ARTIKULLI I STUDIMIT 51
KËNGA 132 Një trup ne të dy!
Si t’i sjellësh lavdi Jehovait në ditën e martesës
«Çdo gjë le të bëhet në mënyrë dinjitoze dhe me rregull.»—1 KOR. 14:40.
FOKUSI I ARTIKULLIT
Si mund të tregojnë çiftet se e nderojnë Jehovain në ditën e martesës.
1-2. Si dëshiron Jehovai të jetë dita e martesës për një çift?
A JE në prag martese? Nëse po, urime! Ka shumë mundësi të jesh goxha i zënë me planifikimin e këtij rasti. Jehovai dëshiron që të kënaqesh sa më shumë në ditën e martesësa dhe të kesh një të ardhme të lumtur me shokun a shoqen e jetës.—Prov. 5:18; Këng. 3:11.
2 Jehovai e meriton që t’i sjellësh lavdi në këtë ditë të veçantë. Pse e themi këtë? Dhe si mund të tregosh se e nderon Jehovain në këtë rast? Ky artikull u drejtohet kryesisht çifteve që po merren me përgatitjet e dasmës. Megjithatë, parimet që përmenden mund të na ndihmojnë të gjithëve që ta nderojmë Jehovain nëse jemi të ftuar në një dasmë ose nëse çifti na kërkon një mendim gjatë planifikimit.
PSE T’I SJELLËSH LAVDI JEHOVAIT?
3. Çfarë duhet të mbajë parasysh një çift që po planifikon të martohet, dhe pse?
3 Çiftet që po planifikojnë të martohen duhet të mbajnë parasysh parimet që ka vendosur Jehovai në Fjalën e tij. Pse? Sepse Jehovai është Nismëtari i martesës. Ai e organizoi vetë martesën e parë, duke bashkuar si çift Adamin dhe Evën. (Zan. 1:28; 2:24) Ndaj një çift që po merret me planet e dasmës, duhet të mendojë para së gjithash se çfarë do ta kënaqte Jehovain.
4. Cila është një arsye pse çiftet duhet ta nderojnë Jehovain në ditën e martesës?
4 Ke një arsye të fortë pse duhet ta marrësh parasysh pikëpamjen e Jehovait për ditën e martesës: Ai është Ati yt qiellor dhe Miku yt më i mirë. (Hebr. 12:9) Sigurisht nuk do të doje që kjo marrëdhënie të ndryshonte. S’do të bëje kurrë diçka që do ta lëndonte Mikun tënd as në ditën e dasmës, as në ndonjë ditë tjetër. (Psal. 25:14) Kur mendon për gjithë sa ka bërë dhe do të bëjë Jehovai për ty, a nuk je dakord se ai e meriton t’i sjellësh lavdi në këtë rast special?—Psal. 116:12.
SI T’I SJELLËSH LAVDI JEHOVAIT?
5. Si mund t’i ndihmojë Bibla çiftet që të planifikojnë me mençuri dasmën?
5 Në Bibël nuk ka një listë rregullash për ceremoninë e martesës ose për festën që mund të organizohet. Çiftet mund ta planifikojnë dasmën në varësi të rrethanave, të zakoneve ose të preferencave. Gjithashtu adhuruesit e vërtetë u binden ligjeve të qeverisë për martesën. (Mat. 22:21) Mirëpo, çfarëdo që të vendosë çifti, kur ndjekin parimet e Biblës, i sjellin lavdi Jehovait dhe i kënaqin zemrën. Atëherë, cilat parime duhet të mbani parasysh?
6. Pse është e rëndësishme që çiftet të plotësojnë kërkesat ligjore për martesën?
6 Plotësoni kërkesat ligjore. (Rom. 13:1, 2) Në shumicën e vendeve, çiftet duhet të plotësojnë disa kërkesa ligjore para se të martohen. Ndaj duhet të mësojnë se cilat janë kërkesat në vendin ku jetojnë. Nëse ke nevojë të marrësh më tepër informacion, mos ngurro të kërkosh ndihmën e pleqve.b
7. Çfarë atmosfere duhet të ketë në ditën e martesës, dhe si mund të arrihet kjo?
7 Sigurohuni që të jetë një rast dinjitoz. (1 Kor. 10:31, 32) Bëni çmos që atmosfera të pasqyrojë frytin e frymës së Perëndisë dhe jo frymën e botës. (Gal. 5:19-26) Sipas parimit të kryesisë që gjendet në Bibël, është përgjegjësia e dhëndrit që martesa të jetë një rast i gëzueshëm dhe dinjitoz. Si mund të arrihet kjo? Një fjalim martese i bazuar në Bibël që përcillet me dashuri, ngrohtësi dhe dinjitet, i ndihmon të pranishmit ta thellojnë çmueshmërinë për këtë dhuratë nga Perëndia. Fjalimi mund t’i ndihmojë të gjithë në auditor të vlerësojnë seriozitetin e rastit. Prandaj, shumica e çifteve vendosin që, nëse është e mundur, ta mbajnë ceremoninë në Sallën e Mbretërisë. Nëse dëshironi të përdorni Sallën e Mbretërisë, duhet të bëni një kërkesë me shkrim dhe t’ia jepni kohë përpara trupit të pleqve të njërit prej kongregacioneve që përdor atë sallë.
8. Si mund të siguroheni që festa për rastin e martesës të jetë dinjitoze? (Romakëve 13:13)
8 Lexo Romakëve 13:13. Nëse vendosni të bëni një festë me rastin e martesës, si mund të siguroheni që të mos pasqyrojë frymën e botës? Fjala greke e përkthyer «festa të shfrenuara», lidhej me organizime që përfshinin pirjen me tepri dhe muzikë deri natën vonë. Nëse vendosni të shërbeni pije alkoolike, merrni masa që askush të mos e teprojë me pijen.c Në qoftë se do të ketë muzikë, sigurohuni që volumi të jetë në atë nivel që të ftuarit të shijojnë bisedat me njëri-tjetrin. Kontrolloni me kujdes llojin e muzikës dhe tekstet që të mos bëheni pengesë për askënd.
9. Çfarë duhet të mbajë parasysh një çift për komentet ose llojet e zbavitjeve gjatë dasmës?
9 A do të ketë në dasmën tuaj komente të shkurtra nga miqtë a familjarët, prezantime fotografish dhe videosh ose lloje të tjera zbavitjesh? Shpesh këto gjëra mund t’ia shtojnë lezetin asaj dite. Gjithsesi, merrni masa që gjithçka që do të paraqitet, të jetë ndërtuese. (Filip. 4:8) Pyesni veten: «A do të tregojë kjo respekt për të tjerët? A do të tregojë respekt për martesën?» Dhe ç’është më e rëndësishmja, pyesni veten: «A do t’i sjellë lavdi Jehovait?» Edhe pse s’është e gabuar që dikush të bëjë ndonjë shaka, ato s’duhet të jenë të pahijshme, si për shembull me ngjyrime seksuale. (Efes. 5:3) Sigurohuni që familjarët dhe miqtë që do të thonë pak fjalë në dasmë, t’i kuptojnë dhe t’i respektojnë dëshirat tuaja.
10. Pse duhet të jetë modest një çift kur planifikon dasmën? (1 Gjonit 2:15-17)
10 Jini modestë. (Lexo 1 Gjonit 2:15-17.) Jehovai e çmon shumë kur adhuruesit e tij përpiqen t’i japin lavdi atij dhe jo të tërheqin vëmendje të tepruar te vetja. Ndaj, Dëshmitarët modestë nuk harxhojnë shuma të ekzagjeruara parash dhe as nuk ‘kapardisen për t’u dukur’. Ç’dobi vijnë kur bën një dasmë të thjeshtë? Ja çfarë thotë Majku, një vëlla nga Norvegjia: «Ngaqë nuk u futëm në borxhe, arritëm të vazhdonim shërbimin si pionierë. Bëmë një dasmë të thjeshtë, por prapëseprapë të bukur e të paharrueshme.» Tabita, një motër nga India, thotë: «I kursyem vetes shumë stres. Meqë bëmë dasmë të thjeshtë, kishim më pak vendime për të marrë dhe më pak mosmarrëveshje.»
Pavarësisht nga vendi ku jetojmë, martesa mes dy adhuruesve të Jehovait mund të jetë modeste, e bukur dhe e paharrueshme (Shih paragrafët 10-11)
11. Si mund të tregojnë modesti nusja dhe dhëndri me veshjen e paraqitjen e tyre? (Shih edhe figurat.)
11 A e ke vendosur se çfarë do të veshësh? Pa dyshim që dëshiron të shkëlqesh atë ditë. Edhe në lashtësi, nusja dhe dhëndri i kushtonin vëmendje të veçantë paraqitjes. (Isa. 61:10) Natyrisht, veshja në ditën e dasmës mund të jetë ndryshe nga çfarë vesh zakonisht, por s’duhet të jetë më pak modeste. (1 Tim. 2:9) Mos lejo që veshja—ose gjërat e tjera materiale—të bëhen kryefjala e dasmës tënde.—1 Pjet. 3:3, 4.
12. Pse duhet të sigurohet një çift që të shmangë zakonet e vendit që bien ndesh me Shkrimet?
12 Shmangni zakonet që bien ndesh me Shkrimet. (Zbul. 18:4) Shpesh traditat e dasmave në botë janë të ndotura me praktika pagane, spiritiste dhe supersticioze. Jehovai na paralajmëron qartë që t’u rrimë larg këtyre gjërave të papastra. (2 Kor. 6:14-17) Nëse në zonën tuaj ekzistojnë tradita ose zakone të diskutueshme, bëni kërkime për origjinën e tyre dhe për parime nga Bibla që mund t’ju ndihmojnë të merrni vendime të mençura.
13. Si mund ta imitojë Jehovain një çift në lidhje me dhuratat që merr në dasmë?
13 A e keni zakon në vendin tuaj që të ftuarit t’i bëjnë një dhuratë çiftit? Dhuratat mund të ndryshojnë në varësi të mundësive ekonomike të të ftuarve. Sigurisht, si adhurues të Jehovait nxitemi t’u japim të tjerëve, dhe kjo na mbush me gëzim. (Prov. 11:25; Vep. 20:35) Megjithatë nuk duam të bëjmë asgjë që të ftuarit të ndihen të detyruar të japin ose të ndihen keq nëse sjellin një dhuratë modeste. E imitojmë Jehovain duke pranuar me mirënjohje çdo dhuratë që bëhet nga zemra dhe sipas mundësive.—2 Kor. 9:7.
SHMANG DHE KAPËRCE SFIDAT
14. Me cilat sfida përballen disa çifte?
14 Ndërsa planifikoni një dasmë që i sjell lavdi Jehovait, mund të përballeni me sfida të ndryshme. Për shembull, ndoshta e keni sfidë të organizoni një dasmë të thjeshtë. Çarli nga Ishujt Solomon, thotë: «E patëm shumë të vështirë të vendosnim kë do të ftonim. Kemi shumë miq dhe në kulturën tonë të gjithë presin që t’i ftosh.» Tabita, e përmendur më parë, shprehet: «Në vendin ku jetoj e kemi zakon të bëjmë dasma të mëdha. Prindërve iu desh ca kohë të pranonin vendimin tonë për të ftuar vetëm rreth 100 veta.» Sara nga India thotë: «Disa njerëz i japin tepër rëndësi parave dhe opinionit të të tjerëve. Kushërinjtë e mi kishin bërë dasma madhështore, ndaj isha nën presion që të bëja një dasmë edhe më luksoze.» Ç’mund t’ju ndihmojë të kapërceni sfida si këto?
15. Pse është e rëndësishme të luteni shpesh ndërsa planifikoni dasmën?
15 Lutuni shpesh teksa planifikoni dasmën. Mund t’i tregoni Jehovait në lutje çdo vështirësi që po hasni ose si ndiheni. (Filip. 4:6, 7) Kërkojini t’ju ndihmojë të merrni vendime të mençura, të mos e humbni qetësinë kur jeni në ankth dhe të shfaqni guxim kur është e nevojshme. (1 Pjet. 5:7) Ndërsa shihni si u përgjigjet Jehovai lutjeve, do t’i besoni gjithnjë e më shumë. Tabita, e përmendur më parë, thotë: «Unë dhe i fejuari u druheshim mosmarrëveshjeve me njëri-tjetrin dhe me familjarët. Prandaj, sa herë që flitnim për planet e dasmës, si fillim bënim një lutje. E ndiem vërtet dorën e Jehovait dhe gjithçka shkoi për bukuri.»
16-17. Si mund t’ju ndihmojë komunikimi i mirë kur planifikoni dasmën?
16 Komunikoni qartë dhe me takt. (Prov. 15:22) Si çift do t’ju duhet të merrni plot vendime për dasmën. Duhet të vendosni për datën, buxhetin, të ftuarit dhe shumë gjëra të tjera. Para se të merrni një vendim, shqyrtoni alternativat, diskutoni parimet e Biblës që zbatohen në rastin tuaj, si edhe ndonjë këshillë që ju japin motrat e vëllezërit e pjekur. Kur shpreh preferencat e tua, ji i sjellshëm, i arsyeshëm dhe i gatshëm të hapësh rrugë. Nëse pjesëtarët e ngushtë të familjes—si për shembull prindërit—kanë kërkesa të arsyeshme, tregoju nderim duke ua plotësuar. Fundja, ky është një rast special edhe për ta. Dhe nëse nuk ua plotëson dot dëshirën, shpjegoju me takt arsyet. (Kolos. 4:6) Tregoju qartë pjesëtarëve të familjes se synimi yt kryesor është që ky rast i gëzueshëm t’i sjellë lavdi Jehovait.
17 Mund të jetë e vështirë t’ua shpjegosh vendimet e tua prindërve, sidomos nëse s’janë Dëshmitarë. Por mund t’ia dalësh mbanë. Santoshi, një vëlla nga India, tregon: «Familjet tona donin që të përfshinim në dasmë disa rite hinduiste. Na u desh goxha kohë që, bashkë me të fejuarën, t’u shpjegonim çfarë kishim vendosur. Bëmë disa ndryshime në gjërat që nuk binin ndesh me atë që kërkon Jehovai. Për shembull, ndryshuam menunë sipas preferencave të tyre dhe nuk përfshimë këngë dhe kërcime, ngaqë nuk ishin mësuar me këto gjëra.»
18. Ç’mund të bëni që gjithçka të shkojë mirë në ditën e dasmës? (1 Korintasve 14:40) (Shih edhe figurën.)
18 Planifikoni me kujdes. Nëse i organizoni mirë gjërat, ka të ngjarë të jeni më pak të stresuar në ditën e dasmës. (Lexo 1 Korintasve 14:40.) Uejni nga Tajvani, thotë: «Disa ditë para se të martoheshim, bëmë një mbledhje të shkurtër me ata që ishin ofruar të na ndihmonin. Folëm edhe një herë për planet dhe bëmë prova për disa pjesë të ceremonisë që të siguroheshim se gjithçka do të shkonte mirë.» Tregoni respekt për të ftuarit, duke bërë maksimumin që të jeni të përpiktë me oraret.
Me një planifikim të mirë, gjërat në ditën e dasmës mund të shkojnë për bukuri (Shih paragrafin 18)
19. Ç’mund t’ju ndihmojë që ta keni nën kontroll situatën në dasmë?
19 Po të mendoni paraprakisht për problemet që mund të lindin, do të shmangni shumë prej tyre. (Prov. 22:3) Për shembull, nëse në vendin tuaj është e zakonshme që në dasma të vijnë mysafirë të paftuar, mendoni si ta parandaloni këtë gjë. Shpjegojuni të afërmve që nuk janë Dëshmitarë, si është e organizuar dasma dhe pikëpamjen tuaj për disa zakone që lidhen me rastin. Mund t’u tregoni artikullin «Çfarë ndodh në dasmat e Dëshmitarëve të Jehovait?» në jw.org. Që ta keni nën kontroll situatën në dasmë, mund të caktoni një vëlla të pjekur si ‘të parin e gostisë’. (Gjoni 2:8) Nëse i tregoni qartë çfarë keni planifikuar, ai mund t’ju ndihmojë që dasma t’i japë lavdi Jehovait dhe që gjërat të shkojnë sipas planit.
20. Çfarë duhet të mbajë ndër mend një çift për ditën e martesës?
20 Mbase ju kap ankthi kur mendoni për gjithë gjërat që duhen planifikuar. Megjithatë, mos harroni që dasma zgjat vetëm një ditë. Ajo është vetëm dita e parë e një jete të bukur që do të shijoni krah njëri-tjetrit në shërbim të Jehovait. Bëni çmos që dita e martesës të jetë e thjeshtë dhe t’i japë lavdi Perëndisë. Kini besim te Jehovai. Falë drejtimit të tij, do të organizoni një dasmë që do ta kujtoni përherë me dashuri dhe pa asnjë keqardhje.—Psal. 37:3, 4.
KËNGA 107 Modeli i praruar i dashurisë
a SHPJEGIMI I SHPREHJES: Në shumë kultura, dita e martesës përfshin një ceremoni, ku dhëndri dhe nusja bëjnë betimin martesor para Perëndisë. Pas kësaj mund të bëhet një festë. Edhe në kulturat ku nuk organizohet një ceremoni formale ose një festë, prapëseprapë çiftet mund të përfitojnë duke shqyrtuar parime nga Bibla që lidhen me ditën e martesës.
b Për më shumë informacion se çfarë pikëpamje kanë adhuruesit e Jehovait për kërkesat ligjore që lidhen me martesën, lexo artikullin «Dasma që janë të nderuara në sytë e Perëndisë dhe të njerëzve» në Kullën e Rojës të 15 tetorit 2006.
c Shih në jw.org videon A duhet të shërbej pije alkoolike?