Kongrese emocionuese përkrahin mësimin hyjnor
BOTA, sot po përjeton një fluks informacionesh. Përmes televizionit dhe radios, librave apo kompjuterëve është në dispozicion një sasi gati e pakufishme njohurie mbi çdo temë që mund të imagjinohet. Prapëseprapë njerëzit sëmuren dhe vdesin. Krime, uri dhe varfëri ka në të gjithë tokën dhe shqetësimet emocionale pikëllojnë më shumë njerëz se kurrë. Me gjithë njohurinë në dispozicion, gjërat nuk po shkojnë më mirë. Përse? Sepse njerëzimi i ktheu krahët mençurisë së Perëndisë.
Sa e përshtatshme ishte tema «Mësimi Hyjnor», e zgjedhur për kongreset e fundit të Dëshmitarëve të Jehovait! Programi u kujtonte të pranishmëve se vetëm mësimi që gjendet në Fjalën e Perëndisë, Biblën, ka vlerë të vërtetë dhe jetëshpëtuese.
Kongresi i parë filloi të enjten, më 3 qershor në Uniondale, New York, SH.B.A. Që atëherë, programi u paraqit në qytete të ndryshme, nga njëri vend në tjetrin, duke përfunduar në kontinentin e Afrikës dhe të Amerikës Jugore.
Mbasditja e ditës së parë
Çdo ditë kishte një temë që theksonte një aspekt të mësimit hyjnor. Për shembull, programi i ditës së parë bazohej mbi temën «Të njohim mësimin që vjen nga Perëndia». (Gjoni 7:17) Ky mendim, u zhvillua plotësisht gjatë gjithë ditës.
Pas këngës dhe lutjes, drejtuesi i kongresit hapi programin me fjalimin e titulluar «Mësimi hyjnor na bashkon». Ai tregoi se populli i Jehovait është i bashkuar sepse mëson rrugët e Tij dhe ecën në shtigjet e Tij. (Mikea 4:1-5) Mësimi hyjnor forcon unitetin e tyre. Kongresistët u inkurajuan të gëzoheshin në shoqërinë e tyre të bashkuar.—Psalmi 133:1-3.
Pak më vonë, gjatë pasdites, në simpoziumin e titulluar «Mbledhje që na mësojnë mbi rrugët e Jehovait», u trajtuan mbledhjet e rregullta të kongregacionit. Oratori i parë i kujtoi kongresistët se kur mblidhemi së bashku nderojmë Jehovain dhe kështu bekohemi prej tij. Oratori vijues theksoi nevojën për të marrë pjesë në mbledhje. Duke vepruar kështu, lavdërojmë Jehovain publikisht, tregojmë besimin tonë dhe forcojmë besimin e të tjerëve. Oratori i tretë i simpoziumit vuri në dukje nevojën për të vënë në praktikë ato që mësojmë në mbledhje. Duhet të jemi «jo vetëm dëgjues, por edhe zbatues».—Jakovi 1:22, BR.
Më pas kishte një diskutim të mrekullueshëm mbi të kënduarit lavdërime Jehovait. Kënga e përzemërt është një pjesë domethënëse e adhurimit tonë. Ky fjalim u ndoq nga fjalimi kyç, i titulluar «Mësimi hyjnor triumfon». Ç’temë e mrekullueshme! «Jehovai është Burimi i mësimit më të mirë që mund të merret»,—tha oratori. Pastaj, pasi foli shkurtimisht për mrekullitë e trurit njerëzor, ai tha: «Duhet t’i përdorim aftësitë tona mendore para së gjithash për të marrë mësimin hyjnor. Ai sjell vetëm mençuri të vërtetë.» Tamam ashtu!
Mëngjesi i ditës së dytë
«Vazhdoni të zbukuroni mësimin e Shpëtimtarit tonë, Perëndisë» ishte tema e ditës së dytë të kongresit. (Titi 2:10) Ky parim vjen në plan të parë në fjalimin «Mësimi hyjnor kundër mësimeve të demonëve». Po, demonët kanë mësimet e tyre. (1. Timoteut 4:1) Siç shpjegoi oratori, mësimi hyjnor triumfon ndaj «mençurisë» së Satanait, duke i hequr maskën mësimeve të rreme dhe rrugëve dinake të Djallit. Për këtë, rreth 4.500.000 të krishterë me zemër të drejtë, nuk janë më skllevër të errësirës së Satanait.—Gjoni 8:32.
Megjithatë, duhet të vazhdojmë t’i rezistojmë Satanait. Kjo gjë u theksua në fjalimin «A po i rezistoni frymës së botës?» Kjo frymë e botës është vdekjeprurëse. Inkurajon moral të ulët, qëndrim rebel ndaj autoriteteve dhe një dëshirë të madhe për të grumbulluar gjëra materiale. Një i krishterë duhet të shqyrtojë veten vazhdimisht. A ka akoma standarde të larta kur duhet të vendosë çfarë të shikojë, të dëgjojë apo të lexojë? Në mënyrë inkurajuese, oratori tha: «Ju lavdërojmë vëllezër, motra dhe të rinj për përpjekjet e vendosura që tashmë jeni duke bërë në lidhje me këtë.»—1. Gjonit 2:15-17.
Ekziston një faktor që e bën të vështirë rezistimin ndaj frymës së botës. Ç’është kjo? Papërsosmëria që të gjithë kemi. Vërtet, Jezui vdiq për mëkatet tona, por akoma duhet të luftojmë prirjet drejt mëkatit. Kjo u trajtua në fjalimin «Të luftojmë shtrëngimin e mëkatit në trupin e vdekshëm». Ndërmjet të tjerash, oratori tha se mund ta fitojmë betejën ndaj mëkatit nëse veshim personalitetin e ri dhe shmangim çdo gjë që nxit prirjet tona mëkatare.
«Bëjeni mësimin e shëndetshëm mënyrë të jetës suaj», ishte titulli i fjalimit vijues. Disa shqetësohen shumë për shëndetin fizik. Por në të vërtetë, shëndeti frymor është shumë më i rëndësishëm. Oratori theksoi nevojën për t’i marrë seriozisht përgjegjësitë tona në lidhje me këtë dhe u drejtoi fjalë inkurajuese veçanërisht grave të krishtere. Ai tha: «Çmojmë shumë si motrat e moshuara dhe ato të reja, që dinë të jenë të ekuilibruara në zellin për shërbimin dhe kujdesin për përgjegjësitë personale.» Po, të gjithë ne falënderojmë Jehovain për mësimin e shëndetshëm që na mban të ndarë nga bota.
Si mbyllje e programit të paradites shërbeu fjalimi «Mësimi hyjnor zbulon qëllimin e jetës». Oratori tha: «Herët a vonë, pothuajse të gjithë pyesin veten: ‘Cili është qëllimi i jetës?’» Me argumente të fuqishme ai tregoi se vetëm Bibla i jep një përgjigje të vërtetë kësaj pyetjeje. Kështu, oratori tregoi se premtimet e mrekullueshme të Perëndisë na japin një qëllim në jetë. Ndoshta në auditor kishte shumë që mendonin: «Kjo është taman ajo që njerëzit e territorit tim duhet të dëgjojnë.» Trupi Udhëheqës mendonte po kështu. Në fund të këtij fjalimi u paraqit një broshurë e re, e titulluar Cili është qëllimi i jetës? (angl.) Sa i kënaqur ishte gjithsecili! Intervali i mesditës u dha mundësi të shfletonin botimin e ri.
Mbasditja e ditës së dytë
Fjalimi i parë i mbasdites kishte temën inkurajuese «Hidhini të gjitha shqetësimet tuaja mbi Jehovain». Shumë gjëra shkaktojnë shqetësime, megjithatë Fjala e Perëndisë thotë se duhet t’i hedhim të gjitha shqetësimet tona mbi të. (1. Pjetrit 5:6, 7) Është e vërtetë që disa probleme vazhdojnë dhe në lidhje me këtë oratori këshilloi: «Jini të durueshëm. Prisni Jehovain. Besoni në mënyrë të patundur se të ndjekësh Biblën është gjithmonë më mirë. Nëse kemi Jehovain në zemër, do të kemi ‘paqen e Perëndisë’, që kapërcen çdo mendim.»—Filipianëve 4:6, 7.
Katër fjalimet vijuese tregonin se mësimi hyjnor zbatohet edhe në jetën familjare. I pari, «Ta bëjmë martesën një lidhje të qëndrueshme»,—i kujtonte kongresistët se në sytë e Jehovait martesa nuk është diçka që mund të hidhet si e papërshtatshme, edhe pse shumë në botë e konsiderojnë tamam kështu. Megjithatë, për të pasur sukses në martesë, duhet të ndjekim udhëheqjen e Jehovait. Ishte ai që na krijoi. Prandaj, Fjala e tij e frymëzuar përmban këshillat më të mira në dispozicion për martesën.
Fjalimi «Punoni shumë për shpëtimin e familjarëve tuaj», shqyrtonte sfidat e kujdesit për familjen në këto kohë kritike. (2. Timoteut 3:1) Prindërit u mësojnë fëmijëve të tyre higjienën fizike, shprehitë e mira, si të punojnë dhe si të jenë bujarë e të kujdesshëm kundrejt të tjerëve. Por mbi të gjitha duhet t’u mësojnë pasardhësve të tyre se si të jenë shërbëtorë të devotshëm të Jehovait.—Proverbat 22:6.
Në fjalimin vijues, «Prindër, fëmijët tuaj kanë nevojë për kujdes të veçantë», oratori u kujtoi kongresistëve nevojën për t’i lavdëruar fëmijët, duke mos i mbyllur sytë para dobësive të tyre. Prindërit duhet të jenë veçanërisht të kujdesshëm për prirjet ndaj pandershmërisë, materializmit apo egoizmit.
Veçanërisht të rinjtë e ndoqën me shumë vëmendje fjalimin «Të rinj—Mësimet e kujt po ndiqni?» Sot të rinjtë gjenden në situata të vështira. Është e lehtë të bashkohen me botën, por një gjë e tillë të çon në vdekje. Një i ri duhet të ketë kurajo për t’i qëndruar besnik mësimit hyjnor, por nëse e bën do të ketë bekime të mëdha tani dhe jetën e përhershme në të ardhmen.—1. Timoteut 4:8.
Dita e dytë përfundoi me dramën prekëse Të rinj që kujtojnë Krijuesin e tyre tani. Në hyrje, drejtuesi i quajti të rinjtë e organizatës së Perëndisë «një ushtri teokratike besnikërisht e angazhuar në shërbimin e devotshëm ndaj Jehova Perëndisë dhe Mbretit qiellor të caktuar nga ai, Jezu Krishtit». Ai shtoi: «Të rinjtë tanë, me të vërtetë po kryejnë diçka të mirë!» Drama tregonte qartë se nëse prindi e stërvit mirë fëmijën, kjo stërvitje do t’i vlejë shumë kur të rritet dhe t’i shërbejë Jehovait larg familjes.
Paraditja e ditës së tretë
Tema për ditën e tretë ishte «Vazhdoni të mësoni njerëzit e të gjitha kombeve.» (Mateu 28:19, 20) Pa dyshim, kongresistët prisnin këshilla në kohën e duhur mbi veprën e predikimit dhe nuk mbetën të zhgënjyer. Një simpozium i titulluar «Të kryejmë me gëzim detyrën tonë për të predikuar dhe mësuar», forcoi vendosmërinë e tyre që të vazhdojnë të marrin pjesë në veprën e dëshmisë. Fjalimi i hyrjes fliste për vizitat e para; i dyti për rivizitat dhe i treti për studimet biblike. Misionarët që gjendeshin në pjesë të ndryshme të botës, u ftuan të ktheheshin në shtëpitë e tyre për të qenë të pranishëm në kongres bashkë me familjarët dhe miqtë e tyre. Misionarët ishin të pranishëm në këtë pjesë të programit në disa vende. Ishte një kënaqësi për ta të njiheshin me rezultatet e mira të arritura në territoret ku ishin caktuar. Fjalimi vijues «T’ua çojmë lajmin e mirë të gjithëve», shqyrtoi përpjekjen për të dhënë dëshmi joformale.
Paraditja përfundoi me fjalimin e pagëzimit, që është gjithmonë një moment me rëndësi në grumbullimet e mëdha të Dëshmitarëve të Jehovait. Kongres pas kongresi, grupe të shumta me të dedikuar të rinj, janë çuar në këmbë para turmave të grumbulluara dhe me besim në vetvete u janë përgjigjur «Po» dy pyetjeve që u janë drejtuar. Kështu, iu nënshtruan publikisht pagëzimit. Ç’dëshmi e fuqishme për të treguar ndikimin e madh të mësimit hyjnor!
Mbasditja e ditës së tretë
Programi i mbasdites filloi me një trajtim të thellë Shkrimesh. Dëshmitarët e Jehovait i njohin mirë tashmë fjalët e Mateut në kapitullin 24 dhe të Lukës në kapitullin 21. A kishte ndoshta disa që mendonin se nuk mund të thuhej asgjë e re për këta kapituj të Biblës? Sa gaboheshin! Fjalimi «Cila do të jetë shenja e pranisë sate?» dhe «Na trego, kur do të ndodhin këto gjëra?» i udhëhoqi të pranishmit në një trajtim të mrekullueshëm të pjesëve të këtyre dy kapitujve dhe u ofroi një shpjegim të kohës për disa vargje. Pas sesionit kishte diskutime të gjalla, pasi të pranishmit në kongres krahasonin shënimet për të parë nëse i kishin kuptuar pikat. Pa dyshim, shumë pyetjeve do t’u jepet përgjigje, kur këto informacione të botohen në Kullën e Rojës.
Tema e studimit të Biblës, vazhdoi të trajtohej në fjalimin «Përgjigje informative për pyetjet tuaja nga Bibla». Kështu, programi tërhoqi vëmendjen në një argument tjetër. Viti 1993 shënoi përvjetorin e 50-ë të shkollës së Galaadit (Watchtower Bible School of Gilead). Fjalimi «Aktiviteti pesëdhjetë vjeçar i shkollës misionare të Galaadit», u tregoi të pranishmëve se ç’ishte kryer gjatë kësaj periudhe. Nëse ishte i pranishëm ndonjë misionar gjatë fjalimit «Rezultatet e ungjillëzimit në fushën botërore», ftohej për t’i treguar auditorit disa nga përvojat e tyre. Sa emocionuese ishte t’i dëgjoje!
Fjalimi vijues «Përse Dëshmitarët e Jehovait rrinë zgjuar», ishte një tjetër mësim historik. Tregoi se të krishterët kanë vigjëluar që nga shekulli i parë e.s., deri më sot. Kjo çoi në një surprizë tjetër. Sapo kishte filluar fjalimi tjetër i titulluar «Lajmëtarët e Mbretërisë janë aktivë në të gjithë tokën», kur oratori ngriti volumin e zërit dhe tha: «Është kënaqësi të shpallim sot këtu botimin e këtij libri të ri, të titulluar Dëshmitarët e Jehovait—Lajmëtarë të Mbretërisë së Perëndisë.» Libri përmban një tregim të hollësishëm të historisë bashkëkohore të Dëshmitarëve të Jehovait. Është një histori emocionuese durimi, vendosmërie dhe suksesi që jep dëshmi të fuqishme se fryma e Jehovait po vepron mbi shërbëtorët e tij.
Paraditja e katërt
Tashmë ishte dita e fundit e kongresit. Tema e ditës «Të nxjerrim dobi nga mësimi hyjnor» të bënte të kuptoje kulmin e mrekullueshëm të programit. (Isaia 48:17) Gjatë paradites, vëmendja e të pranishmëve u përqendrua në një simpozium me tre fjalime të fuqishme. Simpoziumi i titulluar «Mesazhi i frymëzuar paralajmërues i Jeremisë—Për të kaluarën dhe të tashmen», përmbante një trajtim varg për varg të kapitujve 23, 24 dhe 25 të Jeremisë. Ç’mesazh të fuqishëm përmbajnë këta kapituj! Izraeli i pabesë në ditët e Jeremisë, duhet të jetë dridhur duke dëgjuar paralajmërimet e sinqerta të frymëzuara hyjnore. Mbarë bota do të dridhet akoma më shumë, kur të plotësohen këto paralajmërime. A janë ndoshta ndryshe gjërat sot? Aspak. Dëshmitarët e Jehovait predikojnë me kurajo mesazhin e gjykimit të Perëndisë. Më në fund, ky sistem i tërë gjërash duhet të përballojë veprat e gjykimit të Jehovait. Kjo do të thotë shkatërrim përfundimtar për botën e Satanait.
Paraditja e së dielës përfundoi me dramën e dytë «Mos u mashtro dhe mos u tall me Perëndinë». Ajo tregonte në mënyrë të qartë se si mësimi hyjnor mund të na mbrojë nga ndikimi i videove dhe i muzikës poshtëruese, si dhe nga prirjet për të mbjellë grindje midis bashkëbesimtarëve të krishterë. Në përfundim të dramës, drejtuesi citoi fjalët e njërit prej personazheve: «Nuk jemi të paprekshëm nga ndikimi i botës. Nëse nuk rezistojmë, bota mund të korruptojë pa e kuptuar mendimet tona. Dhe nëse do të mbetemi besnikë apo jo, varet vetëm nga ajo që kemi mbjellë.» Është tamam ashtu!
Mbasditja e fundit
Kongresit po i vinte fundi, kur oratori u ngjit mbi podium për të mbajtur fjalimin publik të titulluar «Mësim i nevojshëm për kohët tona kritike». Në mënyrë të qartë dhe të logjikshme, ai identifikoi problemet kyçe që na ndikojnë sot dhe tregoi disa mënyra në të cilat ky mësim hyjnor mund të na ndihmojë për të gëzuar një jetë më të mirë. Ai tha se nëse zbatojmë që tani mësimet e Biblës, do të mund t’i ndjekim përgjithmonë ato në botën e re të Jehovait.
Pas përmbledhjes së studimit javor të Kullës së Rojës, erdhi koha e fjalimit përfundimtar. Oratori përmendi me shpejtësi pikat kryesore të programit katërditor dhe i kujtoi kongresistët për botimet e reja. Gjithashtu lajmëroi se videokaseta e dytë e serisë Bibla—Një libër faktesh dhe profecishë do të dalë së shpejti. Në fakt, videokaseta e titulluar «Bibla—Libri modern më i vjetër i njerëzimit», është në dispozicion në anglisht. U lexuan raporte prekëse nga vende ku situata është kritike si Bosnja dhe Hercegovina. Në përfundim oratori lexoi fjalët e Eklisiastiut 12:13: «Të dëgjojmë, pra, përfundimin e gjithë ligjëratës: ‘Ki frikë nga Perëndia dhe respekto urdhërimet e tij, sepse kjo është tërësia e njeriut.’»
Ç’këshillë e shkëlqyeshme! Le të jetojmë, pra, për ditën në të cilën i gjithë njerëzimi do të lavdërojë Mësuesin tonë të Madh, Jehovain, dhe t’i kushtojmë vëmendje mësimit hyjnor.
[Figurat në faqet 24, 25]
Kongresi «Mësimi Hyjnor» në Moskë dhe në Kiev solli gëzim të madh
[Figurat në faqet 26, 27]
1. Shumë e simbolizuan dedikimin e tyre ndaj Perëndisë, duke u pagëzuar
2. Një kongresist 100-vjeçar shumë i emocionuar që merr një botim të ri
3, 4. Dramat interesante u çmuan shumë
5. Misionarët e intervistuar në kongrese theksuan dobinë e mësimit hyjnor