Kutia e pyetjes
◼ Deri në çfarë mase mund të marrin pjesë në shërbimin në fushë fëmijët e vegjël me prindër të krishterë, para se ata të njihen si lajmëtarë të papagëzuar?
Prindërit e krishterë dëshirojnë që fëmijët e tyre të zhvillohen si shërbëtorë të pjekur e të devotshëm të Jehovait. (1. Sam. 2:18, 26; Luka 2:40) Madje që në moshë shumë të hershme, fëmijët në familjet e krishtere duhet të jenë në gjendje të bëjnë shprehje të qarta në mbrojtje të besimit të tyre të bazuar në Bibël. Rritja frymore e fëmijëve shpejtohet, ndërsa ata shoqërojnë prindërit e tyre në shërbimin në fushë që nga foshnjëria. Por është e rëndësishme që të vegjlit të jenë të motivuar nga zemra, nëse duan të gëzojnë shërbimin në fushë, të kenë dëshirë për t’u bërë lajmëtarë të papagëzuar dhe të vazhdojnë të marrin pjesë në veprën e predikimit të Mbretërisë. Nga prindërit kërkohet një stërvitje e kujdesshme. (1. Tim. 4:6; 2. Tim. 2:15) Nëse prindërit janë dakord kohë pas kohe mund të ndihmojnë edhe lajmëtarë të tjerë të kualifikuar.—Shiko librin Të organizuar, faqet 99-100.
Ndërsa fëmijët me edukatë shoqërojnë prindërit e tyre të krishterë në veprën shtëpi më shtëpi, ata mësojnë se si të angazhohen në shërbim. Por ata nuk do të jenë të njohur si lajmëtarë të papagëzuar deri sa të kenë zhvilluar një masë aftësie dhe zotësie për vete. Prindërit e krishterë mund të vendosin se deri në çfarë mase një fëmijë mund të marrë pjesë në dhënien e dëshmisë, ndërkohë që punojnë së bashku. Fëmijët, të cilët nuk janë njohur akoma si lajmëtarë të papagëzuar, nuk duhet të bëjnë rivizita vetëm dhe as nuk duhet të shoqërojnë fëmijë të tjerë në shërbimin në fushë. Prindërit mund t’i përgatisin fëmijët e tyre për shërbim dhe t’i lejojnë që të marrin pjesë në mënyra të ndryshme si, duke lexuar një shkrim, duke ofruar një fletushkë apo një revistë ose duke i treguar pronarit të shtëpisë një ilustrim në ndonjë nga botimet. Ndërkohë që fëmijët rriten, ata mund të jenë në gjendje të marrin pjesë në një masë më të madhe në biseda.
Me stërvitjen e duhur, të vegjlit mësojnë të çmojnë seriozitetin e shërbimit, ndërsa ata i përgjigjen drejtimit të prindërve të tyre dhe sillen në një mënyrë të rregullt. Prindërit nuk duhet t’i lënë fëmijët e tyre, që nuk janë njohur akoma si lajmëtarë të papagëzuar, në mbledhjet për shërbimin në fushë, duke pritur që të kujdesen të tjerët për ta. Prindërit e kujdesshëm, e njohin përgjegjësinë e tyre personale për të mbikëqyrur aktivitetin e fëmijëve të tyre. Patjetër, lajmëtarë të tjerë të përgjegjshëm mund të jenë të gatshëm për të ndihmuar në stërvitjen e fëmijëve në kongregacion, të cilët tregojnë interes të sinqertë për t’i shërbyer Jehovait në shërbim.