◼ Oraret: Dyert do të hapen në orën 8.00. Në të tria ditët, muzika e hapjes do të fillojë në orën 9.20. Në këtë kohë, të gjithë duhet të zëmë vend me qëllim që programi të fillojë në mënyrë sa më dinjitoze. Të premten dhe të shtunën kënga dhe lutja mbyllëse do të mbahen në orën 16.55, ndërsa të dielën në orën 15.50.
◼ Kongreset ndërkombëtare: Në disa vende do të organizohen kongrese ndërkombëtare. Mbani parasysh se zyra e degës ka ftuar vetëm disa kongregacione të caktuara dhe delegatë të huaj, pasi ka llogaritur me kujdes numrin e vendeve për t’u ulur, hapësirën për parkim dhe dhomat e hoteleve që janë në dispozicion. Nëse lajmëtarë të tjerë ndjekin një kongres ndërkombëtar në të cilin nuk janë të ftuar, do të bëhen më shumë veta nga ç’mund të përballojë vendi mikpritës. Nëse për shkak të rrethanave, nuk e ndiqni dot kongresin aty ku jeni caktuar, nuk duhet të zgjidhni të merrni pjesë në një kongres ndërkombëtar.
◼ Parkimi: Në të gjitha vendet e kongresit ku mbikëqyrim parkimin, tërë hapësirat e disponueshme për parkim do të jenë pa pagesë. Vendet e parkimit zakonisht janë të kufizuara, kështu që mundohuni t’i mbushni të gjitha vendet e makinës me të cilën udhëtoni.
◼ Vendet për t’u ulur: Kur të hapen dyert në vendin e kongresit në mëngjes, ju lutemi mos vraponi për të zënë vendet ku keni dëshirë të uleni, si të ishit në garë me pjesëmarrësit e tjerë. Fryma vetëmohuese, që na nxit të kërkojmë të mirën e tjetrit, na identifikon si të krishterë të vërtetë dhe i shtyn ata që na shohin të lëvdojnë Perëndinë. (Gjoni 13:34, 35; 1 Kor. 13:4, 5; 1 Pjet. 2:12) Mund të rezervojmë vende vetëm për ata që jetojnë me ne në të njëjtën shtëpi, për ata që udhëtojnë me makinën tonë ose për ata që studiojnë Biblën me ne. Janë siguruar vende për të moshuarit dhe ata me shëndet të dobët. Meqë këto vende janë të kufizuara, vetëm një ose dy persona që kujdesen drejtpërdrejt për të moshuarin ose për të sëmurin mund të ulen me të.
◼ Dreka: Ju lutemi të merrni drekën me vete, në mënyrë që të mos largoheni nga vendi ku mbahet kongresi gjatë pushimit të drekës. Mund të merrni një çantë-frigorifer të vogël, të cilën mund ta mbani poshtë karriges suaj. Çantat-frigorifer të mëdha familjare që përdoren për piknikë dhe enët prej qelqi nuk lejohen në vendin e kongresit.
◼ Kontributet: Mund ta tregojmë vlerësimin tonë për organizimin e kongresit duke dhënë kontribute vullnetare për veprën mbarëbotërore në kongres. Çeqet duhet të bëhen të pagueshme për «Dëshmitarët e Jehovait».
◼ Ilaçet: Nëse keni nevojë për ilaçe me recetë, ju lutemi të merrni me vete mjaftueshëm, pasi këto lloj ilaçesh nuk do të jenë në dispozicion në kongres. Shiringat dhe gjilpërat për diabetin nuk duhen hedhur në koshat e plehrave që ndodhen në ambientet e kongresit, pasi kjo do të ishte e rrezikshme.
◼ Masat e sigurisë: Ju lutemi, mendoni mirë si mund të parandaloni dëmtimet që mund të shkaktohen nëse rrëshqitni a rrëzoheni. Çdo vit ndodhin disa dëmtime për shkak të këpucëve, sandaleve ose shapkave, sidomos të atyre me takë të lartë. Është mirë që ato të jenë modeste dhe t’ju rrinë mirë pas këmbës, që të jenë të sigurta nëpër shkallë, në vende të pjerrëta, mbi skarat e pusetave ose në gjëra të ngjashme.
◼ Për ata me probleme dëgjimi: Programi do të transmetohet në auditor në radio në frekuencën FM. Për të dëgjuar do t’ju duhet të merrni me vete një aparat të vogël me bateri e kufje, ku mund të dëgjohet radioja.
◼ Karrocat e fëmijëve dhe karriget portative: Parapëlqehet që karrocat e fëmijëve dhe karriget portative të mos merren me vete në ambientet e kongresit. Për foshnjat është më mirë që prindërit të përdorin një ndenjëse për fëmijë ose diçka të ngjashme që nuk pengon kalimin.
◼ Aromat: Nëse kongreset zhvillohen në ambiente të mbyllura ku ajrimi bëhet me ventilatorë, do të ishte e dashur nga ana juaj që të mos përdorni aroma të forta, kolonjë dhe parfume që i shqetësojnë ata që kanë probleme me frymëmarrjen dhe probleme të tjera të ngjashme.—1 Kor. 10:24.
◼ Formularët «Ju lutemi, ndiqni interesin» (S-43): Për të dhënë informacion për ndonjë që tregon interes kur japim dëshmi joformale gjatë kongresit, duhet të përdoret formulari Ju lutemi, ndiqni interesin. Formularët e plotësuar mund të çohen në Repartin e Literaturës ose mund t’ia jepni sekretarit të kongregacionit tuaj kur të ktheheni nga kongresi.
◼ Restorantet dhe vende të tjera ku shërbejnë ushqim: Nderoni emrin e Jehovait me anë të sjelljes suaj të shkëlqyer në restorante ose në vende të tjera ku shkoni për të ngrënë. Vishuni siç i ka hije një lajmëtari të krishterë. Lini bakshishe të përshtatshme nëse është zakon i vendit.
◼ Hotelet:
Ju lutemi të mos rezervoni më shumë dhoma sesa ju nevojiten dhe të mos mbani më shumë njerëz në dhomë nga sa lejohet.
Mos e anuloni rezervimin pa pasur arsye urgjente dhe njoftoni hotelin sapo të vendosni për anulimin. Kështu dhomën mund ta përdorin ata që do të kenë nevojë për strehim. (Mat. 5:37) Nëse e anuloni prenotimin më pak se 48 orë më përpara, në varësi të rregullave të hotelit, paradhënia mund të mos ju kthehet.
Nëse është zakon në vendin tuaj, lëruni bakshish punonjësve të hotelit për shërbimet e tyre.
Gatuani vetëm në dhomat ku lejohet gatimi.
Mos abuzoni me asnjë nga ushqimet e mëngjesit, kafenë ose akullin që janë falas, duke i marrë me vete në kongres, pasi ato janë në dispozicion të klientëve kur janë në hotel.
Shfaqni gjithnjë frytin e frymës me personelin e hotelit. Ata kujdesen për një numër të madh klientësh dhe e vlerësojnë dashamirësinë, durimin dhe arsyetueshmërinë tonë.
Prindërit duhet t’i mbikëqyrin fëmijët gjatë gjithë kohës kur janë në hotel, përfshirë në ashensor, në pishinë, në recepsion, në palestër e kështu me radhë.
Tarifa që tregohet në Listën e strehimeve të rekomanduara është vlera e plotë e çmimit për çdo ditë. Nëse ju kërkojnë një tarifë më të lartë, mos pranoni ta paguani dhe njoftoni Repartin e Strehimit të kongresit sa më shpejt që të jetë e mundur.
Nëse lind ndonjë problem me dhomën e hotelit, njoftoni Repartin e Strehimit gjatë kohës që jeni në kongres, që t’ju ndihmojë.
◼ Shërbimi vullnetar: Kushdo që dëshiron ta bëjë këtë, duhet të paraqitet te Reparti i Shërbimit Vullnetar në kongres. Fëmijët nën moshën 16 vjeç mund të ndihmojnë shumë duke punuar nën drejtimin e një prindi a të dikujt që i ka nën kujdes ose të një personi tjetër madhor të miratuar nga njëri prej tyre.