QËNDRONI VIGJILENTË!
Çfarë do të thotë të jesh i krishterë?—Çfarë thotë Bibla?
Sot shumë njerëz anekënd botës e thonë me krenari se janë të krishterë; por nga ana tjetër, i lëndojnë të tjerët me mënyrën si sillen. Disa janë egoistë, mashtrues ose të ligj. Të tjerë tradhtojnë bashkëshortët. Sjellja e tyre i shtyn disa të mendojnë: «Çfarë do të thotë të jesh vërtet i krishterë?»
Çfarë do të thotë të jesh vërtet i krishterë
Është kollaj që dikush të thotë se është i krishterë. Por kaq nuk mjafton. Sipas Biblës, një i krishterë është dishepull i Jezu Krishtit. (Veprat 11:26) Vetë Jezui tha: «Nëse i zbatoni gjithmonë fjalët e mia, jeni vërtet dishepujt e mi.» (Gjoni 8:31) Kuptohet, askush nuk mund t’u bindet me përsosmëri fjalëve të Jezuit. Ama, një i krishterë bën çmos të zbatojë mësimet e Jezuit dhe të jetojë çdo ditë në një mënyrë që pasqyron vlerat e tij. Ja disa shembuj.
Të krishterët tregojnë dashuri altruiste
Çfarë tha Jezui: «Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin. Ashtu si ju kam dashur unë, ta doni edhe ju njëri-tjetrin. Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi: nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.»—Gjoni 13:34, 35.
Çfarë bëri Jezui: Ai tregoi dashuri altruiste ndaj të gjithëve, pavarësisht nga prejardhja ose pozita e tyre shoqërore. Shëroi të sëmurët, ushqeu të uriturit e madje dha jetën për të tjerët.—Mateu 14:14-21; 20:28.
Si sillen të krishterët: Të krishterët tregojnë dashuri altruiste duke qenë bujarë, të paanshëm dhe falës. I ndihmojnë ata që kanë nevojë dhe janë të gatshëm të bëjnë sakrifica për të tjerët.—1 Gjonit 3:16.
Të krishterët janë të ndershëm
Çfarë tha Jezui: «Unë jam . . . e vërteta.»—Gjoni 14:6.
Çfarë bëri Jezui: Jezui ishte i vërtetë në gjithçka thoshte e bënte. Ai kurrë nuk i manipuloi të tjerët e as nuk përdori një të folur mashtrues. Jezui njihej si njeri i ndershëm, edhe kur kjo e bëri shënjestër të kundërshtimit.—Mateu 22:16; 26:63-67.
Si sillen të krishterët: Të krishterët nuk gënjejnë. Ata paguajnë taksat, nuk vjedhin dhe janë punëtorë të ndërgjegjshëm duke mos i vjedhur kohën punëdhënësit. (Romakëve 13:5-7; Efesianëve 4:28) Nuk i mashtrojnë të tjerët, nuk kopjojnë në teste dhe as falsifikojnë informacionet në CV ose në dokumente të tjera të ngjashme.—Hebrenjve 13:18.
Të krishterët shfaqin mirësi
Çfarë tha Jezui: «Ejani tek unë, të gjithë ju që po robtoheni dhe që jeni të ngarkuar, e unë do t’ju freskoj. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, se jam me natyrë të butë e i përulur në zemër, dhe ju do të gjeni freskim për shpirtin, sepse zgjedha ime është e këndshme dhe ngarkesa ime është e lehtë.»—Mateu 11:28-30.
Çfarë bëri Jezui: Jezui ishte i afrueshëm dhe i butë. Ai i priste me ngrohtësi fëmijët, ngushëllonte të dëshpëruarit dhe i trajtonte të tjerët me dinjitet.—Marku 10:13-15; Luka 9:11.
Si sillen të krishterët: Të krishterët u flasin me mirësi të tjerëve; nuk janë të vrazhdë e as përdorin të folur abuziv. (Efesianëve 4:29, 31, 32) Ata interesohen për të tjerët dhe kërkojnë mundësi për t’i ndihmuar.—Galatasve 6:10.
Të krishterët i qëndrojnë besnikë bashkëshortit
Çfarë tha Jezui: «Atë që Perëndia e ka bashkuar, asnjeri të mos e ndajë.»—Marku 10:9.
Çfarë bëri Jezui: Edhe pse Jezui nuk u martua kurrë, i nxiti të martuarit të jenë besnikë ndaj njëri-tjetrit. (Mateu 19:9) Ai i paralajmëroi për veprimet që mund t’u prishin martesën.—Mateu 5:28.
Si sillen të krishterët: Të krishterët nuk veprojnë në një mënyrë që çnderon martesën. (Hebrenjve 13:4) Bashkëshortët e trajtojnë njëri-tjetrin me dashuri dhe respekt.—Efesianëve 5:28, 33.