Fotografia nga Stringer/Getty Images
QËNDRONI VIGJILENTË!
Lufta në Lindjen e Mesme—Çfarë thotë Bibla?
Bota po ndjek gjithë ankth konfliktin që ka përfshirë Shtetet e Bashkuara, Izraelin dhe Iranin. A do të përshkallëzohet situata duke përfshirë edhe vende të tjera? A do të munden qeveritë t’i ndalojnë konfliktet e dhunshme dhe të vendosin paqe të qëndrueshme në tokë?
Ata që kanë dëgjuar për profecitë e Biblës mbase pyesin veten nëse ky konflikt në Lindjen e Mesme mund të jetë fillimi i betejës së Armagedonit, që përmendet në librin e Zbulesës.
Çfarë thotë Bibla?
A do t’i japin fund luftës në Lindjen e Mesme qeveritë?
Bibla thotë: «Mos kini besim te princat, as te ndonjë bir njeriu që nuk sjell dot shpëtim.»—Psalmi 146:3.
Koha do ta tregojë nëse qeveritë do të arrijnë të vendosin njëfarë paqeje në Lindjen e Mesme. Gjithsesi, Bibla e thotë qartë se asnjë lider politik, asnjë qeveri njerëzore apo grup nuk mund t’u japë fund luftërave dhe të sjellë paqe të qëndrueshme. Vetëm Perëndia është në gjendje ‘të shuajë luftërat anembanë tokës’.—Psalmi 46:9.
Që të mësosh më shumë, lexo revistën Kulla e Rojës me titull: «Një botë pa luftë—Si do të bëhet realitet?»
A përmbush profecitë lufta në Lindjen e Mesme?
Bibla thotë: «Do të dëgjoni të flitet për luftëra dhe lajme luftërash. . . . Do të ngrihet komb kundër kombi dhe mbretëri kundër mbretërie.»—Mateu 24:6, 7.
Konflikti aktual në Lindjen e Mesme është provë e mëtejshme se po jetojmë në ‘përfundimin e sistemit’, periudhë që Bibla i referohet edhe si «ditët e fundit». (Mateu 24:3; 2 Timoteut 3:1) Luftërat që shohim sot tregojnë se së shpejti Perëndia do të ndërhyjë për t’u dhënë fund luftërave dhe problemeve të tjera që mundojnë njerëzimin.
Që të mësosh më shumë, lexo artikullin: «Çfarë është shenja e ‘ditëve të fundit’ ose e ‘mbarimit të kohës’?»
A do të fillojë Armagedoni në Lindjen e Mesme?
Bibla thotë: «Ato i mblodhën mbretërit së bashku në vendin që në hebraisht quhet Armagedon.»—Zbulesa 16:16.
Lufta e Armagedonit nuk është një luftë mes qeverive njerëzore që fillon në Lindjen e Mesme. Është një luftë globale mes gjithë qeverive njerëzore dhe Perëndisë.
Që të mësosh më shumë, lexo artikullin: «Çfarë është beteja e Harmagedonit?»
Çfarë mund të na ndihmojë të përballojmë kohët e ankthshme?
Bibla thotë: «Mos jini në ankth për asgjë, por për çdo gjë, bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja me lutje, përgjërime dhe falënderime.»—Filipianëve 4:6.
Perëndia Jehovaa na fton t’i lutemi. Ngaqë Ai merakoset për ne, do të na i dëgjojë lutjet dhe do të na ndihmojë të përballojmë ankthet. (1 Pjetrit 5:7) Këtë e bën, për shembull, duke na ndihmuar të kuptojmë pse kemi luftëra, si do të marrin fund ato dhe si do t’i zhbëjë ai dhimbjet e vuajtjet tona.—Zbulesa 21:3, 4.
Që të mësosh më shumë se si na ndihmon Perëndia, lexo artikullin: «A mund të më sjellë lehtësim Bibla?»
a Jehova është emri i Perëndisë.—Psalmi 83:18.