Ndjekja e mbledhjeve rregullisht ka përparësinë
1 Familjet e krishtere i japin përparësi ndjekjes së mbledhjeve të kongregacionit rregullisht. Por kërkesat e jetës sot mund të përbëjnë një problem. Mos ndoshta punët e shtëpisë, puna që mund të kemi ose përgatitja e detyrave të shtëpisë po fillojnë të na zënë kohën që kemi lënë për adhurimin e Jehovait? Nëse i shohim gjërat nga pikëpamja e Jehovait, kjo do të na ndihmojë që të vazhdojmë t’u japim përparësi gjërave të duhura.—1 Sam. 24:6; 26:11.
2 Një izraelit mblodhi dru ditën e sabatit dhe kështu shpërfilli me dashje pikëpamjen e Jehovait. Ndoshta ai mund të ketë arsyetuar se po siguronte gjërat e nevojshme për familjen ose që kjo s’ishte ndonjë gjë me rëndësi të madhe. Por, nëpërmjet gjykimit që dha, Jehovai tregoi se të bësh veprimtari të tjera në kohën që është lënë për adhurim, është çështje serioze.—Num. 15:32-36.
3 Si ta përballojmë problemin: Për shumë veta është një luftë të mos lejojnë që puna të ndërhyjë në ndjekjen e mbledhjeve. Disa e kanë përballuar këtë problem duke folur me punëdhënësin, duke ndërruar turnin me shokët e punës, duke kërkuar një punë më të përshtatshme ose duke e thjeshtuar jetën. Pa dyshim që këto sakrifica që bëhen për adhurimin e vërtetë e kënaqin Perëndinë.—Hebr. 13:16.
4 Për ata që shkojnë në shkollë, detyrat e shtëpisë mund të jenë një problem. «Disa detyra i bëj para mbledhjes, kurse të tjerat i lë për më vonë, kur të kthehem»,—tha një e re. Në qoftë se është e pamundur që fëmija t’i bëjë të gjitha detyrat në ditët e mbledhjeve, disa prindër u kanë shpjeguar mësuesve se në familjen e tyre përparësi ka ndjekja e mbledhjeve të krishtere.
5 Bashkëpunimi dhe planifikimi i mirë janë të domosdoshëm për t’i bërë punët e shtëpisë që pastaj e gjithë familja të përgatitet për të qenë e pranishme në kohën e duhur në mbledhje. (Prov. 20:18) Edhe fëmijët e vegjël mund të mësohen që të vishen vetë dhe të jenë gati për të shkuar në mbledhje në një kohë të caktuar. Me shembullin e tyre, prindërit mund të ngulitin te fëmijët rëndësinë e mbledhjeve.—Prov. 20:7.
6 Meqenëse presionet e sistemit të tanishëm sa vijnë e shtohen, është e domosdoshme që t’i ndjekim rregullisht mbledhjet e kongregacionit. Le të vazhdojmë t’i shohim gjërat nga pikëpamja e Jehovait dhe t’i japim përparësi ndjekjes së mbledhjeve rregullisht!—Hebr. 10:24, 25.