Kutia e pyetjes
◼ Në ç’mënyra praktike mund t’i ndihmojmë pionierët?
Në mbarë botën, gjatë vitit të shërbimit 2009, afro 800.000 vëllezër e motra shërbyen si pionierë të rregullt e specialë. Këta shërbëtorë në kohë të plotë, sakrifikojnë frytet e para të kohës, të energjisë dhe të të ardhurave materiale për të përhapur lajmin e mirë për Mbretërinë. (Prov. 3:9) Sa i kënaqur duhet të jetë Jehovai me përpjekjet e tyre! Në ç’mënyra mund të pasqyrojmë pikëpamjen e Jehovait dhe t’i ndihmojmë pionierët të ruajnë gëzimin e të vazhdojnë në shërbimin e tyre?
Sigurisht, fjalët tona të zgjedhura me kujdes mund t’i inkurajojnë që të vazhdojnë të shërbejnë si pionierë. (Prov. 25:11) A mund ta ndryshojmë programin tonë javor në mënyrë që të dalim me ta në shërbim? Kur dalim së bashku, mund të kontribuojmë për shpenzimet e tyre të udhëtimit ose mund të përdorim makinën tonë dhe jo të tyren. Dhe nëse jemi me makinën e tyre, ndoshta mund të ofrojmë një shumë të caktuar parash për të mbuluar shpenzimet. (1 Kor. 13:5; Filip. 2:4) Gjithashtu, u tregojmë mbështetjen tonë të dashur pionierëve duke i mikpritur dhe duke i ftuar herë pas here për një vakt në shtëpinë tonë.—1 Pjet. 4:8, 9.
Shkrimet na sigurojnë se Jehovai do t’ua plotësojë nevojat atyre që kërkojnë në radhë të parë Mbretërinë e tij. (Psal. 37:25; Mat. 6:33) Një mënyrë për ta bërë këtë është me anë të vëllazërisë së dashur të krishterë. (1 Gjon. 3:16-18) Sigurisht, pionierët nuk presin që të tjerët të kujdesen për përgjegjësitë e tyre financiare. Dhe është mirë të mos e marrin ata iniciativën për t’u treguar të tjerëve se për çfarë kanë nevojë. Megjithatë, mund t’i ndihmojmë pionierët besnikë dhe ‘mund t’u plotësojnë mungesën e tyre’ në mënyra praktike duke qenë të vëmendshëm e duke vëzhguar me kujdes.—2 Kor. 8:14, 15.
Kur Feba, një ungjillëzuese e zellshme në kongregacionin e shekullit të parë të Kenkresë, shkoi në Romë, Pavli i inkurajoi vëllezërit e Romës: «Mirëpriteni në Zotërinë, siç u ka hije të shenjtëve, dhe ndihmojeni për çdo çështje që mund të ketë nevojë për ju.» (Rom. 16:1, 2) Kemi mundësi t’u tregojmë të njëjtën mbështetje të dashur atyre në kongregacion që po e shpallin lajmin e mirë pareshtur si pionierë të rregullt e specialë.—Vep. 5:42.