Fushatë speciale me fletushkë nga 20 tetor–16 nëntor!
1 Duke filluar nga dita e hënë më 20 tetor dhe për katër javë në vazhdim, do të zhvillohet një fushatë speciale për shpërndarjen e një fletushke të re me titull A do të dish të vërtetën? Shpresojmë që kjo fushatë speciale mbarëbotërore të ngjallë interesin e njerëzve për të vetmin burim të së vërtetës.—Gjoni 17:17.
2 Fletushka i përgjigjet shkurtimisht nga Bibla gjashtë pyetjeve të rëndësishme: «A interesohet Perëndia për ne?» «A do të mbarojnë ndonjëherë luftërat dhe vuajtjet?» «Ç’ndodh pas vdekjes?» «A ka shpresë për të vdekurit?» «Si t’i lutem Perëndisë që të më dëgjojë?» dhe «Si të gjej lumturi në jetë?» Kishat e të ashtuquajturit krishterim nuk u kanë dhënë kurrë përgjigje të kënaqshme këtyre pyetjeve. Madje shumë nga ata që nuk pohojnë se janë të krishterë, kanë menduar për këto çështje, por ata mund të mos e dinë se në Bibël gjenden përgjigje të qarta. Prandaj, ka shumë mundësi që ky mesazh të jetë tërheqës për shumë njerëz në mbarë globin.
3 Të mbulojmë territorin: Bëni çmos që të mbuloni sa më shumë nga territori juaj gjatë shërbimit nga shtëpia në shtëpi. Nëse keni një territor shumë të madh, pleqtë mund t’ju inkurajojnë të lini një fletushkë në rast se nuk gjeni njeri në shtëpi herën e parë që shkoni. Mos harroni t’u jepni një kopje fqinjëve, të afërmve, të njohurve në punë ose në shkollë dhe atyre me të cilët flisni rregullisht. Ndoshta mund t’i rregulloni punët tuaja që të shërbeni si pionierë ndihmës në tetor ose në nëntor. A keni ndonjë fëmijë ose student biblik që po përparon mirë nga ana frymore dhe që mund të kualifikohet për t’u bashkuar me ne në fushatë si lajmëtar i papagëzuar? Nëse po, flisni me pleqtë.
4 Çfarë të themi: Që këtë mesazh ta marrin sa më shumë njerëz, është më mirë të bëhet një prezantim i shkurtër. Thjesht bëjini të zotit të shtëpisë një nga gjashtë pyetjet në kapakun e fletushkës dhe tregojini përgjigjen brenda saj. Kjo do t’u japë mundësi të gjithë lajmëtarëve ta përshtatin prezantimin sipas nevojave të territorit. Nëse dikush tregon interes, mbani shënim dhe kthehuni një herë tjetër. Në fundjavë, mund të ofrohen edhe revistat e muajit bashkë me fletushkën. Pasi fushata të mbarojë më 16 nëntor, si ofertë do të jetë libri Çfarë mëson vërtet Bibla? Fletushkat që mbeten nga fushata do të përdoren njësoj si gjithë fletushkat e tjera.
5 Të fillojmë një studim biblik: Qëllimi i kësaj fletushke është të na ndihmojë sidomos për të filluar studime biblike. Kur të ktheheni tek ata që treguan interes, mund ta pyesni se cila nga të vërtetat biblike e ka ngushëlluar ose lehtësuar. Tregojini faqen e pasme ku ofrohet studimi biblik dhe jepini një kopje të librit Çfarë mëson vërtet Bibla? Nëse është e mundur, shqyrtoni shkurtimisht një ose dy paragrafë nga kapitulli që ka më shumë informacione për temën që zgjodhi.
6 Jehovai po kërkon ata që do ta adhurojnë «me frymë dhe të vërtetë». (Gjoni 4:23) Marrshim pjesë të gjithë në këtë fushatë speciale që t’i ndihmojmë të tjerët të njohin të vërtetën.