Vlera e pashoqe e mençurisë hyjnore
1 Disa njerëz mendojnë se Dëshmitarët e Jehovait duhet t’i përqendrojnë përpjekjet e tyre për t’u dhënë ndihmë njerëzve që t’u lehtësojnë problemet e sotme. Këta njerëz nuk arrijnë ta kuptojnë vlerën e pashoqe që ka vepra jonë e arsimimit biblik. Është ashtu siç shkroi apostulli Pavël: «Fjalët për shtyllën e torturës janë marrëzi për ata që po marrin fund, por për ne që po shpëtojmë, janë fuqi e Perëndisë.» (1 Kor. 1:18) Po, ne e dimë se shërbimi i krishterë është vepra më e rëndësishme që po kryhet sot në tokë.
2 Një jetë më të mirë tani: Njerëzit janë përpjekur të zgjidhin problemet e shoqërisë njerëzore, por kanë pasur rezultate shumë të kufizuara. Vendosja e ligjit nuk e ka ndalur lulëzimin e krimit. Traktatet e paqes dhe forcat paqeruajtëse nuk i kanë dhënë fund luftërave. Programet e ndihmës sociale nuk e kanë çrrënjosur varfërinë. (Psal. 146:3, 4; Jer. 8:9) Ndryshe nga këto, mesazhi i Mbretërisë u ka ndryshuar jetën miliona njerëzve duke i ndihmuar të veshin një personalitet të ri që është i pranueshëm për Perëndinë. (Rom. 12:2; Kolos. 3:9, 10) Duke vepruar kështu, ata po bëjnë një jetë më të mirë që tani.—1 Tim. 4:8.
3 Një të ardhme të lumtur: Përveçse na ndihmon të përballojmë sfidat e tanishme të jetës, mençuria hyjnore na jep mundësi të bëjmë plane të efektshme për të ardhmen. (Psal. 119:105) Nuk na lë të bëjmë përpjekje të kota për të reformuar sistemin e tanishëm. (Ekl. 1:15; Rom. 8:20) Sa mirënjohës jemi që nuk po e çojmë kot jetën duke ndjekur synime që s’janë veçse iluzion! Përkundrazi, i përqendrojmë përpjekjet në premtimin e sigurt që ka bërë Jehovai për «qiej të rinj e një tokë të re» ku do të banojë drejtësia. Kur të vijë dita e gjykimit e Jehovait, do të bëhet më se e qartë se ata që u mbështetën në mençurinë hyjnore bënë zgjedhjen e duhur.—2 Pjet. 3:10-13; Psal. 37:34.
4 Edhe pse mençuria hyjnore mund të mos u duket praktike atyre që janë zhytur thellë në «mençurinë e këtij sistemi», në të vërtetë ajo është e vetmja rrugë praktike për t’u ndjekur. (1 Kor. 1:21; 2:6-8) Prandaj, vazhdojmë të shpallim në mbarë tokën mesazhin që vjen nga Perëndia, i cili është ‘i vetmi i mençur’.—Rom. 16:27.