Pyetje nga lexuesit
Kur do të përfundojë predikimi i lajmit të mirë?
Jezui tha: «Ky lajm i mirë për Mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet, e atëherë do të vijë fundi.» (Mat. 24:14) Fjala greke e përkthyer «fund» në këtë varg, si edhe në vargjet 6 dhe 13, është télos. Ajo nënkupton fundin e botës së Satanait në Armagedon. (Zbul. 16:14, 16) Pra, ne do të vazhdojmë ta predikojmë lajmin e mirë deri pak para se të vijë Armagedoni. Kjo përditëson mënyrën si e kuptonim këtë varg.
Më parë mendonim se predikimi i lajmit të mirë do të përfundonte kur të fillonte shtrëngimi i madh me sulmin ndaj Babilonisë së Madhe. (Zbul. 17:3, 5, 15, 16) Besonim se kjo do të shënonte fundin e ‘vitit të favorshëm të Jehovait’. (Isa. 61:2) Gjithashtu, mendonim se në shtrëngimin e madh do të mbijetonin vetëm ata që i kishin shërbyer me besnikëri Jehovait para kësaj ngjarjeje. I krahasonim me judenjtë që i shpëtuan shkatërrimit të Jerusalemit në vitin 607 p.e.s. Ata e morën që më parë shenjën për mbijetesë, sepse adhuronin Jehovain dhe urrenin ligësinë. (Ezek. 5:11; 9:4) Megjithatë, ky krahasim nuk përputhet me fjalët e Jezuit te Mateu 24:14, që tregojnë se njerëzve mund t’u jepet mundësia ta pranojnë lajmin e mirë deri pak para fundit, pra Armagedonit.
Ky përditësim për Mateun 24:14 ndryshon edhe mënyrën si e kuptojmë Zbulesën 16:21, ku parathuhet predikimi i një mesazhi që ngjan me një breshër të madh. Pasi kemi shqyrtuar më tej shkrimet, kemi kuptuar se në këto dy vargje bëhet fjalë për të njëjtin mesazh. Si arritëm në këtë përfundim? Nga përshkrimi që bëhet në Bibël për reagimin e njerëzve ndaj mesazhit për Mbretërinë. Apostulli Pavël tha se për «ata që po shpëtojnë», ky mesazh është lajm i mirë, «një aromë e këndshme». Kurse për armiqtë e Perëndisë, është lajm i keq, «kundërmim vdekjeje». (2 Kor. 2:15, 16) Këta e urrejnë mesazhin për Mbretërinë, sepse i çjerr maskën botës së tyre, që është e ligë, nën sundimin e Satanait dhe po shkon drejt shkatërrimit.—Gjoni 7:7; 1 Gjon. 2:17; 5:19.
Veç kësaj, plaga e breshrit për të cilën flet Zbulesa do të jetë «jashtëzakonisht e madhe». Kjo mund të nënkuptojë se mesazhi që do të predikojmë gjatë shtrëngimit të madh, do të jetë më i fuqishëm dhe do ta dëgjojnë më shumë njerëz. Si rezultat, emri i Jehovait do të bëhet më i njohur se kurrë më parë. (Ezek. 39:7) A ka mundësi që pas shkatërrimit të Babilonisë së Madhe disa t’i tërheqë mesazhi ynë, siç do t’i tërhiqte një aromë e ëmbël? Ka shumë të ngjarë që po. Mbase mund të kujtojnë ose të mësojnë se Dëshmitarët e Jehovait e kishin shpallur prej shumë vitesh shkatërrimin e feve të rreme.
Për ta krahasuar, të mendojmë çfarë ndodhi në Egjiptin e lashtë pas Dhjetë Plagëve. Pasi Jehovai ‘i gjykoi dhe i ndëshkoi gjithë perënditë e Egjiptit’, me popullin e tij u bashkua «një numër i madh» joizraelitësh. (Eks. 12:12, 37, 38) Ata mund të kenë marrë anën e Jehovait kur panë të bëheshin realitet paralajmërimet e Moisiut për Dhjetë Plagët.
Kushdo që nis t’i shërbejë Jehovait pas shkatërrimit të Babilonisë së Madhe, do të ketë privilegjin të mbështetë vëllezërit e Krishtit që do të jenë akoma në tokë. (Mat. 25:34-36, 40) Natyrisht, mundësia për t’u gjykuar si dele do të përfundojë pak para Armagedonit, kur të marrin shpërblimin qiellor të mirosurit e mbetur në tokë.
Ky përditësim është dëshmi e fuqishme e dashurisë dhe e mëshirës së jashtëzakonshme të Jehovait. Vërtet, ai «nuk dëshiron që të shkatërrohet ndonjë, por dëshiron që të gjithë të pendohen».—2 Pjet. 3:9.