Të diplomuarit e Galaadit të paduruar për të përhapur lajmin e mirë
«GJËJA më e mrekullueshme që mund të kishim imagjinuar ndonjëherë.» Kështu u ndjenë Anders dhe Amalia Groth rreth stërvitjes së tyre si misionarë. Duke shprehur ndjenjat e të 48 të diplomuarve të klasës së 97-të të Galaadit (Watchtower Bible School), ata shtojnë: «Galaadi na ka nxitur dhe përgatitur, prandaj jemi të paduruar për të shkuar në caktimet tona.»
Mund ta kuptojmë gëzimin e tyre, duke dëgjuar komentet e studentëve mbi programin e dhënies së diplomave në të cilin asistuan 6.420 persona të mbledhur për rastin e 4 shtatorit 1994.
«Theodore Jaracz, i Trupit Udhëheqës, e hapi programin duke folur mbi temën ‘Të mësuar nga Jehovai’—kujtojnë David Abel dhe gruaja e tij Kelli.—Nuk do ta harrojmë kurrë pikën e vënë në dukje nga vëlla Jaracz me fjalët: ‘Duhet ta pranojmë vogëlsinë tonë në krahasim me Jehovain,’ dhe e ilustroi këtë me mësimin e fuqishëm të kapitujve 38 dhe 39 të Jobit. Vëlla Jaracz theksoi se, edhe pse nëpërmjet Shkollës së Galaadit kemi rritur njohurinë tonë mbi Biblën, nuk e dimë përgjigjen e të gjitha pyetjeve. Duhet të vazhdojmë të studiojmë Fjalën e Perëndisë.»
Christian dhe Angele Coffy thanë: «Na la mbresë fjalimi i mbajtur nga Max Larson me temën ‘Sa i rëndësishëm është një themel i mirë?’ Na pëlqeu krahasimi që bëri midis nesh dhe një ndërtese e cila ka nevojë për një themel të thellë në një tokë të fortë për të mbajtur qëndrueshmërinë madje edhe ndaj një tërmeti. Nëpërmjet një studimi të zellshëm, mund të zhvillojmë një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain dhe mund ta bazojmë besimin tonë në një njohuri të thellë, kështu mund të qëndrojmë të patundur edhe në kohë të vështira.»
«Fjalimi nga presidenti i shkollës Milton Henschel, i titulluar ‘Fushat zbardhojnë për korrjen’, do të kujtohet gjatë,—vërejnë Gary dhe Lynn Elfers.—Shkrimi kyç, Gjoni 4:35-38, theksoi se kemi privilegjin për të hyrë në një fushë ku punëtorë të tjerë kanë mbjellë më përpara. Kjo do të na nxisë të punojmë me një ndjenjë urgjence.» Duke qenë dakort me këtë, Jan dhe Sirpa Vaahtola vërejnë: «Vëlla Henschel e rriti më ndjeshëm padurimin tonë në lidhje me të korrat që shtrihen përpara, duke dhënë raportin e fundit nga Shtetet Balltike. Rritja në Estoni ishte 51 përqind, në Letoni 106 përqind dhe në Lituani 51 për qind. Sa rrënqethëse! Vëllezërit atje po i kërkojnë Zotërisë të dërgojë më shumë punëtorë. Ne veçanërisht ishim të lumtur kur dëgjuam këtë, pasi caktimi ynë ishte në Estoni!»
«Pastaj, Joel Adams zhvilloi temën ‘Beso tek Jehovai,’—kujton Kevin dhe Evelyn Cortina.—Ai na këshilloi se nuk duhet të mendojmë kurrë që disa herë mund të besojmë tek Jehovai dhe disa herë në mençurinë tonë. Në caktimet tona do të përballojmë shumë sfida—shëndetin, ushqimin, gjuhën, zakonet e kështu me radhë. Të gjitha këto do të kërkojnë që të besojmë tek Jehovai.»
Pastaj pasoi fjalimi i Gerrit Lösch, një anëtar i Trupit Udhëheqës, që zhvilloi temën «Të vazhdojmë të pasqyrojmë mëshirën e Jehovait». Alen dhe Ann Marie Gokavi thanë: «Ai theksoi se është shenjë e pjekurisë së krishterë t’u tregosh mëshirë vëllezërve që zhvillojnë shërbimin misionar me ne si dhe atyre me të cilët shpallim lajmin e mirë. Caktimet e shërbimit jashtë vendit kërkojnë sakrifica, por nëse nuk kemi mëshirë, atëherë sakrificat tona do të kenë pak vlerë.» (Mateu 9:13) Peter dhe Fleur Hupston shtuan: «Vëlla Lösch tha se duhet të tregojmë mëshirë edhe ndaj motrave dhe vëllezërve, duke i parë ata si të thuash me dylbi së prapthi, në mënyrë që t’i zvogëlojmë difektet e tyre në vend se t’i zmadhojmë.»
«Jack Redford, një nga instruktorët e Galaadit, foli mbi temën ‘A e dëgjoni qortimin?’—kujtojnë Mickey dhe Sherry Minsky.—Ai theksoi se krenaria e bën të vështirë pranimin e qortimit dhe nëse prekemi shumë kur marrim këshilla, do të humbim dobitë e saj. Pastaj dha disa sugjerime praktike se si mund të pranojmë qortimin, bazuar mbi Vajtimet 3:27-31.» Charles dhe Joan Held shtuan: «Pjesën më të madhe të kohës ne jemi të pavetëdijshëm për shkeljet tona; prandaj, duhet ta shikojmë korrigjimin si një mënyrë për të hapur sytë ndaj gjërave që nuk kemi qenë të vetëdijshëm. Qortimi apo këshilla nga Jehovai është një dëshmi e dashurisë së tij për ne.»
«Një tjetër instruktor, Ulysses Glass, foli mbi temën ‘Fitoni mençurinë praktike që të çon në jetë.’ Ai pyeti: ‘Çfarë do të bëni me ato që keni mësuar?’—tregon Kenneth dhe Lisbeth Ardkäll.—Pastaj ai bëri një ilustrim të bazuar tek Proverbat 30:24-26 në lidhje me vjedullën dhe se si Jehovai e ka pajisur atë për të mbijetuar. Ne, nga ana jonë, nuk jemi instiktivisht të ditur, prandaj duhet të përpiqemi vetë për ta fituar mençurinë. Jehovai na ka pajisur me gjithçka të nevojshme për ta bërë këtë. Nëse vazhdojmë të qëndrojmë afër me Jehovain dhe me njëri-tjetrin në dashuri, do të kemi rezultate shumë të mira».
Fjalimi kryesor
«Në fjalimin e tij, ‘Një xhevahir mes xhevahirëve’, vëlla Karl F. Klein, anëtar i Trupit Udhëheqës, bëri një shqyrtim të ngrohtë të Psalmit 19—thanë Jay dhe Gwen Abraczinskas.—Ai nxori në dukje vlerësimin e thellë që kishte psalmisti David për Jehovain dhe dashurinë e tij për Fjalën e Perëndisë». «Vëlla Klein e ndau psalmin në tri pjesë,—vërejnë Keith dhe Donna Hornback.—Pjesa e 1-rë (vargjet 1-6) tregon vlerësimin e Davidit për krijimin e Perëndisë, pjesa e 2-të (vargjet 7-10) shpreh vlerësimin e tij për ligjet e Perëndisë, dhe pjesa e 3-të (vargjet 11-14) na kujton se ashtu si Davidi, edhe ne duhet të kemi dëshirën për të patur një marrëdhënie të mirë me Jehovain.»
«Na pëlqeu pika sipas së cilës frika ndaj Jehovait është e domosdoshme për të shmangur atë që është e keqe. Kjo na ndihmon të bëjmë atë që është e pastër në sytë e tij»,—thanë David dhe Raylene Long. Frank dhe Vibeke Madsen shprehën të njëjtin mendim. «Komentet e vëlla Klein mbi dobishmërinë e këshillave, ligjeve dhe urdhrave të Jehovait përmblodhën mirë ato që kishim mësuar në Galaad,—thanë ata.—Ato na bënë akoma më të vendosur për t’iu përmbajtur në të ardhmen Fjalës së Perëndisë dhe për ta konsideruar atë si një peshtaf të mbushur me xhevahire.»
Pas fjalimit kryesor, studentëve iu bë dorëzimi i diplomave dhe iu shpallën vendet ku ishin caktuar. Pas një ndërprerjeje për t’u rifreskuar, të gjithë u mblodhën për sesionin e pasdites. U mbajt një studim i shkurtër i Kullës së Rojës dhe të diplomuarit morën pjesë duke iu përgjigjur pyetjeve.
«Pastaj pasoi programi i studentëve i titulluar ‘Të stërvitur për t’u bërë lajmëtarë të Mbretërisë në të gjithë tokën’,—kujtojnë Bob dhe Shannon Lakatos.—Në pjesën e parë të programit u treguan përvojat e studentëve nga shërbimi në fushë gjatë 5 muajve të kursit. Iu dha theks përdorimit të efektshëm të pyetjeve në shërbimin tonë. Një pjesë me intervista tregoi mënyrat pozitive për të përballuar sfidat dhe ndryshimin e rrethanave në jetën misionare. Shfaqja me diapozitivë e tri vendeve—Kosta Rika, Indi dhe Malaivi, na dha një ide të organizatës ndërkombëtare të Jehovait.»
«Drama që u shfaq më pas, Jini teokratikë, jo si nga bota, ilustroi efektin negativ që mund të kenë disa të afërm nga bota që kanë një qëndrim të pavarur»,—vërejnë Jesse dhe Michelle Duncan. «Doli në pah se të krishterët duhet ta njohin domosdoshmërinë dhe dobishmërinë e vijës udhëheqëse dhe direktivave teokratike»,—shtojnë Wenzel dhe Kelly Koula.
Programi i këndshëm mbaroi me këngën dhe lutjen përfundimtare. Mendimet e të diplomuarve ndërsa largoheshin mbushur me parashikime për ato që i prisnin në 18 vende, u shprehën mirë në këtë koment të Tommi dhe Jael Kauko: «Jemi të paduruar për të shkuar në caktimet tona dhe për të vënë në praktikë ato që kemi mësuar. Kemi marrë kaq shumë, e tani na takon neve të japim.»
[Figura në faqen 26]
Të diplomuarit e klasës së 97-të të Shkollës misionare të Galaadit
Në listën e mëposhtme, rreshtat janë numëruar nga para prapa dhe emrat janë shënuar nga e majta në të djathtë.
(1) J. Hong; D. Hong; A. Groth; E. Cortina; S. Lakatos; D. Hornback; L. Acevedo; A. Coffy. (2) L. Elfers; A. Gokavi; L. Ardkäll; G. Abraczinskas; K. Knott; T. Lizer; K. Abel; D. Abel. (3) M. Duncan; A. Gokavi; J. Held; F. Hupston; B. Lakatos; R. Long; S. Minsky; E. Acevedo. (4) K. Ardkäll; J. Kauko; S. Vaahtola; K. Cortina; N. Carson; M. Minsky; G. Lizer; K. Koula. (5) J. Duncan; J. Abraczinskas; J. Vaahtola; F. Madsen; V. Madsen; D. Long; C. Carson; G. Elfers. (6) T. Kauko; P. Hupston; C. Held; A. Groth; K. Hornback; W. Koula; D. Knott; C. Coffy.