BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • km 11/02 f. 5-6
  • Kryefamiljarë: Mbani një program të mirë frymor

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Kryefamiljarë: Mbani një program të mirë frymor
  • Shërbimi ynë i Mbretërisë—2002
  • Material i ngjashëm
  • Vazhdoni të përparoni në një rutinë të rregullt
    Shërbimi ynë i Mbretërisë—1994
  • Familje, lavdërojeni Perëndinë si pjesë e kongregacionit të tij
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • Ndihmë për familjet
    Shërbimi ynë i Mbretërisë—2011
  • Si bashkëpunojnë anëtarët e familjes për një pjesëmarrje të plotë në studimin biblik
    Shërbimi ynë i Mbretërisë—1999
Shih më tepër
Shërbimi ynë i Mbretërisë—2002
km 11/02 f. 5-6

Kryefamiljarë: Mbani një program të mirë frymor

1 Ndonëse jetoi për disa dhjetëvjeçarë mes idhujtarisë dhe korrupsionit të Babilonisë, Danieli njihej si një person që i shërbente Jehovait «vazhdimisht». (Dan. 6:16, 20) Si mundi të qëndronte i fortë frymësisht? Bibla tregon se ai kishte një program të rregullt për t’u marrë me aktivitetet që lidheshin me adhurimin e vërtetë. Për shembull, lutej rregullisht tri herë në ditë në dhomën e tij që ishte në tarracën e shtëpisë. (Dan. 6:10) Pa dyshim, kishte vendosur një program për aktivitetet e tjera frymore, si për shembull leximin e Ligjit. Kështu, kur u përball me një sprovë që i vuri jetën në rrezik, përkushtimi i Danielit ndaj Jehovait nuk u lëkund dhe ai u shpëtua në mënyrë të mrekullueshme.​—Dan. 6:4-22.

2 Ngjashëm, ne sot duhet të ushtrojmë veten për ‘të qëndruar zgjuar me qëndresë të plotë’. (Efes. 6:18) Bota ku jetojmë «dergjet nën pushtetin e të ligut». (1 Gjon. 5:19) Kundërshtimin ose sprovat mund t’i hasim papritur dhe mund të vënë në provë besimin tonë. Gjatë shtrëngimit të madh, shërbëtorët e Perëndisë do të jenë shënjestra e një sulmi të ashpër nga Gogu i Magogut, që në dukje nuk do të ketë shpëtim. Kjo do të kërkojë besim të plotë te Jehovai.​—Ezek. 38:14-16.

3 «Një çelës jetësor është bërja e leximit, studimit dhe shqyrtimit të efektshëm familjar të Biblës një shprehi në udhën e jetës.» Kështu thuhej në pjesën hapëse të dramës në kongresin krahinor të vitit 1998, e cila titullohej «Familje: Bëjeni leximin e përditshëm të Biblës një shprehi në udhën tuaj të jetës!» Më poshtë thuhej: «Kur familjet e ndjekin një program të tillë rregullisht dhe në një mënyrë që e bën Biblën të gjallë, kjo rutinë e orientuar nga Bibla, mund të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm mbi familjen. Ajo rrit njohurinë tonë. Na forcon besimin. Na siguron role model, burra dhe gra të kohëve të lashta thellësisht të besueshëm, që mund të na frymëzojnë, duke na nxitur që të qëndrojmë në të vërtetën.» Ndërsa shqyrtojnë aspekte të ndryshme të një programi të mirë frymor, kryefamiljarët duhet të kërkojnë një ose dy mënyra për të përmirësuar programin frymor të familjes së tyre.

4 Shqyrtoni Fjalën e Perëndisë çdo ditë: «Kur Mbretëria e Perëndisë të sundojë pa kundërshtarë dhe kur të bëhet vullneti i tij në tokë siç është bërë në qiell, asnjë njeri i lig, madje as dhe kafshët nuk do të ‘bëjnë asnjë të keqe, asnjë shkatërrim’. (Isa. 11:9; Mat. 6:9, 10)» Këto fjalë gjenden te Të shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë 2001 në komentin e shkrimit për 11 shtatorin. Sa ngushëllues ishte ky përkujtues! Si kryefamiljar, a e ke zakon të shqyrtosh çdo ditë me familjen shkrimin e ditës bashkë me komentet e tij? Kjo ka dobi të madhe. Nëse nuk është e mundur të mblidheni së bashku në mëngjes, ndoshta mund të bëhet një gjë e tillë më vonë gjatë ditës. Një baba tha: «Darka është për ne një çast i mirë për të diskutuar shkrimin e ditës nga Bibla.»

5 Në qoftë se tashmë keni një program të mirë për të diskutuar shkrimin e ditës si familje, kjo është diçka për të lavdëruar. Ndoshta mund të ndërtoni mbi këtë themel duke lexuar në të njëjtën kohë një pjesë nga Bibla. Disa e kanë zakon të lexojnë të gjithë kapitullin nga i cili është marrë shkrimi i ditës. Disa lexojnë me radhë libra të zgjedhur të Biblës, duke e bërë këtë pak nga pak. Leximi i përditshëm i Biblës do të ndihmojë familjen të kultivojë një frikë të shëndetshme se mos i shkaktojë pakënaqësi Jehovait dhe do ta bëjë më të zjarrtë dëshirën për të bërë vullnetin e tij.––Ligj. 17:18-20.

6 Programi i leximit të Biblës si familje dhe shqyrtimi i shkrimit të ditës do të jenë edhe më dobiprurës, po të mund të gjeni pak minuta për të diskutuar vlerën praktike të informacionit të marrë. Libri Shkolla e Shërbimit, faqja 60, jep këtë sugjerim: «Mund të zgjidhni disa vargje nga leximi i Biblës që është programuar për javën, të flitni rreth domethënies së tyre dhe pastaj të bëni pyetje si këto: ‘Në ç’mënyrë kjo është udhëheqje për ne? Si mund t’i përdorim këto vargje në shërbim? Çfarë na zbulojnë për Jehovain dhe për mënyrën e tij të të vepruarit dhe si na bën kjo që të kemi më shumë çmueshmëri për të?’» Biseda të tilla frymore do t’i ndihmojnë të gjithë në familje që ‘të vazhdojnë të dallojnë se cili është vullneti i Jehovait.’​—Efes. 5:17.

7 Studimi familjar: Të drejtojnë studimin familjar regullisht çdo javë është një mënyrë e shkëlqyer për kryefamiljarët që t’u tregojnë fëmijëve se gjërat frymore vijnë në radhë të parë. Një i ri kujton: «Ndonjëherë babai ndihej kaq i lodhur nga puna, sa vështirë se mund të rrinte zgjuar, por megjithatë studimi bëhej, dhe kjo na ndihmoi të kuptonim rëndësinë e tij.» Edhe fëmijët mund të bëjnë pjesën e tyre për mbarëvajtjen e studimit. Një familje me nëntë fëmijë çoheshin rregullisht në orën pesë për të bërë studimin e tyre familjar, sepse nuk ishte e mundur të bëhej në një kohë tjetër.

8 Që studimi familjar të jetë i efektshëm, kryefamiljari duhet ‘t’i kushtojë vëmendje të vazhdueshme mësimdhënies së tij’. (1 Tim. 4:16) Në librin Shkolla e Shërbimit, faqja 32, thuhet: «Mund të thuhet fare mirë që një studim familjar frytdhënës fillon duke bërë një studim të vetë familjes. Si po ecin frymësisht anëtarët e familjes? . . . Kur je në shërbimin në fushë me fëmijët, a e kanë të vështirë të identifikohen si Dëshmitarë të Jehovait para bashkëmoshatarëve? A u pëlqen programi që keni për leximin dhe studimin e Biblës si familje? A po e bëjnë udhën e Jehovait mënyrën e tyre të jetesës? Një shqyrtim i kujdesshëm do të zbulojë se çfarë duhet të bësh ti si kryefamiljar për të ngulitur e për të ndërtuar cilësi frymore te çdo pjesëtar i familjes.»

9 Mbledhjet e kongregacionit: Përgatitja dhe pjesëmarrja në mbledhjet e kongregacionit duhet të jetë një pjesë e rëndësishme e programit javor. (Hebr. 10:24, 25) Ndonjëherë, mund të jeni në gjendje të përgatiteni për mbledhjet si familje. Në vend që të pritni minutën e fundit, a mund të merrni masa të përgatiteni që më përpara? Një program i rregullt në këtë pikë, do të përmirësojë cilësinë e përgatitjes suaj, si dhe do të rritë dobitë që do të nxirrni në mbledhje.​—Prov. 21:5.

10 Cilësia dhe rregullsia janë veçori dalluese të një programi frymor të efektshëm. Po nëse rrethanat jua bëjnë të vështirë të përgatiteni për të gjitha mbledhjet? Libri Shkolla e Shërbimit, faqja 31, bën këtë sugjerim: «Shmange grackën që ta kalosh shpejt e shpejt materialin, vetëm sa për të thënë që e studiove ose, më keq, ta lësh fare pa e studiuar ngaqë nuk e studion dot të gjithin. Në vend të kësaj, përcakto se sa mund të studiosh dhe studioje mirë. Bëje këtë çdo javë. Me kalimin e kohës përpiqu të përfshish edhe materialin për mbledhjet e tjera.»

11 Kur familjet mbërrijnë herët në mbledhje kjo ndihmon që të jenë në gjendje të mirë mendore për të lavdëruar Jehovain dhe për të nxjerrë dobi nga udhëzimet që ai siguron. A e ka familja juaj një zakon të tillë? Kjo kërkon një planifikim të mirë dhe bashkëpunimin e secilit në shtëpi. Nëse shikoni që shpesh familja juaj është në nxitim e sipër dhe stresohet në ditët e mbledhjeve, a mund të bëhen rregullime në programin tuaj? A mund të bëhen që më përpara disa gjëra? Kur një anëtar i familjes ka shumë punë për të bërë a mund të ndihmojnë të tjerët? A do të ishte më i paktë stresi, nëse secili do të ishte gati të nisej për në mbledhje disa minuta më herët? Planifikimi i mirë i kontribuon një fryme paqeje si në familje dhe në kongregacion.​—1 Kor. 14:33, 40.

12 Shërbimi në fushë: Vendosja e kohës së caktuar për të dalë në shërbim është një pjesë tjetër e një programi të mirë frymor. Një i ri i quajtur Xhezon kujton: «Në familjen time, mëngjesi i së shtunës i kushtohej gjithnjë shërbimit në fushë. Kjo ishte gjë e mirë për mua, sepse, sa më shumë që dilja në shërbim, aq më shumë shihja gjërat e mira që më jepte dhe aq më shumë më pëlqente.» Edhe shumë veta të tjerë që janë rritur në familje Dëshmitarësh, kanë vërejtur se fakti që kanë pasur një kohë të caktuar për shërbimin çdo javë i ka ndihmuar për të bërë përparim si shërbëtorë të krishterë.

13 Një program i rregullt mund të ndihmojë edhe për ta bërë më të kënaqshme dhe më të frytshme kohën që familja juaj kalon në shërbimin në fushë. Si mund të arrihet kjo? Kulla e Rojës e 1 korrikut të vitit 1999, faqja 21, bën sugjerimin e mëposhtëm: «A përdor kohë herë pas here në studimin familjar, për të ndihmuar pjesëtarët e familjes që të përgatiten për shërbimin në fushë, për javën? Kjo mund të jetë një gjë shumë e dobishme. (2 Timoteut 2:15) Mund të ndihmojë për ta bërë shërbimin e tyre domethënës dhe frytdhënës. Me raste, mund të lësh mënjanë një studim të tërë, për të bërë këtë përgatitje. Më shpesh, mund t’i trajtoni aspektet e shërbimit në fushë gjatë diskutimeve më të shkurtra në përfundim të studimit familjar ose në ndonjë kohë tjetër gjatë javës.» A e ka provuar ndonjëherë familja juaj këtë sugjerim?

14 Vazhdoni të bëni përparim: Nga shqyrtimi që keni bërë, a keni vënë re disa pika në të cilat familja juaj po përparon mirë? Lavdërojini ata dhe përpiquni që të ndërtoni mbi këtë themel. Nëse shikoni se ka disa pika ku mund të bëhen përmirësime, në fillim zgjidhni një ose dy për të punuar në to. Kur këto të jenë bërë pjesë e programit tuaj frymor punoni në një ose dy të tjera. Jini pozitivë dhe të arsyeshëm. (Filip. 4:4, 5) Vendosja e një programi të mirë frymor për shtëpinë tuaj kërkon shumë përpjekje, por ia vlen jashtë mase, sepse Jehovai na siguron: «Atë që ndjek një udhë të përcaktuar do ta bëj të shohë shpëtimin prej Perëndisë.»​—Psal. 50:23, BR.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo