Sy që hapen përmes lajmit të mirë
NJË fjalë e urtë daneze thotë: «Qiellit nuk i humbet ngjyra blu, vetëm sepse i verbri nuk e sheh.» Por, a e vërejmë në jetën tonë të përditshme mjaft intensive se qielli është blu? A shikojmë me besim tek e ardhmja? A e besojmë me të vërtetë lajmin e mirë që fjala e Perëndisë, Bibla, na paraqet?
Në artikullin e mëparshëm, shqyrtuam disa aspekte të verbimit fizik. Tani le të shqyrtojmë një lloj shikimi që është shumë më i rëndësishëm. Ai përfshin lumturinë tonë të përhershme dhe të ardhmen e njerëzve tanë të dashur.
Nuk ka dyshim që po përballojmë «kohë të vështira». (2. Timoteut 3:1) Çfarë ndodh kur njerëzit luftojnë për të fituar që të jetojnë, kur përballojnë vështirësi shëndetësore e probleme familjare dhe vihen ballë për ballë padrejtësisë shoqërore dhe mungesës së dashurisë? Mjerisht, shumë kuptojnë se besimi tek njerëzit, feja dhe qeveria po venitet. Duke pasur parasysh se nuk ka asnjë rrugëdalje, disa arrijnë në përfundimin se problemet e tyre nuk do të zgjidhen kurrë në një mënyrë normale. Në një gazetë braziliane (Jornal da Tarde), Zhakob Piniaru Goldberg vëren: «Përballë realitetit të ashpër, njerëzit ndihen kaq të mërzitur nga gabimet, saqë nuk arsyetojnë me logjikë dhe i varin shpresat tek misticizmi i egërsuar.» Megjithatë, edhe kur gjërat nuk shkojnë mirë, duhet të tregohemi të kujdesshëm dhe të mendojmë në mënyrë të logjikshme, apo jo?
Mendo për një moment sikur të të nevojitej një shtëpi për familjen dhe nuk e vret shumë mendjen se sa kushton. Ndoshta kërkon poshtë e lart dhe shikon disa shtëpi në lagje të ndryshme. Megjithëse personat që shesin pasurinë e patundshme mundohen të kënaqin dëshirën tënde, shtëpia që ke ndër mend mbetet një iluzion. Por, përderisa përfshihen lumturia dhe mirëqenia e familjes sate, nuk dorëzohesh, apo jo? Ç’lumturi kur më në fund gjen shtëpinë që ke ëndërruar!
Ashtu siç do të harxhoje kohë për të kërkuar një shtëpi të re, përse të mos shqyrtosh Biblën për të parë nëse ofron ndonjë zgjidhje për problemet e tua? Ashtu siç i peshojmë mirë gjërat para se të vendosim për të blerë një shtëpi, po kështu duhet të arsyetojmë me logjikë mbi atë që lexojmë në Fjalën e Perëndisë. Të gjesh dhe të pranosh të vërtetën lidhur me Perëndinë Jehova dhe Jezu Krishtin, do të jetë më dobiprurëse sesa të gjesh një shtëpi. Jezui tha: «Dhe kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar.»—Gjoni 17:3.
Por, nëse mesazhi i Biblës është kaq i çmuar, përse shumë njerëz vazhdojnë të jenë të verbër ndaj lajmit të mirë? Ndoshta habitesh, por një arsye është se «mbarë bota dergjet nën pushtetin e të ligut». (1. Gjonit 5:19, BR) Si rezultat, Satana Djalli «ua verboi mendjet atyre që nuk besojnë, që drita e ungjillit të lavdisë së Krishtit, që është shëmbëllimi i Perëndisë, të mos ndriçojë tek ata». (2. Korintasve 4:4) Megjithëse shikojmë me sy, është truri ai që interpreton dritën që hyn përmes syve. Prandaj, një nga përcaktimet e të verbrit është «i paaftë dhe jo i gatshëm për të dalluar dhe gjykuar». Kjo të sjell ndër mend një thënie popullore: «I verbër është ai që nuk dëshiron të shikojë.»
Një i verbër nuk mund të shohë se çfarë ka përballë, prandaj rrezikon të vritet. Verbimi fizik i shumë njerëzve nuk ka shërim, por ama askush nuk është i detyruar të mbetet i verbër frymësisht.
Të mposhtim verbimin frymor
Ashtu si kushtet e papërshtatshme sanitare mund të dobësojnë shikimin, edhe një mjedis i degraduar mund t’i kontribuojë verbimit moral. Për më tepër, Jezu Krishti bëri një paralajmërim kundër doktrinave dhe traditave të nxjerra nga njerëzit. Ai e bëri të qartë se udhëheqësit fetarë të asaj kohe e çonin në rrugë të shtrembër kopenë e tyre: «Ata janë të verbër, prijës të verbërish; dhe në qoftë se një i verbër i prin një të verbëri tjetër, të dy do të bien në gropë.»—Mateu 15:14.
Në vend që të mashtrohen nga udhëheqës të verbër frymësisht dhe moralisht, sa të lumtur janë ata që i hapin sytë përmes lajmit të mirë lidhur me Mbretërinë e Perëndisë! Jezui deklaroi: «Unë kam ardhur në këtë botë për të bërë një gjyq, që ata që nuk shohin të shohin.» (Gjoni 9:39) Por në ç’mënyrë ata që janë të verbër frymësisht mund të arrijnë të shohin? Për këtë, le të vazhdojmë të shqyrtojmë verbimin fizik.
Sot, janë në dispozicion mjete të ndryshme për ata që nuk shohin. Nuk ka qenë gjithmonë kështu. Asnjë përpjekje serioze nuk u bë për të ndihmuar të verbrit, derisa në vitin 1784 Valentin Hayi hapi një shkollë speciale për të verbrit. Më vonë, Luis Braille sajoi një sistem që mban emrin e tij, për t’i ndihmuar të verbrit të lexonin.
Por, ç’mund të themi për ata që janë të verbër frymësisht? Gjatë viteve të fundit, janë bërë përpjekje serioze për ta shpallur lajmin e mirë deri në pjesët më të largëta të tokës. (Mateu 24:14) Dëshmitarët e Jehovait janë të lumtur që mund t’i japin shpresë si atyre që janë të verbër frymësisht, edhe atyre që janë të verbër fizikisht.
Një grua nga Brazili, shkroi: «Dua të them se pavarësisht nga gjymtimi im fizik, unë mund të shikoj—në kuptim frymor. Ç’Perëndi i mrekullueshëm! Jemi të lumtur kur mësojmë se Jehovai ‘do ta hapë dorën e vet dhe do të plotësojë dëshirën e çdo qenieje të gjallë’.» (Psalmi 145:16) Ndërsa Zhorzhi, që është i verbër fizikisht, kujton: «Jeta ime mund të ndahet fare mirë në dy pjesë: para dhe pas Dëshmitarëve. . . . Falë tyre fillova ta shikoj botën me qartësi dhe ndriçim. Kam një marrëdhënie të shkëlqyeshme me cilindo në kongregacion.» Kjo është diçka e bukur, por Bibla na siguron se së shpejti, asnjë mbi tokë nuk do të jetë i verbër fizikisht dhe frymësisht. Si do të jetë e mundur? Në ç’mënyrë do të plotësohet në të gjithë tokën vargu biblik që thotë: «Zoti u hap sytë të verbërve.»—Psalmi 146:8.
I vetmi shërim i përhershëm: Mbretëria e Perëndisë
Pavarësisht nga rritja e madhe e njohurive mjekësore, një numër i madh sëmundjesh vazhdon të shkaktojë verbim, dhimbje dhe vdekje. Çfarë nevojitet, atëherë, për të eliminuar të ushqyerit e keq, kushtet e papërshtatshme sanitare dhe vuajtjet që rrëmbejnë shikimin dhe gëzimin e jetës? Shërimet e kryera nga Jezui në favor të të verbërve dhe të të tjerëve ishin një model në shkallë të vogël për të ardhmen. Lumturisht, vepra e tij e mësimit dhe e shërimit paralajmëronte bekimet që do të shtriheshin në të gjithë tokën nën qeverinë e Mbretërisë së Perëndisë.
Shërimi në shkallë botërore është afër.a Ky program hyjnor i shërimit ilustrohet shumë bukur nga apostulli Gjon: «Më tregoi lumin e pastër të ujit të jetës, të kthjellët si kristali, që dilte nga froni i Perëndisë dhe i Qengjit. Në mes të sheshit, këtej e andej lumit, ishte druri i jetës që jep dymbëdhjetë fruta, dhe që nxjerr frutin e saj në çdo muaj, dhe gjethet e drurit janë për shërim të kombeve.»—Zbulesa 22:1, 2.
Shprehje të tilla si ‘uji i jetës’ dhe ‘druri i jetës’ tregojnë se pas përfundimit të sistemit aktual të lig, masat shëruese të Mbretërisë së Perëndisë do ta çojnë njerëzimin gradualisht në përsosmëri. Në fakt, dobitë e sakrificës shpërblerëse të Jezuit (duke përfshirë edhe faljen e plotë të mëkateve) bashkë me njohurinë mbi Jezu Krishtin dhe Atin e tij, do të sjellin shëndet të përsosur dhe jetë të përhershme.—Gjoni 3:16.
Lumturi në botën e re të Perëndisë
Përfytyroje, pra, tokën pa krime, ndotje dhe mjerim. Mendoje familjen tënde duke jetuar në paqe në parajsën e rivendosur. (Isaia 32:17, 18) Çfarë gëzimi do të jetë të shikosh shumëllojshmërinë e ngjyrave me mendje dhe shqisa të përsosura!
«Për qeniet njerëzore, natyra ka vënë si kusht që të jetojnë në një ambient që vazhdimisht ndryshon, me dritë, ngjyra dhe forma të shumëllojshme. Në natyrë nuk ekziston monotonia,—tha Faber Birren.—Në këtë botë, ngjyra është një nga mrekullitë e natyrës. Është rregull i natyrës dhe nuk ndeshet vetëm në një rast, por një pjesë e mirë e mirëqenies varet nga ajo.»
Sa dhuratë e çmuar është aftësia për të shikuar! Ç’gëzim do të jetë kur sytë e të verbërve—njëherë e një kohë të verbër fizikisht dhe frymësisht—do të shohin!
Po, në parajsën që do të vendoset së shpejti, verbëria dhe gjymtime të tjera nuk do të shkaktojnë më palumturi! Askush nuk do të dërgohet më në rrugë të gabuar. Meqenëse do të mbretërojë dashuria e sinqertë, të gjithë do të jenë të ndriçuar frymësisht. Kjo dhe të tjera akoma do të ndodhin në të ardhmen, ndërsa tani është koha që të aprovohemi nga Ai që do të plotësojë premtimin e tij profetik: «Atëherë do të hapen sytë e të verbërve.»—Isaia 35:5.
[Shënimi]
a Të ftojmë të shqyrtosh provat e paraqitura në librin Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë, kapitulli 18, i botuar nga Watch Tower and Tract Society of New York, Inc.
[Figura në faqen 7]
Atëherë do të hapen sytë e të verbërve.