Trazira politike që plotësojnë një profeci të Biblës
Sot njerëzit janë thellësisht të përçarë lidhur me çështjet politike. Nuk bien dakord për ligjet që ndikojnë në jetën e tyre të përditshme dhe i shprehin në mënyrë agresive opinionet politike. Në qeveri, ligjvënësit dhe zyrtarët e tjerë shpesh mbajnë qëndrime të kundërta dhe nuk pranojnë të hapin rrugë. Këto mospërputhje shkaktojnë trazira politike që ia bëjnë të vështirë qeverisë të kryejë funksionin e saj.
Megjithatë, veçanërisht domethënëse janë trazirat politike në Shtetet e Bashkuara dhe në Britani (siç njihet ndryshe Mbretëria e Bashkuar). Pse e themi këtë? Sepse Bibla kishte parathënë se këto trazira do të ndodhnin në këto dy kombe pikërisht në kohën kur një qeveri qiellore, e themeluar nga Perëndia, do të ndërhynte në çështjet e njerëzimit.
Trazira politike në «ditët e fundit»
Bibla përmban një profeci mahnitëse të dokumentuar në librin e Danielit. Në këtë profeci, Perëndia zbulon «çfarë do të ndodhë në ditët e fundit». Në kohën kur u shkruan këto fjalë, i referoheshin një momenti vendimtar në historinë e njerëzimit, në të ardhmen.—Danieli 2:28.
Këtë profeci të Biblës, Perëndia ia paraqiti mbretit të Babilonisë në një ëndërr. Në atë ëndërr, mbreti pa një shëmbëlltyrë gjigante të përbërë nga metale të ndryshme. Më vonë, profeti Daniel shpjegoi se nga koka te këmbët, kjo shëmbëlltyrë përfaqësonte fuqitë botërore që do të ngriheshin e do të binin gjatë historisë.a Në fund, shëmbëlltyra do të shkatërrohej plotësisht nga goditja e një guri që përfaqësonte një Mbretëri, ose një qeveri, të themeluar nga Perëndia.—Danieli 2:36-45.
Sipas kësaj profecie, Mbretëria e Perëndisë do të zëvendësonte të gjitha qeveritë njerëzore. Kjo Mbretëri është ajo për të cilën Jezui u mësoi dishepujve të luteshin me fjalët: «Ardhtë Mbretëria jote!»—Mateu 6:10.
Por cila pjesë e kësaj profecie të Biblës parathoshte trazira politike? Vër re se këmbët nga kyçet e poshtë të shëmbëlltyrës ishin «pjesërisht prej hekuri e pjesërisht prej argjile». (Danieli 2:33) Kjo pjesë e shëmbëlltyrës ishte ndryshe nga pjesa tjetër e cila përbëhej nga metale të papërziera, duke treguar kështu se njëra nga fuqitë botërore do të ishte ndryshe nga të tjerat. Në ç’kuptim? Profecia e Danielit shpjegon:
Sipas profecisë, fuqia botërore që përfaqësohet nga këmbët e shëmbëlltyrës, nga kyçet e poshtë, do të kishte trazira politike. Forca e saj do të dobësohej nga brenda, nga vetë shtetasit e saj.
Si po plotësohet sot profecia e Danielit
Këmbët nga kyçet e poshtë të shëmbëlltyrës përfaqësojnë fuqinë botërore që është në pushtet sot, aleancën mes Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë. Si na çojnë në këtë përfundim zhvillimet aktuale?
Këmbët e shëmbëlltyrës përbëhen «pjesërisht prej hekuri dhe pjesërisht prej argjile», një përzierje e dobët. (Danieli 2:42) Sot, pushteti i Shteteve të Bashkuara dhe ai i Britanisë është dobësuar për shkak të përçarjeve mes vetë shtetasve të tyre. Për shembull, në të dyja këto vende, nënshtetasit janë përfshirë në konflikte të brendshme. Njerëzit protestojnë me dhunë për të drejtat e tyre. Veç kësaj, politikanët që kanë zgjedhur, shpesh nuk arrijnë të bien në një mendje për çështje të ndryshme. Ngaqë shtetasit e tyre janë kaq të përçarë, ndonjëherë të dyja këto qeveri nuk arrijnë të implementojnë politikat e tyre në mënyrë të efektshme.
Në kapitullin e dytë të Danielit ishte parathënë gjendja e këtyre qeverive
Shqyrto më tej domethënien e disa detajeve të profecisë së Danielit dhe se si po përmbushen sot:
Profecia: «Mbretëria do të jetë e përçarë. Mirëpo do të ketë njëfarë fortësie si hekuri.»—Danieli 2:41.
Kuptimi: Edhe pse përballen me përçarje politike të brendshme, Shtetet e Bashkuara dhe Britania kanë ushtri shumë të fuqishme. Për këtë arsye mund të bëjnë gjëra që ndikojnë në gjithë pjesën tjetër të botës, me një forcë si ajo e hekurit.
Përmbushja
Në një listë të shteteve që kanë shpenzuar më shumë për ushtrinë në vitin 2023, shohim se Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar së bashku kanë shpenzuar më shumë se 12 shtetet vijuese në listë të marra bashkë.—Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve për Paqe në Stokholm.
«Bashkëpunimi për mbrojtje mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara . . . ka evoluar dhe është bërë partneriteti më i fortë, më i thellë dhe më i përparuar që ka ekzistuar ndonjëherë mes dy shtetesh. . . . Ne punojmë bashkë, qëndrojmë bashkë dhe luftojmë bashkë.»—Urdhri Strategjik, Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar, prill 2024.
Profecia: «Ashtu siç gishtat e këmbëve ishin pjesërisht prej hekuri dhe pjesërisht prej argjile, edhe mbretëria do të jetë pjesërisht e fortë dhe pjesërisht e brishtë.»—Danieli 2:42.
Kuptimi: Pavarësisht se kanë ushtri të fuqishme, Shtetet e Bashkuara dhe Britania janë të kufizuara nga mënyra si është modeluar sistemi i tyre politik demokratik. Pa miratimin e shumicës së popullsisë, ndonjëherë këto qeveri e kanë të vështirë të realizojnë planet e tyre.
Përmbushja
«Sipas disa analistëve politikë, përçarjet brenda politikës amerikane po e kufizojnë aftësinë e [Shteteve të Bashkuara] për të realizuar atë që paraqesin para botës se mund të realizojnë, duke nisur nga siguria e deri te tregtia.»—«The Wall Street Journal.»
«Trazirat e paprecedenta politike [i kanë] shpërqendruar politikanët, duke kufizuar kështu aftësinë e punonjësve të qeverisë [britanike] për të çuar përpara axhendën e reformave qeveritare.»—Instituti për Qeverinë (Institute for Government).
Profecia: «Disa pjesë të kësaj mbretërie do të përzihen me njerëzit e thjeshtë; por nuk do të ngjiten bashkë.»—Danieli 2:43, shënimi.
Kuptimi: Njerëzit e zakonshëm mund të kenë njëfarë ndikimi te qeveritë e tyre, gjithsesi zyrtarët ose votuesit nuk kanë mbetur plotësisht të kënaqur nga rezultatet.
Përmbushja
«Sot, shumica e amerikanëve kanë pikëpamje shumë negative për politikën dhe politikanët.»—Pew Research Center.
«Besimi i britanikëve te qeveritë, te politikanët dhe te sistemet e tyre qeverisëse ka arritur pikën më të ulët në këto 50 vitet e fundit.»—«National Centre for Social Research.»
Si do të plotësohet në të ardhmen profecia e Danielit
Sipas profecisë së Danielit, aleanca mes Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë do të jetë fuqia botërore dominuese kur Mbretëria e Perëndisë të zëvendësojë të gjitha qeveritë njerëzore.—Danieli 2:44.
Në një profeci paralele në librin e Zbulesës, Bibla tregon se «mbretërit e mbarë tokës së banuar» do të mblidhen kundër Perëndisë Jehovab për luftën e Armagedonit, pra «për luftën e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm». (Zbulesa 16:14, 16; 19:19-21) Në këtë luftë, Jehovai do të shkatërrojë të gjitha qeveritë njerëzore, e bashkë me to do të çrrënjosë çdo gjurmë të fuqive botërore të përfaqësuara nga shëmbëlltyra në profecinë e Danielit.
Që të mësosh më shumë, shih artikullin: «Çfarë është beteja e Harmagedonit?»
Nxirr dobi nga profecia e Danielit në lidhje me trazirat politike
Bibla i paratha me saktësi trazirat politike që do të ndodhnin sot në Shtetet e Bashkuara dhe në Britani. Kuptueshmëria për këtë profeci do të të japë një këndvështrim tjetër për ngjarjet aktuale.
Do të kuptosh pse Jezui donte që dishepujt e tij të ishin asnjanës për sa i përket çështjeve politike në botë. (Gjoni 17:16) Gjithashtu do të kuptosh më shumë pse Jezui, ai që ka zgjedhur Perëndia si mbret të Mbretërisë së tij, tha: «Mbretëria ime nuk është pjesë e kësaj bote.»—Gjoni 18:36.
Do të marrësh zemër nga shpresa se është në prag koha kur Mbretëria e Perëndisë do të ndërhyjë e do të sjellë bekime të mrekullueshme, tamam siç ka premtuar Perëndia.—Zbulesa 21:3, 4.
Do ta presësh të ardhmen i sigurt dhe pa frikën se mos rivaliteti mes kombeve do ta shkatërrojë botën.—Psalmi 37:11, 29.
Profecia e Danielit tregon se aleanca mes Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë, që simbolizohet nga këmbët nga kyçet e poshtë të shëmbëlltyrës, do të jetë fuqia e fundit njerëzore që do të sundojë botën. Pastaj do të vijë një qeveri e përsosur që do të qeverisë nga qielli—Mbretëria e Perëndisë.
Që të mësosh më shumë se çfarë do të bëjë Mbretëria e Perëndisë për njerëzimin, shih videon Çfarë është Mbretëria e Perëndisë?
a Shih kutinë «Cilat fuqi botërore përshkruan profecia e Danielit?»
b Jehova është emri i Perëndisë. (Psalmi 83:18) Shih artikullin «Kush është Jehovai?»