A vdiq nga shkaqe natyrore Maria?
SIPAS gazetës së Vatikanit L’Osservatore Romano, doktrina katolike e Ngritjes së Maries në qiell pohon: «Virgjëresha e papërlyer, e ruajtur pa asnjë njollë mëkati origjinal, u mor me trup e shpirt në lavdinë qiellore, kur përfundoi jeta e saj tokësore.» Gazeta thotë se ky mësim i ka bërë disa teologë katolikë të deklarojnë se Maria «nuk vdiq dhe u ngrit menjëherë nga jeta tokësore në lavdinë qiellore».a
Kohët e fundit, papa Gjon Pavli II e shpjegoi këtë çështje nën një dritë tjetër. Në audiencën e përgjithshme të Vatikanit më 25 qershor 1997, ai tha: «Besëlidhja e Re nuk siguron asnjë informacion mbi rrethanat e vdekjes së Marisë. Kjo heshtje e bën dikë të supozojë se ajo ndodhi natyrshëm, pa asnjë hollësi të denjë për t’u përmendur. . . . Opinionet që dëshirojnë ta përjashtojnë atë nga vdekja prej shkaqesh natyrore, duken të pathemelta.»
Deklarata e papa Gjon Pavlit II hap një të çarë të thellë në dogmën e Ngjizjes së Papërlyer. Nëse Maria, nëna e Jezuit, ishte ‘ruajtur pa asnjë njollë mëkati origjinal», si mund të vdiste nga «shkaqe natyrore», të cilat rezultojnë nga mëkati i transmetuar prej Adamit mëkatar? (Romakëve 5:12) Kjo dilemë teologjike i detyrohet pikëpamjes së shtrembër që ka Kisha Katolike për nënën e Jezuit. S’është për t’u habitur që për këtë çështje, brenda Kishës Katolike ka lindur përçarje dhe rrëmujë.
Ndonëse Bibla e portretizon Marinë si të përulur, besimplotë dhe të devotshme, këto cilësi nuk ia atribuon një «ngjizjeje të papërlyer». (Luka 1:38; Veprat 1:13, 14) Bibla thotë thjesht: «Të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë.» (Romakëve 3:23) Po, Maria trashëgoi mëkatin dhe papërsosmërinë, ashtu siç bëri edhe pjesa tjetër e njerëzimit dhe nuk ka asnjë dëshmi se ajo vdiq nga diçka e ndryshme prej shkaqeve natyrore.—Krahaso 1. Gjonit 1:8-10.
[Shënimi]
a Shiko artikullin «Ngritja e Maries në qiell: Një dogmë e zbuluar nga Perëndia?», në Kullën e Rojës, 15 maj 1994, faqet 26-29.