Si ndikojnë videokasetat që japin dëshmi?
1 «Djali ynë ka filluar ta shohë videokasetën që para se të fillonte të ecte. Ai e sheh atë herë pas here. Sa gjë e mrekullueshme është të kesh mjete që rrënjosin dashurinë për Jehovain te fëmijët tanë!» Cilën videokasetë po përshkruante ky prind i krishterë? Atë me titull Noeja: Ai eci me Perëndinë. Një nënë që nuk ishte dëshmitare, biri i së cilës e kishte parë në shtëpinë e dikujt tjetër videokasetën Noeja, i dërgoi zyrës së degës një kontribut prej 90 dollarësh dhe pyeti nëse atje kishte ndonjë videokasetë tjetër për fëmijë. Videokasetat e prodhuara nga organizata e Jehovait po ushtrojnë një ndikim të fortë si te të vegjlit, ashtu edhe te të rriturit.
2 Në familje: Pasi një familje Dëshmitarësh pa videokasetën Dëshmitarët e Jehovait qëndrojnë të patundur ndaj sulmit nazist (anglisht), nëna tregoi: «Kam menduar thellë gjithë ditën lidhur me atë se si Jehovai u dha mundësi njerëzve të zakonshëm të durojnë gjëra të jashtëzakonshme! Kur mendoj për këtë kujtoj se sa të parëndësishme janë problemet e mia në krahasim me ato që duruan ata. Shikimi i kësaj videokasete me vajzat tona, i ndihmoi ato të kuptojnë më shumë nevojën për t’u mbështetur te Jehovai. Duke e diskutuar më pas videokasetën me to, i kemi ndihmuar që të jenë të përgatitura më mirë për të përballuar çfarëdo presioni dhe përndjekjeje që mund të hasin gjatë jetës.»
3 Në shkollë: Si pjesë të një raporti, një Dëshmitar adoleshent, mundi t’i shfaqte klasës një pjesë nga videokaseta Qëndrojnë të patundur. Përpara kësaj, mësuesja kishte thënë se nuk i pëlqente Dëshmitarët. Pasi pa videokasetën, ajo pohoi: «Kjo videokasetë e ka ndryshuar krejtësisht pikëpamjen time për Dëshmitarët e Jehovait. Premtoj se, herën tjetër kur të vijnë në derën time, do t’i dëgjoj dhe do të filloj të studioj Biblën me ta!» Çfarë e ndryshoi përshtypjen e saj për ne? Tha se ishte «dashuria e vërtetë dhe besnikëria» që kemi.
4 Në shërbim: Një motër takoi një grua që ngurroi të merrte literaturë, ndonëse kishte pyetje për ne dhe për bindjet tona. Motra u rikthye te kjo grua me videokasetën Dëshmitarët e Jehovait: Organizata pas emrit dhe e pa së bashku me gruan dhe burrin e saj. Që të dyve u bëri shumë përshtypje dhe pranuan të studiojnë Biblën. Si pasojë e dëshmisë së shkëlqyer që iu dha, filluan ta ndryshonin jetën në përputhje me vullnetin e Perëndisë.
5 A po i përdorim videokasetat që kemi në një mënyrë që ato të ndikojnë sa më shumë që është e mundur?