Pyetje nga lexuesit
Kur Jezui themeloi Darkën e Zotërisë, ku ishin 70 dishepujt që kishte dërguar më parë të predikonin? A e kishin braktisur?
S’ka arsye të mendojmë se 70 dishepujt kishin humbur miratimin e Jezuit ose e kishin braktisur, vetëm ngaqë s’ishin të pranishëm kur Jezui themeloi Darkën e Zotërisë. Në atë rast, ai thjesht dëshironte të rrinte me apostujt e tij.
Edhe të Dymbëdhjetët, edhe 70 dishepujt gëzonin miratimin e Jezuit. Fillimisht, mes dishepujve të shumtë që kishte, Jezui zgjodhi 12 burra dhe i quajti apostuj. (Luka 6:12-16) Ai ishte në Galile kur «mblodhi të Dymbëdhjetët» dhe «i dërgoi të predikonin Mbretërinë e Perëndisë e të bënin shërime». (Luka 9:1-6) Më vonë, kur shkoi në Jude, Jezui ‘caktoi 70 dishepuj të tjerë dhe i dërgoi dy e nga dy’. (Luka 9:51; 10:1) Si rezultat kishte dishepuj në zona të ndryshme, që predikonin mesazhin e tij.
Judenjtë që u bënë dishepuj të Jezuit, kremtonin ende çdo vit Festën e Kalimit, ndoshta bashkë me familjet e tyre. (Eks. 12:6-11, 17-20) Ndërsa po i afrohej dita e vdekjes, Jezui shkoi në Jerusalem me apostujt. Mirëpo nuk kërkoi të vinin të gjithë dishepujt nga Judea, Galilea dhe Perea që të kremtonin Festën e Kalimit. Në atë rast, Jezui donte të rrinte vetëm me apostujt. Ai u tha: «Kam pasur shumë dëshirë ta ha këtë darkë të Festës së Kalimit me ju para se të vuaj.»—Luka 22:15.
Jezui kishte arsye të forta pse veproi kështu. Së shpejti, ai do të vdiste si «Qengji i Perëndisë që heq mëkatin e botës». (Gjoni 1:29) Kjo do të ndodhte në Jerusalem, ku izraelitët i kishin paraqitur flijime Perëndisë për shekuj të tërë. Qengji i Festës së Kalimit u kujtonte familjeve izraelite se Jehovai i kishte çliruar nga Egjipti. Mirëpo flijimi i Jezuit do të sillte një çlirim shumë më të madh: çlirimin e gjithë njerëzimit nga mëkati dhe nga vdekja! (1 Kor. 5:7, 8) Flijimi i Jezuit do t’u jepte mundësi të Dymbëdhjetëve të bëheshin pjesë e themelit të kongregacionit të krishterë. (Efes. 2:20-22) Veç kësaj, qyteti i shenjtë, Jerusalemi, ka «12 gurë themeli» dhe mbi ta janë shkruar «12 emrat e 12 apostujve të Qengjit». (Zbul. 21:10-14) Pra, apostujt besnikë do të luanin një rol kyç në përmbushjen e qëllimit të Perëndisë. Ndaj kuptohet pse Jezui donte të ishte bashkë me apostujt në Festën e fundit të Kalimit dhe në Darkën e Zotërisë që themeloi atë mbrëmje.
Ata 70 dishepuj dhe dishepujt e tjerë nuk ishin në atë darkë me Jezuin. Prapëseprapë, të gjithë dishepujt besnikë do të nxirrnin dobi nga Darka e Zotërisë. Të gjithë ata që do të miroseshin me kalimin e kohës, do të bëheshin pjesë e besëlidhjes për një mbretëri, që lidhi Jezui atë mbrëmje me apostujt.—Luka 22:29, 30.