Jemi populli më i lumtur në botë
1 «I lumtur është populli, Perëndia i të cilit është Jehovai.» (Psal. 144:15, BR) Këto fjalë i përshkruajnë Dëshmitarët e Jehovait si njerëzit më të lumtur në botë. Nuk ka gëzim më të madh se ai që vjen kur i shërben të vetmit Perëndi të vërtetë e të gjallë, Jehovait. Duke qenë se ai është ‘Perëndi i lumtur’, ata që e adhurojnë pasqyrojnë gëzimin që ai vetë ka. (1 Tim. 1:11) Cilat janë disa aspekte të adhurimit tonë që na bëjnë të jemi kaq të lumtur?
2 Arsye për të qenë të lumtur: Jezui na siguroi se lumturia vjen nga të qenët «të vetëdijshëm për nevojën [tonë] frymore». (Mat. 5:3) Kjo nevojë plotësohet duke studiuar vazhdimisht Biblën dhe duke ndjekur rregullisht të gjitha mbledhjet tona të krishtere. Duke mësuar të vërtetën e Fjalës së Perëndisë jemi liruar nga mashtrimi dhe gabimi fetar. (Gjoni 8:32) Nga Shkrimet kemi mësuar, gjithashtu, mënyrën më të mirë të të jetuarit. (Isa. 48:17) Si rrjedhim, gëzojmë lidhje të shëndetshme të krishtera brenda shoqërisë sonë të lumtur vëllazërore.—1 Sel. 2:19, 20; 1 Pjet. 2:17.
3 Na sjell shumë kënaqësi bindja ndaj standardeve të larta morale të Perëndisë, sepse e dimë që kjo gjë na mbron dhe e bën të lumtur Jehovain. (Prov. 27:11) Reporteri i një gazete vërejti: «Pavarësisht nga standardet e tyre të rrepta, Dëshmitarët e Jehovait nuk duken të palumtur. Përkundrazi. Si të rinjtë, ashtu edhe të moshuarit [mes tyre] duket se janë jashtëzakonisht të gëzuar dhe të ekuilibruar.» Si mund t’i ndihmojmë të tjerët që të kenë edhe ata një jetë të lumtur si ne?
4 T’i ndihmojmë të tjerët të gjejnë lumturinë: Bota është e mbushur me trishtim dhe njerëzit në përgjithësi e shohin të ardhmen të zymtë. Por ne kemi një pikëpamje optimiste duke ditur se një ditë trishtimi do të jetë një gjë e së shkuarës. (Zbul. 21:3, 4) Prandaj marrim pjesë me zell në shërbim, duke kërkuar personat me zemër të ndershme, që t’u tregojmë atyre rreth shpresës sonë dhe rreth bindjeve tona për Jehovain.—Ezek. 9:4.
5 Një motër pioniere tha: «S’ka asgjë më të kënaqshme se të ndihmosh njerëzit që të njohin Jehovain dhe të vërtetën e tij.» Le të bëjmë gjithë sa mundemi për të nxitur edhe shumë të tjerë që të pranojnë të studiojnë Biblën! Duke i shërbyer Jehovait dhe duke dhënë nga vetja për të ndihmuar të tjerët që t’i shërbejnë atij, do të kemi si pasojë më shumë lumturi.—Vep. 20:35.