JETËSHKRIM
Jetë shpërblyese në shërbim të Jehovait
ISHTE viti 1951. Sapo kisha mbërritur në Ruan, një qytezë në provincën kanadeze të Kuebekut. Trokita në derën e adresës që më kishin dhënë. Te dera doli Marsel Filtoja,a i diplomuar i Galadit. Ai ishte 23 vjeç dhe i gjatë, kurse unë 16 vjeç dhe i shkurtër. I tregova letrën e caktimit si pionier. Ai e lexoi, më hodhi një sy dhe më tha: «Të ka dhënë leje mami që të vish këtu?»
U RRITA NË FAMILJE ME BESIME TË NDRYSHME
Linda në vitin 1934. Prindërit ishin emigrantë nga Zvicra që ishin shpërngulur në Timins, një qytezë minatorësh në Ontario të Kanadasë. Aty nga viti 1939, mamaja nisi të lexonte revistën Kulla e Rojës dhe të ndiqte mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait. Ajo na merrte me vete mua dhe motrat e vëllezërit e mi. Pak kohë më vonë, mamaja u bë Dëshmitare e Jehovait.
Babait nuk i pëlqeu hiç vendimi i saj, por ime më e donte të vërtetën dhe ishte e vendosur t’i qëndronte besnike Jehovait. Qëndroi besnike edhe në fillim të viteve 40, kur vepra e Dëshmitarëve të Jehovait në Kanada u ndalua. Ajo e trajtonte gjithmonë babanë me dashuri dhe respekt, edhe pse ai çfarë nuk i thoshte. Shembulli i saj i shkëlqyer bëri që edhe ne 7 fëmijët ta pranonim të vërtetën. Me kalimin e kohës babai u zbut dhe nisi të na trajtonte me më shumë përzemërsi.
FILLOJ SHËRBIMIN NË KOHË TË PLOTË
Në verën e vitit 1950, ndoqa asamblenë «Rritja e Teokracisë» që u mbajt në qytetin e Nju-Jorkut. Takova shumë vëllezër e motra nga e gjithë bota dhe dëgjova intervista emocionuese nga të diplomuar të Galadit. Kjo më motivoi jashtë mase që të bëja më shumë në shërbim të Jehovait. Isha më i vendosur se kurrë që të nisja shërbimin në kohë të plotë. Sapo u ktheva në shtëpi, bëra kërkesë që të shërbeja si pionier i rregullt. Zyra e degës së Kanadasë më shkroi dhe më sugjeroi që së pari të pagëzohesha. Dhe kështu u pagëzova më 1 tetor 1950. Një muaj më vonë u bëra pionier i rregullt dhe mora caktimin tim të parë në Kapuskasing. Ajo qytezë ishte shumë kilometra larg vendit ku jetoja në atë kohë.
Duke shërbyer në Kuebek
Në pranverën e vitit 1951, zyra e degës ftoi Dëshmitarët që flitnin frëngjisht të shqyrtonin mundësinë për t’u transferuar në provincën frëngjishtfolëse të Kuebekut. Atje kishte shumë nevojë. Unë flitja që i vogël frëngjisht dhe anglisht, prandaj e pranova ftesën dhe më caktuan në Ruan. Nuk njihja asnjë atje. Kisha vetëm një adresë, siç tregova më sipër. Por gjërat vajtën mirë. Marseli dhe unë u bëmë miq dhe u kënaqa me shërbimin në Kuebek për katër vitet që pasuan. Nga fundi i katër vjetëve u caktova edhe si pionier special.
GALADI DHE PRITJET E ZGJATURA
Ndërsa isha në Kuebek, mora ftesën emocionuese që të ndiqja klasën e 26-të të Shkollës së Galadit në Lansingun Jugor, Nju-Jork. Diplomimi u bë më 12 shkurt 1956, dhe u caktova të shërbeja në vendin që tani quhet Ganë,b në Afrikën Perëndimore. Por, para se të shkoja atje, duhej të kthehesha për «disa javë» në Kanada, sa të bëheshin gati dokumentet për udhëtimin.
Si përfundim, prita shtatë muaj në Toronto për dokumentet. Gjatë asaj kohe, familja Krips më mikpriti me dashuri. Aty u njoha me vajzën e tyre, Sheilën dhe ramë në dashuri. Tamam kur po bëhesha gati t’i propozoja, mora vizën. U lutëm me Sheilën dhe vendosëm që unë të shkoja në caktim. Por do të mbanim lidhje me letra për të parë nëse mund të martoheshim në të ardhmen. Nuk ishte vendim i lehtë, ama doli se ishte vendimi i duhur.
Pas një muaji udhëtimi me tren, anije mallrash dhe avion, mbërrita në Akra, Ganë. Atje më caktuan si mbikëqyrës krahinor. Caktimi kërkonte të udhëtoja në krejt Ganën, si edhe në Bregun e Fildishtë e Togolandë (tani Togo). Shumicën e kohës udhëtoja i vetëm, me një xhip që ma kishte dhënë dega. E kam shijuar pa fund atë periudhë!
Gjatë fundjavëve mbaja pjesë në asambletë qarkore. Nuk kishim salla asamblesh. Prandaj, vëllezërit ndërtonin një strehë të përkohshme me shtylla bambuje dhe çati me degë palmash për t’u mbrojtur nga dielli. Meqë në mensë nuk kishte frigorifer, mbanim kafshë të gjalla, të cilat thereshin sipas nevojës për të ushqyer të pranishmit.
Në ato asamble ndodhnin edhe gjëra për të qeshur. Një herë, teksa misionari Herb Xheningsc po mbante një fjalim, nga mensa del një lopë që nis të vrapojë midis podiumit dhe auditorit. Herbi e ndali fjalimin dhe lopa nuk po dinte nga të shkonte. Por katër vëllezër të fuqishëm arritën ta kapnin dhe ta kthenin në mensë lopën. I gjithë auditori e brohoriti këtë veprim.
Gjatë javës shkoja në fshatrat përreth të shfaqja filmin Shoqëria Bota e Re në veprim. Lidhja një çarçaf të bardhë mes dy shtyllave ose dy pemëve dhe aty shfaqja filmin me anë të një projektori. Fshatarët e pëlqenin shumë. Për shumë prej tyre ishte filmi i parë që shikonin. Duartrokitnin sa u hanin duart kur shihnin skenat ku pagëzoheshin njerëzit. Ai film ndihmoi shumë veta të kuptonin se ne ishim një organizatë mbarëbotërore e bashkuar.
U martuam në Ganë në vitin 1959
Pas nja dy vjetësh në Afrikë, u kënaqa që mora pjesë në kongresin ndërkombëtar në qytetin e Nju-Jorkut, në vitin 1958. Ç’gëzim që aty takova Sheilën! Kishte ardhur nga Kuebeku i Kandasë ku po shërbente si pioniere speciale. Kishim shkëmbyer letra, por tani që u takuam sërish, i propozova për martesë. Ajo pranoi. I shkrova vëlla Noritd dhe e pyeta nëse Sheila mund të ndiqte Galadin dhe të vinte me mua në Afrikë. Ai ra dakord. Si përfundim, Sheila erdhi në Ganë. U martuam në Akra më 3 tetor 1959. Ndiem se Jehovai na kishte bekuar vërtet ngaqë e vumë adhurimin e tij në vend të parë në jetë.
SHËRBEJMË NË KAMERUN
Duke punuar në degën e Kamerunit
Në vitin 1961 u caktuam në Kamerun. Isha shumë i zënë se na kërkuan të hapnim një zyrë dege atje. Si shërbëtor dege pa përvojë, kisha shumë për të mësuar. Më vonë në 1965-n, Sheila mbeti shtatzënë. E pranoj se na u desh ca kohë të mësoheshim me idenë se do të bëheshim prindër. Por, ndërsa po fillonim të ndienim kënaqësi për përgjegjësinë e re që na priste dhe po bënim plane për t’u kthyer në Kanada, ndodhi diçka që na theu zemrën.
Sheila humbi fëmijën. Doktori na tha se fëmija që do të lindte ishte djalë. Kjo gjë ndodhi mbi 50 vjet më parë, por nuk e harruam kurrë. Edhe pse në atë periudhë e kishim zemrën plagë, qëndruam në caktimin tonë që e donim aq shumë.
Me Sheilën në Kamerun, viti 1965
Në Kamerun vëllezërit shpesh përndiqeshin për shkak të asnjanësisë në politikë. Situata bëhej më keq gjatë zgjedhjeve presidenciale. Më 13 maj 1970, ndodhi ajo që i frikësoheshim më shumë, Dëshmitarët e Jehovait i ndaluan zyrtarisht. Godina e bukur e degës, ku ishim transferuar vetëm nga pesë muaj, u konfiskua nga qeveria. Brenda javës të gjithë misionarët, përfshirë mua dhe Sheilën, na dëbuan nga shteti. Na pikonte në shpirt të largoheshim nga vëllezërit e motrat, sepse i donim pa masë dhe ishim në merak se çfarë do të ndodhte me ta.
Gjashtë muajt që pasuan, i kaluam në zyrën e degës së Francës. Atje vazhdova të bëja gjithë sa munda që të kujdesesha për vëllezërit në Kamerun. Në dhjetor të atij viti u caktuam në degën e Nigerisë, që nisi të mbikëqyrte veprën në Kamerun. Vëllezërit e motrat në Nigeri na mikpritën me gjithë zemër, dhe u kënaqëm me shërbimin atje për disa vjet.
NJË VENDIM I VËSHTIRË
Në vitin 1973 na u desh të merrnin një vendim shumë të vështirë. Sheila po kalonte ca probleme të rënda me shëndetin. Kur ishim në Nju-Jork për kongresin, ajo shpërtheu në lot dhe më tha: «Nuk mundem më! Pjesën më të madhe të kohës jam e sfilitur dhe e sëmurë.» Kishte shërbyer me mua në Afrikën Perëndimore për më shumë se 14 vjet. Isha shumë krenar për shërbimin e saj besnik, por duhej të bënim disa ndryshime. Pasi e diskutuam situatën tonë dhe pas lutjeve të gjata e të zjarrta, vendosëm që të ktheheshim në Kanada, ku mund të kujdeseshim më mirë për shëndetin e saj. Të ndërpritnim caktimin si misionarë dhe shërbimin në kohë të plotë, ishte një nga vendimet më të vështira e më të dhimbshme që na është dashur të marrim.
Pasi mbërritëm në Kanada, fillova punë te një miku im i vjetër që kishte një dyqan makinash në një qytezë në veri të Torontos. Morëm një apartament me qira, blemë mobilie të përdorura dhe arritëm të bënim gjithë transferimin pa hyrë në borxhe. Donim të bënim jetë të thjeshtë, me shpresë që një ditë të rifillonim shërbimin në kohë të plotë. Për habinë tonë, ajo shpresë u realizua më shpejt nga ç’mund ta imagjinonim!
Të shtunave nisa të ndihmoja si vullnetar në një kantier ndërtimi për një Sallë Asamblesh në Norval, Ontario. Më vonë u caktova si mbikëqyrës i Sallës së Asambleve. Sheila po bëhej më mirë, dhe menduam se ajo mund ta përballonte këtë caktim të ri. Kështu në qershor të vitit 1974, u transferuam në apartamentin e Sallës së Asambleve. Ishim tejet të lumtur që rifilluam shërbimin në kohë të plotë!
Shëndeti i Sheilës vazhdoi të përmirësohej. Dy vjet më vonë pranuam caktimin në veprën qarkore. Qarku ishte në Manitobë, një provincë kanadeze që njihej për dimrat e acartë. Por miqësia e vëllezërve e motrave atje na e ngrohte zemrën pa masë. Mësuam se nuk ka rëndësi ku shërbejmë, rëndësi ka të vazhdojmë t’i shërbejmë Jehovait.
NXJERRIM NJË MËSIM TË RËNDËSISHËM
Pas disa vitesh në veprën qarkore, në vitin 1978, na ftuan të shërbenim në Bethelin e Kanadasë. Pak kohë më pas, mora një mësim të dhimbshëm por të rëndësishëm. U caktova të mbaja një fjalim prej 90 minutash në frëngjisht, në një mbledhje speciale në Monreal. Mjerisht, fjalimi im e lodhi auditorin, dhe një vëlla nga Departamenti i Shërbimit më dha ca këshilla. Të them të drejtën, duhej ta kisha kuptuar që atëherë që nuk jam ndonjë orator kushedi. Por nuk më pëlqeu këshilla. Kisha përplasje personalitetesh me vëllanë. U mërzita sepse m’u duk se u tregua shumë kritik dhe nuk më dha asnjë lavdërim. Gabimisht e gjykova këshillën nga mënyra si m’u dha dhe nga mendimi që kisha për vëllanë.
Nxora një mësim të çmuar pasi mbajta një fjalim në frëngjisht
Pas disa ditësh, një anëtar i Komitetit të Degës më foli për këtë çështje. E pranova se nuk kisha reaguar siç duhej ndaj këshillës dhe ndihesha keq për këtë. Pastaj fola me vëllanë që më kishte këshilluar. Ai u tregua zemërmirë dhe e pranoi ndjesën time. Ajo situatë më mësoi sa e rëndësishme është përulësia, dhe s’kam për ta harruar kurrë! (Prov. 16:18) I jam lutur shpesh Jehovait për këtë dhe jam i vendosur të mos reagoj më keq ndaj këshillave.
Kam mbi 40 vjet që shërbej në Bethelin e Kanadasë, e që nga viti 1985 kam pasur privilegjin të shërbej në Komitetin e Degës. Në shkurt të vitit 2021, Sheila ime e dashur mbylli sytë. Veç humbjes së saj, më duhet të përballoj edhe problemet e mia me shëndetin. Por jam aq i zënë dhe i gëzuar në shërbim të Jehovait, saqë ‘ditët fluturojnë pa kuptuar’. (Ekl. 5:20) Megjithëse kam pasur disa sfida në jetë, gjërat që më kanë sjellë gëzim kanë qenë ku e ku më tepër. Jam shpërblyer shumëfish ngaqë kam vënë në vend të parë adhurimin e Jehovait dhe kam kaluar 70 vjet në shërbimin në kohë të plotë. Lutem që edhe të rinjtë tanë të vazhdojnë ta vënë Jehovain në vend të parë. Jam i bindur se edhe ata do të shpërblehen me një jetë të lumtur dhe emocionuese, e cila është e mundur vetëm kur i shërbejmë Jehovait!
a Shih jetëshkrimin e Marsel Filtos «Jehovai është streha dhe forca ime» në Kullën e Rojës të 1 shkurtit 2000.
b Deri në vitin 1957, ky rajon i Afrikës ishte koloni britanike dhe quhej Bregu i Artë.
c Shih jetëshkrimin e Herbert Xhenings «Nuk e dini se ç’do të bëhet nesër me jetën tuaj» në Kullën e Rojës të 1 dhjetorit 2000.
d Nejthën Nori merrte drejtimin e veprës në atë kohë.