezarit nuk mund të anulohej. Kjo është arsyeja për të cilën Agripa i tha Festit: «Ky njeri mund të ishte liruar po të mos i ishte apeluar Cezarit.»—Veprat 26:30-32, BR.
Mësim për ne
Mënyra në të cilën Pavli dëshmoi para funksionarëve të lartë siguron një shembull të spikatshëm për ne. Kur iu drejtua Mbretit Agripa, Pavli përdori maturi. Pa dyshim, ai ishte në dijeni të skandalit që përfshinte Agripën dhe Bernikën. Mardhënia e tyre përbënte një incest, pasi Bernika ishte faktikisht motra e Agripës. Por në këtë rast Pavli nuk zgjodhi të mbante leksione mbi moralin. Në vend të kësaj, ai theksoi pika, të cilat i kishin të përbashkëta. Veç kësaj, megjithëse i arsimuar nga fariseu i ditur Gamaliel, Pavli pranoi se Agripa ishte një ekspert për sa i përket traditave judease. (Veprat 22:3) Pavarësisht nga normat morale personale të Agripës, Pavli iu drejtua atij me respekt për faktin se kishte një pozitë autoriteti.—Romakëve 13:7.
Ndërsa dëshmojmë me guxim mbi ato që besojmë, qëllimi ynë nuk është të demaskojmë apo të dënojmë praktikat e papastra të dëgjuesve tanë. Përkundrazi, ne duhet të theksojmë aspektet pozitive të lajmit të mirë, duke përmendur ato shpresa që kemi të përbashkëta, gjë që e bën më të lehtë pranimin e së vërtetës. Kur flasim me ata që janë më të moshuar ose që kanë autoritet, ne duhet të pranojmë pozitën e tyre. (Levitiku 19:32) Në këtë mënyrë mund të imitojmë Pavlin, i cili tha: «E kam bërë veten time gjithçka për të gjithë, që të mund të shpëtoj me çdo mënyrë disa njerëz.»—1. Korintasve 9:22.
[Shënimi]
a Shprehja «të godasësh me shkelm kundër hostenëve» përshkruan veprimin e një kau që dëmton veten, ndërsa godet shkopin e mprehtë që ka si funksion të nxitë dhe të drejtojë kafshët. Në mënyrë të ngjashme, duke persekutuar të krishterët, Sauli vetëm sa do të dëmtonte veten, pasi ai po luftonte një popull që kishte mbështetjen e Perëndisë.