Pyetje nga lexuesit
Sipas Mateut 17:20, ‘për shkak të besimit të tyre të pakët’, apostujt nuk ishin në gjendje të shëronin një djalë që vuante. Megjithatë, te Marku 9:29, paaftësia e tyre lidhet me nevojën për t’u lutur. Pse janë përmendur arsye të ndryshme në tregime të ndryshme të Ungjijve?
Faktikisht, të dy tregimet nuk e kundërshtojnë, por e plotësojnë njëri-tjetrin. Le të shohim në fillim Mateun 17:14-20. Një burrë raportoi se biri i tij ishte epileptik dhe se dishepujt nuk mund ta shëronin atë. Atëherë Jezui e shëroi djalin duke dëbuar një demon që po e torturonte atë. Dishepujt e pyetën se përse ata nuk mundën ta dëbonin demonin. Sipas tregimit të Mateut, Jezui u përgjigj: «Për shkak të besimit tuaj të pakët. Sepse në të vërtetë unë ju them, po të keni besim sa përmasa e një kokrre sinapi, do t’i thoni këtij mali ‘transferohu nga këtu atje’ dhe ai do të transferohet, e asgjë nuk do të jetë e pamundur për ju.»—BR.
Tani, të kthehemi te Marku 9:14-29, ku gjejmë më shumë hollësi. Për shembull, Marku 9:17 na jep hollësinë se në këtë rast lloji i krizave epileptike ishte shkaktuar nga një frymë e ligë. Është me vlerë të vërejmë se Bibla thotë në vende të tjera që Jezui shëroi njerëz epileptikë dhe të demonizuar. (Mateu 4:24) Në këtë situatë unike krizat ishin shkaktuar nga një «frymë e shurdhër dhe memece», domethënë nga një frymë e ligë, një fakt që mjeku Luka e vërteton. (Luka 9:39, BR; Kolosianëve 4:14) Vëreni te Marku 9:18, BR, shprehjen, «Kudo që ai [demoni] e kap atë». Kështu, djali nuk sulmohej vazhdimisht nga demoni, por vetëm me raste. E megjithatë, dishepujt nuk mundën ta dëbonin demonin dhe të shëronin djalin. Kur ata pyetën përse, Jezui u përgjigj: «Ky lloj nuk mund të dëbohet ndryshe përveçse me anë të lutjes.»
Sidoqoftë, një lexim i kujdesshëm i tregimit të Markut, tregon se nuk ekziston asnjë kundërshtim me atë që dokumentoi Mateu. Te Marku 9:19, lexojmë se Jezui u ankua për mosbesimin e atij brezi. Dhe në Mr 9 vargun 23, janë regjistruar fjalët që ai i tha të atit të djalit: «Çdo gjë është e mundshme për atë që beson». Kështu, edhe tregimi i Markut thekson rëndësinë e besimit. Vetëm që në Mr 9 vargun 29, Marku siguron një hollësi shtesë. Marku shton atë që Jezui tha për lutjen, të cilën as Mateu e as Luka nuk e përfshinë.
Atëherë, çfarë mund të themi? Në raste të tjera, si 12 apostujt, ashtu dhe 70 dishepujt dëbuan frymëra të liga. (Marku 3:15; 6:13; Luka 10:17) Por, në këtë rast dishepujt nuk mundën ta dëbonin demonin. Përse? Nëse i kombinojmë hollësitë që janë përmendur në tregimet e ndryshme, duhet të nxjerrim përfundimin se ata nuk ishin të përgatitur për ta bërë atë në këtë rast. Ndoshta një pjesë e problemit ishte lloji e demonit që përfshihej, meqenëse duket se demonët mund të kenë personalitete, interesa e madje aftësi të ndryshme. Me këtë demon, kërkohej veçanërisht besim i fortë dhe lutje të zjarrta për ndihmën e Perëndisë. Sigurisht, Jezui pati një besim të tillë. Ai kishte edhe mbështetjen e Dëgjuesit të lutjes, Atit të tij. (Psalmi 65:2) Jezui, jo vetëm që kishte mundësi ta shëronte djalin që vuante, duke e dëbuar demonin, por e bëri këtë.