13-19 KORRIK 2026
KËNGA 127 Qofsha thesar për ty, Jehova!
Përdor parimet e Biblës për të stërvitur ndërgjegjen
«Secili do të mbajë ngarkesën e vet.»—GAL. 6:5.
FOKUSI I ARTIKULLIT
Do të shohim si na ndihmojnë parimet e Biblës ta stërvitim ndërgjegjen, që të na shërbejë si udhërrëfyese e mirë.
1-2. (a) Çfarë dhurate i dha Jehovai Adamit dhe Evës? (b) Si duhej ta kishin shprehur mirënjohjen për atë dhuratë?
KAFSHËT veprojnë të shtyra nga instinkti. Shumë makineri programohen që të funksionojnë në një mënyrë të caktuar. Ama ne njerëzit jemi krijuar ndryshe. Jehovai na ka dhënë një dhuratë speciale që, si adhurues të Tij, e çmojmë tej mase. Kjo dhuratë është vullneti i lirë, pra aftësia për të marrë vendime dhe për të bërë zgjedhjet tona në jetë. Bibla tregon se njeriu i parë, Adami, u bë sipas imazhit të Perëndisë, në ngjashmëri me të. (Zan. 1:26, 27) Si krijesa me intelekt, Adami dhe e shoqja, Eva, u krijuan me aftësinë për t’i marrë vetë vendimet.
2 Jehovai nuk i dha Adamit dhe Evës një listë të gjatë me ligje. Thjesht u tha të kujdeseshin për tokën, ta mbushnin me pasardhës dhe të respektonin autoritetin e Tij që të vendoste kufij të arsyeshëm për atë që mund të bënin. (Zan. 1:28; 2:16, 17) Si duhej t’ia kishin shprehur mirënjohjen Atij që u dhuroi vullnetin e lirë? Jehovai u kishte bërë gjithë ato dhurata, prandaj duhej t’u ishin bindur këtyre urdhërimeve të thjeshta të motivuar nga dashuria për të dhe nga dëshira për ta bërë të lumtur.—Prov. 23:15.
3. Si e përdorën Adami dhe Eva dhuratën e vullnetit të lirë?
3 Bibla na tregon se Adami dhe Eva nuk e përdorën me mençuri vullnetin e lirë. Ata vendosën të mos i bindeshin Jehovait. E morën këtë vendim të drejtuar nga egoizmi, jo nga dashuria dhe mirënjohja për Jehovain. (Zan. 3:1-7) Pasojat e atij vendimi i vuajmë sot e kësaj dite.—Rom. 5:12.
4. (a) Çfarë duhet të bëjmë të gjithë sipas Galatasve 6:5? (b) Për çfarë dhurate tjetër do të flasim në këtë artikull?
4 Jeta sot është tejet e koklavitur. Çdo ditë duhet të marrim vendime të panumërta. (Lexo Galatasve 6:5.) Disa janë relativisht të thjeshta, disa të tjera më të ndërlikuara. Atëherë, si të marrim vendime që e kënaqin Jehovain? Para së gjithash duhet të pranojmë se kemi nevojë për ndihmën e Tij. (Prov. 16:3; Jer. 10:23) Edhe Jezui që ishte njeri i përsosur e ndiente nevojën për ndihmën e Perëndisë. (Hebr. 5:7) Si njerëz të papërsosur, ne kemi shumë më tepër nevojë se Jezui për drejtimin e Jehovait. Le të flasim tani për një dhuratë tjetër nga Perëndia që do të na ndihmojë të marrim vendime të mira—ndërgjegjja.
ÇFARË ËSHTË NDËRGJEGJJA?
5. (a) Çfarë është ndërgjegjja? (b) Si na ndihmon ndërgjegjja? (Romakëve 2:14, 15)
5 Ndërgjegjja është ndjenja e brendshme për të drejtën dhe të gabuarën. Edhe njerëzit që nuk dinë asgjë për ligjet e Perëndisë kanë ndërgjegje. (2 Kor. 4:2) Ndërgjegjja vepron si një gjykatës brenda nesh, që na akuzon ose na shfajëson për mendimet dhe veprimet tona. (Lexo Romakëve 2:14, 15.) Ajo mund të na paralajmërojë të mos e bëjmë diçka që e dimë se është e gabuar. (1 Sam. 26:8-11) Ose mund të na nxitë të bëjmë atë që e dimë se është e drejtë. Thjesht fakti që kemi dhuratën e vullnetit të lirë nuk është garanci se do të marrim gjithnjë vendime që e kënaqin Jehovain. Ndërgjegjja duhet të na ndihmojë të bëjmë dallimin mes një vendimi të mirë dhe një vendimi të keq.
6. Çfarë mund të ndodhë ndonjëherë me ndërgjegjen?
6 Ndonjëherë ndërgjegjja mund të na lërë në baltë. Ashtu si ne, edhe ndërgjegjja është e papërsosur. Ajo mund të deformohet nga mënyra si jemi rritur, shoqëria ku jetojmë dhe dëshirat tona mëkatare. Bibla thotë se ndërgjegjja mund ‘të dobësohet’, ‘të ndotet’, ‘të damkoset si me hekur të nxehtë’ e madje mund të bëhet «e keqe». (1 Kor. 8:12; Titit 1:15; 1 Tim. 4:2; Hebr. 10:22) Një ndërgjegje e tillë nuk na shërben më si udhërrëfyese e mirë. Ajo është si një peshore e pasaktë që ka nevojë të kalibrohet. Ndaj duhet të përpiqemi fort që ta mbajmë ndërgjegjen në gjendje të mirë. (1 Pjet. 3:16) Si mund ta bëjmë këtë?
SI TA STËRVITIM NDËRGJEGJEN
7-8. (a) Ç’mund të na ndihmojë të stërvitim ndërgjegjen? (b) Si na drejtojnë parimet e Biblës? Ilustrojeni. (Shih edhe figurën.)
7 Si mund ta stërvitim ndërgjegjen? Duhet të lexojmë Biblën rregullisht dhe të mësojmë çfarë është e drejtë dhe e gabuar në sytë e Jehovait. Studimi i ligjeve të Perëndisë do të na ndihmojë të kuptojmë si mendon ai. Por, siç e pamë në artikullin e kaluar, ligjet mund të zbatohen vetëm në disa situata. Ja pse duhet të kërkojmë në Bibël parimet, pasi ato na zgjerojnë horizontin për mendimet dhe ndjenjat e Jehovait.—Isa. 55:9.
8 Udhëtimi i jetës mund të krahasohet me një udhëtim përmes një shkretëtire, ku nuk ka rrugë, shtigje apo tabela rrugore. Pozicioni i diellit dhe i yjeve mund të na orientojë deri diku për të arritur në destinacion. Megjithatë, më shumë do të na ndihmonte një hartë që tregon disa pika orientuese gjatë rrugës. Ajo do të na siguronte se po ecim në drejtimin e duhur dhe do të na ndihmonte të kuptonim nëse kemi devijuar. Destinacioni ynë në jetë është t’i kënaqim zemrën Jehovait. Bibla i ngjason një harte që na jep drejtim të qartë. Kurse parimet e saj janë si pika orientuese në udhëtimin tonë. Po të ecim sipas këtyre parimeve, do të arrijmë patjetër në destinacion.
Parimet e Biblës janë si pika orientuese në udhëtimin tonë, që na sigurojnë se po ecim në drejtimin e duhur (Shih paragrafin 8)
9. Sipas Romakëve 9:1, çfarë ndihme tjetër kemi për të stërvitur ndërgjegjen?
9 Që ta stërvitim siç duhet ndërgjegjen, kemi nevojë për ndihmën e frymës së shenjtë. (Lexo Romakëve 9:1.) Falë saj, mund të kuptojmë si mendon Perëndia për çështje të ndryshme. Gjithashtu, fryma e shenjtë na motivon dhe na fuqizon të bëjmë çfarë i pëlqen Jehovait. (Filip. 2:13) Por si mund ta marrim frymën e shenjtë?
10. Si mund ta marrim frymën e shenjtë? (Luka 11:10, 13)
10 Lutu për frymën e shenjtë. (Lexo Lukën 11:10, 13.) Jemi të bindur se Jehovai nuk na e kursen aspak frymën e shenjtë. (Gjoni 3:34) Ai na e jep bujarisht frymën e tij kur veprojmë në përputhje me drejtimin e saj. (Prov. 1:23; Jak. 1:5) Mirëpo çfarë tjetër do të na ndihmojë ta stërvitim ndërgjegjen?
11. (a) Cili duhet të jetë synimi kryesor në jetën tonë? (b) Pse duhet të sigurohemi se ndërgjegjja jonë është e stërvitur dhe funksionon siç duhet?
11 Kërko gjithnjë miratimin e Jehovait. (Prov. 8:34, 35) Ky duhet të jetë synimi kryesor në jetën tonë. Po ta mbajmë në mendje këtë synim në çdo situatë të jetës, kjo do të na ndihmojë ta stërvitim ndërgjegjen. Një ndërgjegje është e stërvitur mirë kur mendja jonë është e sinkronizuar me mendimet e Jehovait dhe zemra jonë ka merak për ndjenjat e tij. Jeta sot është shumë e ndërlikuar, ndaj kemi nevojë për një ndërgjegje që funksionon siç duhet. Shpesh hasim situata për të cilat nuk flitet konkretisht në Bibël. Ato mund të përfshijnë zbavitjen, punën, arsimimin ose marrëdhëniet me të tjerët. Si mund të sigurohemi se Jehovai i miraton vendimet që marrim për këto çështje?—2 Kor. 1:12.
12. Si të sigurohemi se ndërgjegjja po na çon në drejtimin e duhur? (Efesianëve 5:10)
12 Mendo thellë për atë që lexon në Fjalën e Perëndisë. (Psal. 49:3) Ndërsa lexon Biblën, kërko parime që do të të ndihmojnë të kuptosh si mendon Jehovai. (Lexo Efesianëve 5:10.) Kur përballemi me probleme të vështira, duhet të gjejmë në Bibël parime që do të na ndihmojnë të kuptojmë nëse ndërgjegjja po na drejton te vendimet e duhura. (Prov. 2:4-9, 11-13) Këto parime do të na ndihmojnë ta përmirësojmë dhe ta ndreqim ndërgjegjen, që të vazhdojmë të ecim në rrugën e duhur.—Hebr. 5:14.
13. Çfarë nuk duhet të bëjmë kur marrim vendime? Jepni një shembull.
13 Mos merr një vendim, dhe më vonë të kërkosh parime që e mbështetin. Nuk duam të imitojmë izraelitët që jetonin akoma në Judë pas shkatërrimit të Jerusalemit në vitin 607 p.e.s. Ata i thanë Jeremisë: «Perëndia yt, Jehovai, na tregoftë udhën nga të shkojmë dhe çfarë duhet të bëjmë!» (Jer. 42:3-6) Por ndërkohë e kishin ndarë mendjen se çfarë do të bënin. E kur nuk u pëlqeu drejtimi i Jehovait, bënë siç e kishin vendosur. Kjo u solli pasoja shkatërrimtare. (Jer. 42:19-22; 43:1, 2, 4) Ndaj para se të marrim një vendim, duhet të kërkojmë parime që na zbulojnë si mendon Jehovai dhe pastaj të veprojmë në harmoni me to.
14. Pse duhet t’i zbatojmë parimet e Biblës kur marrim vendime?
14 Merri vendimet në bazë të parimeve të Biblës. (Mat. 7:24-29; Jak. 1:23-25) Kur vendimet tona kanë në themel parimet, po ecim në harmoni me frymën e shenjtë. Si rezultat, Jehovai vazhdon të na e japë frymën e tij. (Vep. 5:32) Mirëpo, po ta shpërfillim drejtimin e frymës së Jehovait ose t’i kundërvihemi, mund ‘ta hidhërojmë’ frymën. (Efes. 4:30; Isa. 63:10; Vep. 7:51) Si pasojë, Jehovai mund të na e heqë frymën e tij. (Psal. 51:11; 1 Sel. 5:19) Kjo do të ishte shkatërrimtare, sepse kemi nevojë për forcën që jep fryma e shenjtë.—Efes. 3:16.
SI TË GJEJMË PARIMET E DUHURA NGA BIBLA
15-16. (a) Si mund të gjejmë parime të Biblës për situatën ku gjendemi? (b) Cilat parime mund t’i japin forcë një studenti të Biblës që të lërë duhanin?
15 Përdor mjetet për studim. Që t’i zbatojmë parimet, si fillim duhet t’i dallojmë ndërsa lexojmë Shkrimet. Për shembull, ta zëmë se një student i Biblës e ka të vështirë të lërë duhanin. Mbase ai mendon: «Bibla nuk flet fare për këtë, ndaj nga e dimë se është e gabuar të pimë duhan?» Si mund ta ndihmosh të gjejë dhe të arsyetojë për parime që lidhen me këtë aspekt? Një mjet i dobishëm është Mjet kërkimesh në botimet e Dëshmitarëve të Jehovait. Mund t’ia drejtosh vëmendjen studentit te tema «Duhani». Një nga referimet është artikulli «Ç’pikëpamje ka Perëndia për duhanin?» (Shih Kullën e Rojës të 1 qershorit 2014.) Cilat shkrime dhe parime do të gjejë teksa lexon artikullin?
16 Ja pesë parime që përmenden në artikull: (1) S’duhet të bëhemi skllevër të asgjëje që çon në vdekje. (Rom. 6:16) (2) Duhet të shmangim gjithçka që dëmton trupin. (2 Kor. 7:1) (3) Jehovai dëshiron t’i shërbejmë me gjithë shpirt. (Mat. 22:37) (4) Nuk duhet t’i dëmtojmë të tjerët me veprimet tona. (Mat. 22:39; 1 Kor. 10:24) (5) Jehovai mund të na japë forcën të bëjmë atë që është e drejtë. (Filip. 4:13) Pra, edhe pse Bibla nuk e përmend konkretisht pirjen e duhanit, parimet e saj mund ta ndihmojnë studentin të kuptojë çfarë mendon Jehovai për këtë.
17. Si mund të gjejë një çift Dëshmitarësh parime të vlefshme ndërsa planifikojnë dasmën?
17 Të marrim një rast tjetër: një çift Dëshmitarësh po planifikojnë dasmën. Si mund të gjejnë parime që do t’i ndihmojnë të marrin vendime të mira? Mjet kërkimesh mund të jetë një ndihmë edhe në këtë rast. Te tema «Dasmat» renditen një sërë artikujsh me parime bazë nga Bibla. Ja gjashtë parime që mund të shqyrtojë një çift: (1) Çdo aspekt i dasmës duhet të nderojë Jehovain. (1 Kor. 10:31, 32) (2) Duhet të vishemi në mënyrë dinjitoze, modeste dhe të bëjmë kujdes që veshja jonë të mos i pengojë të tjerët. (1 Tim. 2:9; 1 Pjet. 3:3, 4) (3) S’duhet të kapardisemi para të tjerëve, siç e kanë zakon njerëzit në botë. (Gjoni 17:14; Jak. 1:27; 1 Gjon. 2:15, 16) (4) Gjithçka duhet bërë me rregull. (1 Kor. 14:40) (5) Dasma nuk duhet të kthehet në një festë të shfrenuar, ku njerëzit pinë me tepri. (Gal. 5:21) (6) Çifti duhet të caktojë dikë që të mbikëqyrë eventin.—Gjoni 2:8, 9.
18-19. (a) Cili mjet tjetër mund të na vijë në ndihmë? (b) Si të ndihmon ky mjet të gjesh parime që të marrësh vendime të mençura për disa festa? (Shih kutinë «A mund t’i dallosh parimet?»)
18 Një mjet tjetër që po ndihmon shumë veta është Parime nga Bibla për jetën. Ky botim ka një larmi temash ku renditen mjaft shkrime. Pasi zgjedhim një temë, do të gjejmë një sërë pyetjesh bashkë me shkrime që mund të na ndihmojnë të dallojmë parimet nga Bibla. Për shembull, a po mendon nëse duhet të marrësh pjesë në një festë? Nëse po, mund të shohësh temën «Festat; kremtimet».
19 Te kjo temë do të gjesh nëntemën «Festat që shmangin të krishterët e vërtetë». Pastaj mund të shohësh pikën «Pse është e gabuar të marrësh pjesë në festa që lidhen me fenë e rreme? (1 Ko 10:21; 2 Ko 6:14-18; Ef 5:10, 11)». Këtu përmenden edhe disa shembuj festash që janë të gabuara. Te nëntema «Festat patriotike», renditen parime që na ndihmojnë të vendosim nëse duhet të marrim pjesë në festa që lidhen me arritjet e një qeverie ose të një kombi, të përkujtojmë luftëra dhe beteja ose të ndjekim ceremoni ku nderohen së tepërmi njerëz të shquar. I jemi thellësisht mirënjohës organizatës së Jehovait që na siguron mjete të tilla për të stërvitur ndërgjegjen.
SIGUROHU SE E KE STËRVITUR MIRË NDËRGJEGJEN
20. Si ta kuptojmë se e kemi stërvitur mirë ndërgjegjen?
20 E çmojmë pa masë dhuratën e vullnetit të lirë. Ama e kuptojmë se që ta përdorim siç duhet këtë dhuratë, kemi nevojë të stërvitim ndërgjegjen. Me një ndërgjegje të stërvitur mirë, do të marrim vendime që e nderojnë dhe e bëjnë të lumtur Jehovain. Për këtë na duhet ndihma e frymës së tij të shenjtë. Prandaj le të vazhdojmë të lutemi për frymën e shenjtë dhe ta lejojmë të drejtojë hapat tanë. Edhe parimet e Biblës do të na ndihmojnë të stërvitim ndërgjegjen. Le të bëjmë çmos t’i përdorim siç duhet këto dhurata. Atëherë do të provojmë në jetën tonë fuqinë e Fjalës së Perëndisë.—2 Tim. 3:16, 17; Hebr. 4:12.
KËNGA 135 Ftesa e përzemërt e Jehovait: «Ji i mençur, biri im!»