A është e përshtatshme për të krishterët që të «ngrejnë dolli» kur mblidhen bashkë?
1 Pasi në çdo vend të botës ekzistojnë zakone të ndryshme, një i krishterë duhet të dallojë se cilat janë në përputhje me parimet biblike dhe cilat nuk janë të përshtatshme. Këtu në Shqipëri, një zakon shumë i përhapur është që të ngrihet dolli gjatë festave apo në raste të tjera të veçanta. Disa pyesin: A është e përshtatshme për një të krishterë të ngrejë dolli? Në paragrafët që vijojnë, paraqiten informacionet që Shoqata ka botuar mbi këtë argument në Kullën e Rojës, 1 janar 1968 (anglisht) faqet 31-32.
2 «Në disa vende, kur të njohurit bëhen gati për t’u nisur, jepet një koktej me disa pije alkoolike, duke ngritur gotat, duke i takuar bashkë dhe duke i shoqëruar me një shprehje si: ‘për shëndetin tënd’ apo diçka të ngjashme. Nëpër dasma shpesh ngrihet një dolli e tillë për shëndetin dhe lumturinë e të sapomartuarve. Në mënyrë të kuptueshme, disa kanë pyetur nëse do të ishte e përshtatshme nga ana biblike që të krishterët të merrnin pjesë në dolli të tilla.
3 Sigurisht që nuk ka asgjë të keqe që një i krishterë t’i urojë një miku lumturi dhe shëndet të mirë. As nuk do të ishte e papërshtatshme që kjo gjë të bëhej në grup. Në shekullin e parë, burrat që ishin pleq frymësisht e përfunduan letrën e tyre drejtuar kongregacioneve të krishtere me një shprehje që në thelb do të thotë: «Ju urojmë shëndet të mirë!»—Vep. 15:29.
4 Por a është kjo gjithçka që ka të bëjë me «dollinë»? Përse ata që ngrejnë dolli, i ngrejnë apo i marrin gotat dhe i trokasin bashkë? A bëhet kjo në imitim të ndonjë zakoni? Vëreni çfarë thotë The Encyclopaedia Britannica, botimi i 11-të, volumi 13, faqe 121:
5 «Zakoni i pirjes për shëndetin e të gjallëve ka shumë të ngjarë të ketë ardhur nga riti i lashtë fetar i pirjes për perënditë dhe për të vdekurit. Grekët dhe romakët, kur hanin i derdhnin libacione perëndive të tyre dhe nëpër bankete apo ceremoni pinin për ta dhe për të vdekurit.» Më pas, pasi tregon se si mbijetuan këto zakone pagane midis popujve skandinavë dhe teutonikë, kjo vepër referimi shton: «Lidhur ngushtë me këto zakone pirjeje gati sakrifikuese duhet të ketë qenë pirja për shëndetin e njerëzve të gjallë.»
6 Kur shumica e njerëzve bashkohen në një dolli, ka mundësi që ata nuk e imagjinojnë se mund të jenë duke kopjuar zakonin e derdhjes së një libacioni apo sakrifice të lëngshme për perënditë pagane, megjithatë mund të jetë kështu. Pa dyshim, një i krishterë nuk do të merrte pjesë në një sakrificë të vërtetë pagane, sepse e di se «ju nuk mund të pini kupën e Jehovait dhe kupën e demonëve». (1. Kor. 10:21, BR) Një i krishterë i pjekur do të shmangte, gjithashtu, edhe imitimin e riteve të rreme fetare. Një rrugë e tillë, e pjekur frymësisht do ta kënaqte Jehovain. Kujto, Perëndia i paralajmëroi në mënyrë specifike izraelitët ndaj kopjimit të praktikave fetare të kombeve pagane përreth tyre.—Lev. 19:27; 21:5.
7 Nëse një i krishterë do të bëjë një kërkesë për bekimin hyjnor të një personi tjetër, atëherë një mënyrë e përshtatshme për ta bërë këtë është përmes një lutjeje me gjithë zemër ndaj Perëndisë, jo duke ndjekur traditat e bazuara mbi adhurimin pagan, për të cilin Jehovai ndjen neveri.—Filip. 1:9; 2. Kor. 1:11
8 Zakone dhe tradita ka me bollëk anembanë tokës. Nëse një i krishterë i pjekur do ta dinte se një zakon apo traditë e veçantë ishte e bazuar drejtpërdrejt në fenë e rreme, pa dyshim që ai do ta shmangte atë. Por jo të gjitha zakonet janë të diskutueshme. Disa mund të jenë thjesht praktika vendase apo rregulla mirësjelljeje pa origjinë nga feja e rreme, siç është për shembull përshëndetja duke shtrënguar duart, apo përkulja. (Zan. 23:7) Çdo individ mund të shqyrtojë atë që ai di rreth një zakoni të veçantë dhe motivet e tij lidhur me të. Për cilën arsye po e bën këtë? Ai mund të pyesë, gjithashtu, veten: «A do t’i pengojë të tjerët bërja e kësaj ose a do t’i lidhin njerëzit e kësaj zone veprimet e mia me fenë e rreme?» (1. Kor. 10:32, 33) Asnjë person tjetër nuk mund të shërbejë si një ndërgjegje për një të krishterë në veçanti; për këtë arsye secili mund të mendojë mirë mbi çështjen dhe të marrë një vendim, në mënyrë që të ketë një ndërgjegje të pastër.—Vep. 23:1; 2. Kor. 1:12.
9 Në bazë të këtyre informacioneve, secili mund të vendosë se si do të veprojë kur në ndonjë rast propozohet një dolli. Le të jetë dëshira jonë që «në çdo gjë të rekomandojmë veten tonë si shërbëtorë të Perëndisë».—2. Kor. 6:3, 4.