Kongreset Krahinore—Një dëshmi e fuqishme për të vërtetën
1. Për çfarë të vërtetash të rëndësishme frymore u jepnin mundësi festat periodike izraelitëve të mendonin dhe të diskutonin?
1 Izraelitët në lashtësi mblidheshin tri herë në vit për festat periodike. Megjithëse vetëm burrat e kishin si detyrim të shkonin, shpesh e gjithë familja udhëtonte deri në Jerusalem për të shijuar këto kongrese të gëzueshme. (Ligj. 16:15, 16) Këto raste ishin një mundësi e mirë për të menduar thellë për të vërtetat e rëndësishme frymore dhe për të diskutuar rreth tyre. Cilat janë disa prej këtyre të vërtetave? Një e vërtetë është që Jehovai është një Sigurues bujar dhe i dashur. (Ligj. 15:4, 5) Një tjetër është që mund të mbështetemi tek ai për drejtim dhe mbrojtje. (Ligj. 32:9, 10) Izraelitët mund të mendonin edhe për faktin se, si popull që mbante emrin e Jehovait, duhej të pasqyronin si duhej drejtësinë e tij. (Ligj. 7:6, 11) Po kështu edhe sot, ne nxjerrim mjaft dobi nga kongreset krahinore të përvitshme.
2. Si do të hedhë dritë mbi të vërtetën programi i kongresit krahinor?
2 Programi hedh dritë mbi të vërtetën: Gjatë kongreseve krahinore dëgjojmë fjalime, drama, demonstrime dhe intervista që hedhin dritë mbi të vërteta jetësore biblike. (Gjoni 17:17) Tashmë është bërë goxha punë për kongresin e ardhshëm. Organizata e Jehovait po përgatit një program enkas për të plotësuar nevojat e tanishme të veprës në mbarë botën. (Mat. 24:45-47) A prisni me padurim të shihni e të dëgjoni atë që do të paraqitet?
3. Çfarë duhet të bëjmë që të nxjerrim dobi nga programi?
3 Sigurisht, do të nxjerrim mjaft dobi nëse jemi të pranishëm dhe jemi mjaft të vëmendshëm në të tria ditët. Nëse ende nuk e keni bërë, flisni me punëdhënësin për të marrë leje për kongresin. Sigurohuni që të pushoni mjaftueshëm çdo natë që të jeni të vëmendshëm gjatë programit. Shumë kanë kuptuar se përqendrohen më kollaj nëse i mbajnë sytë te oratori dhe marrin shënime të shkurtra. Mos lejoni që celulari ose biperi t’ju shpërqendrojë as ju, as të tjerët. Është mirë të mos flisni, të mos dërgoni mesazhe, të mos hani e të mos pini gjatë programit.
4. Si mund t’i ndihmojnë prindërit fëmijët që të nxjerrin dobi nga kongresi?
4 Në vitet e sabatit, kur familjet izraelite mblidheshin për të dëgjuar Ligjin që lexohej gjatë Festës së Kasolleve, ‘fëmijët’ ishin aty ‘që të dëgjonin e të mësonin’. (Ligj. 31:12) Sa inkurajohemi kur shohim gjatë kongresit familje të ulura së bashku dhe të vegjlit që rrinë zgjuar e dëgjojnë me vëmendje! Pse të mos u hidhni një sy shënimeve çdo mbrëmje dhe të bisedoni së bashku për pika nga programi që ju kanë pëlqyer në mënyrë të veçantë? «Marrëzia është e lidhur me zemrën e një djali», prandaj prindërit bëjnë mirë t’i mbikëqyrin fëmijët, përfshirë edhe ata në moshën e adoleshencës, gjatë pushimit të drekës dhe kur janë në hotel e të mos i lënë «pa fre».—Prov. 22:15; 29:15.
5. Si e stolis të vërtetën sjellja jonë e mirë gjatë qëndrimit në hotel?
5 Sjellja jonë e mirë stolis të vërtetën: Sjellja jonë e mirë kur jemi në qytetin ku mbahet kongresi, stolis të vërtetën. (Titit 2:10) Punonjësit e hoteleve e vënë re kur një grup i caktuar i ndjek rregullat e hotelit dhe tregon durim dhe hir me ta. (Kolos. 4:6) Kur përfaqësuesit e një zyre dege po prenotonin një hotel vitin e kaluar, drejtoresha u tha: «Na pëlqen shumë kur na vijnë ata të fesë tuaj në hotel se janë njerëz të mirë. Janë kaq të edukuar e të sjellshëm dhe gjithmonë tregojnë respekt të madh për punonjësit dhe për vetë hotelin.»
6. Si mund ta stolisim të vërtetën me mënyrën si vishemi gjatë qëndrimit tonë në qytetin e kongresit?
6 Vënia e distinktivit nuk shërben vetëm si lajmërim për kongresin dhe identifikim për ne, por edhe si dëshmi për ata që na shohin. Banorët e qytetit ku mbahet kongresi, do të shohin se ata me distinktiv nuk janë veshur në mënyrë të çrregullt dhe me stile provokuese siç është bërë e zakonshme sot, por me rregull e modesti. (1 Tim. 2:9, 10) Prandaj, duhet t’i kushtojmë vëmendje mënyrës si vishemi e rregullohemi kur jemi në qytetin e kongresit, madje edhe kur regjistrohemi te sporteli i hotelit. Nuk do të ishte dinjitoze nëse do të ishim me pantallona të shkurtra dhe me bluza sportive. Edhe nëse kongresi është në një stadium të hapur, veshja jonë duhet të jetë dinjitoze. Nëse duam të ndërrohemi pasi mbaron kongresi dhe shkojmë në një restorant, të mos harrojmë se jemi akoma delegatë kongresi dhe nuk duhet të vishemi tepër sportiv.
7. Cila është një nga mënyrat për të gëzuar unitetin e krishterë gjatë kongresit?
7 Në festat periodike izraelitët gëzonin shoqërinë ndërtuese me bashkadhuruesit nga pjesë të tjera të vendit e të botës, dhe kjo i kontribuonte unitetit. (Vep. 2:1, 5) Gjatë kongreseve krahinore, vëllazëria jonë unike bie në sy të të gjithëve. Ky aspekt i këndshëm i parajsës sonë frymore shpesh u bën përshtypje atyre që na shohin. (Psal. 133:1) Në vend që të largohemi nga vendi i kongresit për të blerë drekën, është më mirë të marrim me vete diçka të lehtë dhe të shfrytëzojmë rastin për të takuar dhe biseduar me vëllezërit e motrat që janë ulur afër nesh.
8. Pse ia vlen të dalim vullnetarë në kongres nëse na e lejojnë rrethanat?
8 Njerëzve shpesh u bën përshtypje organizimi dhe rregulli në kongreset tona, sidomos kur dëgjojnë se e gjithë puna bëhet nga vullnetarë. A keni mundësi ‘të paraqiteni vullnetarisht’ për të punuar në kongres? (Psal. 110:3) Shpesh familje të tëra dalin vullnetarë që të ngulitin te fëmijët frymën e dhënies për të tjerët. Nëse jeni të ndrojtur, puna në kongres është një mënyrë e mirë për të njohur delegatë të tjerë. Një motër tha: «Nuk njihja shumë atje, përveç familjes dhe ca miqve. Por, kur ndihmova për pastrimin, takova mjaft vëllezër e motra. U kënaqa shumë!» Zgjerimi i rrethit të miqve duke ndihmuar në kongres, do të na falë shumë gëzim. (2 Kor. 6:12, 13) Nëse nuk keni dalë asnjëherë vullnetarë, pyetni pleqtë si mund të jepni ndihmën tuaj.
9. Si do t’i ftojmë njerëzit në kongres?
9 Ftojini të tjerët të dëgjojnë të vërtetën: Ashtu si vitet e mëparshme, tri javë para kongresit, do të zhvillohet një fushatë për të ftuar njerëzit. Kongregacionet do ta mbulojnë sa më mirë territorin e tyre me ftesa. (Shih kutinë: «Si do ta ofrojmë ftesën?») Ftesat që teprojnë nga fushata, duhet të çohen në kongres. Ato do të përdoren nga delegatët për të dhënë dëshmi joformale në qytetin e kongresit.
10. Tregoni përvoja që dëshmojnë për rezultatet e mira të fushatës së përvitshme me ftesën.
10 A reagojnë mirë njerëzit ndaj kësaj fushate të përvitshme? Në një kongres, një përcjellës ndihmoi një çift të martuarish të gjenin vend. Ata i thanë se morën ftesën dhe ‘menduan se ishte interesante’. Kishin bërë 320 kilometra për në kongres. Në një rast tjetër, një motër që po shpërndante ftesën shtëpi më shtëpi, takoi një burrë që dukej kureshtar për kongresin. Kështu i shpjegoi gjerë e gjatë për ftesën. Gjatë kongresit, disa ditë më vonë, pa që ai kishte ardhur bashkë me një shok dhe të dy mbanin në dorë një nga botimet që dolën në kongres.
11. Pse është e rëndësishme të ndjekim kongresin e përvitshëm krahinor?
11 Festat periodike ishin një masë e dashur nga Jehovai që t’i ndihmonte izraelitët ‘t’i shërbenin atij në mënyrë të patëmetë e me besnikëri’. (Jos. 24:14) Po kështu, pjesëmarrja jonë në kongreset krahinore çdo vit na ndihmon ‘të vazhdojmë të ecim në të vërtetën’ dhe është pjesë shumë e rëndësishme e adhurimit tonë. (3 Gjonit 3) Jehovai bekoftë të gjithë ata që e duan të vërtetën në përpjekjet e tyre për të ndjekur kongresin dhe për të përfituar sa më shumë prej tij!
[Diçitura në faqen 4]
Sjellja jonë e mirë kur jemi në qytetin ku mbahet kongresi, stolis të vërtetën
[Diçitura në faqen 5]
Tri javë para kongresit, do të zhvillohet një fushatë për të ftuar njerëzit
[Kutia në faqet 3-6]
Përkujtues për Kongresin Krahinor të vitit 2012
◼ Oraret: Në të tria ditët, programi do të fillojë në orën 9.20. Dyert do të hapen në orën 8.00. Kur të njoftohet muzika që do të vihet në sfond, të gjithë duhet të zëmë vend, me qëllim që programi të fillojë në mënyrë sa më dinjitoze. Të premten dhe të shtunën programi do të mbarojë në orën 16.55, ndërsa të dielën në orën 15.40.
◼ Parkimi: Në të gjitha vendet e kongresit ku mbikëqyrim parkimin, tërë hapësirat e disponueshme për parkim do të jenë pa pagesë, për këdo që ndjek programin. Vendet e parkimit zakonisht janë të kufizuara, kështu që mundohuni të mbushni të gjitha vendet e makinës me të cilën udhëtoni.
◼ Vendet për t’u ulur: Mund të rezervojmë vende vetëm për ata që jetojnë me ne në të njëjtën shtëpi, për ata që udhëtojnë me makinën tonë ose për ata që studiojnë Biblën me ne.—1 Kor. 13:5.
◼ Dreka: Ju lutemi ta merrni drekën me vete, në mënyrë që të mos largoheni nga vendi ku mbahet kongresi gjatë pushimit të drekës. Nëse është e nevojshme, mund të merrni një çantë-frigorifer të vogël, që mund ta mbani poshtë karriges suaj. Çantat e mëdha familjare që përdoren për piknikë dhe enët prej qelqi nuk lejohen në vendin e kongresit.
◼ Kontributet: Mund ta tregojmë vlerësimin tonë për organizimin e kongresit duke dhënë kontribute vullnetare për veprën mbarëbotërore në kongres. Çeqet duhet të bëhen të pagueshme për «Dëshmitarët e Jehovait në Shqipëri».
◼ Aksidentet dhe urgjencat: Nëse në vendin e kongresit ka një rast urgjence, ju lutemi të thërritni përcjellësin më të afërt, i cili do të njoftojë menjëherë repartin e ndihmës së shpejtë, në mënyrë që personeli i kualifikuar i ndihmës së shpejtë, të përcaktojë se sa e rëndë është gjendja dhe të japë ndihmën e duhur. Nëse është e nevojshme, personeli i ndihmës së shpejtë do t’i telefonojë urgjencës. Në këtë mënyrë, shërbimet e urgjencës nuk do të marrin shumë telefonata me celular.
◼ Ilaçet: Nëse keni nevojë për ilaçe me recetë, ju lutemi të merrni me vete mjaftueshëm, pasi këto lloj ilaçesh nuk do të jenë në dispozicion në kongres.
◼ Këpucët: Çdo vit ndodhin disa dëmtime për shkak të këpucëve, sandaleve ose shapkave. Është mirë që ato të jenë modeste dhe t’ju rrinë mirë pas këmbës, që të jenë të sigurta nëpër shkallë, në vende të pjerrëta, mbi skarat e pusetave ose në gjëra të ngjashme.
◼ Për ata me probleme dëgjimi: Programi do të transmetohet në auditor në radio në frekuencën FM. Për këtë do t’ju duhet të merrni me vete një aparat të vogël me bateri e kufje ku mund të dëgjohet radioja.
◼ Karrocat e fëmijëve dhe karriget portative: Parapëlqehet që karrocat e fëmijëve dhe karriget portative të mos merren me vete në ambientet e kongresit. Për foshnjat është më mirë që prindërit të përdorin një ndenjëse për fëmijë ose diçka të ngjashme që nuk pengon kalimin.
◼ Aromat: Nëse kongreset zhvillohen në ambiente të mbyllura ku ajrimi bëhet me ventilatorë, do të ishte e dashur nga ana juaj që të mos përdorni aroma të forta, kolonjë dhe parfume që i shqetësojnë ata që kanë probleme me frymëmarrjen dhe probleme të tjera të ngjashme.—1 Kor. 10:24.
◼ Formularët «Ju lutemi, ndiqni interesin» (S-43): Për të dhënë informacion për ndonjë që tregon interes kur japim dëshmi joformale gjatë kongresit, duhet të përdoret formulari Ju lutemi, ndiqni interesin. Lajmëtarët duhet të marrin me vete në kongres një ose dy formularë të tillë. Formularët e plotësuar mund të çohen në Repartin e Literaturës ose mund t’ia jepni sekretarit të kongregacionit tuaj kur të ktheheni nga kongresi.—Shih Shërbimi ynë i Mbretërisë maj 2011, faqja 3.
◼ Restorantet: Nderoni emrin e Jehovait me anë të sjelljes suaj të shkëlqyer në restorante ose në vende të tjera ku shkoni për të ngrënë. Lini bakshishe nëse është zakon i vendit.
◼ Hotelet:
(1) Ju lutemi të mos rezervoni më shumë dhoma sesa ju nevojiten dhe të mos mbani më shumë njerëz në dhomë nga sa lejohet.
(2) Mos e anuloni rezervimin pa pasur arsye urgjente dhe njoftoni hotelin sapo të vendosni për anulimin.—Mat. 5:37.
(3) Sipas zakonit të vendit, lëruni bakshish punonjësve të hotelit për shërbimet e tyre.
(4) Gatuani vetëm në dhomat ku lejohet gatimi.
(5) Mos abuzoni me asnjë nga ushqimet e mëngjesit, kafenë ose akullin që janë falas, pasi ato janë në dispozicion të klientëve kur janë në hotel.
(6) Shfaqni gjithnjë frytin e frymës me personelin e hotelit. Ata kujdesen për një numër të madh klientësh dhe e vlerësojnë dashamirësinë, durimin dhe arsyetueshmërinë tonë.
(7) Prindërit duhet t’i mbikëqyrin fëmijët gjatë gjithë kohës kur janë në hotel, qoftë edhe në pishinë, në recepsion, në palestër e kështu me radhë.
(8) Tarifa që tregohet në Listën e strehimeve të rekomanduara është vlera e plotë e çmimit për çdo ditë. Nëse ju kërkojnë një tarifë më të lartë, mos pranoni ta paguani dhe njoftoni Repartin e Strehimit të kongresit sa më shpejt që të jetë e mundur.
(9) Nëse lind ndonjë problem me dhomën e hotelit, njoftoni Repartin e Strehimit gjatë kohës që jeni në kongres, që t’ju ndihmojë.
◼ Shërbimi vullnetar: Kushdo që dëshiron ta bëjë këtë, duhet të paraqitet te Reparti i Shërbimit Vullnetar në kongres. Fëmijët nën moshën 16 vjeç mund të punojnë nën drejtimin e një prindi a të dikujt që i ka nën kujdes ose të një personi tjetër madhor të miratuar nga njëri prej tyre.
[Kutia në faqen 6]
Si do ta ofrojmë ftesën?
Që të mbulojmë territorin, mund të jetë e nevojshme që ta prezantojmë shkurt ftesën. Mund të themi diçka si: «Përshëndetje. Në të gjithë botën, po bëjmë një fushatë për shpërndarjen e kësaj ftese. Kjo është ftesa juaj. Aty do të gjeni më shumë hollësi.» Jini entuziastë. Bashkë me ftesën, nëse është fundjavë dhe nëse është e përshtatshme duhet të ofroni edhe revistat.