Një «grumbull dëshmie» në vendin e «Malit të Perëndisë»
MBI një hartë të kontinentit, po të ndjekësh vijën bregdetare të Afrikës Perëndimore e të lëvizësh përgjatë Gjirit të Guinesë, aty ku bregu kthehet në jug, ke për të gjetur Kamerunin. Nëse vazhdon të zbresësh poshtë në jug, përgjatë bregut, do të gjendesh mes plazheve të mëdha me rërë të zezë. Rëra e zezë është rrjedhojë e aktiviteteve vullkanike të Malit Kamerun.
Maja konike e këtij mali 4.070 m të lartë, mbizotëron zonën. Kur dielli që ulet i lan me dritë shpatet e Malit Kamerun, krijohet një pamje spektakolare me ngjyra të gjalla: vjollcë e çelët, portokalli, e artë dhe e kuqe e mbyllur. Deti dhe kënetat pranë tij i pasqyrojnë të gjitha këto ngjyra si një pasqyrë, duke e bërë gati të pamundur të dallosh qiellin nga toka. Kuptohet me lehtësi përse fiset animiste të atij rajoni e quajnë malin Mongo Ma Loba, që përkthehet «Karroca e perëndive», ose më e zakonshme, «Mali i Perëndisë».
Akoma më në jug, shtrihen milje të tëra me plazhe me rërë të bardhë, buzë të cilave gjenden radhë-radhë pemët e kokosit. Përveç bregdetit idilik, pjesa më e madhe e vendit është e mbuluar me pyje të dendura ekuatoriale, që zgjaten deri në kufijtë me Kongon dhe me Republikën e Afrikës Qendrore dhe në veri me Nigerinë dhe Çadin sub-Saharian. Pjesa më perëndimore e vendit është malore, gjë që u sjell në mendje udhëtarëve disa pjesë të Evropës. Megjithatë, klima e nxehtë nuk të lë të harrosh se gjendesh vetëm sa një e hedhur guri larg ekuatorit. Shumëllojshmëria e zonave të tij rurale bën që shumë guida turistike ta përshkruajnë Kamerunin si një kopje e Afrikës në miniaturë. Kjo përshtypje të përforcohet nga grupet e ndryshme etnike dhe nga më shumë se 220 gjuhët dhe dialektet e regjistruara.
Po të doje të vizitoje Kamerunin, mund të qëndroje në një nga hotelet më të mëdhenj të qytetit-port Douala, ose në kryeqytetin, Yaoundé. Por s’mund të humbësh rastin për të njohur diçka nga jeta e popullit, sidomos e më shumë se 24.000 Dëshmitarëve të Jehovait, të cilët kanë qenë të angazhuar për të ngritur një «grumbull dëshmie» anembanë vendit të «Malit të Perëndisë».a Përse të mos bësh një udhëtim përgjatë vendit e të takosh disa prej tyre? Eksplorimi në këtë vend të Afrikës Perëndimore sigurisht do të të jetë mjaft dobiprurës.
Me kanoe, me furgon apo me biçikletë?
Aty ku lumi më i gjatë në Kamerun, Sanaga, derdhet në oqean, formohet një deltë e gjerë. Për të shkuar te të gjithë banorët e këtij rajoni të gjerë, Dëshmitarët e Jehovait duhet të udhëtojnë shpesh me kanoe të gdhendur në trungje pemësh. Pikërisht kështu bëjnë të nëntë lajmëtarët e Mbretërisë në grupin e vogël të Mbiakos. Dy prej tyre jetojnë 25 km larg, në fshatin Yoyo. Për të shkuar në Mbiako, ata duhet të vozitin fuqishëm me kanoen, megjithatë janë gjithmonë të pranishëm në mbledhjet e krishtere. Ndërsa vizitonte këtë grup, një mbikëqyrës udhëtues sugjeroi të tregonte videon Dëshmitarët e Jehovait: Organizata pas emrit. Por kjo është e lehtë vetëm me fjalë. Në një fshat të tillë të humbur, ku do ta gjente videoregjistratorin, televizorin dhe elektricitetin për to?
Gjatë javës së vizitës, disa lajmëtarë vizituan pastorin e një kishe lokale. Për habinë e tyre, ai i mikpriti me ngrohtësi dhe ata bënë me të një bisedë të gjallë biblike. Duke vërejtur se pastori kishte një videoregjistrator, si edhe një gjenerator elektrik, vëllezërit morën guximin për t’i kërkuar nëse mund t’ua jepte hua pajisjet e tij. Meqë i kishte pëlqyer biseda biblike më parë, pastori ra dakort t’i ndihmonte. Të shtunën pasdite, 102 persona erdhën në shfaqje, duke përfshirë edhe pastorin dhe shumicën e pjesëtarëve të kishës së tij. Dy Dëshmitarët nga Yoyo sollën me dy kanoe disa të interesuar. Ata nuk e quajtën aspak të vështirë të vozitnin kundër rrymës së ujërave që ngriheshin. Pasi kishin parë videon, ata ishin thellësisht të prekur e të inkurajuar, si edhe krenarë që ishin pjesë e një organizate, qëllimi i së cilës është të nderojë Jehovain.
Për të shkuar atje ku kanoet s’mund të arrijnë, mund të përdoren furgonët. Zonat e parkimit, ku këto lloj taksish presin pasagjerët, ziejnë gjithmonë nga jeta. Mes shitësve të ujit të ftohtë, të bananeve dhe hamejve, është e lehtë të ngatërrohesh i tëri. Puna e hamejve është të çojnë pasagjerët nëpër furgonët që presin, të cilët sipas tyre, janë të gjithë «gati për t’u nisur». Megjithatë, «gati» duhet marrë vetëm në kuptimin më të largët të fjalës. Udhëtarët duhet të kalojnë orë, madje disa herë edhe ditë, duke pritur. Pasi të gjithë pasagjerët të jenë ngjeshur brenda dhe pasi shoferi të ketë rregulluar bagazhin, çantat me ushqime dhe disa herë edhe pula e dhi të gjalla mbi raftin e valixheve, furgoni nis udhën nëpër rrugën me gunga e gjithë pluhur.
Një shërbëtor udhëtues, i lodhur nga ky lloj transporti, zgjodhi të ishte i pavarur. Tashmë, ai i bën të gjitha udhëtimet e tij me biçikletë. Ja, ç’thotë: «Qysh kur kam vendosur të përdor biçikletën për të udhëtuar nga kongregacioni në kongregacion, gjithmonë arrij në kohë për vizitën. Vërtet, mund të duhen disa orë për udhëtimin, por në fund të fundit, nuk më duhet të pres një apo dy ditë për të pritur furgonët. Gjatë periudhës së shirave, disa rrugë humbin pothuajse plotësisht nga përmbytjet. Duhet të heqësh këpucët për të kapërcyer ato vende me baltë e ujë. Një ditë, më ra njëra këpucë në një rrjedhë dhe nuk munda ta marr, veçse disa javë më pas, kur vajza e një Dëshmitari e kapi krejt rastësisht, ndërsa po peshkonte! Jam i lumtur që përsëri mund t’i vesh këto këpucë, pasi njëra prej tyre kaloi disa kohë me peshqit. Herë pas here, përshkoj zona, ku Dëshmitarët e Jehovait s’kanë predikuar kurrë më parë. Fshatarët më pyesin gjithmonë se ç’kam sjellë me vete. Prandaj, i mbaj në dorë revistat dhe broshurat. Sa herë që ndalem, ofroj këto botime të bazuara në Bibël dhe jap një dëshmi të shkurtër. Besoj se Jehovai do të bëjë që këto fara të së vërtetës të rriten.»
Në thellësi të vendit
Dëshmitarët e Jehovait përpiqen të ndajnë lajmin e mirë të Mbretërisë me të tjerët, madje edhe thellë në zemër të Kamerunit, në fshatrat që fshihen në pyjet më të thella. Kjo kërkon përpjekje të mëdha, por rezultatet ta ngrohin zemrën.
Maria, që shërben në kohë të plotë, nisi një studim biblik me një vajzë të re, të quajtur Arletë. Në fund të studimit të parë, Maria e pyeti Arletën nëse do ta shoqëronte deri te dera, siç është zakon në këtë pjesë të Afrikës. Megjithatë, vajza e re iu përgjigj se kishte vështirësi për të ecur, sepse i dhimbnin këmbët. Këmbët e Arletës ishin infektuar nga një lloj mize, femra e së cilës e bënte folenë në mish, duke shkaktuar puçrra me qelb. Me guxim, Maria ia hoqi mizat një e nga një. Më vonë, ajo mësoi, gjithashtu, se ajo vajzë e re mundohej nga demonët. Me durim, Maria i shpjegoi se si vendoset besimi në Jehovain, sidomos duke thirrur emrin e tij me zë të lartë në lutje.—Proverbat 18:10.
Arleta bëri një përparim të shpejtë. Së pari, familja e saj nuk pa asgjë të keqe me studimin, për shkak edhe të përparimit të saj të dukshëm fizik dhe intelektual. Por, kur e kuptuan se ajo dëshironte të bëhej një Dëshmitare e Jehovait, ata e ndaluan të vazhdonte studimin. Tri javë më vonë, duke e kuptuar se sa e dëshpëruar ishte e bija, nëna e Arletës takoi Marien dhe i kërkoi të rifillonte studimin.
Kur erdhi koha për të marrë pjesë në një asamble qarkore, Maria pagoi një shofer taksie, për ta shoqëruar Arletën në të dyja ditët. Megjithatë, shoferi nuk pranoi të ngjitej deri në shtëpinë e Arletës, duke thënë se shtegu që të shpinte nga shtëpia deri në rrugë ishte i pakalueshëm. Prandaj, Maria mori masat që ta shpinte vajzën deri në rrugë. Sigurisht që Jehovai i bekoi këto përpjekje. Sot, Arleta merr pjesë në të gjitha mbledhjet e kongregacionit. Për ta ndihmuar në këtë gjë, Maria pa u lodhur shkon për ta marrë e për ta çuar në shtëpi. Së bashku, ato bëjnë këtë rrugë prej 75 minutash. Pasi mbledhja e së shtunës fillon më 830 të mëngjesit, Maria detyrohet të dalë nga shtëpia më 630; megjithatë, ato marrin masat që të arrijnë në kohë. Arleta shpreson që së shpejti të simbolizojë dedikimin e saj me pagëzimin në ujë. Maria pohon: «Kushdo që s’e ka parë atë kur filloi studimin, s’mund ta imagjinojë se sa shumë ka ndryshuar ajo. Falënderoj shumë Jehovain për mënyrën se si e ka bekuar.» Maria është sigurisht një shembull i shkëlqyer i dashurisë vetëflijuese.
Lart në veri
Kameruni i Veriut është plot me kontraste dhe surpriza. Gjatë sezonit të shirave, shndërrohet në një kopsht të madh e të begatshëm. Por kur dielli përvëlues merr fuqinë, bari thahet. Pasditeve, kur dielli arrin në zenith dhe hijet vështirë se gjenden, delet ngjeshen pas mureve baltëkuqe të shtëpive. Mes rërës dhe barit të thatë, gjurmët e vetme të jeshillëkut janë gjethet e pakta të pemëve të baobabit. Edhe pse nuk janë aq të mëdha sa kushërirat e tyre në pyjet ekuatoriale, ato janë po aq të forta. Aftësia e tyre për t’i qëndruar mjedisit të ashpër, ilustron më së miri zellin dhe guximin e Dëshmitarëve të pakët, të cilët kanë shkuar për të jetuar në atë rajon, në mënyrë që të shkëlqejnë dritën e së vërtetës.
Disa prej kongregacioneve të kësaj zone janë larg njëra-tjetrës 500 deri 800 km dhe ndjenja e izolimit është më se reale. Por aty ekziston një interes shumë i madh. Dëshmitarë nga zona të tjera transferohen atje për të dhënë një dorë. Për të qenë frytdhënës në shërbim, ata duhet të mësojnë dialektin lokal fulanas.
Një Dëshmitar nga Garua vendosi të kalonte nja dy ditë, duke predikuar në fshatin e tij të lindjes, rreth 160 km larg. Gjeti njëfarë interesi, por kostoja e lartë e transportit nuk e lejoi të kthehej rregullisht. Disa javë më vonë, Dëshmitari mori një letër nga një prej të interesuarve, i cili e luste që të shkonte e ta vizitonte sërish. Duke mos pasur akoma paratë për udhëtimin, ai s’mundi të shkonte. Përfytyro habinë e Dëshmitarit, kur personi ia behu në shtëpinë e tij në Garua, për ta informuar se dhjetë njerëz në fshat po pritnin vizitën e tij!
Në një fshat tjetër, pranë kufirit me Çadin, një grup prej 50 të interesuarish kishin organizuar studimin e tyre personal të Biblës. Ata u organizuan që tre prej tyre të ndiqnin mbledhjet në kongregacionin më të afërt në Çad. Kur ktheheshin, ata drejtonin më pas studimin e Biblës me gjithë grupin. Vërtet, këtu mund të gjejnë zbatim fjalët e Jezuit: «E korra është me të vërtetë e madhe, por punëtorët janë pak. Lutjuni, pra, Zotit të të korrave, të dërgojë punëtorë në të korrat e tij.»—Mateu 9:37, 38.
Dëshmia nëpër qytete
Pas shumë vitesh mungese, gati dy vjet më parë, revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! gjenden lirisht në Kamerun. Ka shumë entuziazëm dhe interes për këto revista, ndërkohë që shumë njerëz po i lexojnë ato për herë të parë. Një çift i ri pionierësh specialë, i caktuar në një nga qytetet, la 86 revista mengjesin e parë të predikimit në territorin e tyre të ri. Disa lajmëtarë lënë deri në 250 revista vetëm brenda një muaji! Cili është sekreti i suksesit të tyre? Ua ofrojnë revistat të gjithëve.
Një Dëshmitar, që punon në një zyrë të hapur për publikun, i vendos gjithmonë revistat përpara syve të tyre. Një grua i pa revistat, por nuk mori asnjë. Dëshmitari e vërejti interesin e saj dhe i ofroi një kopje, të cilën ajo e pranoi. Ai u çudit, kur e pa atë tek vinte përsëri të nesërmen. Ajo dëshironte jo vetëm të kontribuonte për revistën që kishte marrë, por kërkoi edhe të tjera. Përse? Pasi kishte qenë viktimë e një përdhunimi, ajo kishte zgjedhur një revistë që fliste për atë temë. Ajo kishte kaluar gjithë natën, duke lexuar e rilexuar këshillat e dhëna. Duke u ndier shumë e lehtësuar, ajo dëshironte të dinte më shumë për Dëshmitarët e Jehovait.
Edhe fëmijët e vegjël mund të marrin pjesë në përhapjen e mesazhit shpresëdhënës të Biblës. Kur mësuesi i kërkoi një Dëshmitareje gjashtëvjeçare që të këndonte një himn katolik, ajo nuk pranoi, duke pohuar se ishte një Dëshmitare e Jehovait. Atëherë, mësuesi i kërkoi të këndonte një nga këngët e fesë së saj, kështu që ta vlerësonte në bazë të saj. Ajo zgjodhi këngën «Premtimi i Perëndisë për parajsën» dhe e këndoi përmendësh. Mësuesi e pyeti, duke i thënë: «Përmende një parajsë në këngën tënde. Ku është kjo parajsë?» Vajza shpjegoi se Perëndia ka për qëllim që së shpejti të rivendosë parajsën mbi tokë. I habitur nga përgjigjja e saj, ai u kërkoi prindërve të vajzës librin që ajo po studionte. Me gëzim, ai e vlerësoi vajzën në bazë të asaj që kishte mësuar dhe jo në bazë të atyre që kishte mësuar gjatë mësimeve mbi fenë. Prindërit i sugjeruan mësuesit se po të donte ta vlerësonte atë siç duhej, ai vetë duhej të fillonte së pari studimin. Kështu, me të u fillua një studim biblik.
A ke në plan ndonjë vizitë?
Sot, në shumë pjesë të botës, njerëzit janë indiferentë ndaj lajmit të mirë të Mbretërisë. Atyre s’u intereson as Perëndia, as Bibla. Të tjerët janë të paralizuar nga frika dhe as që pranojnë t’i përgjigjen asnjë të huaji në derë. E gjithë kjo përbën një sfidë të vërtetë për shërbimin e Dëshmitarëve të Jehovait. Por, sa ndryshe është në Kamerun!
Këtu, predikimi shtëpi më shtëpi është një kënaqësi. Në vend të trokitjes, këtu është e zakonshme thirrja: «Kong, kong, kong». Pastaj, një zë përgjigjet nga brenda: «Kush është?» E kështu ne prezantohemi si Dëshmitarët e Jehovait. Zakonisht, prindërit u thonë fëmijëve të shkojnë e të marrin stolat e vegjël dhe i vendosin ata nën hijen e ndonjë peme, mbase të një peme mangoje. Më pas, kalon një kohë e mrekullueshme, duke shpjeguar se ç’është Mbretëria e Perëndisë dhe ç’do të bëjë ajo për të lehtësuar gjendjen e mjerë të njerëzimit.
Pas një diskutimi të tillë, një zonjë e zbrazi zemrën, duke thënë: «Jam e dëshpëruar që po kuptoj se e vërteta që kam kërkuar nuk gjendet në fenë, në të cilën unë kam lindur dhe jam plakur. Falënderoj Perëndinë që më tregoi të vërtetën. Kam qenë dhjake në kishën time. Statuja e Marisë së Virgjër qëndron një javë në shtëpinë e secilit dhjak, në mënyrë që ata të mund t’i bëjnë të ditur asaj kërkesat e tyre. Sa për mua, gjithmonë i kam kërkuar Marisë që të më ndihmonte të njihja të vërtetën. Tani, Perëndia më tregoi se e vërteta nuk është me Marinë. Falënderoj Jehovain.»
Prandaj, nëse një ditë ndjen nevojën për të provuar gëzimin e madh që mund të të sjellë predikimi i lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë, përse të mos vizitosh këtë pjesë të Afrikës Perëndimore? Përveçse do të zbulosh «Afrikën në miniaturë», qoftë me kanoe, me furgon apo me biçikletë, do t’i kontribuosh edhe «grumbullit të dëshmisë», që po mblidhet në vendin e «Malit të Perëndisë».
[Shënimi]
a «Grumbull dëshmie» ka mundësi të jetë domethënia e fjalës hebraike të përkthyer «Galaad». Që nga viti 1943, Shkolla Watchtower e Galaadit ka dërguar misionarë për të hapur veprën e predikimit anembanë botës, duke përfshirë edhe Kamerunin.
[Burimi në faqen 22]
Harta: Mountain High Maps® Copyright © 1995 Digital Wisdom, Inc.