Të rinjtë pyesin . . .
Si mund ta mposht fiksimin për peshën?
«Problemi më i madh në jetën time është të vendos apo jo majonezë në sanduiç. Si mund të mendohet që unë të përqendrohem në gjërat e tjera kur e kam fiksim majonezën? Vendimi im përfundimtar? Aspak majonezë; ka tepër kalori. Anoreksia fiton përsëri. Unë dorëzohem.»—Zhaimeja.
ÇRREGULLIMET në të ngrënë u shkaktojnë vuajtje miliona të rinjve.a Shumica prej tyre nuk filluan me synimin për t’u grirë nga uria (anoreksia) ose për ta bërë zakon që të hanin me tepri e më pas të villnin (bulimia). Përkundrazi, shumë fillojnë me synimin e thjeshtë për të humbur disa kile. Megjithatë, para se ta kuptonin, ata ishin zënë në kurthin e një cikli të çuditshëm mosngrënieje ose mbingrënieje. «E fillova gjithë këtë dietë për të mbajtur nën kontroll peshën, por tani është ajo që më kontrollon mua»,—thotë Zhaimeja.
Ç’mund të bësh nëse e kupton se e ke fiksim ushqimin dhe efektet e tij mbi peshën tënde? Së pari, mbaj parasysh se shumë të rinj të tjerë kanë luftuar me çrregullimet në të ngrënë dhe kanë fituar! Por si?
Një vështrim në pasqyrë
Një hap i rëndësishëm për të fituar betejën kundër çrregullimeve në të ngrënë është pranimi i realitetit për sa i përket pamjes sate të jashtme. «Shumica e njerëzve me çrregullime në të ngrënë kanë një imazh të shtrembëruar mbi vetveten,—thotë libri Trupa që ndryshojnë, jetë që ndryshojnë (Changing Bodies, Changing Lives).—Ata nuk i shikojnë me realizëm trupat e tyre dhe janë tepër kritikë në lidhje me vetveten e sidomos me pamjen e tyre të jashtme.»
Në të vërtetë disa adoleshentë e bazojnë tërë imazhin e tyre mbi formën fizike; çdo e metë e vogël konsiderohet si katastrofike. «Jam kaq e shëndoshë sa nuk mund ta duroj dot më këtë gjë,—thotë Viki 17-vjeçare.—Beli im është kaq i trashë saqë, nuk do të mund të vesh kurrë rroba të tjera përveçse të lëshuara.» Edhe pasi humbi 10 kilogramë, Viki nuk ishte e kënaqur. Ajo ose refuzonte të hante, ose dendej mirë dhe më pas e villte gjithë sa kishte ngrënë.
Natyrisht nuk është e gabuar të shqetësohesh deri në njëfarë mase për paraqitjen tënde të jashtme. Në lidhje me këtë, është interesante të vërejmë që Bibla flet në mënyrë të favorshme për formën fizike dhe pamjen e disa grave dhe burrave, përfshirë Sarën, Rahelën, Jozefin, Davidin dhe Abigailën.b Madje Bibla thotë se shërbëtorja e Davidit, Abishaga, ishte «shumë e bukur».—1. Mbretërve 1:4.
Të përcaktojmë bukurinë e vërtetë
Megjithatë, Bibla nuk e konsideron si parësore pamjen fizike ose formën e trupit. Në vend të kësaj, ajo lartëson ‘njeriun e fshehur të zemrës’ (1. Pjetrit 3:4) Është personi i brendshëm që e bën me të vërtetë një njeri ose tërheqës, ose të urryer në sytë e Perëndisë dhe të njerëzve.—Proverbat 11:20, 22.
Merr rastin e birit të Mbretit David, Absalomit. Bibla pohon: «Në të gjithë Izraelin nuk kishte njeri që ta lavdëronin më tepër për bukuri se sa Absalomi; nga tabanët e këmbëve deri në majën e kokës nuk kishte asnjë të metë tek ai.» (2. Samuelit 14:25) Megjithatë, ky i ri ishte një tradhtar. Krenaria dhe ambicia e shtynë të përpiqej që të uzurponte pozitën e mbretit të emëruar të Jehovait. Për këtë arsye Bibla nuk bën një përshkrim të favorshëm të Absalomit, por e paraqet si një burrë me pabesi të turpshme dhe me urrejtje vrastare.
Bukuria e vërtetë e një personi nuk varet nga forma fizike. Me të drejtë Bibla pohon: «Fito diturinë. Edhe sikur të humbasësh ato që ke, fito diturinë. Ajo do të të vërë mbi kokën tënde një stoli prej nuri, do të të rrethojë me një kurorë lavdie.»—Proverbat 4:7, 9.
Megjithatë, duhet pranuar se çrregullimet në të ngrënë shpesh nuk nxiten vetëm nga pakënaqësia me pamjen e jashtme. Një vepër referimi thotë: «Njerëzit të cilëve u bëhet fiksim ushqimi dhe bien pre e çrregullimeve në të ngrënë si anoreksia nervore, bulimia dhe mbingrënia, zakonisht kanë një vlerësim jo të mirë për vetveten, nuk kanë një mendim të lartë në lidhje me vlerën e tyre dhe mendojnë se as të tjerët nuk i vlerësojnë.»
Ekzistojnë një sërë faktorësh që mund t’i kontribuojnë një vlerësimi jo të mirë për vetveten. Për shembull, fillimi i pubertetit mund të të mbytë me ndjenja pasigurie, sidomos nëse ke një zhvillim më të shpejtë se bashkëmoshatarët e tu. Gjithashtu, disa të rinj rriten në shtëpi ku ka sherr të vazhdueshëm e ndoshta edhe abuzim fizik e seksual. Pavarësisht nga shkaku, të rimarrësh veten zakonisht kërkon të kuptohen faktorët që u kontribuojnë ndjenjave të mosvlerësimit për vetveten. Kjo do të thotë të arrish të kuptosh vlerën tënde të vërtetë si person. Sigurisht, çdo njeri ka të paktën disa cilësi të lavdërueshme. (Krahaso 1. Korintasve 12:14-18.) Vërtet, ndoshta mund të mos i shohësh këto në veten tënde, por një mik i pjekur mund të jetë në gjendje të t’i nxjerrë në pah.
Por ç’të themi nëse ke nevojë të biesh në peshë për arsye vërtet shëndetësore? Bibla na këshillon të jemi «të përkorë në zakone». (1. Timoteut 3:11, BR) Prandaj, është më mirë t’i shmangim dietat ekstreme ose të mos biem viktimë e metodave për rënien e shpejtë në peshë. Ndoshta mënyra më e mirë për të eliminuar peshën e tepërt është duke mbajtur një dietë të shëndetshme dhe duke bërë ushtrime fizike në një masë të arsyeshme. «Si për shumicën e gjërave të tjera,—thotë revista FDA Consumer,—edhe për humbjen në peshë ka një mënyrë të drejtë dhe një të gabuar për ta arritur. Mënyra e gabuar është duke mos ngrënë në të gjitha vaktet, duke vendosur të mbani një dietë vetëm me bukë dhe ujë, duke marrë pilula diete ose duke provokuar vjellje.»
Fuqia që vjen kur i hapemi dikujt
Sociologia Nensi Kollodni e krahason pasjen e çrregullimeve në të ngrënë me «hyrjen, krejt i vetëm në një labirint, pa hartë ose busull, i pasigurt për vendndodhjen e daljeve dhe i pasigurt se kur ose nëse do ta gjesh rrugën për të dalë.... Sa më shumë kohë kalon, aq më shumë ngatërrohesh dhe aq më e vështirë bëhet, ndërsa përpiqesh të çlirohesh prej tij». Prandaj, nëse ke simptoma të anoreksisë ose bulimisë, të duhet ndihmë. Nuk mund të dalësh vetë nga «labirinti». Prandaj hapu me një prind ose me një të rritur tjetër, të cilit mund t’i besosh. Një proverb biblik pohon: «Miku të do në çdo kohë, por vëllai lind për ditë të vështira.»—Proverbat 17:17
Shumë Dëshmitarë të Jehovait e kanë gjetur këtë shoqëri të denjë për t’i besuar midis pleqve në kongregacionin e krishterë. Natyrisht pleqtë nuk janë mjekë dhe ndihma e tyre nuk do ta zëvendësojë nevojën për ndihmë mjekësore. Megjithatë, mbikëqyrësit e krishterë nuk do ta bëjnë një vesh të shurdhër ndaj «ankesave të të mjerit» dhe këshillat e lutjet e tyre mund të ndihmojnë që «të shërohet ai që është pa qejf» frymësisht.—Proverbat 21:13; Jakovit 5:13-15, BR.
Nëse vihesh në siklet po t’i hapesh dikujt ballë për ballë, hidhi mendimet e tua në një letër, duke kërkuar një përgjigje. E rëndësishme është që t’ia tregosh problemin dikujt. «Duke pranuar faktin që nuk mund ta përballosh më i vetëm,—shkruan Nensi Kollodni,—t’i po merr angazhim të lejosh që këtej e tutje të të ndihmojë dikush tjetër.» Ajo shton: «Këta mund të jenë hapa të vështirë për t’u menduar dhe për t’u ndërmarrë, por janë hapa pozitivë, janë ata që do të të çojnë në drejtimin e duhur për të dalë nga labirinti.»
Të rinjtë e krishterë kanë një mjet tjetër të fuqishëm, lutjen. Lutja ndaj Perëndisë nuk është një patericë psikologjike. Ajo është një komunikim real dhe jetësor me Krijuesin, me atë që të kupton më mirë sesa e kupton ti vetveten! (1. Gjonit 3:19, 20) Prandaj, ndonëse kjo nuk është koha e përshtatshme sipas Jehovait për të eliminuar gjithë sëmundjet, Perëndia ynë i dashur mund t’i drejtojë hapat e tu në mënyrë që të mos lëkundesh. (Psalmi 55:22) Nisur nga përvoja e tij, psalmisti David shkroi: «Unë e kërkova Zotin dhe ai m’u përgjigj dhe më çliroi nga të gjitha tmerret e mia. Ky i pikëlluar klithi dhe Zoti e plotësoi, e shpëtoi nga të gjitha fatkeqësitë e tij.»—Psalmi 34:4, 6.
Shprehja, pra, ndjenjat e tua më të thella Perëndisë Jehova! «Gjithë merakun tuaj hidheni mbi të,—shkroi apostulli Pjetër,—sepse ai merakoset për ju.» (1. Pjetrit 5:7) Përse nuk lexon me kujdes Psalmet 34, 77, 86, 103, dhe 139, për të zhvilluar çmueshmëri për dashamirësinë e dashur të Jehovait? Meditimi mbi këto psalme do ta forcojë bindjen tënde se Jehovai është besnik dhe dëshiron që ti t’ia dalësh mbanë. Duke lexuar Fjalën e tij, do të ndihesh si Davidi, i cili shkroi: «Ndë të shumëtit e mendimeve të mi përbrenda meje, ngushëllimet’ e tu gëzuanë shpirtinë t’im.»—Psalmi 94:19, Bibla Bashkimi i Kombit përkthyer nga Kristoforidhi.
Ki durim, shërimi është gradual
Shumica e atyre që marrin ndihmë në lidhje me një çrregullim në të ngrënë nuk e marrin veten për një ditë. Shqyrto rastin e Zhaimesë, e cila u citua në fillim. Edhe pasi filloi të merrte ndihmë, ajo e kishte të vështirë të hante madje edhe një tas me drithëra. «Më duhet të vazhdoj t’i them vetes se kjo është e mirë për mua dhe se kam nevojë për ushqim, që të jetoj,—thotë ajo.—Çdo lugë ushqim që ha më duket sikur peshon pesëqind kile.»
Ndonëse dikur ishte në buzë të vdekjes, Zhaimeja vendosi ta mposhtë fiksimin e saj për ushqimin. «Nuk do të vdes,—tha ajo.—Do ta luftoj këtë dhe do të fitoj. Do ta mund anoreksinë. Do të jetë e vështirë, por do t’ia dal mbanë.» Edhe t’i mund t’ia dalësh mbanë!
[Shënimet]
[Figura në faqen 19]
Një dietë e ekuilibruar dhe ushtrime fizike në një masë të arsyeshme mund të të ndihmojnë të mbash nën kontroll peshën tënde