Fotografi nga NASA
QËNDRONI VIGJILENTË!
A ka një qeveri stabël që mund të udhëheqë tokën?—Çfarë thotë Bibla?
Anekënd botës situata politike nuk është e qëndrueshme. Edhe ato shtete që duket sikur kanë një qeveri stabël, janë tronditur nga skandale të politikanëve, diferenca të ngushta votash gjatë zgjedhjeve, përçarje politike dhe trazira civile.
Bibla zbulon se ekziston një qeveri stabël. Me siguri edhe ti ke dëgjuar për këtë qeveri. Është ajo që përmendi Jezu Krishti në lutjen e tij model.
«Ju lutuni në këtë mënyrë: ‘Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt! Ardhtë Mbretëria jote! U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë!’»—Mateu 6:9, 10.
Çfarë thotë Bibla për këtë Mbretëri?
Mbretëria—Një qeveri stabël
Mbretëria qeveris nga qielli.
Jezui e quajti këtë qeveri «Mbretëria e qiejve». (Mateu 4:17; 5:3, 10, 19, 20) Ja pse tha: «Mbretëria ime nuk është pjesë e kësaj bote.»—Gjoni 18:36.
Mbretëria do të zëvendësojë qeveritë që drejtohen nga njerëzit.
Bibla thotë: «Kjo mbretëri . . . do të thërrmojë e do t’u japë fund të gjitha këtyre mbretërive [njerëzore], dhe vetëm ajo do të qëndrojë përgjithmonë.»—Danieli 2:44.
Mbretëria, me Jezu Krishtin si Mbret, nuk do të shkatërrohet kurrë.
Bibla thotë: «Mbretërimi i tij është i përjetshëm e nuk do të marrë fund, dhe mbretëria e tij nuk do të shkatërrohet.»—Danieli 7:13, 14.
Mbretëria do të sjellë paqe dhe siguri në tokë.
Bibla thotë: «Secili do të banojë në paqe mes fiqve dhe vreshtave të tij; askush nuk ka pse të frikësohet më.»—Mikea 4:4, Bibla ECM.
Mëso më shumë për Mbretërinë
Kur ishte në tokë, Jezui iu përkushtua ‘predikimit të lajmit të mirë për Mbretërinë’. (Mateu 9:35) Përveç kësaj, ai paratha:
«Ky lajm i mirë për Mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet, e atëherë do të vijë fundi.»—Mateu 24:14.
Sot, lajmi i mirë për Mbretërinë po shpallet në mbi 240 vende. Të ftojmë të mësosh më shumë për këtë qeveri dhe si mund të nxjerrësh dobi prej saj.
Të lutemi, shih videon Çfarë është Mbretëria e Perëndisë?