Lajmëtarët e Mbretërisë Raportojnë
Fuqia transformuese e Fjalës së Perëndisë
E PRANOI vetë, kishte qenë «blasfemues, përndjekës dhe i dhunshëm». (1. Timoteut 1:13) Megjithatë, ai ndryshoi. Transformimi i apostullit Pavël ishte kaq i madh, sa më vonë ai mundi të deklaronte: «Më imitoni mua, ashtu si unë jam imitues i Krishtit.»—1. Korintasve 11:1.
Sot, qindra mijëra adhurues të sinqertë në të gjithë botën, po bëjnë ndryshime të ngjashme. Ç’gjë ua mundëson këtë? Ata po marrin njohurinë e Fjalës së Perëndisë dhe po e zbatojnë atë në jetën e tyre. Përvoja e mëposhtme nxjerr në pah fuqinë transformuese të Fjalës së Perëndisë.
Një çift të moshuarish në Slloveni jetonte i vetmuar larg fshatit. Burri, Jozhe, ishte rreth të 60-ve dhe kishte shumë problem me alkoolizmin. E megjithatë, ai kujdesej për gruan e tij të sëmurë, Ludmillën. Një ditë, Jozhes iu afruan dy lajmëtarë të Mbretërisë. Ai i ftoi Dëshmitarët në shtëpinë e tij, ku u njohën me të shoqen. Pasi dëgjoi lajmin e Mbretërisë, Ludmillës i rrodhën lot gëzimi nëpër faqe. Edhe Jozhes i pëlqeu ajo që dëgjoi dhe bëri shumë pyetje. Pasi i lanë çiftit disa literaturë biblike, Dëshmitarët ikën.
Një muaj më vonë, Dëshmitarët patën mundësi të ktheheshin përsëri dhe panë mbi tavolinë librin Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë. Kur e pyetën se nga e kishte marrë, Jozhe tha: «Pashë një shpallje në faqen e fundit të njërës nga revistat që më latë. Kështu, i shkrova zyrës suaj në Zagreb dhe kërkova librin.» Duke pasur parasysh interesin e tij, e ftuan të shkonte në Përkujtimin e vdekjes së Krishtit që do të mbahej së afërmi në Sallën e Mbretërisë. Për gëzimin e Dëshmitarëve, ai vajti.
Shpejt, filloi një studim biblik dhe përparoi mirë. Për shembull, kur Jozhes iu tregua me Bibël se «nuk do të bësh skulpturë ose . . . nuk do të përkulesh para tyre dhe as do t’i shërbesh», ai mblodhi menjëherë të gjitha shëmbëlltyrat fetare që kishte në shtëpi, duke përfshirë edhe ikonat dhe i flaku tej.—Dalja 20:4, 5.
Etja e Jozhes për të vërtetën frymore po plotësohej. Megjithatë, ai kishte akoma një etje tjetër. Për gati 18 vjet, ai kishte konsumuar rreth 10 litra verë çdo vit. Për shkak të problemit me pijen, nuk i kushtonte shumë kujdes pamjes së tij të jashtme. Por, pasi mësoi pikëpamjen e Perëndisë mbi keqpërdorimin e alkoolit, ai ishte i vendosur për të ndryshuar.
U përpoq pak nga pak për të mposhtur problemin e tij me pijen, duke mbajtur shënim se deri në ç’masë pinte përditë. Shumë shpejt, ai nuk ishte më skllav i verës. Gjatë studimit të tij biblik, ai mësoi, gjithashtu, se të krishterët e vërtetë duhet të mbajnë një higjienë të mirë personale. Për këtë arsye, ai u dha ca lekë Dëshmitarëve dhe u tha: «Mirë, shkoni e më blini veshjet që më nevojiten për të qenë i hijshëm në mbledhjet e krishtere dhe në shërbimin në fushë!» Dëshmitarët u kthyen me të brendshme, çorape, këpucë, këmisha, kostume, kravata dhe me një çantë.
Pasi studiuan Biblën për një vit, Jozhe dhe Ludmilla u kualifikuan për të shoqëruar Dëshmitarët në veprën e predikimit shtëpi më shtëpi. Tre muaj më vonë, ata e simbolizuan dedikimin e tyre me pagëzimin në ujë, gjatë një kongresi krahinor të Dëshmitarëve të Jehovait. Pavarësisht se ishte në moshë të thyer dhe shëndetlig, Jozhe mori pjesë rregullisht në predikimin e lajmit të mirë dhe më vonë, derisa vdiq në maj të 1995-s, shërbeu me besim të plotë si shërbëtor ndihmës në kongregacion. Frytet pozitive në jetën e këtij njeriu të përulur dhe të gruas së tij dëshmojnë për fuqinë transformuese të Fjalës së Perëndisë.