‘Si do të dëgjojnë?’
1 Jezui pohoi me forcë: «Më parë duhet të predikohet lajmi i mirë në të gjitha kombet.» (Mar. 13:10) Me gjithë përpjekjet tona të zellshme, ka ende qindra milionë njerëz që nuk kanë marrë një dëshmi personale. Disa qeveri e kufizojnë veprën tonë. Shumë vende kanë një popullsi të madhe që vazhdon të rritet me një ritëm të shpejtë. Prandaj, ‘si do të dëgjojnë’?—Rom. 10:14.
2 Të kemi besim te Jehovai: Duhet të mbajmë parasysh se Jehovai e njeh gjendjen e zemrës së çdo njeriu. Pavarësisht se cila është situata e një personi, nëse ai e kërkon sinqerisht të vërtetën rreth Perëndisë, do ta gjejë atë.—1 Kron. 28:9.
3 Abrahami ishte në ankth për banorët e Sodomës e të Gomorrës. Por Perëndia e siguroi se Sodoma nuk do të shkatërrohej, edhe sikur të kishte vetëm dhjetë njerëz të drejtë në të. (Zan. 18:20, 23, 25, 32) Jehovai nuk e ka shkatërruar kurrë të drejtin bashkë me të ligun, sikurse tregoi edhe çlirimi i Lotit dhe i vajzave të tij.—2 Pjet. 2:6-9.
4 Një herë Elija mendoi se ishte duke i shërbyer Perëndisë së vërtetë krejt i vetëm. Megjithatë Jehovai e siguroi se nuk ishte aspak vetëm dhe se vepra që kishte filluar do të përfundonte. (1 Mbret. 19:14-18) Ç’mund të themi për situatën në ditët tona?
5 Të qëndrojmë të zënë në shërbim të Perëndisë: Ne nuk e dimë se sa më shumë do të shtrihet vepra e dëshmisë. Jehovai është përgjegjës për këtë vepër dhe po i përdor engjëjt e tij që ta mbikëqyrin atë. (Zbul. 14:6, 7) Është Ai që vendos se deri në ç’masë do t’u jepet dëshmi të gjitha kombeve. Nëse Jehovai dëshiron, ai mund të kujdeset që mesazhi i Mbretërisë të përhapet në mënyra që ne as mund t’i imagjinojmë dot, duke bërë që shumë më tepër njerëz ‘të dëgjojnë fjalën e lajmit të mirë dhe të besojnë’. (Vep. 15:7) Ajo që Jehovai bën, do të jetë në harmoni të plotë me atë që ai vetë është, pra, një Perëndi i dashur, i mençur dhe i drejtë.
6 Është një privilegj për ne të punojmë në harmoni me vullnetin e Jehovait, duke bërë më të mirën që mundemi për t’i dhënë mundësi kujtdo që ta dëgjojë lajmin e mirë.—1 Kor. 9:16.