Ndihmo të verbrit të mësojnë për Jehovain
1. Si tregoi dhembshuri për të verbrit Jezui?
1 Jezuin e ndanin pak ditë nga vdekja. Ndërsa po ikte nga qyteti i Jerikosë, dy lypës të verbër thirrën: «Zotëri, ki mëshirë për ne!» Ndonëse koka i ziente nga sprovat që e prisnin, Jezui ndaloi, i thirri pranë vetes dhe i shëroi. (Mat. 20:29-34) Si mund ta imitojmë dhembshurinë e Jezuit për të verbrit?
2. Si t’i dëshmojmë një të verbri që takojmë në publik?
2 Ji i gjindshëm: Nëse takon një të verbër, ndoshta në publik, prezantohu dhe ofroi ndihmë. Meqë zakonisht njerëzit përfitojnë prej tyre, në fillim mund të jetë dyshues. Mirëpo, nëse tregohesh vërtet miqësor dhe shfaq interes të sinqertë, mund të ndihet rehat. Gjithashtu, mbaj parasysh se ka shkallë të ndryshme të verbërisë, dhe nga kjo mund të kuptosh sa ndihmë i nevojitet. Pasi ta kesh ndihmuar, ndoshta mund t’i thuash se je i angazhuar në një vepër arsimimi biblik. Pyete nëse mund t’i lexosh ndonjë shkrim, si për shembull, Psalmin 146:8 ose Isainë 35:5, 6. Në qoftë se lexon braile, pyete nëse dëshiron një botim në braile që do ta ndihmojë të mësojë më shumë për Biblën. Mund ta ndihmosh edhe të shkarkojë materiale audio nga jw.org. Nëse ka në kompjuter lexues ekrani, program që lexon me zë tekstin nga ekrani, mund t’i pëlqejë artikujt e shtypur në jw.org, si edhe botimet që mund të shkarkohen në formatin RTF (Rich Text Format).—Shih kutinë «Kur ndihmon një të verbër».
3. Si t’i kërkojmë të verbrit në territorin tonë?
3 Kërko të verbrit: Rrallë herë takojmë të verbër kur predikojmë shtëpi më shtëpi, sepse shumë prej tyre nuk janë rehat të flasin me të panjohurit që u shkojnë në shtëpi. Prandaj duhen bërë shumë përpjekje që ‘t’i kërkojmë’ për t’u dëshmuar. (Mat. 10:11) A ke ndonjë shok shkolle a pune të verbër? Merr iniciativën t’i flasësh. Nëse në territorin tuaj ka shkolla për të verbrit, ofroi bibliotekës së shkollës disa nga botimet tona në braile. A njeh dikë që ka ndonjë familjar të verbër? A ka në territorin tuaj organizata që ofrojnë shërbime të dobishme për të verbrit ose qendra të specializuara ku jetojnë ata? Shpjegoi familjarit të tij, recepsionistit ose drejtorit se Dëshmitarët e Jehovait duan vërtet t’i ndihmojnë të verbrit dhe thuaji se je gati të sjellësh literaturë në braile ose regjistrime audio. Foli për premtimin e Biblës se Perëndia së shpejti do ta zhdukë verbërinë një herë e mirë. Mund t’i tregosh videon «Pa të, do të ndihesha i humbur» në jw.org, e cila flet për një të verbër që ka nxjerrë dobi nga Bibla në braile. Nëse shpjegon qëllimin e vizitës, mund ta kesh më të lehtë t’i takosh të verbrit.
4. Çfarë mësojmë nga përvoja e Zhanetës?
4 Një motër e verbër me emrin Zhaneta shkoi në një qendër ku jetojnë të verbrit. Filloi të bisedonte me një grua të re. Zhaneta i tha se «Jezui i shëroi të verbrit që të tregonte çfarë do të bënte për të gjithë të verbrit». Shqyrtuan Zbulesën 21:3, 4, dhe Zhaneta i shpjegoi si do ta plotësonte Mbretëria e Perëndisë këtë premtim. Gruaja heshti për një çast e pastaj tha: «S’e kam dëgjuar kurrë këtë nga këndvështrimi i një të verbri. Shumica e atyre që shikojnë, besojnë se njerëzit janë të verbër ngaqë ata ose paraardhësit e tyre kanë bërë ndonjë gjë.» Zhaneta i dërgoi me email linkun e librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, dhe tani po studiojnë Biblën dy herë në javë.
5. Ndonëse s’i shërojmë dot të verbrit ashtu si Jezui, çfarë rezultatesh do të vijnë nëse tregojmë interes për të verbrit?
5 Pa dyshim, nuk i shërojmë dot të verbrit siç bëri Jezui. Ama mund t’i ndihmojmë të gjithë ata që perëndia i kësaj bote ua ka verbuar mendjet, si edhe ata që nuk shohin në kuptimin e mirëfilltë, që të kuptojnë të vërtetën e Fjalës së Perëndisë. (2 Kor. 4:4) Jezui i shëroi dy burrat afër Jerikosë «i shtyrë nga keqardhja». (Mat. 20:34) Nëse tregojmë të njëjtin interes për të verbrit, mund të kemi privilegjin t’i ndihmojmë disa të mësojnë për Jehovain, i cili do ta zhdukë verbërinë një herë e mirë.