Duke përmbushur një nevojë kryesore njerëzore nëpërmjet miratimit
FJALË të tilla të sinqerta si: «Punë e bukur!» «Të lumtë!» ose «E ke bërë si jo më mirë; krenohemi me ty», mund të ndihmojnë shumë për të shtuar vlerësimin e vetvetes, sidomos kur ato vijnë nga dikush, të cilin ti e respekton. Njerëzit janë të lumtur kur gjejnë miratim, si edhe kur e shprehin atë. Kur janë të vlerësuar, ata punojnë më mirë dhe ndihen më të lumtur. Në fakt, kur është e merituar, mirënjohja është po aq jetësore për mendjen dhe zemrën, sa është i shëndetshëm edhe ushqimi për trupin.
Një fjalor e përcakton miratimin si «pranim nga ana e një individi i konsideratës dhe i vëmendjes» dhe «vëmendje ose kujdes i veçantë». Ai është i lidhur ngushtë me respektin, me ndjenjën e vlerësimit, e cila kur shprehet nënkupton një vlerësim ose çmueshmëri të arsyeshme, si edhe masën e miratimit që një person meriton.
Miratimi: një nevojë kryesore
Shprehja e miratimit, kur ky është i merituar, është e arsyeshme dhe e drejtë. Jezui dha një shembull në ilustrimin e tij me skllevërit, të cilëve i zoti u besoi pasuritë e veta. Duke vlerësuar përdorimin e duhur të pasurisë së tij, ai tha: «Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik.» (Mateu 25:19-23) Megjithatë, shumë shpesh mirësjellja e merituar nënvleftësohet. Dështimi në dhënien e miratimit shtyp entuziazmin dhe iniciativën. Jona shprehet në këtë mënyrë: «Miratimi të bën të ndihesh i nevojshëm, i dëshiruar dhe i vlerësuar . . . Ai të jep iniciativë. Nëse nënvleftësohesh ndihesh i dëshpëruar dhe i zhgënjyer.» Patriku shton: «Atëherë është e vështirë të mbash një nivel të lartë të cilësisë dhe të produktivitetit.» Sa e rëndësishme është, pra, të dimë se si dhe kur duhet të japim miratim. Të gjithë kemi dëshirë të ndiejmë sigurinë se vlerësohemi nga të tjerët. Kjo është një nevojë kryesore e njerëzve.
Një fjalë lavdërimi shton përgjegjësinë, ose edhe një dhuratë materiale të nxit për të vazhduar më mirë. Kjo është e vërtetë si në rastin e prindërve, burrave, grave, fëmijëve, pjesëtarëve të kongregacionit dhe mbikëqyrësve. «Kur gjej miratim,—thotë Margarita,—ndihem e lumtur, e nevojshme dhe kam dëshirë për të punuar më mirë.» Andrea është dakort, duke thënë: «Ndihem shumë i gëzuar dhe jam i nxitur për të punuar edhe më fort.» Megjithatë, për të miratuar dhe për të respektuar dikë, duhen mendime të kujdesshme dhe një gjykim i mirë.
Imitoni shembullin e Jehovait në dhënien e miratimit
Shembulli më i madh i miratimit për vlerat e të tjerëve është Perëndia Jehova. Ai i vlerëson ata që meritojnë mirënjohje. Ai i kishte vërejtur njerëz të tillë si Abeli, Enoku dhe Noeja. (Zanafilla 4:4; 6:8; Juda 14) Jehovai e vlerësoi Davidin për besnikërinë e tij të jashtëzakonshme. (2. Samueli 7:16) Samueli, një profet që nderoi Jehovain për shumë vite, u nderua nga Perëndia, i cili iu përgjigj me të shpejtë lutjes së Samuelit për ta ndihmuar që të shpartallonte filistejtë. (1. Samueli 7:7-13) A nuk do të ndiheshe i nderuar, sikur të kishe një pranim të tillë hyjnor?
Mirënjohja dhe vlerësimi janë të lidhura ngushtë me miratimin. Bibla na nxit ‘të jemi mirënjohës’ për atë që bëhet për ne. (Kolosianëve 3:15; 1. Selanikasve 5:18) Edhe pse kjo veçanërisht aplikohet për mirënjohjen ndaj Jehovait, është po njësoj edhe në çështjet e jetës së përditshme. Apostulli Pavël e vlerësoi këtë. Ai shprehu miratim për Febën, pasi ‘kishte ndihmuar shumë veta’ dhe për Prishilën dhe Akuilën, të cilët «vunë kokën në rrezik» në mbështetje të tij dhe të të tjerëve. (Romakëve 16:1-4) Imagjino si duhet të jenë ndier ata kur kanë dëgjuar shprehje të tilla miratimi. Gjithashtu, edhe për Pavlin ishte gjë e mirë kur shprehte miratim, nderim dhe inkurajim. Edhe ne mund të imitojmë Jehovain dhe adhuruesit e tij që dinë të vlerësojnë, duke shprehur miratimin e duhur për ata që e meritojnë.—Veprat 20:35.
Miratim në rrethin familjar
«Një shprehje e vogël miratimi ndihmon shumë për ta bërë jetën të gëzueshme»,—thotë Mikeli, një burrë dhe plak i krishterë. «Ajo bën që të ndjesh dashuri, ndoshta përgjithmonë, për atë që të ka shprehur miratim.» Për shembull, një burrë i krishterë ka shumë përgjegjësi të rënda dhe merr vendime të rëndësishme që kanë të bëjnë me mirëqenien familjare. Ai duhet të kujdeset për nevojat frymore, materiale dhe emocionale të familjes. (1. Timoteu 5:8) Sa mirënjohës ndihet ai kur i tregohet miratimi i duhur për caktimin që i ka bërë Perëndia si kreu i familjes dhe kur gruaja e tij «e respekton».—Efesianëve 5:33.
Edhe puna e grave, e cila nuk shihet nga shumë njerëz jashtë familjes, nuk duhet nënvlerësuar. Konceptet moderne mund ta nënvlerësojnë një punë të tillë dhe mund t’i mohojnë asaj dinjitetin dhe nderimin. Megjithatë, ajo i pëlqen Perëndisë. (Titit 2:4, 5) Sa inkurajuese është kur një burrë i zgjuar e lavdëron gruan e tij, veçanërisht në të gjitha ato aspekte të jetës ku ajo shkëlqen, duke i shprehur miratimin nën kryesinë e tij! (Proverbat 31:28) Rovena thotë për burrin e saj: «Kur ai e vlerëson atë që bëj, e kam më të lehtë për t’iu nënshtruar dhe për t’i treguar nder dhe respekt.»
Një herë, arsimtari amerikan Kristian Bovi tha: «Lavdërimet e arsyeshme janë për fëmijët, si dielli për lulet.» Po, edhe një fëmijë i vogël ka nevojë për një siguri të vazhdueshme se vlerësohet si anëtar i familjes. Gjatë viteve të adoleshencës, të mbushura me emocione të reja dhe me ndryshime fizike, ka edhe një rritje të vetëdijes mbi pamjen personale, të shoqëruar me dëshirën për pavarësi dhe miratim. Veçanërisht gjatë kësaj kohe, një adoleshent ka nevojë për dashuri nga ana e prindërve dhe duhet trajtuar me kuptueshmëri dhe me dashamirësi njerëzore. Edhe prindërit e moshuar dhe gjyshërit kanë nevojë për sigurinë se ata ende janë të dobishëm dhe të dashur e se nuk ‘janë hedhur poshtë në kohën e pleqërisë’. (Psalmi 71:9; Levitiku 19:32; Proverbat 23:22) Plotësimi në mënyrë të duhur i nevojës për miratim, sjell rritjen e lumturisë dhe të suksesit në rrethin familjar.
Miratim në kongregacionin e krishterë
Në kongregacionin e krishterë kanë një vlerë të madhe kultivimi i interesit të sinqertë për të tjerët dhe shprehjet bujare të vlerësimit për punën dhe përpjekjet e tyre. Pleqtë e krishterë duhet të marrin drejtimin, duke shprehur miratimin për punët dhe përpjekjet e të tjerëve në kongregacion. «Vetëm mbas disa vizitave baritore e kuptova se sa inkurajim, gëzim dhe lumturi japin shprehjet e miratimit,—tha Margarita.—E kuptoj se çfarë mungon kur dikujt nuk i jepet miratim në përgjithësi.» Kjo është një arsye e mirë për të treguar interes personal, të sinqertë dhe të dashur në të gjithë kongregacionin! Mbani parasysh punën e tyre. Komentoni dhe inkurajoni lirisht. Në shumë kongregacione ka prindër të vetëm që punojnë shumë për të rrënjosur vlerat frymore tek fëmijët e tyre. Këta meritojnë lavdërime të veçanta. Nxirrni në pah aspektet pozitive dhe jo ato negative. Të tjerët duhet të shohin se ti ke dashuri të përzemërt për ta. Ata duhet të shohin se ju kujdeseni për ta. Në këtë mënyrë, mbikëqyrësit e dashur punojnë për të ndërtuar kongregacionin. (2. Korintasve 10:8) Pjesëtarët e tjerë ua kthejnë, duke u shprehur miratimin dhe respektin e duhur këtyre njerëzve besnikë që punojnë me forcë në mbështetje të tyre.—1. Timoteu 5:17; Hebrenjve 13:17.
Por në këtë çështje ka edhe një aspekt tjetër. Duhet pranuar se dëshira për të pasur miratim është shumë e fortë. Në kohën e Jezuit, ajo ishte një shqetësim midis krerëve fetarë. Jezuit iu desh t’i korrigjonte pikëpamjet e gabuara të dishepujve të tij në lidhje me këtë. (Marku 9:33-37; Luka 20:46) Të krishterët duhet të kenë arsyetueshmëri dhe ekuilibër. Nëse lihet pa fre, dëshira për të pasur miratim mund të jetë e dëmshme frymësisht. (Jakobi 3:14-16) Sa tragjike do të ishte, për shembull, sikur një plak të bëhej mendjemadh dhe të kërkonte që të tjerët të pranonin vlerësimin e lartë që i bën ai vetes!—Romakëve 12:3
Apostulli Pavël me zgjuarsi i këshilloi të krishterët në Romë: «Duani njeri tjetrin me dashuri vëllazërore; në nderim tregoni kujdes njeri me tjetrin.» (Romakëve 12:10) Këto fjalë zbatohen kryesisht tek pleqtë e krishterë, të cilët duhet që në çdo kohë të njohin se Krishti është Kreu i kongregacionit. Nënshtrimi ndaj dorës së tij të djathtë të autoritetit tregohet duke kërkuar drejtimin e Krishtit me anë të frymës së shenjtë, të parimeve të Biblës dhe të udhëheqjes së dhënë nga Trupi Udhëheqës i «skllavit besnik e të matur».—Mateu 24:45-47, BR; shiko Zbulesën 1:16, 20; 2:1.
Kështu, pra, kur pleqtë mblidhen dhe luten për drejtimin e Jehovait në kullotjen e kopesë së Perëndisë, ata duan që të marrin vendime të mbështetura në Bibël. Modestia, butësia dhe përulësia e krishterë do të parandalojnë që ndonjë plak të përpiqet për të lartësuar veten, për të sunduar mbi vëllezërit e tij dhe për të imponuar mendimet e tij në këto mbledhje. (Mateu 20:25-27; Kolosianëve 3:12) Sa herë që është e mundur, drejtuesi i trupit të pleqve do të bënte mirë që më përpara të kërkonte mendimin e pleqve të tjerë dhe të bënte një renditje të pikave që do të trajtohen në mbledhje, në mënyrë që ata të kenë mjaft kohë për të menduar me kujdes dhe me lutje për çdo pikë. Gjatë mbledhjeve të pleqve, ai nuk duhet të përpiqet të formojë opinionin e pleqve, por përkundrazi, t’i inkurajojë ata që të ushtrojnë «liri fjale» në çështjet që do të diskutohen. (1. Timoteu 3:13, BR) Si rrjedhim, pleqtë e tjerë duhet që me kujdes të dëgjojnë fjalët e njëri-tjetrit dhe me gëzim të përfitojnë prej zgjuarsisë së pleqve që kanë shumë vjet përvojë si të krishterë.—Të Dalët 18:21, 22.
Megjithatë, mbikëqyrësit e kuptojnë se Krishti mund të përdorë cilindo plak për të siguruar parimet e nevojshme biblike për të trajtuar një situatë apo për të marrë një vendim të rëndësishëm. Në trupin e pleqve do të mbizotërojë një frymë e mirë nëse secilit plak i jepet miratimi për kontributin e tij në përkujdesjen e interesave frymore të kongregacionit.—Veprat 15:6-15; Filipianëve 2:19, 20.
Përpiqu të japësh dhe të meritosh miratim
Miratimi është ndërtues. Ai të inkurajon dhe është i pëlqyeshëm. «Edhe nëse ndihemi se jemi njerëz të zakonshëm,—thotë Marija,—kemi nevojë që të inkurajohemi për vlerat personale.» Vlerësoji sinqerisht përpjekjet e përditshme të të tjerëve. Duke bërë kështu e bën jetën shumë më të vlefshme dhe të pëlqyeshme për ta. Prindër, fëmijë, mbikëqyrës dhe pjesëtarë të kongregacionit të krishterë, ju mund të meritoni miratim për mënyrën se si flisni dhe se si veproni. Bibla flet në mënyrë të favorshme për njerëz punëtorë, të thjeshtë e të përulur. (Proverbat 11:2; 29:23; Hebrenjve 6:1-12) Mësohu të çmosh me këndshmëri vlerën e të tjerëve. Mbaji parasysh ndjenjat e tyre, ndërsa punon me ta. Apostulli Pjetër na jep këtë këshillë: «Dhe më në fund jini të gjithë të një mendjeje, të dhembshur, plot dashuri vëllazërore, të mëshirshëm dhe dashamirës.» (1. Pjetrit 3:8) Kjo kërkon që t’u shprehësh miratim të tjerëve, duke përmbushur kështu një nevojë kryesore njerëzore.