BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 6/99 f. 16-17
  • Duke vizituar Gjirin e Dragoit Zbritës në Vietnam

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Duke vizituar Gjirin e Dragoit Zbritës në Vietnam
  • Zgjohuni!—1999
  • Material i ngjashëm
  • Gjiri i Peshkaqenëve​—Botë çudirash në ujë
    Zgjohuni!—2007
  • Zbulim në Red-Bei
    Zgjohuni!—2005
  • Akoja
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
  • Malta
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
Shih më tepër
Zgjohuni!—1999
g 6/99 f. 16-17

Duke vizituar Gjirin e Dragoit Zbritës në Vietnam

NJË mëngjes të nxehtë në Hanoi, ne i hipëm një autobusi dhe u nisëm 165 kilometra për në lindje, drejt njërit prej vendeve më piktoreske të Vietnamit, gjirit me famë botërore të Ha Longut ose Gjirit të Dragoit Zbritës. Kishim dëgjuar shpesh për madhështinë e gjirit, e cila të linte gojëhapur dhe tani, më në fund, po shkonim ta shihnim me sytë tanë.

Në mesditë autobusi ynë u ndal në cep të gjirit. Por ende nuk kishim mbërritur tamam në destinacionin tonë. Ajo çka e bën të famshëm gjirin Ha Long nuk janë vetëm ujërat e tij në ngjyrë të gjelbër si të smeraldit, por edhe bukuria natyrore e të 3.000 ishujve, të shpërndarë në një sipërfaqe prej 1.500 kilometrash katrorë. Duke qenë se çdo ishull është i pazakontë, ne dëshironim të vizitonim disa prej tyre. Kështu që i hipëm një motobarke dhe pas pak u përfshimë në një aventurë të paharrueshme.

Kishim rreth një orë që po lundronim, kur na doli përpara një gji idilik i rrethuar nga ishuj të vegjël. Lundërtarët hodhën spirancën. Ishte koha për një banjë çlodhëse në ujërat e freskëta, të gjelbërta si gur nefriti! Pllaquritjet tona tërhoqën shpejt një grup fëmijësh kureshtarë, që filluan të vozitnin me varkat e tyre të vogla për të na takuar. Fëmijët dhe familjet e tyre jetonin të gjithë në gji, në varka-shtëpi ose xhonka.

Ndoshta mund ta keni menduar që banorët e gjirit Ha Long janë peshkatarë. Por mund të mos keni menduar që ata praktikojnë, gjithashtu, një mjeshtëri që po humbet: bërjen e velave. Manuali i Majkëll Baklit Moon Travel Handbook on Vietnam thotë: «Ha Longu është nga vendet e pakta ku velat e xhonkave bëhen ende me dorë nga familjet e velabërësve. Copa të gjata pëlhure të ashpër qepen së bashku me fill mëndafshi dhe çdo tegel bëhet me dorë. Për të penguar kalbjen dhe mykjen, vela e përfunduar zhytet në një lëng që del nga një bimë ngjashëm panxharit e familjes së bimëve me zhardhok. Vela zhytet dhe thahet tri a katër herë, një proces që i jep asaj ngjyrën e kuqërremtë.»

A e keni pyetur veten se si e ka marrë gjiri Ha Long emrin Gjiri i Dragoit Zbritës? Neve nuk na zunë sytë ndonjë dragua gjatë udhëtimit tonë! Megjithatë mësuam se sipas legjendës, ishujt e gjirit Ha Long u krijuan nga një dragua i madh që jetonte në male. Libri The Lonely Planet Guidebook on Vietnam shpjegon: «Ndërsa [dragoi] vraponte përgjatë bregut, bishti i tij goditës hapte lugina dhe çarje të thella. Ndërsa zhytej në det, hapësirat e gërrmuara nga bishti u mbushën me ujë, duke lënë të dukeshin vetëm grimca të vendeve malore.»

Sigurisht, «përbindëshat» e vërtetë janë era dhe uji, të cilët i kanë modeluar këta ishuj në forma dhe madhësi të ndryshme. Për shembull, nëse përdorni imagjinatën, do të shikoni se Hon Ga Çoi, Ishullthi i Gjelit Luftarak, ngjan vërtet si dy gjela që luftojnë.

U kthyem në skelë në muzg, duke pritur tashmë me padurim eksplorimin e ditës pasuese. Ditën pasuese, pasi hëngrëm mëngjes, u nisëm me një varkë me vela për t’u hedhur një vështrim më nga afër disa prej shpellave ose guvave të asaj zone. Gjiri ishte mbuluar me mjegull, duke bërë që gjithçka të dukej misteriozisht e bukur. Vizituam disa shpella. Njëra prej tyre quhet Hang Dau Go, domethënë Guva e Hunjve të Drunjtë. Ajo përbëhet nga tri dhoma që lidhen me anë të 90 shkallareve. Si e mori shpella emrin e vet? Libri The Lonely Planet Guidebook on Vietnam shpjegon se «shpella e merr emrin e vet vietnamez nga dhoma e tretë, e cila mendohet të jetë përdorur gjatë shekullit të 13-të për të mbajtur hunjtë e mprehtë të bambusë, të cilët [heroi ushtarak vietnamez] Tran Hung Dao i ngulte në shtratin e lumit Bak Dang», që të zmbrapste trupat pushtuese të Kublai Kanit.

U ngjitëm në shpellë dhe u kthyem të soditnim pamjen poshtë nesh. Ajo që pamë qe vërtet e mahnitshme. Shpejt, aparatin! Stalaktitet e shpellës në plan të parë dhe varka jonë që lëkundej lehtë në gjirin ngjyrë gurkali në sfond na jepnin mundësinë për të bërë një fotografi të shkëlqyer! Gjiri Ha Long është me të vërtetë parajsa e fotografit dhe ëndrra e artistit.

Më vonë gjatë ditës i hipëm një motoskafi të vogël për t’i hedhur një vështrim më nga afër një ishulli të madh. Befas, u gjendëm në errësirë të plotë. Ishte sikur mali të na kishte përpirë krejtësisht! Po kalonim përmes një guve. Megjithatë s’kaloi shumë dhe u gjendëm në anën tjetër. Çuditërisht, pamë se ishim në një liqen të madh. Në çdo anë shtriheshin shpate të larta prej guri gëlqeror. Pamë bimësinë që kacavirrej shpateve të malit. Varkëtari shuajti motorin. Qetësia ndërpritej vetëm nga thirrjet e zogjve. Kujtimet e atij momenti të paqtë nuk do të na ndahen për një kohë të gjatë.

Pa e kuptuar, kishte ardhur koha të bënim udhëtimin e kthimit për në Hanoi. Ekskursioni ynë nuk qe dhe aq i gjatë. Gjithsesi, po merrnim me vete shumë kujtime: kreshtat e thepisura të ishullit, xhonkat me vela dhe veçanërisht gjirin Ha Long, i cili është vetëm një shembull i bukurisë së Vietnamit.

Ne presim me padurim të shikojmë vende të tjera interesante në këtë tokë të bukur. Falënderojmë Krijuesin, Perëndinë Jehova, që na ka siguruar këtë shumëllojshmëri dhe bukuri në krijim dhe që na ka premtuar se një ditë e gjithë toka do të jetë po aq e paprishur sa gjiri Ha Long. —Nga një bashkëpunëtor.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo