BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 11/98 f. 16-19
  • Gutenbergu: Sa e pasuroi botën!

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Gutenbergu: Sa e pasuroi botën!
  • Zgjohuni!—1998
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Majnci i artë
  • Gjenialiteti i Gutenbergut dhe financimi i Fustit
  • I futet punës
  • Shtypja e kryeveprës
  • Rrënim financiar
  • Trashëgimia e Gutenbergut
  • Kopje të ruajtura të Biblës Gutenberg
  • Një libër i pashoq
    Zgjohuni!—2007
  • Libri më i shpërndarë në botë
    1997 Një libër për të gjithë njerëzit
  • Një vështrim rreth botës
    Zgjohuni!—1998
  • Të ndërtojmë çmueshmërinë për videokasetën Bibla: Libri më i vjetër modern i njerëzimit
    Shërbimi ynë i Mbretërisë—2001
Shih më tepër
Zgjohuni!—1998
g 11/98 f. 16-19

Gutenbergu: Sa e pasuroi botën!

NGA KORRESPONDENTI I ZGJOHUNI! NË GJERMANI

CILA shpikje e njëmijë vjetëve të kaluar ka ndikuar më shumë mbi jetën tuaj? Telefoni, televizori apo automobili? Ndoshta asnjë prej këtyre. Sipas shumë specialistëve, ka qenë shtypi i mekanizuar. Njeriu të cilit i jepet merita për shpikjen e metodës së parë praktike, është Johanes Gensfleish zur Laden, i njohur më mirë si Johanes Gutenberg. Ai vinte nga një familje aristokrate e prandaj nuk iu desh të bënte një stazh të rregullt pune si nxënës.

Shpikja e Gutenbergut është përshkruar si «kontributi i madh gjerman për civilizimin». Secila prej kopjeve të ruajtura të kryeveprës së tij të shtypit, e ashtuquajtura Bibla Gutenberg me 42 rreshta, vlen sa qimet e kokës.

Majnci i artë

Gutenbergu lindi në Majnc më ose rreth vitit 1397. Majnci, i vendosur në brigjet e lumit Ren, atëherë ishte një qytet me 6.000 banorë. Njihej si Majnci i artë, pasi ishte qendra e një lige të fuqishme qytetesh. Kryepeshkopët në Majnc ishin zgjedhës të Perandorisë së Shenjtë Romake. Majnci ishte i famshëm për arpunuesit. Johanesi i ri mësoi shumë mbi përpunimin e metaleve, duke përfshirë edhe shtypjen e relievit të shkronjave në metal. Për shkak të zënkave politike, ai shkoi në mërgim për disa vjet në Strasburg, ku u angazhua dhe mësoi prerjen e gurëve të çmuar. Por ajo që i zinte pjesën më të madhe të kohës ishte puna e tij e fshehtë mbi një shpikje të re. Gutenbergu u përpoq ta përsoste artin e shtypjes së mekanizuar.

Gjenialiteti i Gutenbergut dhe financimi i Fustit

Gutenbergu u kthye në Majnc dhe vazhdoi eksperimentet e tij. Për financim, ai iu drejtua Johan Fustit, i cili i dha hua 1.600 gulden, një shumë luksoze në një kohë kur një zejtar i aftë fitonte vetëm 30 gulden në vit. Fusti ishte një afarist i shkathët, i cili pa përfitimin në këtë sipërmarrje. Çfarë lloj sipërmarrjeje kishte ndër mend Gutenbergu?

Syri i mprehtë i Gutenbergut vërente se disa sende prodhoheshin në sasi të mëdha, por secili prej tyre ishte identik me tjetrin. Për shembull priheshin monedha dhe fishekët derdheshin në metal. Prandaj, përse të mos shtypeshin qindra fletë identike të shkruara dhe pastaj të mblidheshin fletët në një rregull numerik në libra identikë? Cilët libra? Ai mendoi për Biblën, një libër kaq i kushtueshëm, saqë vetëm pak të privilegjuar kishin kopje personale. Gutenbergu vuri si qëllim prodhimin e një numri të madh Biblash identike, duke i bërë ato shumë më të lira për t’u blerë sesa kopjet e shkruara me dorë, pa sakrifikuar aspak bukurinë e tyre. Si do të bëhej kjo?

Shumica e librave kopjoheshin me dorë, gjë që kërkonte zell dhe kohë. Ishte provuar të bëhej shtypja me blloqe druri të gdhendura me dorë, ku secila përmbante një faqe të shkruar. Një kinez i quajtur Pi Sheng kishte bërë madje edhe shkronja të veçuara prej argjile që t’i përdorte për shtyp. Në Kore, në një tipografi të shtetit ishin përdorur shkronja bakri. Por shtypja me shkronja të lëvizshme, shkronja të bëra veças që mund të rregulloheshin për çdo faqe të re, kërkonte sasi të mëdha shkronjash dhe asnjeri nuk kishte gjetur një mënyrë se si t’i bënte ato. Kjo ishte rezervuar për Gutenbergun.

Si një metalpunues me përvojë, ai kuptoi se shtypja mund të bëhej më mirë me shkronja të lëvizshme jo të bëra prej argjile ose druri, por prej metali. Ato do të derdheshin në një formë e jo të gdhendeshin ose të piqeshin në një furrë. Gutenbergut i duheshin forma që mund të përdoreshin për të derdhur të 26 germat e alfabetit të tij, të mëdha e të vogla, plus germat e përbëra, shenjat e pikësimit, shenjat e tjera dhe numrat. Gjithsej, ai përllogariti se duheshin 290 simbole të ndryshme, ku për secilin duheshin duzina kopjesh.

I futet punës

Gutenbergu zgjodhi si stil për librin e tij shkrimin gotik në gjuhën latine, i cili përdorej nga murgjit për të kopjuar Biblën. Duke përdorur përvojën e vet në përpunimin e metalit, ai gdhendi mbi një bllok të vogël çeliku modelin pasqyror të stampuar të çdo shkronje dhe simboli, domethënë, një model në reliev mbi sipërfaqen prej çeliku. (Figura 1) Ky kallëp prej çeliku u përdor për ta presuar modelin në një copë të vogël metali më të butë, qoftë prej bakri ose tunxhi. Rezultati ishte modeli real i shkronjës, i zhytur në metalin më të butë, e quajtur matricë.

Faza tjetër përfshinte një formë derdhjeje, e cila ishte produkt i gjenialitetit të Gutenbergut. Forma ishte në masën e grushtit të njeriut dhe ishte e hapur në skajin e sipërm dhe të poshtëm. Matrica për një shkronjë fiksohej në skajin e poshtëm të formës dhe nga skaji i sipërm hidhej një aliazh i shkrirë. (Figura 2) Aliazhi i përbërë nga: kallaji, plumbi, antimoni dhe bismuti, ftohej dhe ngurtësohej me shpejtësi.

Aliazhi i hequr nga forma mbante në njërin skaj një model të përmbysur në reliev dhe quhej germë tipografike. Procesi përsëritej derisa të prodhohej sasia e kërkuar e copëve të asaj shkronje. Pastaj matrica hiqej nga forma dhe zëvendësohej me matricën e shkronjës tjetër. Në këtë mënyrë mund të prodhohej çfarëdo sasie copësh të germave tipografike për çdo shkronjë e simbol brenda një kohe të shkurtër. Të gjitha germat kishin gjatësi uniforme, pikërisht siç i kishte kërkuar Gutenbergu.

Tani mund të fillonte shtypja. Gutenbergu zgjodhi një fragment nga Bibla që dëshironte të kopjonte. Me një pllakë radhimi në dorë, ai përdori germat tipografike për të formuluar fjalët dhe pastaj fjalët i radhiti në rreshta teksti. (Figura 3) Çdo rresht formatohej nga të dyja anët, me një fjalë bëhej që të kishte një gjatësi uniforme. Duke përdorur një faqosëse, ai i radhiti rreshtat në një kolonë teksti, duke bërë dy kolona për çdo faqe. (Figura 4)

Kjo faqe teksti fiksohej në pozicion në shtratin e sheshtë të një makine shtypi dhe lagej me bojë të zezë. (Figura 5) Makina e shtypit, e ngjashme me ato që përdoreshin për bërjen e verës, e transferonte bojën nga germa në një letër. Rezultati ishte një faqe e shtypur. Përdoreshin përsëri bojë e letër dhe procesi përsëritej derisa të shtypej numri i kërkuar i kopjeve. Meqë germa ishte e lëvizshme, ajo mund të përdorej përsëri për të faqosur një faqe tjetër.

Shtypja e kryeveprës

Punishtja e Gutenbergut, me 15 deri në 20 punonjës, e përfundoi Biblën e parë të shtypur në vitin 1455. U bënë rreth 180 kopje. Secila Bibël kishte 1.282 faqe me nga 42 rreshta për faqe, shtypur në dy kolona. Pikturimi zbukurues me dorë i titujve dhe i shkronjës së parë të çdo kapitulli, si dhe lidhja e librave, pasi çdo Bibël përbëhej nga dy vëllime, u bënë më vonë nga zejtarë të tjerë, jo në punishten e Gutenbergut.

A mund ta imagjinojmë se sa copë germash tipografike duheshin për të shtypur një Bibël? Secila faqe përmban rreth 2.600 simbole. Duke supozuar se Gutenbergu kishte gjashtë radhitës, ku secili punonte me tre faqe njëherësh, do të ishin dashur 46.000 copë. E kuptojmë menjëherë se forma e derdhjes e Gutenbergut përbënte çelësin për shtypjen me shkronja të lëvizshme.

Njerëzit shtangeshin kur krahasonin Biblat: çdo fjalë gjendej në të njëjtin pozicion. Kjo gjë ishte e pamundur në dokumentet e shkruara me dorë. Guentar S. Vegener shkruan se Bibla me 42 rreshta kishte «një uniformitet, simetri, harmoni dhe bukuri të atillë, saqë tipografët gjatë gjithë kohërave janë mahnitur nga kjo kryevepër».

Rrënim financiar

Por Fusti ishte më pak i interesuar në bërjen e një kryevepre sesa në bërjen e parave. Rentabiliteti i investimeve të tij po zgjaste më shumë se ç’pritej. Ortakët u larguan dhe në vitin 1455, pikërisht ndërsa po përfundoheshin Biblat, Fusti ndaloi dhënien e huasë. Gutenbergu nuk qe në gjendje t’i kthente huanë dhe humbi gjyqin e bërë për këtë çështje. Atë e detyruan t’i jepte Fustit të paktën disa nga pajisjet e tij për shtypjen dhe germat tipografike për Biblat. Fusti hapi një tipografi të tijën bashkë me vartësin e aftë të Gutenbergut, Peter Shoefer. Biznesi i tyre, «Fust dhe Shoefer», mori famën që në fakt i përkiste Gutenbergut dhe u bë tipografia e parë në botë që doli me sukses tregtar.

Gutenbergu u përpoq ta vazhdonte punën e tij, duke ngritur një tipografi tjetër. Disa studiues i atribuojnë atij materiale të tjera të shtypura që datojnë në shekullin e 15-të. Por, asgjë tjetër nuk arriti madhështinë dhe shkëlqimin e Biblës me 42 rreshta. Në vitin 1462 atë e goditi përsëri një ngjarje hidhëruese. Si rezultat i një lufte për pushtet brenda hierarkisë katolike, Majnci u dogj dhe u plaçkit. Gutenbergu humbi punishten e tij për herë të dytë. Ai vdiq gjashtë vjet më vonë, në shkurt të vitit 1468.

Trashëgimia e Gutenbergut

Shpikja e Gutenbergut u përhap me shpejtësi. Në vitin 1500 kishte tipografi në 60 qytete gjermane dhe në 12 vende të tjera evropiane. «Zhvillimi i shtypit ishte baras me një revolucion komunikimi,—pohon The New Encyclopædia Britannica.—Përgjatë 500 vjetëve që pasuan u bë një numër i madh përmirësimesh në mekanizmat e shtypjes, por proceset themelore në thelb mbetën të njëjtat.»

Shtypi e transformoi jetën evropiane, meqë njohuria nuk rezervohej më vetëm për të privilegjuarit. Lajmet dhe informacioni filluan të mbërrinin te njeriu i zakonshëm, i cili u bë më i vetëdijshëm për rrjedhën e ngjarjeve përreth tij. Shtypi e bëri të nevojshme që secilës gjuhë kombëtare t’i jepej një formë standarde të shkruari, të cilën mund ta kuptonte gjithsecili. Kështu, gjuhët angleze, frënge dhe gjermane u standardizuan dhe u ruajtën. Kërkesa për material leximi u rrit në mënyrë fantastike. Para kohës së Gutenbergut, në Evropë kishte disa mijëra dorëshkrime, por 50 vjet pas vdekjes së tij kishte miliona libra.

Reforma e shekullit të 16-të as nuk do të kishte filluar pa shtypjen e mekanizuar. Bibla u përkthye në gjuhët: angleze, çeke, frënge, gjermane, holandeze, italiane, polake e ruse dhe makina e shtypit e lehtësoi punën e botimit të dhjetëra mijë kopjeve. Martin Luteri e vuri në përdorim makinën e shtypit për të përhapur mesazhin e tij. Ai ia doli mbanë aty ku të tjerët, që kishin jetuar para makinës së shtypit të Gutenbergut, kishin dështuar. Nuk habitemi që Luteri e përshkroi makinën e shtypit si mënyrën e Perëndisë «për ta përhapur fenë e vërtetë në mbarë botën»!

Kopje të ruajtura të Biblës Gutenberg

Sa Bibla Gutenberg janë ruajtur? Deri kohët e fundit besohej se ishin 48 të tilla, disa prej tyre të papërfunduara, të shpërndara nëpër Evropë dhe në Amerikën e Veriut. Një nga kopjet më elegante është një Bibël në pergamenë në Bibliotekën e Kongresit në Uashington, D.C. Pastaj, në vitin 1996 u bë një zbulim sensacional: një pjesë tjetër e Biblës Gutenberg u zbulua në arkivin e një kishe në Rendsburg, Gjermani.—Shiko Zgjohuni!, janar 1998, faqe 29.

Sa mirënjohës duhet të jemi që Bibla tani është në dispozicion të kujtdo! Sigurisht, kjo nuk do të thotë se mund të shkojmë diku e të blejmë një Bibël Gutenberg me 42 rreshta! Çfarë vlere në para ka një Bibël e tillë? Muzeu Gutenberg në Majnc bleu një kopje në vitin 1978 për 3,7 milionë marka gjermane (që sot përbëjnë 2 milionë dollarë). Kjo Bibël tani vlen disa herë sa ajo shumë parash.

Çfarë e bën të pashoqe Biblën Gutenberg? Profesori Helmut Preser, ish-drejtor i Muzeut Gutenberg, na jep tri arsye. Së pari, Bibla e Gutenbergut ishte libri i parë që shtypej në Perëndim me shkronja të lëvizshme. Së dyti, ishte Bibla e parë që shtypej ndonjëherë. Së treti, ajo ka një bukuri marramendëse. Profesori Preser shkruan se në Biblën Gutenberg shohim «shkrimin gotik në kulmin e tij absolut».

Njerëzit e të gjitha kulturave i detyrohen gjenialitetit të Gutenbergut. Ai lidhi së bashku formën e derdhjes, aliazhin e metaleve, bojën dhe makinën e shtypit. Ai e mekanizoi shtypin dhe e pasuroi botën.

[Figurat në faqet 16, 17]

1. Një kallëp prej çeliku u përdor për ta presuar modelin e shkronjës në matricën prej bakri

2. Aliazhi i shkrirë u hodh në formën e derdhjes. Pasi aliazhi ftohej, germa tipografike e përftuar mbante një model pasqyror të shkronjës

3. Germa tipografike vendosej në një pllakë radhimi për të formuluar fjalë, duke formuar një rresht teksti

4. Rreshtat radhiteshin në kolona në një faqosëse

5. Faqja e tekstit vendosej në shtratin e sheshtë të makinës së shtypit

6. Një gdhendje në një pllakë bakri që paraqet Gutenbergun, e cila daton në vitin 1584

7. Sot një kopje e Biblës Gutenberg vlen miliona dollarë

[Burimet]

Pikturat 1-4, 6 dhe 7: Muzeu Gutenberg, Majnc; piktura 5: Me mirësjellje nga Shoqëria Biblike Amerikane

[Burimi i figurës në faqen 16]

Sfondi: Me lejen e Bibliotekës Britanike/Bibla Gutenberg

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo