Eksplorimi i bukurisë shekullore të drurit
Nga korrespondenti i Zgjohuni! në Zelandën e Re
DRURI, e në veçanti ai i varieteteve vendase, po bëhet gjithnjë e më i rrallë. Pyjet po zhvishen me një shpejtësi alarmuese në shumë vende të botës. Mungesa e lëndës drusore sjell si pasojë çmime marramendëse për drurin, një nga komoditetet bazë të botës e që më përpara gjendej me bollëk.
Është ironike se këtu në Zelandën e Re, ka plantacione lulëzuese të pishës së Montrejit, që u fut në vend në vitet 30, e megjithatë kolonitë e pemëve indigjene, siç janë: rimu, kauri, ahu dhe kahikatea po zhduken.
Tërheqja e përjetshme e drurit të fortë
Për mijëra vjet, njeriut i ka pëlqyer t’i japë formë drurit në të gjitha llojet e sendeve të dobishme. Ngjyra, shtresat e veçanta fibrore e madje edhe era që mbajnë shumica e llojeve të drurëve i kanë kënaqur shpesh njerëzit. Sende me përdorime nga më të ndryshmet i kanë plotësuar dëshirat e njerëzve vit pas viti dhe në disa raste shekull pas shekulli.
Orenditë prej druri të fortë janë përdorur nëpër shtëpi që nga kohët më të hershme. Duke përdorur vegla primitive, burrat dhe gratë kanë shfaqur talentin dhe mjeshtërinë e tyre në ndërtimin e gjërave të tilla bazë, si: tavolina, tasa, stola, fuçi, sëndukë dhe karrige.
Teknologjia moderne e ka rritur shpejtësinë me të cilën ndërtohen këto sende sot. Mjetet elektrike si: sharrat, trapanot, planat dhe makinat smeriluese mund ta përpunojnë me rendiment, edhe pse disi me zhurmë, drurin si lëndë të parë në orendi të forta prej druri. Shumica e vendeve mund të mburren për kombinatet e përpunimit të drurit, të cilat nxjerrin orendi në seri me çmime të arsyeshme.
Por këtyre orendive shpesh u mungon qëndrueshmëria, ngaqë: (1) zëvendësuesit (kompensatë druri, tallash druri) zënë vendin e drurit të fortë ose (2) teknikat në mobileri mbështeten në ndërtimin me shpejtësi, duke përdorur kllapa metalike, vida ose gozhda.
Rikthim te sqepari
Në përpjekje për të kapërcyer të metat në dukje të teknologjisë moderne, disa po provojnë të përdorin një vegël të lashtë të përpunimit të drurit: sqeparin. Ky përkufizohet si «një vegël prerëse që ka një pllakë të metaltë me teh të kthyer nga njëra anë dhe me bisht të shkurtër druri që përdoret kryesisht për të gdhendur». Në Zelandën e Re, popullsia maori përdorte sqeparë prej nefriti ( zhadeiti) për të latuar kanoe dhe për t’i dhënë formë shkopinjve të përdorur për gdhendje. Por, pjesa më e madhe e sqeparëve sot janë prej metali.
Në shekujt e kaluar, karpentierët e përdornin sqeparin për të ndrequr dhe për të niveluar strukturat prej druri në shtëpi dhe në ndërtimin e anijeve. Ata i përpunonin dërrasat, duke i mbajtur mes këmbëve dhe duke përdorur tehun e kthyer të sqeparit për të rrafshuar dhëmbëzimet ose zgavrat e futura në sipërfaqe të drurit.
Shoqja e saj e punës: rasketa
Një vegël tjetër e domosdoshme, rasketa, shërben për t’i shtuar orendisë bukurinë që ende nuk është rafinuar dhe si shoqe pune e sqeparit. Kjo përdoret për t’i dhënë formë anëve ose faqeve të drurit. Si sqepari, ashtu edhe rasketa duhen mbajtur të mprehta brisk.
Pasi të jeni pajisur me këto vegla, hapat e tjerë janë kërkimi për lëndë të parë të përshtatshme dhe pastaj transformimi i kësaj lënde të parë në çfarëdo lloj sendi ose orendie që dëshironi. Pikërisht këtu, për marangozët, stili i vjetër jo i rafinuar i bërjes së orendive ka përparësi të konsiderueshme mbi teknikat më të përdorura të përpunimit të drurit.
Dërrasave të saposharruara, me kusht që të jenë të thata dhe jo të shtrembëra ose të harkuara, mund t’u jepet forma e një orendie që është e fortë dhe e bukur. Këto dërrasa mund të merren nga një sërë burimesh: mobilje të hedhura (dollapë rrobash, koka krevati, suprina tavolinash), arka të vjetra ambalazhi, trarë nga ndërtesa të shembura dhe hunj të vjetër gardhi.
Druri i ripërdorur: Një shans i ri për të jetuar
Druri i staxhionuar që nuk është prekur nga krimbi i drurit ose nuk është i prishur mund të rigjallërohet, duke rimarrë ngrohtësi dhe bukuri në duart e një mjeshtri.
Njollat, vrimat e gozhdëve dhe zgavrat mund të krijojnë tipare të jashtëzakonshme në drurin e ripërdorur për të bërë orendi. Nëse lihet në formën e tij natyrale ose ngjyroset dhe lustrohet, sendi që keni punuar me dorë do të sjellë kënaqësi dhe lumturi si diçka e bërë mirë dhe e qëndrueshme.
Ashtu siç ndodh me kopshtarin që punon dheun, me poçarin që punon argjilën dhe me tjerrësin që tjerr fibrat natyrale, marangozi që modelon dhe i jep formë një cope druri, duke përdorur një sqepar ose një rasketë, ka shpërblimin e vet. Patjetër që është një punë e vështirë. Patjetër që do të hajë më shumë kohë sesa me metodat moderne. Por, mendimi se mundimi juaj do të jetë burim kënaqësie për ju dhe se orendia e punuar me mjeshtëri do të përdoret për vite të tëra nga ai që do ta marrë, i kontribuon gëzimit shekullor që provohet nga punimi me drurin.
Të dhëna mbi teknikën
Gjithsesi, sqepari nuk është vegla ideale për t’u përdorur me çdo lloj druri. Shtresat fibrore që gjenden në drurët e fortë tropikalë zakonisht i rezistojnë goditjes së tehut të sqeparit. Në përgjithësi, druri më i butë, me përbërje të njëtrajtshme të shtresave fibrore reagon më mirë ndaj sqeparit. Nyjet nuk janë medoemos një problem. Duke përdorur një daltë të lugët (daltë e harkuar) ju mund t’i gërryeni ose t’i hiqni këto nyje, duke krijuar një tipar të veçantë në sipërfaqen e drurit ku po punoni.
Disa nga ngjyrat më të mira shpesh gjenden në dërrasat që sharrohen nga zemra e pemës. Orenditë e bëra nga këto dërrasa rrallëherë kanë nevojë për bojë. Megjithatë, nëse doni t’i jepni hije dhe karakter një druri të thjeshtë, ka një gamë të gjerë bojërash që mund t’i përshtaten preferencës suaj.
Gjithsesi, edhe ky proces nuk ka pse të jetë i kushtueshëm. Disa e kanë fërkuar drurin me ngjyrë të lehtë ose të hapët me lubrifikues automjetesh dhe kanë parë se ai e shton shumë mirë bukurinë e sendit të punuar me dorë.
Për t’i dhënë dorën e fundit krijimit tuaj, ka një sërë poliuretanesh ose llaqesh që mund të aplikohen me spruco ose me furçë mbi orendinë. Për një dorë të fundit më natyrale që e ushqen drurin në vend se t’i zërë frymën, ju mund t’i aplikoni drurit një vaj polirues të bërë nga këto përbërës: pesë pjesë uthull, katër pjesë terpentinë, dy pjesë vaj liri të papërpunuar dhe një pjesë alkoole të metiluara. Shkrini pak dyll bletësh në këtë përzierje dhe lëreni për disa ditë që ta thithë druri.
Mjeshtëri që të kënaq
Orenditë prej druri të fortë që janë punuar me mjeshtëri nga duart tuaja do të jenë gjithnjë tërheqëse, të vendosura në këndin e preferuar të shtëpisë, sado të thjeshta të jenë. Në mbarë botën, nëpër vila dhe shtëpi verimi, mund të gjenden shumë modele mahnitëse, të cilat disa herë ndodhen aty prej shekujsh, të mjeshtërisë së marangozëve. Këto janë me siguri një dëshmi për aftësinë, zellin dhe durimin e këtyre njerëzve. Ata gjetën kënaqësi dhe lumturi nga bërja e orendive që, nëse ruhen me dashuri, sjellin vlerë praktike dhe bukuri. Këto orendi u shtojnë një veçanti individualiteti banesave që zbukurojnë.
Në këtë epokë, e cila po bëhet gjithnjë e më e mbytur me produkte plastike dhe rrëshire të presuar, dhurata e drurit që na ka bërë Krijuesi shërben ende për shumë qëllime të dobishme. Një nga këto qëllime është sigurimi i drurit si lëndë e parë që e tërheq marangozin e zellshëm për ta transformuar në një orendi të bukur druri.
[Figurat në faqen 23]
Rimu
Taua
Lis
Pisha e Montrejit
Pishë e lustruar
Pishë e lubrifikuar
Pishë e lyer me ngjyrë të errët
[Figurat në faqen 24]
Përdorimi i sqeparit
dhe i rasketës
[Figura në faqen 25]
Dollap i bërë me dorë
[Figura në faqen 25]
Raft këndi