Epafroditi: I dërguari i filipianëve
«PRITENI, pra, me gëzim të madh në Zotin dhe nderoni të tillë njerëz si ai»,—u shkroi Pavli filipianëve. Pa dyshim, do të ishim të lumtur sikur një mbikëqyrës i krishterë të fliste për ne me fjalë të tilla të shkëlqyera. (Filipianëve 2:29) Por, për kë e kishte fjalën Pavli? Ç’kishte bërë ky njeri, për të merituar një lavdërim të tillë të ngrohtë?
Për pyetjen e parë përgjigjja është, Epafroditi. Për të dhënë përgjigjen e dytë, le të shqyrtojmë rrethanat që e nxitën Pavlin për të shkruar këto fjalë.
Aty nga viti 58 i e.s., filipianët kishin dëgjuar se një turmë e egërsuar e kishte nxjerrë Pavlin zvarrë nga tempulli dhe e kishte rrahur, e kishin arrestuar autoritetet dhe, pas një ndalimi që s’nxorri gjë në krye, ishte transferuar në Romë, i lidhur me zinxhirë. (Veprat 21:27-33; 24:27; 27:1) Të shqetësuar për mirëqenien e tij, filipianët duhet të kenë pyetur veten se ç’mund të bënin për të. Ata ishin të varfër materialisht dhe larg Pavlit, prandaj ndihma që mund të ofronin ishte e kufizuar. Megjithatë, ndjenja e ngrohtë që i nxiti filipianët për të mbështetur shërbimin e tij në të shkuarën, i nxiti përsëri ata; madje edhe më shumë, pasi ai ishte në një gjendje kritike.—2. Korintasve 8:1-4; Filipianëve 4:16.
Filipianët mund të kenë menduar mbase që dikush prej tyre të vizitonte Pavlin, t’i çonte ndonjë dhuratë dhe ta ndihmonte po të kishte nevojë për diçka. Por ishte një udhëtim i gjatë dhe i lodhshëm, ndërsa ndihma për të mund të ishte e rrezikshme! Joakim Gnilka vëren: «Për të vizituar një të burgosur duhej guxim dhe për më tepër, dikë, ‘krimi’ i të cilit mund të jetë dukur tejet i papërcaktuar.» Shkrimtari Brajan Rapske thotë: «Ekzistonte edhe rreziku i mëtejshëm i shoqërimit të ngushtë apo me dhembshuri kundrejt të burgosurit apo pikëpamjeve të tij. . . . Një fjalë apo një veprim i pakujdesshëm mund të sillte jo vetëm vdekjen e të burgosurit, por edhe të vizitorit.» Cilin mund të dërgonin filipianët?
Mund të përfytyrojmë fare mirë se një udhëtim i këtij lloji mund të sillte shqetësim dhe pasiguri, por Epafroditi (që s’duhet ngatërruar me Epafrasin e Kolosesë) u tregua i gatshëm të përmbushte këtë mision të vështirë. Duke gjykuar nga emri i tij, që ka të mishëruar emrin Afrodita, ai mund të ketë qenë një pagan i kthyer në krishterim, bir i prindërve të devotshëm ndaj asaj perëndeshe greke të dashurisë e të pjellorisë. Kur u shkroi filipianëve, për t’i falënderuar për bujarinë e tyre, Pavli e përshkroi me të drejtë Epafroditin, si ‘shërbenjës që ma patët dërguar në nevojat e mia’.—Filipianëve 2:25.
Nga ajo që thotë Bibla në lidhje me Epafroditin, ne mund të kuptojmë që, megjithë gatishmërinë e tij të lavdërueshme për të vënë veten në shërbim të Pavlit dhe të kongregacionit të tij, Epafroditi kishte po ato lloj problemesh që mund të kemi edhe ne. Le të shqyrtojmë shembullin e tij.
«Shërbenjës në nevojat e mia»
Hollësitë ne nuk i dimë, por mund ta marrim me mend se Epafroditi ka mbërritur në Romë i lodhur prej udhëtimit të tij. Ka mundësi që të ketë udhëtuar nëpër Rrugën Egnatia, një rrugë romake që përshkon Maqedoninë. Ai mund të ketë kaluar Adriatikun në «thembrën» e gadishullit italian e më pas të ketë marrë Rrugën Apia për në Romë. Ishte një udhëtim i mundimshëm (prej 1.200 km), që ndoshta i ka marrë më shumë se një muaj.—Shiko kutinë në faqen 29.
Me çfarë qëndrimi mendor e filloi Epafroditi misionin? Atë e kishin dërguar për një «shërbesë» apo lei·tour·giʹa për Pavlin. (Filipianëve 2:30) Kjo fjalë greke fillimisht i referohej punës për shtetin, që ndërmerrej vullnetarisht nga një qytetar. Më vonë, nisi të merrte domethënien e atij lloj shërbimi, të cilin shteti e kërkonte detyrimisht nga qytetarët që ishin veçanërisht të kualifikuar për ta kryer. Në lidhje me përdorimin e kësaj fjale në Shkrimet Greke, një studiues thotë: «I krishteri është një njeri që punon për Perëndinë dhe për njerëzit, më së pari, sepse ka dëshirë të bëjë kështu, me gjithë zemër, së dyti, sepse është i detyruar, pasi dashuria e Krishtit e shtrëngon.» Por, sa frymë të shkëlqyer tregoi Epafroditi!
‘Vuri në rrezik veten e vet’
Duke përdorur një fjalë të huazuar nga gjuha e bixhozit, Pavli tha se Epafroditi kishte ‘vënë [pa·ra·bo·leu·saʹme·nos] në rrezik jetën e vet’ apo fjalë për fjalë «kishte luajtur bixhoz» me jetën e tij, për shërbimin e Krishtit. (Filipianëve 2:30) Nuk duhet të mendojmë se Epafroditi bëri çdo gjë pa u menduar; përkundrazi, përmbushja e shërbimit të tij të shenjtë përfshinte njëfarë rreziku. A u orvat ta kryente atë mision ndihme gjatë një periudhe të vështirë të vitit? A ngulmoi në përpjekje për të plotësuar udhëtimin edhe pasi u sëmur diku gjatë rrugës? Sidoqoftë, Epafroditi «qe i sëmurë, gati për vdekje». Mbase duhej të kishte qëndruar me Pavlin për t’i shërbyer, prandaj apostulli duket se ka dashur ta justifikojë për kthimin e tij më të shpejtë nga sa pritej.—Filipianëve 2:27.
Gjithsesi, Epafroditi ishte një person i guximshëm, i gatshëm për të dhënë veten në mënyrë altruiste, për të ndihmuar ata që kishin nevojë.
Mund të pyesim veten: «Po unë, deri në ç’masë do ta jepja veten, për të ndihmuar vëllezërit e mi frymorë që gjenden në rrethana të vështira?» Një frymë e tillë gatishmërie s’është diçka fakultative për të krishterët. Jezui tha: «Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin; sikurse unë ju kam dashur, ashtu edhe ju ta doni njëri-tjetrin.» (Gjoni 13:34) Epafroditi e kreu shërbimin e tij «deri në vdekje». Kështu, pra, Epafroditi ishte një shembull i personit, që kishte atë «qëndrim mendor», të cilin Pavli i inkurajoi filipianët të kishin. (Filipianëve 2:5, 8, 30, Kingdom Interlinear) A do të jemi të përgatitur për të shkuar deri në atë pikë?
Megjithatë, Epafroditi u dëshpërua. Përse?
Dëshpërimi i tij
Vëre pak veten në vend të Epafroditit. Pavli raportonte: «Ai mezi pret t’ju shikojë të gjithëve dhe është i dëshpëruar, sepse ju keni marrë vesh se ishte i sëmurë.» (Filipianëve 2:26, BR) Epafroditi e dinte se vëllezërit në kongregacion ishin të vetëdijshëm për sëmundjen e tij dhe se ai s’do të kishte qenë në gjendje ta ndihmonte Pavlin ashtu siç shpresonin ata. Në fakt, mund të duket sikur Epafroditi i ka shkaktuar edhe më shumë halle Pavlit. A do t’i linte pas dore mjeku Luka, shoku i Pavlit, punët e tjera, për t’u kujdesur për Epafroditin?—Filipianëve 2:27, 28; Kolosianëve 4:14.
Ndoshta si pasojë e kësaj situate, Epafroditi u dëshpërua. Ndoshta mendonte se vëllezërit në kongregacionin e tij e konsideronin si të paaftë. Mbase ndihej fajtor dhe «mezi priste» t’i shikonte, për t’i siguruar për besueshmërinë e tij. Pavli përdori një fjalë greke shumë të fortë, a·de·mo·neʹo, «të jesh në depresion», për të përshkruar gjendjen e Epafroditit. Sipas studiuesit J. B. Lightfoot, kjo fjalë mund të tregojë «gjendjen e ngatërruar, e trazuar, gjysmë të hutuar, e cila prodhohet nga një çrregullim fizik apo nga pikëllimi mendor, si hidhërimi, turpi, zhgënjimi, etj.». Përdorimi tjetër i vetëm i kësaj fjale në Shkrimet Greke ka të bëjë me agoninë e fortë të Jezuit në kopshtin e Getsemanisë.—Mateu 26:37.
Pavli arriti në përfundimin se gjëja më e mirë për t’u bërë, ishte kthimi i Epafroditit te filipianët, me një letër që shpjegonte kthimin e papritur të të dërguarit të tyre. Duke thënë se «m’u duk e nevojshme t’ju dërgoj Epafroditin», Pavli merr përgjegjësinë e kthimit të tij, duke shpërndarë çdo dyshim të mundshëm se Epafroditi kishte dështuar. (Filipianëve 2:25) Përkundrazi, Epafroditi për pak s’kishte humbur jetën, për të përmbushur misionin e tij! Pavli i rekomandoi me ngrohtësi: «Priteni, pra, me gëzim të madh në Zotin dhe nderoni të tillë njerëz si ai, sepse për veprën e Krishtit ai qe shumë afër vdekjes, duke e vënë në rrezik jetën e vet, për të përmbushur zbrazëtitë e shërbesës tuaj ndaj meje.»—Filipianëve 2:29, 30.
«Nderoni të tillë njerëz si ai»
Burra dhe gra me një qëndrim mendor si të Epafroditit, duhen vlerësuar me të vërtetë. Ata sakrifikojnë veten për të shërbyer. Mendo për ata që ofrojnë veten e tyre, për të shërbyer larg shtëpisë si misionarë, mbikëqyrës udhëtues apo në ndonjë nga zyrat e degës së Shoqatës Watch Tower. Nëse mosha dhe shëndeti i pakët nuk i lejojnë tani që të kryejnë atë punë që bënin njëherë e një kohë, ata meritojnë respekt dhe çmueshmëri për vitet që kanë kaluar në shërbimin e besueshëm.
Por, një sëmundje dobësuese mund të bëhet burim për depresion apo për ndjenjat e fajit. Dikush mund të dëshironte të bënte më shumë. Sa zhgënjyese! Cilido që ndodhet në një gjendje të tillë mund të mësojë nga Epafroditi. Mbi të gjitha, mos ishte faji i tij që u sëmur? Patjetër që jo! (Zanafilla 3:17-19; Romakëve 5:12) Epafroditi dëshironte t’i shërbente Perëndisë dhe vëllezërve të tij, por sëmundja e kufizoi.
Pavli nuk e qortoi Epafroditin për sëmundjen e tij, por u tha filipianëve të qëndronin ngushtë përkrah tij. Ngjashëm, ne duhet t’i ngushëllojmë vëllezërit tanë, kur janë zemërthyer. Zakonisht, mund t’i lavdërojmë për shembullin e tyre të besimit në shërbim. Fakti që Pavli e vlerësoi, duke folur aq mirë për të, duhet ta ketë ngushëlluar Epafroditin, duke lehtësuar depresionin e tij. Edhe ne mund të jemi të sigurt se ‘Perëndia nuk është i padrejtë, që të harrojë veprën dhe mundimin tonë të dashurisë që treguam për emrin e tij me shërbesën që u bëmë dhe po u bëjmë shenjtorëve’.—Hebrenjve 6:10.
[Kutia në faqe 29]
Parehatitë e udhëtimit
Në ditët e sotme, udhëtimi ndërmjet dy qyteteve të rëndësishme evropiane, i ngjashëm me atë që bëri Epafroditi, mund të mos kërkojë përpjekje të mëdha. Udhëtimi mund të bëhet rehat me një avion, brenda një apo dy orësh. Por në shekullin e parë, një udhëtim i tillë përbënte një histori krejt të ndryshme. Në atë kohë, të lëvizje nga njëri vend në tjetrin do të thoshte kokëçarje. Një udhëtar mund të bënte në këmbë 30-35 km çdo ditë, në mëshirën e motit e të rreziqeve të ndryshme, duke përfshirë edhe «kusarët».—2. Korintasve 11:26.
Ç’të themi për ndalimet gjatë natës dhe për furnizimet me ushqime?
Historiani Michelangelo Cagiano de Azevedo thekson se përgjatë rrugëve romake «kishte mansiones, ose hanet e sotme, me ushqime, stalla dhe me vende ku rrinin punonjësit e tyre; ndërmjet dy mansiones të njëpasnjëshme kishte një sërë mutationes, ose pika qëndrimi, në të cilat mund të ndryshoheshin kuajt apo qerret e të merreshin furnizime». Këto taverna kishin një reputacion të tmerrshëm, pasi në to gjeje klasat më të ulëta të shoqërisë. Përveçse duke vjedhur udhëtarët, shpesh hanxhinjtë i rritnin të ardhurat e tyre me pagat e prostitutave. Poeti satirik latin, Juvenali, komentonte se kushdo që gjendej i detyruar të qëndronte në një tavernë të këtij lloji, mund ta shihte veten «të shtrirë në një shtrat me një kriminel, në shoqërinë e lundërtarëve, hajdutëve dhe skllevërve të arratisur, përbri xhelatit dhe varrmihësit . . . Të gjithë pinin në një kupë; askush s’kishte një shtrat të vetin, as edhe një tryezë të ndarë nga të tjerët». Shkrimtarë të tjerë të lashtësisë ankoheshin për ujin e keq dhe për dhomat, të cilat ishin të tejmbushura, të fëlliqura, me lagështirë e të mbytura me miza.
[Harta dhe figura në faqen 27]
(Për tekstin e faqosur, shih botimin)
Romë
[Figura]
Një udhëtar në kohët romake
[Burimi]
Harta: Mountain High Maps® Copyright © 1995 Digital Wisdom, Inc.; Udhëtari: Nga origjinali i Muzeut Civiltà Romana, Romë