BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w26 maj f. 2-7
  • Pse janë të rëndësishme parimet e Biblës?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Pse janë të rëndësishme parimet e Biblës?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2026 (Për studim)
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • ÇFARË JANË PARIMET E BIBLËS?
  • PSE KANË RËNDËSI PARIMET E BIBLËS?
  • SI T’I DALLOJMË PARIMET E BIBLËS?
  • JI I VENDOSUR TË JETOSH SIPAS PARIMEVE TË BIBLËS
  • Përdor parimet e Biblës për të stërvitur ndërgjegjen
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2026 (Për studim)
  • Drejtojini hapat sipas parimeve hyjnore
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2002
  • Vendime që tregojnë se mbështetemi te Jehovai
    Jeta dhe shërbimi ynë i krishterë—Fletëstudimi për mbledhje—2023
  • Si nxjerrim dobi nga parimet e Biblës?
    Një lajm i mirë nga Perëndia
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2026 (Për studim)
w26 maj f. 2-7

6-12 KORRIK 2026

KËNGA 98 Shkrimet, dhuratë nga Perëndia

Pse janë të rëndësishme parimet e Biblës?

«Bëni shërbim të shenjtë me fuqinë tuaj për të arsyetuar.»—ROM. 12:1.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Do të shohim çfarë janë parimet dhe si t’i dallojmë ndërsa lexojmë Biblën.

1-2. (a) Pse themi se Bibla është një libër i lashtë? (b) Pse Bibla ka akoma vlerë në ditët tona?

BIBLA është një libër i lashtë. Ajo filloi të shkruhej rreth 3.500 vjet më parë dhe përfundoi gati 2.000 vjet më parë. Megjithatë, «fjala e Perëndisë» është e gjallë dhe ka fuqi sot e kësaj dite. (Hebr. 4:12; 2 Tim. 3:16, 17) Bibla ka ndihmuar miliona veta të përballojnë problemet në kohën që po jetojmë.

2 Por si mund të ketë akoma vlerë një libër kaq i vjetër? Ka dy arsye kryesore. Së pari, mesazhi i Biblës vjen nga ‘Perëndia i gjallë’, nga Krijuesi ynë me mençuri të paskajshme. (1 Tim. 4:10; Rom. 16:26, 27) Së dyti, Shkrimet përmbajnë parime që nuk njohin kohë. Pra, këto parime janë të dobishme pavarësisht nga koha kur jeton dikush ose nga vështirësitë që has.

3. Cilat pyetje do të marrin përgjigje në këtë artikull?

3 Çfarë janë parimet e Biblës? Pse kanë shumë rëndësi për ne sot? Si mund t’i dallojmë teksa lexojmë Biblën? Këto pyetje do të marrin përgjigje gjatë artikullit. Veç kësaj, do të shohim si e nxjerrin në pah vlerën e parimeve mësimet e Jezuit.

ÇFARË JANË PARIMET E BIBLËS?

4. Çfarë janë parimet e Biblës?

4 Parimet e Biblës janë të vërteta themelore te të cilat bazohen ligjet e Perëndisë. Me raste, vetë ligji mund të jetë një parim. (Mat. 22:37) Gjithsesi, parimet qëndrojnë më lart se ligjet. Ligjet specifike mund të kenë zbatim të kufizuar, sepse mund të vlejnë për një kohë ose situatë të caktuar. Kurse parimet e Biblës na ndihmojnë të kuptojmë më qartë mënyrën si mendon Jehovai. Kur dallojmë parimin, kuptojmë edhe arsyen pse është dhënë një ligj i caktuar. Ka gjithmonë arsye të forta pse Jehovai e jep një ligj. Sidoqoftë, parimet ku bazohen ligjet vlejnë për mjaft situata dhe nuk u ikën kurrë koha. (Psal. 119:111) Ndonjëherë mund të jetë e nevojshme që ligjet të ndryshohen, ndërsa parimet nuk kanë afat skadimi dhe nuk vjetrohen kurrë.—Isa. 40:8.

5. Jepni një ilustrim që tregon dallimin mes ligjeve dhe parimeve. (Shih edhe figurat.)

5 Të bëjmë një ilustrim për ta kuptuar më mirë dallimin mes ligjeve dhe parimeve. Mamaja i thotë djalit të vogël: «Mos e prek sobën!» Ky është një urdhër ose një ligj. Por cili është parimi ose arsyeja pas këtij ligji? Djali nuk duhet të prekë diçka të nxehtë, se përndryshe do të digjet. Ky parim vlen jo vetëm për sobën, por edhe për një hekur, një ngrohëse a për diçka tjetër të nxehtë. Gjithashtu, parimi zbatohet jo vetëm në shtëpi, por në çfarëdo vendi tjetër. Natyrisht, ndërsa rritet, djali do ta përdorë sobën. Por prapë duhet të tregojë kujdes të mos e prekë kur është e nxehtë, që të mos dëmtohet. Pra, ligji mund të ndryshojë, ama parimi ku bazohet, mbetet i njëjti.

Kolazh: një mama po gatuan dhe i biri është me të në kuzhinë. 1. Ajo e paralajmëron djalin e vogël të mos e prekë sobën e nxehtë. 2. Vite më vonë, nënë e bir po përgatitin një vakt së bashku dhe djali po gatuan te soba.

Një ligj mund të ndryshojë, ama parimi ku bazohet mbetet i njëjti (Shih paragrafin 5)


PSE KANË RËNDËSI PARIMET E BIBLËS?

6. (a) Çfarë na ka siguruar Jehovai në Fjalën e tij? (b) Si na jep dinjitet Jehovai?

6 Ngaqë na do, Jehovai na jep drejtim specifik nëpërmjet ligjeve, që të shmangim rreziqet. (Jak. 2:11) Veç kësaj, na ndihmon të kuptojmë parimet ose arsyet pas atyre ligjeve. Në Fjalën e tij, Jehovai na siguron drejtim në shumë çështje të jetës për të cilat mund të mos ketë ligje specifike. Parimet e Biblës na ndihmojnë të marrim vendime të mençura dhe të bëjmë atë që është e drejtë. Përmes parimeve, Jehovai na jep dinjitet dhe lirinë të marrim vendime që tregojnë sa e duam atë dhe standardet e tij.—Gal. 5:13.

7. Jepni një shembull që ilustron vlerën e parimeve të Biblës. (Shih edhe figurën.)

7 Për të kuptuar si na ndihmojnë parimet e Biblës, le të bëjmë një ilustrim. Gjatë rrugës një shofer sheh mjaft tabela rrugore. Zakonisht ka dy lloje tabelash. Disa tregojnë maksimumin e shpejtësisë së lejuar ose e udhëzojnë shoferin të ndalojë. Po të mos i respektojë këto tabela, do të ndëshkohet për thyerje ligji. Ndërkohë shumë tabela të tjera e sinjalizojnë shoferin për rreziqet e mundshme. Për shembull, mund ta paralajmërojnë se rruga është e rrëshqitshme ose se ka kthesa të rrezikshme. Një shofer me përvojë tregon gjykim të mirë dhe i jep makinës me kujdes kur sheh tabela paralajmëruese. Për shembull, kur bie shi ose borë, e nget makinën me më shumë merak. Po njësoj, ne bëjmë çmos të shmangim çdo sjellje që dënohet haptazi në Fjalën e Perëndisë. Por njëkohësisht shmangim edhe çdo mendim dhe veprim që mund të na shtyjë të thyejmë ligjet e Tij. Kjo kërkon të tregojmë gjykim të mirë.

Një shofer po udhëton natën në një rrugë malore plot kthesa. Falë dritave të gjata, arrin të shohë tabelat paralajmëruese.

Mjaft tabela rrugore i paralajmërojnë shoferët për rreziqet e mundshme. Edhe parimet e Biblës mund të shërbejnë si paralajmërim për ne (Shih paragrafin 7)


8. Për çfarë stërvitemi kur përpiqemi të dallojmë parimet e Biblës? (Romakëve 12:1, 2)

8 Por kemi edhe dobi të tjera të rëndësishme kur përpiqemi të dallojmë parimet e Biblës dhe jetojmë sipas tyre. Për shembull, stërvitemi të kuptojmë mënyrën si mendon Jehovai. Kur lexojmë Shkrimet, mësojmë të gjejmë dhe të mendojmë thellë për mësime praktike. Pyesim veten pse i ka përfshirë Jehovai këto mësime në Fjalën e tij dhe si mund t’i zbatojmë në jetën tonë. Kështu mësojmë të përdorim ‘fuqinë tonë për të arsyetuar’ që t’i shërbejmë Jehovait. Gjithashtu sigurohemi cili është «vullneti i mirë, i pranueshëm e i përsosur i Perëndisë».—Lexo Romakëve 12:1, 2.a

9. Ç’dobi tjetër nxjerrim kur jetojmë sipas parimeve të Biblës? (Hebrenjve 5:13, 14)

9 Ndërsa mësojmë të jetojmë sipas parimeve të Biblës, bëhemi të krishterë të pjekur. Kur i vëmë në jetë këto parime, miqësia jonë me Jehovain forcohet. (Lexo Hebrenjve 5:13, 14.) Zakonisht fëmijët e vegjël kanë nevojë për një listë të gjatë me rregulla, që të dinë çfarë të bëjnë në situata të ndryshme. Ata mund t’u binden këtyre rregullave thjesht nga frika e ndëshkimit. Ama Jehovai nuk na trajton si fëmijë të vegjël, por si të rritur të pjekur. Ai ka besim se do të marrim vendime që janë në harmoni me vullnetin e Tij. E kur sheh se e bëjmë këtë, i gufon zemra nga gëzimi.—Psal. 147:11; Prov. 23:15, 26; 27:11.

SI T’I DALLOJMË PARIMET E BIBLËS?

10. Si mund t’i dallojmë parimet gjatë leximit të Biblës?

10 Kur përpiqemi të nxjerrim mësime gjatë leximit të Biblës, dallojmë parime që na ndihmojnë të kuptojmë si mendon dhe si ndihet Jehovai. Gjejmë parime edhe kur bëjmë çmos të kuptojmë arsyet pse e ka dhënë Jehovai një ligj. Sa më mirë t’i kuptojmë arsyet, aq më mirë do ta njohim Jehovain. Por për të kuptuar si mendon ai, duhet t’i lutemi për ndihmë dhe të zhvillojmë aftësinë për të menduar. (Prov. 2:10-12) Mund t’i bëjmë vetes pyetje, si: «Pse e dha Jehovai këtë ligj? Përderisa nuk e miraton fare këtë sjellje, si do të ndihej për sjellje të ngjashme? Çfarë mësimi nxjerr nga kjo histori e Biblës dhe si mund ta zbatoj në jetën time?» Kur kuptojmë arsyet pse është dhënë një ligj dhe nxjerrim mësime nga historitë e Biblës, marrim vendime të mira—vendime që e bëjnë të lumtur Jehovain.

11. Si na mësoi Jezui në Predikimin në Mal që të dallojmë parimet e Biblës? (Shih edhe figurën.)

11 Në Predikimin në Mal, Jezui na tregoi si mund t’i dallojmë parimet e Biblës. Do të ndalemi në tri shembuj. Në secilin rast, Jezui tregoi në fillim cili ishte ligji. E më pas tregoi parimin ku bazohej ligji, pra arsyet pse e kishte dhënë Jehovai atë ligj. Teksa mendojmë thellë për atë që na mësoi Jezui, do të kuptojmë si t’i zbatojmë këto parime në ditët tona dhe si mund të na e përmirësojnë jetën.

Jezui është ulur nën një pemë dhe po mëson një grup dishepujsh.

Në Predikimin në Mal, Jezui tregoi si t’i dallojmë parimet ku bazohen ligjet e Perëndisë (Shih paragrafin 11)


12. Cili është një parim ku bazohet ligji që gjendet te Mateu 5:21, 22? (Shih edhe figurën.)

12 Lexo Mateun 5:21, 22. «Mos vrit.» Cili është një parim ku bazohet ky ligj? Jehovai nuk do që t’i urrejmë të tjerët—as me veprime, as me fjalë e madje as me mendime. Jezui e bëri të qartë se, ndonëse dikush mund të mos bëjë një vrasje, nëse urren të vëllanë, po shkon kundër parimit ku bazohet ligji. Nëse «ushqen zemërim kundër vëllait të vet» ose e godet me fjalë, prapë «do të japë llogari». Në fakt, janë pikërisht këto mendime dhe veprime që çojnë në vrasje.—1 Gjon. 3:15.

13. Si mund ta zbatojmë në jetën tonë parimin e Mateut 5:21, 22? (Shih edhe figurën.)

13 Si mund ta zbatojmë sot parimin e Mateut 5:21, 22? Duhet të bëjmë kujdes që të mos ushqejmë zemërim ose të mos mbajmë mëri. (Lev. 19:18; Jobi 36:13) Pse? Sepse këto ndjenja mund të ngjallin urrejtje në zemër, e kjo mund të çojë në fjalë ose veprime lënduese. (Prov. 10:12) Këtu përfshihen thashethemet dhe shpifjet që mund të njollosin ose të prishin reputacionin e të tjerëve. (Prov. 20:19; 25:23) Pra, Jezui dha një parim që do t’i sinjalizonte të krishterët e pjekur për rreziqet e përdorimit të mediave sociale, blogjeve, internetit ose aplikacioneve të mesazheve, që para se të ekzistonin. Ashtu siç nuk do të bënim kurrë një vrasje të mirëfilltë, nuk duhet të përdorim një gjuhë plot urrejtje që do t’i shkatërronte reputacionin dikujt.

Kolazh: 1. Pjesa blu tregon ligjin nga Bibla: «Mos vrit.» 2. Dy motra bëjnë thashetheme ndërsa një motër tjetër është në siklet teksa i dëgjon.

(Shih paragrafët 12-13)


14. Te cili parimi bazohet ligji që gjendet te Mateu 5:27, 28? (Shih edhe figurën.)

14 Lexo Mateun 5:27, 28. «Mos kryej kurorëshkelje.» Cili është parimi ku bazohet ky ligj? Jehovai nuk urren vetëm imoralitetin, por edhe mendimet që mund të çojnë në sjellje imorale. Jezui shpjegoi se nëse një burrë i martuar vazhdon ta shikojë një grua (që nuk është bashkëshortja e tij) aq sa ta dëshirojë, ka bërë mëkat. Pra duhet të veprojmë shpejt për t’i flakur tej mendimet imorale, edhe nëse na duhet të përpiqemi fort për këtë. (Mat. 5:29, 30) Ky parim vlen edhe për ata që s’janë të martuar.

15. Si mund ta zbatojmë në jetën tonë parimin e Mateut 5:27, 28? (Shih edhe figurën.)

15 Si mund ta zbatojmë sot parimin e Mateut 5:27, 28? Duhet të bëjmë çmos të mos ushqejmë dëshira imorale. (2 Sam. 11:2-4; Jobi 31:1-3) Patjetër që një i krishterë i pjekur shmang me çdo kusht çdo formë pornografie. Nuk shkon me mendimin se thjesht po sheh imoralitet, pra nuk po bën asgjë të keqe. As nuk përpiqet t’i justifikojë veprimet e tij, duke thënë se po sheh formë të lehtë pornografie, që disa e konsiderojnë zbavitje të padëmshme. Në kohën e Jezuit nuk kishte pajisje elektronike, filma ose fotografi. Gjithsesi, Jezui na dha një parim që tregon si ndihet Jehovai për materialet me përmbajtje imorale. Kjo na ndihmon të kuptojmë se Jehovai indinjohet nga praktikat e sotme, si përfshirja në aktivitete imorale në internet ose sexting. Zbatimi i këtij parimi i ndihmon të martuarit të mos sillen pabesisht me shokun a shoqen e jetës. (Mal. 2:15) Veç kësaj, na ndihmon të gjithëve—të martuar a beqarë—të shmangim çdo gjë që mund të çojë në imoralitet seksual.—Prov. 5:3-14.

Kolazh: 1. Pjesa blu tregon ligjin nga Bibla: «Mos kryej kurorëshkelje.» 2. Një vëlla fshin nga telefoni një aplikacion të mediave sociale.

(Shih paragrafët 14-15)


16. Te cili parim bazohet ligji që gjendet te Mateu 5:43, 44? (Shih edhe figurën.)

16 Lexo Mateun 5:43, 44. «Duaje të afërmin tënd.» Cili është parimi ku bazohet ky ligj? Jehovai do që ta shohim çdo njeri si të afërmin tonë dhe t’i tregojmë dashuri. Mjerisht, judenjtë në kohën e Jezuit e keqinterpretonin këtë ligj dhe mendonin se u jepte leje që t’i urrenin armiqtë. Mirëpo Jezui e dinte se nuk ishte kjo arsyeja pse e dha Jehovai ligjin. E dinte se Ati i tij i dashur pret ta shohim këdo si të afërmin tonë, pavarësisht nga raca ose kombësia.—Mat. 5:45-48.

17. Cilat dobi vijnë kur zbatojmë në jetën tonë parimin e Mateut 5:43, 44? (Shih edhe figurën.)

17 Si mund ta zbatojmë sot parimin e Mateut 5:43, 44? Dashuria për të afërmin do të na nxitë të mos përfshihemi në luftërat dhe në konfliktet e kësaj bote. (Isa. 2:4; Mik. 4:3) Veç kësaj, do të na ndihmojë t’i trajtojmë me zemërmirësi njerëzit që i përkasin një race, kombi ose feje tjetër. (Vep. 10:34, 35) Do të na ndihmojë edhe t’i falim ata që na kanë lënduar ne ose njerëzit tanë të dashur.—Mat. 18:21, 22; Mar. 11:25; Luka 17:3, 4.

Kolazh: 1. Pjesa blu tregon ligjin nga Bibla: «Duaje të afërmin tënd.» 2. Gjatë shërbimit, një çift po flet në treg me një burrë të një race tjetër dhe po i tregon broshurën «Gëzoje jetën përgjithmonë».

(Shih paragrafët 16-17)


JI I VENDOSUR TË JETOSH SIPAS PARIMEVE TË BIBLËS

18. (a) Për çfarë duhet të jemi të vendosur? (b) Çfarë do të shohim në artikullin tjetër?

18 Na gufon zemra nga mirënjohja që Jehovai na trajton si të rritur, jo si fëmijë të vegjël. Ai dëshiron të zbatojmë parimet e Biblës që të marrim vendime të mençura ditë pas dite. (1 Kor. 14:20) Ndërsa i marrim këto vendime, le të jemi të vendosur ‘të vazhdojmë të dallojmë cili është vullneti i Jehovait’. (Efes. 5:17) Ajo që na shtyn të marrim vendime në harmoni me vullnetin e Jehovait është dashuria për Të, jo frika nga ndëshkimi. Por Jehovai na ka bërë edhe një dhuratë tjetër që na ndihmon ta kënaqim me vendimet tona. Kjo dhuratë është ndërgjegjja. Për këtë do të flasim në artikullin tjetër.

SI DO TË PËRGJIGJESHE?

  • Çfarë janë parimet e Biblës?

  • Ku ndryshojnë parimet nga ligjet?

  • Cilat janë disa parime që nxori në pah Jezui në Predikimin në Mal?

KËNGA 95 E vërteta ndrin gjithnjë e më shumë

a Shpesh hasim situata për të cilat s’ka një ligj, ndaj duhet të peshojmë me kujdes parimet e Biblës. Duhet të kuptojmë si lidhen parimet me njëra-tjetrën dhe me vendimet që kemi para. Duam ta vëmë në punë aftësinë për të arsyetuar që na ka dhënë Jehovai për të marrë vendime të ekuilibruara që do të sjellin miratimin dhe bekimin e tij. Në shekullin e parë, shumë judenj që u bënë të krishterë duhej të mësonin ta përdornin aftësinë për të menduar, sepse më parë jetonin sipas rregullave të shumta të krerëve fetarë.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo