«A njeh të tjerë që duan të studiojnë Biblën?»
Nëse po drejtoni një studim biblik, pse nuk e pyetni studentin nëse ndonjë prej miqve, të afërmve ose të njohurve të tij do të pëlqente të mësonte për Biblën? Shpeshherë studenti përmend disa prej tyre. Mund t’i vizitoni këta persona për t’u ofruar një studim biblik, dhe me lejen e studentit mund t’u thoni se kush ju ka dërguar atje. Kështu mund të thoni: «[Emri i studentit] i pëlqen të studiojë Biblën dhe ai mendon se edhe ju mund të keni dëshirë të përfitoni nga programi ynë i studimit të Biblës falas.» Pastaj shkurtimisht tregojini se si drejtohet një studim biblik me librin Çfarë mëson vërtet Bibla?
Nëse keni një student që po përparon, mund ta nxitni që t’u tregojë pjesëtarëve të familjes dhe miqve të interesuar, se çfarë është një studim biblik. Ai mund t’i ftojë edhe ata që të jenë të pranishëm gjatë studimit të tij. Ose nëse kjo nuk mund të bëhet, atëherë ai mund të bëjë të mundur që ju t’u flitni atyre për studimin biblik. Kjo do ta nxitë studentin që të fillojë të flasë me të tjerët për njohurinë biblike.
Edhe ata që i vizitoni rregullisht, megjithëse vetë nuk kanë pranuar akoma një studim biblik, mund t’ju drejtojnë te ndonjë që ka interes për studimin biblik. Kur t’i ofroni një kopje të librit Çfarë mëson vërtet Bibla? ju thjesht mund ta pyetni: «A njeh ndonjë tjetër që do ta pëlqente këtë libër?»
Duke pasur parasysh urgjencën e kohëve, duam që të shfrytëzojmë çdo mundësi për t’i ndihmuar njerëzit të dëgjojnë dhe të pranojnë lajmin e mirë. A e pyetni studentin nëse njeh të tjerë që duan të studiojnë Biblën?