Të tregojmë interes personal: Duke pasur kontakt pamor
1 Kur predikojmë në vende publike ose nga shtëpia në shtëpi, shpesh krijojmë njëfarë lidhjeje me njerëzit që në çastin që shihemi në sy, pra, para se të fillojmë të flasim. Brenda kësaj kohe të shkurtër mund të kuptojmë nga shprehja e tij e fytyrës nëse i pëlqen që jemi aty dhe nëse është me humor të mirë apo jo. Por, ndërkohë edhe ai mund të kuptojë shumë rreth nesh. Një grua u shpreh kështu për vizitën e një Dëshmitareje: «Ajo që kujtoj ende nga fytyra e saj e qeshur ishte paqja. Më bëri për vete.» Kjo gjë bëri të mundur që gruaja ta dëgjonte lajmin e mirë.
2 Kontakti pamor është një mënyrë e mirë për t’i hapur rrugë predikimit kur japim dëshmi në rrugë ose në vende publike. Një vëlla i sheh në sy ata që i afrohen. Kur u ndeshet shikimi, ai u buzëqesh dhe u prezanton revistën. Në këtë mënyrë ai bën shumë biseda të këndshme dhe jep shumë literaturë biblike.
3 Të dallojmë ndjenjat e të tjerëve: Kontakti pamor na ndihmon të dallojmë ndjenjat e të tjerëve. Për shembull, nëse dikush e ka të vështirë të na kuptojë ose nuk është dakord me diçka që kemi thënë, zakonisht i lexohet në fytyrë. Në qoftë se është i zënë ose nuk ka durim të na dëgjojë, e kuptojmë nga shprehjet e fytyrës. Pastaj në varësi të këtyre mund ta përshtatim ose ta shkurtojmë prezantimin. Ndjeshmëria ndaj ndjenjave të të tjerëve është një mënyrë e mirë për të treguar interes personal për të tjerët.
4 Me sinqeritet dhe bindje: Në shumë vende, shikimi në sy konsiderohet si shenjë sinqeriteti. Vini re si u përgjigj Jezui kur dishepujt e pyetën: «Kush mund të shpëtojë vallë?» Bibla vazhdon: «Duke i parë në sy, Jezui u tha: ‘Për njerëzit kjo është e pamundur, por për Perëndinë gjithçka është e mundur.’» (Mat. 19:25, 26) Sigurisht, bindja që i lexohej në sy Jezuit, u dha më shumë peshë fjalëve të tij. Në mënyrë të ngjashme, kontakti pamor do të na ndihmojë ta përçojmë mesazhin e Mbretërisë me sinqeritet dhe bindje.—2 Kor. 2:17; 1 Sel. 1:5.