BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w25 gusht f. 26-30
  • Rrugëtimi im nga e ndrojtur, në misionare

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Rrugëtimi im nga e ndrojtur, në misionare
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • NIS SHËRBIMIN NË KOHË TË PLOTË
  • SYNIMI IM PËR TË SHËRBYER SI MISIONARE
  • SHËRBEJMË NË NJË VEND TË RRËNUAR NGA LUFTA
  • SFIDA TË REJA
  • PËRBALLEMI ME PROBLEME SHËNDETËSORE
  • MIRËNJOHËSE PËR MBËSHTETJEN E JEHOVAIT
  • Diçka më e vyer se çdo karrierë
    Zgjohuni!—2011
  • Fushatë speciale e suksesshme në Bullgari
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2010
  • Jehovai ‘m’i ka drejtuar shtigjet’
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2021 (Për studim)
  • Të vendosur për t’i shërbyer Jehovait
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2006
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
w25 gusht f. 26-30
Marjana Vertolc.

JETËSHKRIM

Rrugëtimi im nga e ndrojtur, në misionare

TREGUAR NGA MARJANA VERTOLC

KUR isha e vogël, isha e ndrojtur dhe kisha frikë nga njerëzit. Por me kalimin e kohës, Jehovai më ndihmoi të bëhesha një misionare që i do të tjerët. Në ç’mënyrë më ndihmoi? Në fillim me anë të drejtimit të babait tim. Më pas, me anë të shembullit të shkëlqyer të një motre adoleshente, dhe më vonë me anë të fjalëve të ngrohta e të mençura të bashkëshortit. Më lini t’ju tregoj pak për jetën time.

Linda në vitin 1951, në Vjenë të Austrisë. Familja ime ishte katolike. Edhe pse isha e ndrojtur, ngaqë besoja te Perëndia, e kisha të lehtë t’ia hapja zemrën në lutje. Kur isha 9 vjeçe, babai filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Pak më vonë nisi të studionte edhe mamaja.

Me motrën time Elizabeta (majtas)

Shumë shpejt, u bëmë pjesë e kongregacionit të Dëblingut në Vjenë. Si familje, bënim plot aktivitete së bashku: lexonim e studionim Biblën, ndiqnim mbledhjet dhe shërbenim si vullnetarë në asamble. Gjatë atyre viteve, babai rrënjosi tek unë një dashuri të thellë për Jehovain. Në fakt, ai gjithmonë lutej që unë dhe motra të bëheshim pioniere. Por në atë kohë, s’e kisha fare këtë synim.

NIS SHËRBIMIN NË KOHË TË PLOTË

U pagëzova në vitin 1965, kur isha 14 vjeçe. Megjithatë e kisha të vështirë t’u predikoja njerëzve që nuk i njihja. Veç kësaj luftoja edhe me ndjenjat e pavlefshmërisë dhe doja shumë që të isha e pranuar nga bashkëmoshatarët e mi. Prandaj, jo shumë kohë më pas, fillova të shoqërohesha me të rinj që nuk i shërbenin Jehovait. Ndonëse më pëlqente shoqëria e tyre, më vriste ndërgjegjja ngaqë kaloja tepër kohë me ta. Por nuk kisha forcë që të ndryshoja. Çfarë më ndihmoi?

Marjana dhe Dorothi.

Mësova shumë nga Dorothi (majtas)

Në atë kohë, Dorothi, një vajzë 16-vjeçare, u bë pjesë e kongregacionit tonë. Zelli i saj për shërbimin shtëpi më shtëpi më bëri shumë përshtypje. Ndonëse isha pak më e madhe se ajo, nuk dilja rregullisht në shërbim. Thosha me vete: «Prindërit e mi janë Dëshmitarë, ndërsa Dorothi nuk ka asnjërin në të vërtetën. Edhe pse mamanë e ka të sëmurë, prapë e sheh gjithmonë në shërbim!» Shembulli i saj më nxiti të bëja më shumë për Jehovain. S’kaloi shumë kohë, dhe unë e Dorothi shërbyem së bashku si pioniere. Si fillim ishim pioniere ndihmëse, ose siç njiheshim atëherë, pioniere gjatë kohës së pushimeve, dhe më vonë u bëmë pioniere të rregullta. Entuziazmi i Dorothisë ishte ngjitës. Ajo më ndihmoi që për herë të parë edhe unë të drejtoja një studim. Me kalimin e kohës, për mua u bë më e lehtë që të flisja me njerëzit në shtëpitë e tyre, në rrugë ose kudo që i takoja.

Vitin e parë që nisa shërbimin si pioniere e rregullt, në kongregacionin tonë erdhi një vëlla me emrin Hajnc. Ai e kishte marrë të vërtetën në Kanada, kur kishte vajtur te vëllai i tij që ishte Dëshmitar. Hajncin e kishin caktuar si pionier special në kongregacionin tonë në Vjenë. Nisa ta pëlqeja që kur erdhi. Si fillim i mbajta të fshehura ndjenjat për të, ngaqë ai donte të bëhej misionar, por unë nuk e kisha atë synim. Megjithatë, më vonë filluam të njiheshim, u martuam dhe shërbyem si pionierë në Austri.

SYNIMI IM PËR TË SHËRBYER SI MISIONARE

Hajnci më fliste shpesh për dëshirën e tij për t’u bërë misionar. Ndonëse nuk më bënte kurrë presion, më nxiste me pyetje, si: «Meqë nuk kemi fëmijë, a mund të bëjmë më shumë në shërbim të Jehovait?» Ngaqë isha e ndrojtur, kisha frikë të bëhesha misionare. Edhe pse tashmë isha pioniere, caktimi si misionare më dukej shumë i vështirë. Megjithatë, Hajnci me durim vazhdonte të më fliste për këtë synim. Gjithashtu më nxiste që të përqendrohesha më shumë te njerëzit, sesa te vetja. Dhe këshillat e tij më ndihmuan vërtet shumë.

Hajnci duke drejtuar studimin e Kullës së Rojës në një kongregacion të vogël të gjuhës serbo-kroate në Salcburg të Austrisë, 1974

Dalëngadalë, filloi të më pëlqente shërbimi si misionare, ja pse bëmë kërkesën për Shkollën e Galadit. Megjithatë, shërbëtori i degës më sugjeroi që si fillim të përmirësoja anglishten. Pas tri vitesh përpjekjeje për ta përmirësuar, u habitëm që na caktuan në një kongregacion jugosllav në Salcburg, Austri. Shërbyem aty për shtatë vjet, përfshirë edhe një vit në veprën qarkore. Ndonëse gjuha serbo-kroate ishte e vështirë, ne kishim shumë studime.

Më vonë, në vitin 1979, na kërkuan të shkonim për «pushime» në Bullgari. Aty vepra e predikimit ishte e ndaluar, ndaj nuk arritëm të predikonim dot gjatë asaj kohe. Megjithatë çuam fshehurazi literaturë në miniaturë për 5 motrat që jetonin në kryeqytet, Sofje. Isha e tmerruar, por Jehovai më ndihmoi që t’ia dilja mbanë në këtë caktim. Kur pashë guximin dhe gëzimin e këtyre motrave, pavarësisht se rrezikonin të përfundonin në burg, mora forcën e nevojshme për të bërë më të mirën në çdo caktim që do të merrja nga organizata e Jehovait.

Ndërkohë, bëmë sërish kërkesën për Galadin, dhe këtë herë na e aprovuan. Menduam se shkollën do ta ndiqnim në anglisht në Shtetet e Bashkuara. Por në nëntor të vitit 1981, organizata filloi të mbante disa klasa të Galadit në Visbaden të Gjermanisë. Ja pse patëm mundësinë ta ndiqnim shkollën e Galadit në gjermanisht, gjuhë që e kuptoja shumë mirë. Cili do të ishte caktimi ynë?

SHËRBEJMË NË NJË VEND TË RRËNUAR NGA LUFTA

Caktimi ynë ishte Kenia! Megjithatë, zyra e degës së Kenias na pyeti nëse mund të shërbenim në shtetin fqinj të Ugandës. Mbi dhjetë vjet më parë, qeveria e Ugandës ishte rrëzuar nga një grusht shteti, i drejtuar nga gjeneral Idi Amini. Në vitet pasuese diktatura e tij shkaktoi vdekjen e mijëra njerëzve dhe solli mjerim për miliona të tjerë. Në vitin 1979, qeveria e Ugandës ishte rrëzuar sërish. S’do mend që ndihesha e pasigurt të shkoja në një vend të rrënuar nga lufta! Por Galadi na kishte përgatitur që të kishim besim te Jehovai. Ja pse thamë po.

Situata në Ugandë ishte kaotike. Ja si e përshkroi Hajnci në Librin vjetor 2010: «Shumë shërbime, si furnizimi me ujë dhe rrjeti i komunikimit, ishin prishur. . . . Të shtënat dhe grabitjet ishin të zakonshme, sidomos natën. . . . Të gjithë mbylleshin në shtëpi, duke shpresuar (e shpesh duke u lutur) që nata të kalonte pa ‘mysafirë’ të paftuar.» Pavarësisht nga gjithë këto vështirësi, motrat dhe vëllezërit vendas vazhdonin t’i shërbenin Jehovait me gëzim.

Duke përgatitur një vakt në shtëpinë e familjes Uaisua

Më 1982, shkuam në kryeqytetin e Ugandës, Kampalë. Pesë muajt e parë qëndruam në shtëpinë e Sem dhe Kristina Uaisuas. Aty jetonin edhe pesë fëmijët e tyre dhe katër të afërm të tjerë. Kjo familje zakonisht hante vetëm një vakt në ditë, ja pse mikpritja e tyre na preku thellë. Gjatë kohës që jetuam me ta, mësuam shumë gjëra praktike që na ndihmuan në jetën si misionarë. Për shembull, mësuam si të kursenim ujin, duke harxhuar pak litra kur laheshim dhe duke përdorur ujin me të cilin shpëlaheshin, për të larë tualetin. Në vitin 1983, unë dhe Hajnci gjetëm shtëpi në një zonë relativisht të sigurt të Kampalës.

Kënaqeshim pa masë në shërbim. Më kujtohet që një muaj dhamë mbi 4.000 revista. Por gjëja që na kënaqte më shumë, ishte mënyra si reagonin njerëzit ndaj së vërtetës. Ata e nderonin Perëndinë dhe u pëlqente të flisnin për Biblën. Unë dhe Hajnci zakonisht drejtonim 10 deri në 15 studime secili. Mësonim shumë edhe nga studentët tanë. Për shembull, vlerësonim pa masë qëndrimin pozitiv që kishin. Gjithmonë ishin të buzëqeshur dhe asnjëherë nuk ankoheshin, edhe pse çdo javë bënin goxha rrugë për të shkuar e për t’u kthyer nga mbledhja.

Në vitet 1985 dhe 1986, në Ugandë pati edhe dy konflikte të tjera ushtarake. Rëndom shihnim fëmijë të armatosur që përdoreshin si ushtarë ose që i vendosnin nëpër postblloqe. Gjatë kësaj kohe, i luteshim Jehovait të na jepte aftësi dalluese dhe një zemër të qetë, teksa kërkonim ata që kishin interes për të vërtetën. Dhe Jehovai iu përgjigjej këtyre lutjeve. Shpesh, sapo takonim dikë që reagonte mirë ndaj mesazhit të Mbretërisë, i harronim frikërat tona.

Unë me Hajncin dhe Tatjanën (në mes)

Na pëlqente shumë t’u predikonim edhe të huajve që kishin ardhur në Ugandë. Për shembull, studiuam Biblën me Murat dhe Dilbara Ibatulinin, një çift nga Tatarstani (Rusia Qendrore). Murati ishte mjek. Ata e pranuan të vërtetën dhe vazhdojnë t’i shërbejnë Jehovait me besnikëri edhe sot e kësaj dite. Më vonë pata privilegjin të takoja Tatjana Vilejskën, një grua nga Ukraina që ishte kaq e dëshpëruar, sa po mendonte të vriste veten. Pasi u pagëzua, u kthye në Ukrainë, dhe më vonë ndihmoi me përkthimin e botimeve tona.a

SFIDA TË REJA

Më 1991, kur unë dhe Hajnci ishim me pushime në Austri, zyra e degës atje na kontaktoi për të na informuar se do të kishim një caktim të ri: Bullgarinë. Pas rënies së komunizmit në Evropën Lindore, vepra e Dëshmitarëve të Jehovait ishte bërë e ligjshme edhe në Bullgari. Siç ju tregova më parë, kur vepra kishte qenë e ndaluar, aty kishim futur fshehurazi literaturë. Por tani po shkonim për të predikuar.

Vëllezërit na udhëzuan të shkonim direkt në caktimin e ri. Prandaj nuk patëm mundësi të ktheheshim në shtëpinë tonë misionare në Ugandë për të paketuar gjërat dhe as të takoheshim me motrat e vëllezërit. Por shkuam menjëherë në Bethelin e Gjermanisë, morëm një makinë dhe u nisëm për në Bullgari. Na kishin caktuar në Sofje me një grup prej 20 lajmëtarësh.

Në Bullgari u përballëm me disa sfida të reja. Së pari nuk e njihnim fare gjuhën. Veç kësaj, të vetmet botime që kishim në bullgarisht, ishin E vërteta që të çon në jetën e përjetshme dhe Libri im i tregimeve biblike. Nga ana tjetër e kishim të vështirë edhe të nisnim studime të Biblës. Por pavarësisht nga këto sfida, grupi ynë i vogël, por i zellshëm, vazhdonte të bënte përparim. Kishës Ortodokse nuk i shpëtoi pa vënë re kjo gjë, dhe ky ishte momenti kur nisën tamam problemet.

Më 1994, Dëshmitarëve të Jehovait iu hoq njohja ligjore dhe filluan të trajtoheshin si një sekt i rrezikshëm. Disa vëllezër u arrestuan. Mediat filluan të përhapnin gënjeshtra të tmerrshme për Dëshmitarët, duke na akuzuar se vritnim fëmijë dhe se i shtynim bashkëbesimtarët tanë të vrisnin veten. Për mua dhe Hajncin nuk ishte fare e lehtë të predikonim. Shpesh përballeshim me njerëz agresivë që na bërtisnin, thërritnin policinë ose na qëllonin me sende të ndryshme. Në Bullgari u bë shumë e vështirë që të futej literaturë ose që të merrnim me qira ambiente për Salla Mbretërie. Madje në një kongres policia hyri me forcë dhe na e ndërpreu programin. Unë dhe Hajnci nuk ishim mësuar me kaq shumë urrejtje. Ishte komplet ndryshe nga çfarë kishim përjetuar në Ugandë, ku njerëzit ishin miqësorë dhe të gatshëm të studionin Biblën! Çfarë na ndihmoi ta përballonim këtë ndryshim?

Koha që kalonim me motrat dhe vëllezërit vendas, na sillte shumë gëzim. Ata ishin goxha të lumtur që kishin njohur të vërtetën dhe e çmonin pa masë ndihmën që u jepnim. Qëndronim të gjithë të bashkuar dhe e mbështetnim njëri-tjetrin. Nga këto eksperienca mësuam se, kur përqendrohemi te njerëzit, mund të jemi të lumtur në çdo caktim.

Marjana dhe Hajnc Vertolc.

Në zyrën e degës në Bullgari, 2007

Me kalimin e kohës gjërat u përmirësuan. Në vitin 1998 organizata jonë u njoh prapë ligjërisht, dhe shumë botime u përkthyen në bullgarisht për një kohë të shkurtër. Më 2004 u kushtua një zyrë e re dege. Sot në Bullgari ka 57 kongregacione dhe 2.953 lajmëtarë. Vitin e kaluar të shërbimit, Përkujtimin e ndoqën 6.475 veta. Dikur në Sofje kishim vetëm 5 motra, ndërsa tani kemi 9 kongregacione. E kemi parë me sytë tanë si ‘i pakti është bërë një mijë’.—Isa. 60:22.

PËRBALLEMI ME PROBLEME SHËNDETËSORE

Gjatë jetës kam pasur shumë probleme me shëndetin dhe jam diagnostikuar me disa tumore. Një prej tyre e kam pasur në kokë. Për këtë kam bërë një terapi me rreze dhe, për të hequr pjesën më të madhe të masës, i jam nënshtruar një operacioni prej 12-orësh në Indi. Pasi qëndruam në zyrën e degës së Indisë derisa të merrja veten, u rikthyem në caktimin tonë në Bullgari.

Ndërkohë Hajnci filloi të vuante nga një çrregullim i rrallë gjenetik, i njohur si sëmundja e Hantingtonit. Ai e kishte të vështirë të ecte, të fliste dhe të kontrollonte lëvizjet. Teksa sëmundja e tij përparonte, filloi të bëhej gjithnjë e më i varur nga unë. Ndonjëherë ndihesha shumë e dëshpëruar dhe isha në merak se deri në ç’pikë do të shkonin gjërat. Një vëllai i ri me emrin Bob e ftonte vazhdimisht Hajncin që të dilnin bashkë në shërbim. Bobi nuk ndihej në siklet nga mënyra si fliste Hajnci, dhe as nga fakti që nuk i kontrollonte dot lëvizjet. Kur nuk arrija dot të kujdesesha për Hajncin, mund të mbështetesha pa frikë te Bobi. Ndonëse unë dhe bashkëshorti im vendosëm të mos kishim fëmijë në këtë sistem, ishte sikur Jehovai na kishte dhënë tashmë një djalë, Bobin.—Mar. 10:29, 30.

Hajnci luftoi edhe me kancerin. Mjerisht bashkëshorti im i shtrenjtë vdiq më 2015. Pas vdekjes së tij, ndihesha shumë e pasigurt. Nuk arrija ta besoja që nuk ishte më. Në kujtimet e mia ai vazhdonte të ishte gjallë! (Luka 20:38) Shpesh gjatë ditës ende më duket sikur i dëgjoj fjalët e tij të ngrohta dhe këshillat e tij të mençura. Jam tejet mirënjohëse për gjithë vitet që kemi kaluar së bashku në shërbim të Jehovait!

MIRËNJOHËSE PËR MBËSHTETJEN E JEHOVAIT

Jehovai më ka mbështetur në të gjitha sprovat. Më ka ndihmuar edhe të kapërcej ndrojtjen e të bëhem një misionare që i do njerëzit. (2 Tim. 1:7) Falë Jehovait, si unë, ashtu edhe motra ime e vogël, po shërbejmë në kohë të plotë. Sot, ajo dhe i shoqi shërbejnë në veprën qarkore dhe vizitojnë kongregacionet e gjuhës serbe në Evropë. Lutjet që babai im bëri gjatë gjithë atyre viteve, kanë marrë përgjigje.

Studimi i Biblës më jep paqe të brendshme. Kur kaloj momente të vështira, kam mësuar të lutem «më me ngulm», ashtu siç bëri edhe Jezui. (Luka 22:44) Një mënyrë si Jehovai iu është përgjigjur lutjeve të mia, është me anë të dashurisë dhe zemërmirësisë së motrave e vëllezërve në kongregacionin e Nadezhdës, në Sofje. Ata më ftojnë të kalojmë kohë së bashku dhe shpesh më shprehin sa shumë më çmojnë. Kjo më ka dhënë tej mase gëzim.

Mendoj shpesh për ringjalljen. Imagjinoj sikur shoh prindërit e mi para shtëpisë sonë, dhe duken po aq të bukur sa ditën kur u martuan. E përfytyroj motrën time duke gatuar për këtë moment ribashkimi, ndërkohë që shoh Hajncin duke qëndruar pranë kalit të tij. Kur imagjinoj gjëra të tilla, ndjenjat negative më fashiten dhe zemra më mbushet plot mirënjohje për Jehovain.

Kur mendoj për jetën time dhe të ardhmen që më pret, me gjithë zemër bashkohem me fjalët e Davidit te Psalmi 27:13, 14: «Ku do të isha tani po të mos besoja se do të shijoja mirësinë e Jehovait mes të gjallëve? Shpreso te Jehovai! Qofsh guximtar e me zemër të fortë! Po, shpreso te Jehovai!»

a Shih jetëshkrimin e Tatjana Vilejskës në revistën Zgjohuni! të 22 dhjetorit 2000, f. 20-24, anglisht.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo