A keni një territor personal?
1. Çfarë është territori personal?
1 Territor personal është ai që ju caktohet juve për të predikuar. Mund të jetë në një vend ku mund të shkoni shpejt e kollaj e ku mund të predikoni ose vetëm, ose me një lajmëtar tjetër. Megjithëse është mirë të mbështetim organizimet e kongregacionit për të predikuar në grup kur është e mundur, të kesh një territor në të cilin të predikosh në raste të tjera, ndihmon për të dhënë një dëshmi më të plotë sidomos në ato kongregacione që kanë një territor të madh.—Vep. 10:42.
2. Çfarë dobish ka kur kemi një territor?
2 Dobitë: Disa kanë parë se është me mjaft dobi të predikosh në një territor afër vendit të punës, gjatë pushimit të drekës ose menjëherë pas pune. Disa të tjerë kanë preferuar të predikojnë së bashku si familje në lagjen e tyre për rreth një orë para Studimit të Librit të Kongregacionit. Si rezultat, rivizitat dhe studimet biblike që kanë zënë i kanë pasur afër, dhe kjo u ka kursyer përpjekje, kohë dhe shpenzime. Ngaqë kështu mund të bëhen shumë gjëra në më pak kohë, pasja e një territori mund t’i ndihmojë disa që herë pas here të shërbejnë si pionierë ndihmës, madje edhe të bëjnë kërkesë për të shërbyer si pionierë të rregullt. Për më tepër, të predikojmë në territorin personal dhe të njihemi me banorët e tij, na ndihmon të fitojmë besimin e tyre dhe t’i përshtatim prezantimet me shqetësimet e tyre, gjë që na bën më të suksesshëm në shërbim.
3. Çfarë përvoje ka pasur një pioniere që mori një territor?
3 Një pioniere që u inkurajua nga mbikëqyrësi qarkor të merrte një territor, tregon: «E pranova këshillën e tij dhe u njoha e u miqësova shumë shpejt me banorët e atij territori. Për t’i vizituar përsëri u përshtata sipas mundësive të tyre. Si rezultat, rivizitat e mia u rritën nga 35 në 80 në muaj dhe kam shtatë studime biblike.»
4. Si mund të merrni dhe të punoni një territor?
4 Si të marrim një territor: Nëse doni një territor, flisni me vëllanë që merret me territoret. Mos ngurroni t’i kërkoni një lajmëtari tjetër të predikoni atje së bashku dhe mbani shënim ato shtëpi ku nuk gjeni njeri. Duhet të përpiqeni ta mbaroni territorin brenda katër muajsh. Në qoftë se e keni të vështirë ta mbaroni brenda kësaj kohe, mund t’i kërkoni ndihmë mbikëqyrësit të Studimit të Librit të Kongregacionit ose të tjerëve. Në fund të katër muajve, ose mund ta ktheni territorin e mbaruar ose mund të kërkoni ta punoni përsëri. Megjithatë, nuk duhet të mbani të njëjtin territor për një kohë tepër të gjatë, por duhet ta ktheni që të mund ta marrin edhe të tjerët. Në rast se jeni në një kongregacion ku territori është i kufizuar dhe nuk është e mundur të marrësh një territor, ndoshta mund t’i kërkoni mbikëqyrësit të studimit të librit të merrni një pjesë territori.
5. Çfarë kërkohet që të përmbushim detyrën tonë të predikimit?
5 Detyra jonë për të predikuar «në gjithë tokën e banuar» është një caktim sfidues. (Mat. 24:14) Ai kërkon një koordinim të mirë të përpjekjeve. Përveç dëshmisë në grup, edhe predikimi në një territor mund të na ndihmojë t’ua japim lajmin e mirë sa më shumë njerëzve.