Si ta përdorim librin «Dashuria e Perëndisë» për të drejtuar studime biblike
1. Cili është qëllimi i librit «Dashuria e Perëndisë»?
1 Sa emocionuese ishte kur në Kongresin Krahinor me temë «Të drejtuar nga fryma e Perëndisë», morëm librin e ri «Ruani veten në dashurinë e Perëndisë»! Siç u njoftua, qëllimi i këtij botimi është të na ndihmojë të njohim e të duam normat e Jehovait e jo të na mësojë doktrinat bazë të Biblës. Këtë libër nuk do ta ofrojmë gjatë shërbimit shtëpi më shtëpi.
2. Si do të përdoret ky botim dhe me cilët?
2 Ky libër do të shërbejë si botim i dytë për t’u trajtuar me studentët biblikë pas mbarimit të librit Çfarë mëson vërtet Bibla? Kini parasysh se njerëzit nuk përparojnë me të njëjtin ritëm nga ana frymore. Çdo studim duhet drejtuar me një ritëm të përshtatshëm për studentin. Sigurohuni që materiali që po shqyrtoni të jetë sa më i qartë për të. Në shumicën e rasteve, ky libër nuk duhet përdorur për të filluar studime biblike me njerëz që tashmë mund të kenë studiuar disa libra në të kaluarën, por që nuk i ndjekin mbledhjet e kongregacionit dhe duket qartë që nuk janë të interesuar për të përputhur jetën e tyre me të vërtetat e Biblës që kanë mësuar.
3. Çfarë duhet të bëjmë nëse po drejtojmë një studim me librin Të adhurojmë Perëndinë?
3 Nëse po drejtoni një studim me librin Të adhurojmë Perëndinë dhe jeni në kapitujt e fundit, mund të vendosni ta mbaroni këtë libër dhe ta inkurajoni studentin që ta lexojë vetë librin «Dashuria e Perëndisë». Në të kundërt, do të ishte më mirë të kaloni te libri i ri dhe ta nisni nga fillimi. Ashtu si te libri Çfarë mëson vërtet Bibla?, shqyrtimi i temave te shtojca varet nga ajo që vendosni ju.
4. Si duhet të veprojmë nëse studenti pagëzohet para se të mbarojë librat Çfarë mëson vërtet Bibla? dhe «Dashuria e Perëndisë»?
4 Nëse një student pagëzohet para se t’i mbarojë të dy librat, atëherë studimi duhet vazhduar derisa të mbarojë librin «Dashuria e Perëndisë». Edhe pse studenti është i pagëzuar, mund ta raportoni kohën e studimit, rivizitën dhe studimin. Edhe lajmëtari që ju shoqëron dhe merr pjesë në studim, mund ta raportojë si kohë shërbimi.
5. Si mund të përdoret libri «Dashuria e Perëndisë» për të ndihmuar lajmëtarët që prej disa kohësh nuk dalin në shërbim?
5 Nëse jeni caktuar nga një anëtar i Komitetit të Shërbimit të Kongregacionit për t’i bërë një studim biblik dikujt që është joaktiv në veprën e predikimit, mund t’ju kërkohet të shqyrtoni kapituj specifikë në librin «Dashuria e Perëndisë». Studime të tilla nuk ka nevojë të drejtohen për një kohë të gjatë. Ç’masë e shkëlqyer është ky libër i ri që na ndihmon të mbetemi «në dashurinë e Perëndisë»!—Jud. 21.