Një mbrojtje e re në luftën kundër tuberkulozit
TUBERKULOZI (TBC) është vrasësi infektiv më i vjetër i njeriut dhe mbetet ende një kërcënim kaq serioz i shëndetit, saqë Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e krahason atë me një minë me sahat. «Gjendemi në një garë kundër kohës»,—paralajmëron një raport i OBSH-së mbi TBC-në. Nëse njeriu nuk arrin ta çaktivizojë këtë minë, një ditë mund të gjendet përballë një sëmundjeje rezistuese ndaj ilaçeve që «përhapet me anë të ajrit, e megjithatë është pothuajse po aq e pashërueshme sa edhe SIDA». Ka ardhur koha, nxit OBSH-ja, të bëhemi të vetëdijshëm për potencialin shkatërrimtar të TBC-së. «Gjithkush që merr frymë, nga Wall Street (zemra e aktivitetit bankar dhe e biznesit në Amerikë, simboli mbarëbotëror i financës) e deri në Murin e Madh (në Kinë) . . . , duhet të shqetësohet në lidhje me këtë rrezik.»
Një ekzagjerim? Vështirë se po. Vetëm mendoni se sa vigjilente do të ishte bota, nëse një sëmundje do të rrezikonte të dilte jashtë kontrollit dhe të shfaroste, të themi, gjithë popullsinë e Kanadasë në dhjetë vjet! Ndonëse kjo tingëllon si trillim, ky kërcënim është real. Në gjithë botën, TBC-ja vret më shumë njerëz sesa SIDA, malaria dhe sëmundjet tropikale të marra së bashku: 8.000 njerëz çdo ditë. Rreth 20 milionë njerëz vuajnë aktualisht nga TBC-ja aktive dhe rreth 30 milionë mund të vdesin prej tij në dhjetë vjetët e ardhshëm, një numër ky më i madh sesa popullsia e Kanadasë.—Shiko kutinë «Mbërthimi global i TBC-së», në faqen 22.
Tani lajme të mira
Megjithatë, sot ka shpresë. Pas dhjetë vjet ekzaminimesh, studiuesit kanë dalë me një strategji që mund ta katandisë TBC-në nga një vrasës i pakontrolluar në një kriminel nën mbikëqyrje. Dr. Hiroshi Nakajima, ish-drejtor i përgjithshëm i OBSH-së, e quajti këtë strategji të re «një nga përparimet më të rëndësishme në fushën e shëndetit publik për këtë dekadë». Dr. Arata Koçi, drejtor i Programit global të OBSH-së për TBC-në, thotë se ajo ofron rastin e parë për të «eliminuar epideminë e TBC-së». Kush është shkaku i gjithë këtij entuziazmi? Një metodë e quajtur DOTS.
DOTS është një emërtim i përbërë nga inicialet e shprehjes në anglisht directly observed treatment, short-course. Ky është një sistem trajtimi shëndetësor që mund të kurojë shumicën e pacientëve të infektuar me TBC brenda gjashtë deri tetë muajve, pa qenë nevoja të jenë në spital as edhe një ditë të vetme. DOTS-i e mbështet suksesin e vet në pesë elemente. Nëse ndonjë nga këto elemente mungon, vëren OBSH-ja, mundësia për të kuruar viktimat e TBC-së na «rëshket nga duart». Cilat janë këto elemente?
● 1. Drejtpërdrejt (Directly): Rastet më të rrezikshme të TBC-së janë ato që nuk diagnostikohen. Prandaj, OBSH-ja thekson se në radhë të parë, punonjësit e shëndetësisë duhet t’i drejtojnë përpjekjet e tyre në identifikimin e njerëzve në komunitetin e tyre, të cilët vuajnë nga TBC-ja infektive.
● 2. I vëzhguar (Observed): Elementi i dytë i DOTS-it bën përgjegjës për arritjen e shërimit sistemin shëndetësor dhe jo pacientin. Punonjësit e shëndetësisë ose vullnetarë të stërvitur, si për shembull, shitës, mësues ose ish të sëmurë me TBC, duhet t’i vëzhgojnë pacientët kur gëlltitin çdo dozë të ilaçeve anti-TBC. «Vëzhguesit e pacientëve» janë vendimtarë për arritjen e suksesit, sepse një nga arsyet kryesore për të cilat TBC-ja vazhdon deri më sot është ndërprerja e parakohshme e marrjes së ilaçeve nga pacientët. (Shiko kutinë «Pse përsëri në rritje?, në faqen 22». ) Vetëm pas disa javë mjekimi, ata fillojnë të ndihen më mirë dhe nuk i pijnë më ilaçet. Por mjekimi duhet marrë për gjashtë deri në tetë muaj në mënyrë që ta çlirojë trupin nga të gjitha bacilet e TBC-së.
● 3. Trajtim (Treatment): Gjatë këtyre gjashtë deri tetë muajve, punonjësit e shëndetësisë mbikëqyrin rezultatet e trajtimit dhe dokumentojnë përmirësimin e pacientit. Në këtë mënyrë ata sigurohen që pacientët janë shëruar plotësisht dhe nuk mund t’ua kalojnë infeksionin të tjerëve.
● 4. Short-Course (Një lloj kimioterapie): Përdorimi i kombinimit dhe sasisë së duhur të ilaçeve anti-TBC, i njohur si kimioterapia short-course, për gjatësinë e këshilluar të kohës është elementi i katërt i strategjisë DOTS. Këto ilaçe të kombinuara japin një goditje nokauti për të vrarë bacilet e TBC-së.a Ilaçet duhet të jenë gjithmonë në dispozicion në mënyrë që trajtimi të mos ndërpritet për asnjë çast.
● 5. !: OBSH-ja e paraqet elementin e pestë të strategjisë DOTS me një pikëçuditëse në fund të inicialeve DOTS! Ajo përfaqëson financimin dhe një strategji me vend. OBSH-ja i nxit sistemet shëndetësore të sigurojnë marrëveshje financiare me qeveritë dhe organizatat joqeveritare dhe ta bëjnë trajtimin e TBC-së pjesë të sistemit ekzistues shëndetësor të vendit.
Për sa i përket financimit, metoda DOTS u bën thirrje atyre që thurin strategjitë financiare, të cilët kanë në dorë portofolin. Banka Botërore e ka cilësuar DOTS-in si «një nga ndërhyrjet më të efektshme që janë në dispozicion për luftimin e . . . sëmundjes». Kostoja totale e përdorimit të kësaj strategjie në vendet e varfra, llogarit OBSH-ja, është rreth 100 $ për pacient. «Kjo shifër rrallë i kalon 10 cent (amerikanë) për frymë, në vendet në zhvillim, gjë që është e përballueshme edhe në kushtet më të këqija ekonomike.» Megjithatë, kostoja e ulët nuk përjashton mundësinë e pasjes së dobive të mëdha.
Sa e efektshme është?
Në mars të vitit 1997, përfaqësuesit e OBSH-së njoftuan se përdorimi i kufizuar i strategjisë DOTS po bënte «që niveli i epidemisë globale të TBC-së të zbresë për herë të parë nëpër dekada. Aty ku përdoret DOTS-i, ritmet e shërimit pothuajse dyfishohen». Projektet pilot DOTS të zbatuara në zonat ku TBC-ja është shumë e përhapur, tashmë po tregojnë se ajo strategji është e suksesshme. Shqyrto disa tregime suksesi të përmendura nga OBSH-ja.
Në Indi «DOTS-i u aplikua në zona demonstrative që përfshinin mbi 12 milionë njerëz. . . . Tani në çdo 5 pacientë 4 janë shëruar nga tuberkulozi». Në një program pilot në Bangladesh që përfshinte një milion njerëz, «u shëruan 87 përqind [e pacientëve me TBC]». Në një ishull indonezian, një projekt DOTS «po shëron 9 në çdo 10 pacientë». Në Kinë, projektet pilot patën «një sukses fantastik», me një nivel shërimi prej 94 përqind. Në një qytet afrikano-jugor «më shumë se 80 përqind [e pacientëve me TBC] po kurohen me sukses». Kohët e fundit, DOTS-i filloi të aplikohet edhe në shtetin e Nju Jorkut me rezultate mbresëlënëse.
Rezultatet e testimit në popullsi, në disa dhjetëra vende, përfundon dr. Koçi, tregojnë se strategjia «mund të përdoret kudo dhe mund të sigurojë nivele shërimi prej 85 përqind e më shumë».
Jo bum, por progres
Duke qenë një trajtim që pothuajse mund të mposhtë një nga vrasësit infektivë më vdekjeprurës të njeriut fare lehtë dhe pa shpenzime, ju do të pritnit që strategjia DOTS të ishte një bum. «Megjithatë,—thotë një zyrtar i OBSH-së,—çuditërisht, pak vende po e aplikojnë strategjinë e provuar dhe ekonomike të OBSH-së për frenimin e TBC-së.» Në fakt, në fillim të vitit 1996, vetëm 34 vende e kishin aplikuar strategjinë në rang kombëtar.
Megjithëkëtë, është bërë përparim. Para vitit 1993, kur OBSH-ja shpalli një urgjencë globale në lidhje me TBC-në, në çdo 50 pacientë me TBC vetëm në 1 u aplikua DOTS-i. Sot raporti është 1 në çdo 10 pacientë. Raportohet që në vitin 1998 pothuajse 96 vende po përdornin strategjinë DOTS. Nëse më shumë vende e mbështetin strategjinë DOTS, numri vjetor i rasteve me TBC ‘vetëm në një dekadë do të përgjysmohet’. Dr. Koçi thotë: «Kemi një metodë të provuar kurimi, e cila vetëm duhet përdorur më gjerë.»
Meqenëse njeriu i ka njohurinë dhe mjetet për të luftuar me sukses kundër TBC-së, e vetmja gjë që mungon janë ‘njerëzit që duhet të kujdesen që këto ilaçe të përdoren në të gjithë botën’. S’është çudi që në një botim drejtuar mjekëve dhe punonjësve të tjerë të shëndetësisë në mbarë botën, OBSH-ja pyet: «Çfarë po presim akoma?»
[Shënimi]
a Ilaçet përfshijnë izoniazid, rifampicinë, pirazinamid, streptomicin dhe etambutol.
[Diçitura në faqen 21]
Çdo sekondë, dikush në tokë infektohet me tuberkuloz
[Diçitura në faqen 21]
‘Ilaçet jetëshpëtuese rrinë në raft ndërkohë që miliona njerëz vdesin.’—Dr. Arata Koçi
[Diçitura në faqen 23]
«Strategjia DOTS do të përfaqësojë përparimin më të rëndësishëm në fushën e shëndetit publik për këtë dekadë.»—Një komunikatë për shtyp e OBSH-së
[Kutia në faqen 22]
Pse përsëri në rritje?
Kura për tuberkulozin (TBC) u zbulua më shumë se katër dekada më parë. Që atëherë, më shumë se 120 milionë njerëz kanë vdekur nga tuberkulozi dhe afërsisht 3 milionë do të vdesin këtë vit. Pse po vdesin akoma kaq shumë njerëz nga TBC-ja kur ekziston një kurë? Për tri arsye kryesore: lënia pas dore, HIV/SIDA dhe TBC-ja rezistente ndaj shumë ilaçeve.
Lënia pas dore. Sytë e botës janë përqendruar në sëmundjet infektive të tilla si SIDA dhe Ebola. Megjithatë, në vitin 1995, për çdo person që vdiq nga Ebola, vdiqën 12.000 nga TBC-ja. Në fakt, TBC-ja është kaq e përhapur në vendet në zhvillim, saqë njerëzit e konsiderojnë atë si pjesë normale të jetës. Ndërkohë, në vendet më të pasura, TBC-ja është lejuar të përhapet edhe kur ilaçet e efektshme rrinin nëpër rafte. Kjo lënie globale pas dore doli se ishte një gabim fatal. Ndërkohë që shqetësimi i botës mbi TBC-në po pakësohej, bacilet e TBC-së po bëheshin gjithnjë e më të fuqishme. Sot ato sulmojnë më shumë njerëz në më shumë vende se kurrë më parë në historinë njerëzore.
HIV/SIDA. TBC-ja është një bashkudhëtar i HIV-it dhe i SIDA-s. Kur njerëzit infektohen me virusin e HIV-it, i cili pakëson imunitetin e tyre, ka 30 herë më shumë mundësi që në ta të zhvillohet TBC-ja. Ja përse epidemia aktuale mbarëbotërore e HIV-it ka shkaktuar një rritje edhe në numrin e pacientëve me TBC! Është llogaritur që në vitin 1997 vdiqën nga tuberkulozi 266.000 të infektuar me HIV. «Këta janë ata burra dhe gra,—thotë Piter Piot, drejtor i Joint United Nations Programme on HIV/AIDS,—që nuk përfituan nga ilaçet, jo të kushtueshme anti-TBC, të cilat u nevojiteshin për të kuruar tuberkulozin.»
TBC-ja rezistente ndaj shumë ilaçeve. «Supermikrobet» rezistente ndaj arsenalit antibiotik të njeriut, janë elemente të fantashkencës, por në rastin e TBC-së ato po bëhen me shpejtësi një realitet. Më shumë se 50 milionë njerëz mund të jenë tashmë të infektuar me TBC-në rezistente ndaj shumë ilaçeve (MDR). Pacientët që e ndërpresin marrjen e ilaçeve pas disa javësh sepse ndihen më mirë, sepse u kanë mbaruar ilaçet ose sepse sëmundja mbart një njollë turpi në shoqëri, nuk i vrasin të gjithë bacilet e TBC-së në trupin e tyre. Për shembull, në një vend aziatik, në çdo 3 pacientë 2 e ndërprenë kurën para kohe. Kur ata sëmuren përsëri, sëmundja mund të jetë më e vështirë për t’u kuruar, sepse bakteret e mbijetuara luftojnë përsëri dhe triumfojnë mbi çdo ilaç anti-TBC që është në dispozicion. Si rezultat, pacientët përfundojnë me një tip TBC-je që është i pashërueshëm, si për ta, ashtu edhe për këdo që ata mund të infektojnë. Dhe tani që ky gjigant vdekjeprurës MDR ka dalë nga shishja, gjendemi përballë pyetjes së zymtë, a do të jetë në gjendje njeriu ta fusë brenda përsëri?
[Kutia në faqen 22]
Mbërthimi global i TBC-së
Çdo vit, epidemia e tuberkulozit (TBC) po bëhet gjithnjë e më e përhapur, më e kushtueshme dhe më vdekjeprurëse. Raportet e mbledhura nga Organizata Botërore e Shëndetësisë zbulojnë përhapjen e këtij vrasësi të heshtur. Ja disa shembuj: «Pakistani e ka humbur luftën kundër tuberkulozit.» «Tuberkulozi është kthyer me tërbim në Tailandë.» «Sot, tuberkulozi renditet midis shkaqeve kryesore të sëmundjeve dhe vdekjeve në Brazil.» «Tuberkulozi e ka mbërthyer keq popullsinë e Meksikës.» Në Rusi «shfaqjet e rasteve me TBC po rriten me shpejtësi». Në Etiopi «tuberkulozi bën kërdinë në gjithë vendin». «Afrika e Jugut ka nivelin më të lartë në botë të rasteve të regjistruara me TBC.»
Ndonëse në çdo 100 pacientë me TBC, 95 jetojnë në vendet më të varfra të botës, TBC-ja po përhapet edhe në vendet e pasura. Shtetet e Bashkuara përjetuan një rritje të shpejtë të rasteve të raportuara me TBC, në fillim të viteve 90. Gazetarja amerikane Valeria Gartsef vëren se TBC-ja «është kthyer edhe një herë për të goditur amerikanët». Në mënyrë të ngjashme, dr. Jap Brukmans, drejtor i Royal Netherlands TB Association, tha kohët e fundit se epidemia e TBC-së ka «filluar të keqësohet në Evropën Lindore dhe në disa pjesë të Evropës Perëndimore». S’është për t’u çuditur që revista Science, e 22 gushtit 1997, pohon se «tuberkulozi vazhdon të jetë një kërcënim serioz i shëndetit».
[Kutia në faqen 24]
Zbulohet projekti i TBC-së
Kohët e fundit kërkuesit arritën të dokumentonin të gjithë projektin gjenetik të bakterit të tuberkulozit (TBC). Kjo arritje shënon «një fazë të re në betejën kundër njërit prej grabitqarëve më të suksesshëm të njeriut»,—thotë dr. Daglas Jang, i Imperial College School of Medicine në Londër. Organizata Botërore e Shëndetësisë raporton se ky zbulim «mund të dalë i paçmueshëm në kërkimet e ardhshme për ilaçe dhe vaksina anti-TBC».—The TB Treatment Observer, 15 shtator 1998.
[Figurat në faqen 23]
Këto ilaçe të kombinuara mund t’i vrasin bacilet e TBC-së
[Burimet]
Foto e siguruar nga OBSH, Gjenevë
Foto: OBSH/Thierry Falise
[Figurat në faqen 24]
Duhen 100 $ për të kuruar një pacient
[Burimet]
Foto: OBSH/Thierry Falise
Foto e siguruar nga OBSH, Gjenevë
[Burimet e figurave në faqen 21]
Foto: OBSH/Thierry Falise
Foto e siguruar nga OBSH, Gjenevë
Foto: OBSH/Thierry Falise