Një vepër që ka mbështetjen e Perëndisë
1 Sot midis shërbëtorëve të Perëndisë nuk ka shumë veta me arsim tepër të lartë, me pasuri ose me një pozitë në sistemin e tanishëm. Për këtë arsye disa njerëz e shohin si të papërfillshëm shërbimin tonë të krishterë. (Isa. 53:3) Gjithsesi vepra e arsimimit biblik që kryejmë u ka sjellë ngushëllim e shpresë miliona njerëzve anembanë tokës. Si ka mundësi që njerëz të thjeshtë të kenë arritur rezultate kaq të jashtëzakonshme? E kanë arritur këtë vetëm sepse kanë mbështetjen e Perëndisë. (Mat. 28:19, 20; Vep. 1:8) Apostulli Pavël shpjegoi: «Perëndia zgjodhi gjërat e dobëta të botës, që të turpëronte gjërat e forta.»—1 Kor. 1:26-29.
2 Apostujt dhe të krishterët e tjerë në shekullin e parë ishin kryesisht njerëz «të pashkolluar e të thjeshtë». (Vep. 4:13) Megjithatë, e vazhduan me guxim detyrën për të predikuar lajmin e mirë, dhe Jehovai i bekoi përpjekjet e tyre. Pavarësisht nga pengesat dhe nga kundërshtimi, ‘fjala e Jehovait vazhdoi të rritej e të forcohej në mënyrë të fuqishme’. Veprën s’mund ta ndalte asgjë, sepse kishte mbështetjen e Perëndisë. (Vep. 5:38, 39; 19:20) E njëjta gjë ka ndodhur në kohët e sotme. As edhe kundërshtimi i fortë nga sundimtarë të fuqishëm nuk ka arritur ta ndalë lajmin e mirë që të rritet e të forcohet.—Isa. 54:17.
3 E gjithë merita i shkon Perëndisë: A na jep arsye për t’u mburrur pozita e privilegjuar që kemi si shërbëtorë të Perëndisë? Aspak. Duke folur për shërbimin e krishterë, Pavli shkroi: «E kemi këtë thesar në enë prej balte, që fuqia përtej asaj që është normale të jetë e Perëndisë dhe jo ajo që vjen nga ne.» (2 Kor. 4:7) Pavli e kuptonte se shërbimin arrinte ta kryente vetëm falë fuqisë që i jepte Perëndia.—Efes. 6:19, 20; Filip. 4:13.
4 Po ashtu, edhe ne e kuptojmë se vepra e predikimit kryhet vetëm sepse ‘kemi marrë ndihmën që vjen nga Perëndia’. (Vep. 26:22) Me anë të kësaj shpalljeje që bëhet në mbarë botën, Jehovai po na përdor në një mënyrë të fuqishme për t’i bërë të dridhen kombet, shenjë kjo se së shpejti do të vijë gjykimi dhe shkatërrimi i tyre. (Hag. 2:7) Çfarë privilegji që është të jemi «bashkëpunëtorë të Perëndisë» në këtë korrje frymore madhështore!—1 Kor. 3:6-9.