Një shkollë që na pajis për atë që ka më shumë rëndësi
1 Njerëzit shkojnë në shkollë për të marrë udhëzime, që do t’i ndihmojnë të arrijnë qëllimet e tyre në jetë. Megjithatë, cili qëllim është më i rëndësishëm se sa ai për të lavdëruar vetë Dhënësin e jetës dhe për të ndihmuar të tjerët që të mësojnë qëllimet dhe udhët e tij? Asnjë. Pikësynimi i Shkollës së Shërbimit Teokratik është të na përgatitë t’u mësojmë të tjerëve bindjet tona fetare. Kështu, ndërsa marrim pjesë në këtë shkollë çdo javë, do të fitojmë aftësi që na pajisin për aktivitetet më të rëndësishme të jetës.
2 «Programi i Shkollës së Shërbimit Teokratik për vitin 2003» u vu në dispozicion në numrin e muajit të kaluar të Shërbimi ynë i Mbretërisë. Programi përmban hollësi se si do të drejtohet shkolla. Mund t’ju duket praktike ta mbani programin në kopjen tuaj të librit Të nxjerrim dobi nga arsimimi në Shkollën e Shërbimit Teokratik, të cilin duhet ta mbani me vete çdo javë në Shkollën e Shërbimit Teokratik. Le të shqyrtojmë disa nga veçoritë e Shkollës së Shërbimit Teokratik për vitin 2003.
3 Cilësia oratorike: Duke filluar nga janari, çdo mbledhje do të fillojë me një fjalim 5 minuta rreth një cilësie oratorike ose rreth ndonjë aspekti të leximit, të studimit ose të mësimdhënies. Mbikëqyrësi i shkollës do të paraqesë këto diskutime hapëse ose ai mund të caktojë një vëlla tjetër të kualifikuar për të bërë këtë fjalim. Ai që mban fjalimin mund të shpjegojë se si përkufizohet kjo cilësi oratorike dhe çfarë rëndësie ka. Më pas duhet të zgjerojë materialin duke përdorur shembuj nga Bibla dhe duke treguar si ta vëmë në praktikë këtë cilësi. Ai duhet të nxjerrë në pah se si duke vepruar kështu ,do të përmirësojmë shërbimin tonë në fushë.
4 Fjalimi nr. 1: Vëllai i caktuar për të mbajtur fjalimin e udhëzimit përsëri këshillohet ‘të përqendrojë vëmendjen ndaj vlerës praktike të informacionit që po trajtohet’. Kjo do të thotë që t’i tregojë kongregacionit si ta vërë në praktikë informacionin. Nëse merr këtë caktim, shiko faqet 48-49 të librit të Shkollës së Shërbimit për sugjerime se si duhet të përgatitesh dhe studio referimet që tregohen në treguesin e librit nën titullin «Zbatimi praktik».
5 Programi i leximit të Biblës: Nëse më parë nuk keni pasur mundësi për të qenë në të njëjtin hap me leximin javor të Biblës, pse të mos vendosni të ndiqni programin e këtij viti? Ata që bëjnë kështu do të përfundojnë Shkrimet e Krishtere Greke nga fundi i vitit. Dobitë që do të vijnë kur të filloni programin e leximit të Biblës te Shkrimet e Krishtere Greke shqyrtohen në faqen 10, paragrafi 4, të librit të Shkollës së Shërbimit.
6 Pikat kryesore nga leximi i Biblës: Kjo pjesë është zgjatur në 10 minuta, kështu që auditori mund të komentojë për kapitujt e caktuar për t’u lexuar atë javë. Ata që e kanë këtë fjalim duhet të respektojnë me përpikëri kohën e caktuar. Do të prezantohet çdo javë duke përfshirë javën kur është rishikimi gojor. Ndërsa lexon kapitujt e caktuar, shiko për pika që do të të sjellin dobi ty në studimin familjar, në shërbim ose në mënyrën tënde të jetesës. Cilat cilësi të Jehovait u shfaqën në marrëdhëniet e tij me njerëzit dhe kombet? Çfarë mësove që të forcoi besimin dhe të rriti çmueshmërinë për Jehovain? Mos ngurro të komentosh në çdo pikë në kapitujt e caktuar, madje dhe nga vargjet që duhet të lexohen në Fjalimin nr. 2, meqenëse vëllai që ka këtë fjalim nuk do të komentojë për vargjet.
7 Fjalimi nr. 2: Fjalimi i studentit të parë çdo javë do të jetë një ushtrim në leximin publik. Të gjitha leximet, përveç atij të fundit për secilin muaj, do të bëhen nga leximi javor i Biblës. Leximi i fundit për muajin do të merret nga Kulla e Rojës. Studenti duhet të lexojë materialin e caktuar pa bërë një hyrje ose mbyllje. Në këtë mënyrë, ai mund t’ua kushtojë vëmendjen kryesore aftësive të tij në lexim.—1 Tim. 4:13.
8 Fjalimi nr. 3 dhe nr. 4: Disa nga këto caktime kanë më shumë burim materiali nga libri Të adhurojmë Perëndinë se të tjerat; disa kanë vetëm një temë. Ata që kanë fjalime, me burim materiali të kufizuar ose kanë thjesht një temë, do të kenë mundësinë për të zhvilluar prezantimet e tyre duke bërë kërkime në botimet tona të krishtere. Kjo mund ta bëjë më të lehtë për motrat që t’ua përshtatin komentet e tyre motrave ndihmëse.
9 Rrethanat: Siç tregohet në faqen 45 të librit Shkolla e Shërbimit, mbikëqyrësi i shkollës mund të vendosë një rrethanë. Nëse ai nuk e bën një gjë të tillë, motrat duhet të zgjedhin një nga rrethanat e paraqitura në faqen 82. Nëse një motër mban një fjalim çdo dy muaj këto 30 rrethana të paraqitura atje do të mjaftojnë për pesë vjet. Motrat që zgjedhin rrethanën me nr. 30, pra, «Ndonjë rrethanë tjetër të përshtatshme për zonën tënde» duhet të shkruajnë rrethanën në fund ose prapa fletës së tyre të caktimit (S-89). Mbikëqyrësi i shkollës do të shkruajë datën e fjalimit të studentes në faqen 82 të librit të saj anash rrethanës që ajo përdori. Ai mund ta bëjë këtë në të njëjtën kohë që shënon në fletën e këshillave të studentit.
10 Fleta e Këshillave: Fleta e këshillave gjendet në librin tuaj, në faqet 79-81. Kështu ju duhet t’i paraqitni librin mbikëqyrësit të shkollës pas çdo fjalimi që bëni. Mbikëqyrësi i shkollës duhet të mbajë shënim pikat e këshillave ku studentët po punojnë.
11 Rishikimi gojor: Rishikimi i Shkollës së Shërbimit Teokratik do të bëhet me gojë. Do të zhvillohet një herë në çdo dy muaj dhe do të zgjatë 30 minuta. Pyetjet që do të bëhen gjatë rishikimit do të vazhdojnë të jenë te Shërbimi ynë i Mbretërisë. Nëse java që është caktuar për të pasur rishikimin gojor përkon me javën e asambleve qarkore ose atë të vizitës së mbikëqyrësit qarkor, atëherë fjalimet e javës pasuese duhet të bëhen një javë më parë dhe rishikimi gojor duhet të programohet përsëri për javën që vjen më pas.
12 Klasat ndihmëse: Në kongregacionet që kanë më shumë se 50 veta të regjistruar në shkollë, pleqtë mund të mendojnë për formimin e klasave ndihmëse. «Kjo masë mund të përdoret për të gjitha fjalimet e studentëve ose vetëm për dy të fundit.» (Shkolla e Shërbimit, fq. 285) Sugjerimi i fundit është bërë duke marrë parasysh kongregacionet në të cilat ka shumë motra, por vetëm pak vëllezër për të bërë leximin. Pleqtë duhet të zgjedhin vëllezër të kualifikuar për të drejtuar këto klasa.
13 Këshillues ndihmës: Siç tregohet në programin e Shkollës së Shërbimit Teokratik, një këshillues ndihmës duhet të emërohet nga trupi i pleqve për t’u dhënë ndonjë këshillë private pleqve ose shërbëtorëve ndihmës, të cilët paraqesin pikat kryesore të Biblës dhe mbajnë fjalimin e udhëzimit. Vëllai i caktuar për të bërë këtë duhet të jetë me përvojë, këshilla e të cilit do të respektohet nga pleqtë e tjerë. Këshilla e tij duhet të jetë ndërtuese, që lavdëron për mënyrën e mirë të të folurit dhe për teknikat e mira të mësimdhënies, si dhe duhet të sugjerojë një ose dy pika për përmirësim. Nuk është e nevojshme që ai të ofrojë këshilla pas çdo fjalimi që jep ndonjë vëlla, i cili mban shpesh fjalime. Megjithatë, vëllai që është caktuar për të dhënë këshilla duhet të përdorë aftësi dalluese e të kuptojë se edhe vëllezërit, të cilët tashmë bëjnë fjalime publike mund të ndihmohen për të bërë edhe më shumë përparim.—1 Tim. 4:15.
14 Ku të përqendrohet?: Çfarë mund ta ndihmojë një këshillues për të analizuar një prezantim? Kutia e tretë në pjesën më të madhe të 53 kapitujve të librit Shkolla e Shërbimit përmban një përmbledhje të shkurtër se ku të përqendrohet. Mbikëqyrësi i shkollës duhet t’u kushtojë vëmendje edhe përkujtuesve ose sugjerimeve të tjera që gjenden në libër, të cilat do ta ndihmojnë të vlerësojë një prezantim për sa i përket efektshmërisë dhe zhvillimit koherent të materialeve. Për shembull, vëreni serinë e pyetjeve në krye të faqes 55 dhe idetë në paragrafin e fundit në faqen 163.
15 Mbush hapësirën bosh: Përveç hapësirës së gjerë anash faqeve të librit Shkolla e Shërbimit, gjenden edhe disa hapësira bosh të bëra për të mbajtur ndonjë shënim gjatë studimit personal dhe kur ndjek Shkollën e Shërbimit Teokratik. (Shih faqet 77, 92, 165, 243, 246, dhe 250.) Sigurohu që ta marrësh librin me vete çdo javë. Ndiq me librin tënd gjatë fjalimit hyrës. Mbaje librin hapur për pjesën tjetër të shkollës. Mbaj shënim sugjerimet që bëhen nga mbikëqyrësi i shkollës. Kushtoju vëmendje metodave të mësimdhënies, pyetjeve, shembujve, figurave letrare, ilustrimeve, mjeteve ndihmëse pamore dhe kontrasteve që përdorin oratorët. Duke marrë shënime të dobishme, do të jesh në gjendje të kujtosh dhe të përdorësh shumë pika të shkëlqyera të mbledhura nga shkolla.
16 Jezu Krishti e dinte se predikimi i lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë është privilegji më i madh që mund t’i jepet gjithsecilit. Ky ishte caktimi i tij kryesor. (Marku 1:38) Ai tha: ‘Duhet të shpall lajmin e mirë të mbretërisë së Perëndisë, sepse për këtë u dërgova’. (Luka 4:43) Si ata që e pranuan ftesën për ta ndjekur atë, edhe ne jemi shumë të zënë me predikimin e lajmit të mirë. Gjithmonë përpiqemi të përmirësojmë cilësinë e ‘sakrificës së lëvdimit’ që ofrojmë. (Heb. 13:15) Për të arritur këtë le të jemi të vendosur për të marrë pjesë rregullisht në Shkollën e Shërbimit Teokratik, një shkollë që do të na ndihmojë të jemi më të përgatitur për të bërë atë që ka më shumë rëndësi në jetë.