Si t’i arrish synimet e tua frymore?
1. Çfarë synimesh frymore kanë shumë të rinj të krishterë?
1 Pa dyshim që, si i ri i krishterë, synimet e tua në jetë i vendos duke u bazuar në dashurinë për Jehovain dhe në fjalët që u tha Jezui të gjithë të krishterëve, që të ‘kërkonin në radhë të parë mbretërinë’. (Mat. 6:33) Ndoshta ke si synim të zgjerosh shërbimin duke filluar si pionier ose të shërbesh aty ku ka më shumë nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë. Disa mund të kenë ndër mend të shërbejnë si vullnetarë në veprën ndërkombëtare të ndërtimit, të shërbejnë në një degë ose të punojnë në fushën misionare. Sa synime të admirueshme dhe të kënaqshme që janë këto!
2. Çfarë mund të të ndihmojë të arrish synimet e tua frymore?
2 Për t’i arritur synimet e tua frymore, një ndihmë mund të jetë t’i hedhësh me shkrim. Në Kullën e Rojës të 15 korrikut 2004, thuhej: ‘Një ide e vagët qartësohet e merr formë kur e shpreh atë me fjalë. Prandaj, mund t’i shkruash në letër synimet e tua dhe mënyrën si t’i arrish.’ Veç kësaj, disa synime të ndërmjetme mund të të ndihmojnë të matësh përparimin që po bën dhe të vazhdosh i përqendruar ndërsa ndjek një synim afatgjatë.
3. Përmend disa synime afatshkurtra që mund të të ndihmojnë të kualifikohesh për t’u pagëzuar.
3 Synime afatshkurtra: Në qoftë se nuk je pagëzuar ende, mendo se çfarë duhet të bësh për të arritur këtë synim. Ndoshta të duhet të kuptosh më qartë mësimet themelore të Biblës. Nëse po, vër synim të studiosh nga fillimi në fund librin Çfarë mëson vërtet Bibla?, duke kërkuar në Bibël të gjitha shkrimet e cituara. (1 Tim. 4:15) Vër si synim edhe ta lexosh të gjithë Biblën, nga Zanafilla deri te Zbulesa, siç u kërkohet bethelitëve dhe studentëve të Galaadit. Pas kësaj, mbaj një program të rregullt të leximit të përditshëm të Biblës. (Psal. 1:2, 3) Mendo se sa shumë do të të ndihmojë kjo të rritesh frymësisht! Fillo dhe mbaro me një lutje të përzemërt çdo herë që lexon dhe studion Biblën, dhe përpiqu gjithnjë ta zbatosh atë që mëson.—Jak. 1:25.
4. Cilat synime afatshkurtra mund të vërë një i krishterë që ka si synim afatgjatë shërbimin në Bethel ose si misionar?
4 Nëse tashmë je pagëzuar, çfarë synimesh të mëtejshme mund të ndjekësh? A ke nevojë të përmirësosh aftësitë e tua në predikim? Për shembull, a mund të vësh si synim të bëhesh më i aftë për të përdorur Fjalën e Perëndisë në shërbim? (2 Tim. 2:15) Si ta zgjerosh shërbimin tënd? Vër synime specifike afatshkurtra që janë në përputhje me moshën dhe rrethanat e tua e që do të të ndihmojnë të arrish synimet afatgjata që i ke vënë vetes.
5. Si e ndihmuan synimet afatshkurtra një vëlla që të arrinte synimin e tij për të shërbyer në Bethel?
5 Një përvojë e suksesshme: Kur ishte 19 vjeç, Toni bëri vizitë në një zyrë dege të Dëshmitarëve të Jehovait dhe i lindi dëshira që të shërbente në Bethel. Por ai kishte bërë një jetë prej rebeli dhe ende s’i ishte kushtuar Perëndisë. Toni vendosi ta vinte jetën në përputhje me udhët e Jehovait dhe vuri si synim të kualifikohej për t’u pagëzuar. Pasi arriti atë synim, vendosi të shërbente si pionier ndihmës e më pas si pionier i rregullt, duke shënuar në kalendar datat kur donte të fillonte. Mendoni sa i gëzuar ishte kur, pasi kishte shërbyer ca kohë si pionier, e ftuan të shërbente në Bethel!
6. Çfarë mund të të ndihmojë të arrish synimet e tua frymore?
6 Edhe ti mund t’i arrish synimet frymore që i vë vetes ndërsa kërkon në radhë të parë interesat e Mbretërisë. Parashtroja gjithnjë në lutje Jehovait «punët e tua» dhe ngulmo për t’i arritur synimet.—Prov. 16:3; 21:5.