Si mund t’i ndihmojmë bashkëshortët që s’janë Dëshmitarë?
1 Shumë shërbëtorë të Jehovait janë të martuar me njerëz që sillen mirë me Dëshmitarët dhe interesohen për kongregacionin, por ngurrojnë të bëhen shërbëtorë të Perëndisë. Burri i një motre pranoi: «Një pengesë e madhe për mua ishte ideja që të shkoja shtëpi më shtëpi.» Të tjerë ndoshta kanë disa praktika jobiblike që duhet t’i heqin ose ndoshta mendojnë se nuk do të arrijnë kurrë t’i përmbahen një programi të ngjeshur teokratik si burri ose gruaja e tyre. Si mund t’i ndihmojmë?
2 Të tregojmë interes: Interesimi ynë për të tjerët dhe vëmendja që tregojmë ndaj shqetësimeve të tyre mund të krijojë kushtet që t’i përgjigjen së vërtetës biblike. (Filip. 2:4) Ata që më parë nuk kanë pasur të njëjtat bindje si burri a gruaja e tyre shpesh përmendin interesimin e dashur që treguan të tjerët. «Hozeja, një plak kongregacioni, interesohej veçanërisht për mua,—shpjegoi bashkëshorti i përmendur më lart.—Mendoj se ishte pikërisht inkurajimi prej tij që më në fund më bëri të filloj të studioj seriozisht.» Një bashkëshort tjetër kujton se vëllezërit që i shkonin për vizitë përpiqeshin të flisnin për gjërat që i interesonin atij. «Fillova ta shoh fenë [e gruas sime] nga një këndvështrim krejt i ndryshëm,—tha ai.—Miqtë e saj ishin njerëz shumë inteligjentë që flitnin për një shumëllojshmëri temash.»—1 Kor. 9:20-23.
3 T’u japim ndihmë praktike: Bashkëshortët që s’janë Dëshmitarë mund të preken edhe nga ndihma dashamirëse që u jepet. (Prov. 3:27; Gal. 6:10) Kur burrit jobesimtar të një motre iu prish makina, një i ri Dëshmitar shkoi dhe e ndihmoi. «Kjo më bëri vërtet përshtypje»,—kujton ky burrë. Një vëlla tjetër kaloi një ditë të tërë duke ndihmuar burrin jobesimtar të një motre që të ndërtonte një gardh përreth pronës së tij. Ndërsa punonin e bisedonin bashkë, mes tyre lindi një miqësi. Dy javë më vonë, burri iu afrua vëllait dhe i tha: «Ka ardhur koha që unë të bëj ca ndryshime në jetë. A do të studiosh Biblën me mua?» Ai bëri përparim të shpejtë dhe tani është Dëshmitar i pagëzuar.
4 Ndërkohë që vazhdojmë të kërkojmë ata që e meritojnë në territorin tonë, le të vazhdojmë të ndihmojmë edhe ata që janë të martuar me bashkëbesimtarët tanë.—1 Tim. 2:1-4.