Krishtlindjet: Ditë feste botërore apo ditë e shenjtë fetare?
NË Kinë, ai quhet Plaku i Krishtlindjeve. Në Mbretërinë e Bashkuar Britanike, njihet si Baba Krishtlindja. Njerëzit në Rusi përdorin emrin Gjyshi Bryma, ndërsa në Shtetet e Bashkuara i është ngjitur nofka Shën Klaus.
Shumë persona e konsiderojnë këtë plak gazmor që kapardiset me një bark të madh dhe mjekër si të zbardhur nga bora, sikur është tamam personifikimi i Krishtlindjeve. Por, gjithashtu, është shumë i njohur edhe fakti që Shën Klausi është një mit, një legjendë e bazuar në traditat që kanë të bëjnë me një peshkop të shekullit të katërt në Mirë (në Turqinë e sotme).
Zakonet dhe traditat kanë ushtruar gjithmonë një ndikim të fuqishëm te kremtimet, dhe Krishtlindjet nuk bëjnë përjashtim. Miti i këtij shenjtori është vetëm një shembull i folklorit të lidhur me një ditë feste shumë të përhapur. Ndonëse disa njerëz deklarojnë se zakonet e Krishtlindjeve janë të bazuara në ngjarje që ndodhen në Bibël, në realitet shumica e këtyre zakoneve janë me burim pagan.
Një shembull i mëtejshëm është pema e Krishtlindjeve. The New Encyclopædia Britannica thotë: «Adhurimi i pemës, i zakonshëm mes evropianëve paganë, pas kthimit të tyre në krishterim mbijetoi në zakonet skandinave të dekorimit të shtëpisë dhe të stallës me bimë përherë të blerta për Vitin e Ri, që të frikësohej djalli, dhe të vendosjes së një peme për zogjtë gjatë periudhës së Krishtlindjeve.»
Bërja e kurorave prej asheje apo prej bimësh të tjera përherë të blerta, është një tjetër traditë e përhapur krishtlindjesh. Edhe kjo ka rrënjë të thella në adhurimin pagan. Romakët e lashtë i përdornin degët e ashes për të stolisur tempujt gjatë Saturnales, një festë shtatëditëshe që bëhej në mes të dimrit, kushtuar Saturnit, perëndisë së bujqësisë. Kjo festë pagane dallohej veçanërisht për orgjitë dhe shthurjen pa kufij.
Zakoni i krishtlindjeve për t’u puthur nën një degëz veshtulle (të paraqitur këtu) mund t’u duket romantik disave, por ajo i përket Mesjetës. Druidët e Britanisë së lashtë besonin se veshtulla zotëronte fuqi magjike; kështu, ajo përdorej si një mbrojtje kundër demonëve, magjepsjeve dhe llojeve të tjera të së ligës. Me kalimin e kohës, lindi bestytnia se të puthurit nën veshtull do të çonte në martesë. Kjo praktikë është ende e përhapur në ndonjë popull, në periudhën e Krishtlindjeve.
Këto s’janë veçse pak prej traditave të sotme të Krishtlindjeve, që janë ndikuar apo që kanë ardhur krejtësisht nga mësimet pagane. Megjithatë, ti mund të pyesësh veten se si ka ndodhur e gjithë kjo. Si u bë kaq e pleksur me zakone jo të krishtere një ditë feste, e cila shpall hapur se nderon lindjen e Krishtit? Ç’është më e rëndësishme, si e konsideron Perëndia këtë çështje?
[Burimet e figurave në faqen 2]
Faqja 3: Shën Klaus: Thomas Nast/Dover Publications, Inc., 1978; veshtulla në faqen 3 dhe ilustrimi në faqen 4: Në zbulim të zakoneve dhe të folklorit të krishtlindjeve nga Margaret Baker, botuar nga Shire Publications, 1994