Të mbajmë Mbretërinë në vend të parë
1 Të vendosim Mbretërinë e Perëndisë në vend të parë në jetë dhe të vazhdojmë ta mbajmë në këtë vend nuk është e lehtë, kur hasim presione ekonomike ose probleme të tjera. Si e mbajmë në vend të parë Mbretërinë kur dalin vështirësi? Po në rast se na ofrohet një punë që kërkon të humbasim mbledhjet ose që na pengon për shërbimin në fushë? A duhet të zërë tani Mbretëria vend të dytë?
2 Nevojitet besim i fortë: Kur besimi ynë vihet në sprovë nën rrethana të tilla, nuk duhet ta harrojmë premtimin e Jehovait dhe sigurinë e Jezuit se do të kemi mbështetjen hyjnore nëse kërkojmë së pari Mbretërinë. (Psal. 37:25; Mat. 6:31-34) Ndikimet dhe presionet nga bota mund të na e mjegullojnë pamjen dhe mund të na pengojnë që ta mbajmë Mbretërinë në vend të parë. Disa kanë lejuar që mundësitë për të spikatur në punë ose për fitime financiare të bëhen gjëja e rëndësishme në jetë. Megjithatë, ashtu si Pavli, duhet të vlerësojmë me saktësi se çfarë ka vërtet vlerë në jetë.—Filip. 3:7, 8.
3 A ka nevojë të bëhen rregullime? Një lajmëtare tha: «Zemrën e kisha te biznesi im, ishte gjëja që doja më shumë. Mendoja se mund të isha ende një Dëshmitare ndërkohë që ia kushtoja pjesën më të madhe të kohës interesave tregtare.» Por atë e ngacmonte vazhdimisht mendimi se mund të bënte më shumë për t’i shërbyer Jehovait. Me kalimin e kohës, e la biznesin që ishte një pengesë për përparimin e saj frymor. Kur iu kushtua plotësisht veprës së Mbretërisë, mundi të thoshte: «Tani mendoj që jeta ime është e suksesshme në sytë e Jehovait, dhe kjo është ajo që ka vërtet rëndësi.»
4 Është diçka e lavdërueshme që shumë kanë hequr dorë nga karriera shekullare dhe mundësia për më shumë fitime financiare, që e kanë thjeshtuar jetën e tyre dhe kanë ndërmarrë shërbimin e plotkohor. Të rinj, shërbëtorë ndihmës dhe pleq beqarë që ndjekin Shkollën e Stërvitjes për Shërbim, e kanë bërë këtë dhe po gëzojnë privilegje të shkëlqyera shërbimi. Duke imituar shembullin e shkëlqyer të Pavlit, ata janë vërtet të kënaqur me gjërat materiale bazë.—1 Kor. 11:1; 1 Tim. 6:6-8; Hebr. 13:5.
5 Edhe pse bota mund të na tallë për pikëpamjen që kemi për jetën, ne kemi bekimin e Jehovait. (1 Kor. 1:26-31) A nuk është inkurajuese të dimë se ai do të na përdorë në masën më të plotë që është e mundur dhe se do të na ndihmojë që të kryejmë veprën e tij? Mundësia që kemi sot për të shpallur Mbretërinë e vendosur të tij, nuk do të përsëritet kurrë. Prandaj, tani është koha që ta mbajmë Mbretërinë në vend të parë në jetën tonë.